Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: 16 BIBLIOTEKAT MË TË BUKURA NË BOTË (1)

Pjesa e parë

 

Një shprehje e hershme thotë se kur “gjëmojnë armët, muzat heshtin”, por gjithsesi të flasësh për bibliotekat në këto kohë nuk është kurrë e tepërt, pasi në to njerëzimi ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë një pjesë të rëndësishme të kujtesës së tij të shkruar. Ndërkohë të ofrosh një informacion për bibliotekat më të bukura në botë besoj se është dicka e vecantë pasi shpesh në biblioteka shohim të gjejmë librin që duam, por nuk ndalemi tek pamja e saj e jashtme apo e brendshme. Gjithsesi një përshkrim i 16 bibbliotekave nga më të bukurat, por edhe nga më të pasurat në botë, duhet të na rikujtojë se tek libri në bibloteka dhe dokumentat e shkruara në arkiva, mund të gjejmë përgjigjen edhe të shumë pyetjeve për ngjarjet që jetojmë sot…
BIBLIOTEKAT MË TË BUKURA NË BOTË
1. BIBLIOTEKA APOSTOLIKE E VATIKANIT, VATIKAN-ROMË (ITALI), (Biblioteca Apostolica Vaticana)
Biblioteka Apostolike e Vatikanit (emërtimi në origjinal: Biblioteca Apostolica Vaticana), e njohur më shpesh si Biblioteka e Vatikanit ose si Vat, është biblioteka e Selisë së Shenjtë në qytetin e Vatikanit pranë Romës. Biblioteka ndodhet brenda Pallatit të Vatikanit (Palazzo Apostolico), ndërtuar nga Papa Sixtus V (13.12.1521-27.08.1590) dhe hyrja në këtë bibliotekë është përmes Oborrit të Belvedere (Cortile del Belvedere), një oborr që është punuar nga arkitekti i njohur i Rilindjes italiane Donato Bramante (12.09.1444-11.04.1514). Ndërkohë në vitin 1587, Papa Sixtus V (13.12.1521-27.08.1590) porositi arkitektin italian Domenico Fontana (12.09.1543-28.06.1607) të ndërtonte një ndërtesë të re trekatëshe për bibliotekën e Vatikanit. Kjo bibliotekë u themelua zyrtarisht në vitin 1475, megjithëse ajo është shumë më e vjetër dhe konsiderohet si një nga bibliotekat më të vjetra në botë. Në këtë bibliotekë gjenden 75,000 kodikë që u përkasin të gjithë periudhave të historisë, si dhe 1.1 milionë libra ku përfshihen edhe 8,500 inkunabula, (libra të botuar para vitut 1500, shpikjes së shtypshkronjës së Gutenbergut). Biblioteka e Vatikanit është një bibliotekë me karakter kërkimor që ka materiale për historinë, ligjin, filozofinë, shkencën dhe teologjinë. Biblioteka e Vatikanit është e hapur për këdo që mund të dokumentojë kualifikimin e tij akademik dhe nevojat për të bërë studime. Nëse një studiues kërkon për qëllime studime fotokopje të librave të botuar midis viteve 1801 dhe 1990 ato mund të kërkohen individualisht dhe secilit i dërgohen përmes postës. Idenë për të krijuar një bibliotekë të posacme në Vatikan e parashtroi Papa Nikolla V (13.11.1397-24.03.1455) që parashikoi një Romë të re me vepra të mëdha publike për të joshur pelegrinët dhe studiuesit në qytet. Për këtë arsye ai donte të krijonte një “bibliotekë publike” për Romën, e cila duhej të shihej si një institucion për studime të shkencave humane. Ndërkohë pasardhësi i tij Papa Sixtus IV (21.07.1414-12.08.1484) themeloi atë që tani njihet si Biblioteka e Vatikanit. Historinë e Bibliotekës së Vatikanit (emërtimi në origjinal: Biblioteca Apostolica Vaticana), shpesh ndahet në pesë periudha, të tilla si:
1) Periudha paralaterane, që përfshin fillimin e bibliotekës, që daton nga ditët më të hershme të Kishës dhe ku vetëm një pjesë e vogël e vëllimeve kanë mbijetuar nga kjo periudhë, megjithëse disa janë shumë të rëndësishme
2) Epoka laterane filloi kur biblioteka u zhvendos në Pallatin Laterano dhe zgjati deri në fund të shekullit të 13-të, ku gjatë mbretërimit të Papa Bonifacit VIII (10.09.1235-11.10.1303), biblioteka zotëronte një nga koleksionet më të shquara të dorëshkrimeve në Evropë. por në vitin 1303, Pallati Laterano u dogj dhe koleksioni u plaçkit nga mbreti Filipi IV i Francës (27.11.1268-29.11.1314).
3). Periudha e Avignonit ishte gjatë asas që në histori njihet si Papati i Avignonit mes viteve 1309-1370, kur shtatë papë të njëpasnjëshëm banuan në Avignon të Francës. Kjo periudhë u bë dëshmitare e një numri gjithnjë e më të madh librash që u grumbulluan nga papët e ndryshëm gjatë kësaj kohe derisa në vitin 1370 Papati u kthye në Romë.
4). Periudha para Vatikanit i përket periudhës nga viti 1370 deri në 1447. kur biblioteka ishte e shpërndarë gjatë kësaj kohe, në Romë, Avignon dhe gjetkë. 5). Periudha e Vatikanit është e lidhur me periudhën kur papa bibliofil Papa Nikolla V(13.11.1397-24.03.1455) u përpoq të krijonte një bibliotekë publike në Vatikan, pjesërisht për të rivendosur Romën si një destinacion për studime. Për këtë arsye ai vendosi si bërthmaë të koleksionit të kësaj biblioteke rreth 350 kodikë grekë, latinë dhe hebraikë të trashëguar nga paraardhësit e tij së bashku me koleksionin e tij dhe blerjet e tjera, ku mes tyre kishte dorëshkrime nga Biblioteka perandorake e Kostandinopojës. Papa Nikolla V (13.11.1397-24.03.1455) gjithashtu zgjeroi koleksionin e tij duke punësuar studiues italianë dhe bizantinë për të përkthyer klasikët grekë në latinisht për bibliotekën. Në këtë mënyrë ai inkurajoi edhe përfshirjen në këtë bibliotekë të koleksionit të librave të klasikëve jofetarë në këtë periudhë dhe pati rol të rëndësishëm për ruajtjen e shumë prej veprave dhe shkrimeve antike greke, të cilat ai i kishte mbledhur gjatë udhëtimeve të tij apo i kishte marrë nga të tjerët. Kur në vitin 1481, Bartolomeo Platina hartoi një listë me librat e kësaj biblioteke, në atë kohë ky ishte koleksioni më i madh i librave në botën perëndimore. Rreth vitit 1587, Papa Sixtus V (13.12.1521-27.08.1590) porositi arkitektin italian Domenico Fontana (12.09.1543-28.06.1607) të ndërtonte një godinë të re për bibliotekën e Vatikanit ku spikat Salla e Leximit Sistina, që bë e njohur si Biblioteka e Vatikanit. Gjatë periudhës së Kundëreformacionit ndaj protestanizmit u ndalua aksesi në bibliotekë për studiuesit protestantë. Ndërkohë Biblioteka e Vatikanit kishte Indeksin e Librave të Ndaluar (Index Librorum Prohibitorum) që ishte një listë botimesh që konsideroheshin heretike ose në kundërshtim me moralin nga Kongregacioni për Doktrinën e Besimit (Congregatio pro Doctrina Fidei) dhe katolikëve u ndalohej t’i lexonin ato. Botimi i 20-të dhe i fundit i këtij indeksi u shfaq në vitin 1948 dhe Indeksi u shfuqizua zyrtarisht më 14 Qershor 1966 nga Papa Pali VI. (26.09.1897-03.08.1978). Gjatë epokës së Rilindjes, shumica e librave në këtë bibliotekë nuk ruheshin në rafte, por ruheshin në stola druri, të cilat ishin ngjitur me tavolinën ku cdo stol i kushtohej një teme specifike. Librat lidheshin me zinxhir në këto stola dhe nëse lexuesi nxirrte një libër, zinxhiri mbetej i lidhur me të. Deri në fillim të shekullit të 17-të, akademikëve u lejohej të huazonin libra por për libra të rëndësishëm, duhej të lëshonte një autorizim vetë Papa. Në katin e parë ka një dhomë papirusi dhe një hapësirë për ruajtjen e dorëshkrimeve ku ndodhet edhe laboratori i restaurimit, kurse në katin e dytë janë arkivat fotografike. Biblioteka ka 42 kilometra rafte. Në Sallën e Konsultimeve (Sala di Consultazione) ose në dhomën kryesore të referencës së Bibliotekës së Vatikanit shfaqet një statujë e Shën Thomas Aquinas kurse një version i dytë i kësaj statuje (rreth 1930) qëndron nën portikun e hyrjes së Universitetit Papnor të Shën Thomas Aquinas, Angelicum që ndodhet në qendrën historike të qytetit të Romës. Ndërsa Biblioteka e Vatikanit ka përfshirë gjithmonë Bibla, tekste të së drejtës kanonike dhe vepra teologjike, ajo u specializua në ruajtjen e librave laikë që në fillim. Koleksioni i saj i klasikëve grekë dhe latinë ishte në qendër të ringjalljes së kulturës klasike gjatë epokës së Rilindjes. Dokumentet më të vjetra në bibliotekë datojnë në shekullin I të e.s parë. pasqyrohet në raportin relativisht të lartë të dorëshkrimeve me veprat e shtypura në koleksionin e saj. Libra të tillë të shtypur që kanë hyrë në koleksion synojnë vetëm të lehtësojnë studimin e koleksionit shumë më të madh të dorëshkrimeve. Koleksioni përfshin gjithashtu 330,000 monedha dhe medalje greke, romake dhe papale. Çdo vit blihen rreth 6000 libra të rinj. Biblioteka përmban gjithashtu edhe mbi 100 dorëshkrime të Kur’anit si pjesë e koleksioneve të ndryshme që i janë dhuruar kësaj biblioteke. Sistemi i parë modern i katalogimit të koleksionit të bibliotekës u vendos mes viteve 1927 dhe 1939, duke përdorur sistemin e katalogut të skedave të Bibliotekës së Kongresit Amerikan, ndërkohë që në fillim të viteve 1990 ai u kompjuterizua. Në vitin 2012, Biblioteka e Vatiknait, në bashkëpunim me Bibliotekën Bodleian të Oksfordit, ranë dakort për të dixhitalizuar një milion faqe materiale nga kolekisionet e kësaj biblioteke, ndërkohë më 20 Mars 2014, Selia e Shenjtë njoftoi se NTT Data Corporation dhe Biblioteka e Vatikanit përfunduan një marrëveshje për të dixhitalizuar rreth 3000 dorëshkrime të Bibliotekës brenda katër viteve dhe më vonë ky proces do të shtrihej edhe për 79,000 vepra të tjera të Bibliotekës. Këto do të jenë imazhe me definicion të lartë të disponueshme në faqen e internetit të Bibliotekës. DigiVatLib është tashmë emri i shërbimit të bibliotekës dixhitale të Bibliotekës së Vatikanit që siguron akses falas në koleksionet e dixhitalizuara të dorëshkrimeve dhe inkunabulave të Bibliotekës së Vatikanit. Ndërkohë përvec Bibliotekës së Vatikanit, një institucion i rëndësishëm i kujtesës së shkruar është edhe Arkivi Apostolik i Vatikanit (emërtimi në origjinal Archivio Apostolico Vaticano), i cili për një periudhë kohe deri në shek XVII ka qenë bashkë me Bibliotekën e Vatikanit dhe deri në Tetor 2019 njihej me emrin Arkivi Sekret i Vatikanit (emërtimi në origjinal: Archivio Segreto Vaticano). Ai shërben si është arkivi qendror për të gjitha aktet e shpallura nga Selia e Shenjtë, si dhe letrat shtetërore, korrespondenca, librat e llogarive papale dhe shumë dokumente të tjera që kisha ka grumbulluar, gjatë shekujve. Në shekullin e 17-të, në bazë të urdhrave të Papës Pali V (17.09.1550-28.01.1621), arkivat u ndanë nga Biblioteka e Vatikanit, ku studiuesit kishin akses shumë të kufizuar në to dhe mbetën absolutisht të mbyllura për të huajt deri në vitin 1881, kur Papa Leo XIII (02.03.1810-20.07.1903) i hapi ato për studiuesit dhe tashmë më shumë se një mijë studiues mund të shqyrtojnë dokumentet e këtij arkivi çdo vit. Papa si Sovran i Qytetit të Vatikanit, zotëron pronësinë e materialit të ruajtur në këtë arkiv deri në vdekjen ose dorëheqjen e tij, një pronësi që i kalon pasuesit të tij. Arkivi përmban gjithashtu letra shtetërore, korrespondencë, libra llogarish dhe shumë dokumente të tjera që kisha ka grumbulluar ndër shekuj. Një strukturë e Bibliotekës së Vatikanit është edhe Biblioteka e Filmit e Vatikanit që ndodhet ndodhet në Bibliotekën Pius XII në kampusin e Universitetit privat jezuit të Saint Louis në shtetin Missuri të SHBA. Biblioteka u krijua nga Lowrie J. Daly (11.07.1914–01.07.2000), me financim nga Knights of Columbus, një urdhër katolik i i themeluar nga Michael J. McGivney më 29 Mars 1882. Qëllimi i kësaj biblioteke ishte që Vatikani dhe dokumentet e tjera të bëheshin më të disponueshme për studiuesit në Amerikën e Veriut. Mikrofilmimi i dorëshkrimeve të Vatikanit filloi në vitin 1951 dhe sipas faqes së internetit të Bibliotekës, ishte projekti më i madh i mikrofilmimit që ishte ndërmarrë deri në atë periudhë. Biblioteka u hap në vitin 1953 dhe u zhvendos në kampusin e Universitetit të Saint Lousi të shtetit Misuri ku kishte mbi 37,000 dorëshkrime, me materiale në greqisht, latinisht, arabisht, hebraisht dhe etiopisht, si dhe disa gjuhë Europës Perëndimore. Në të gjenden riprodhime të shumë veprave nga Biblioteca Palatina dhe Biblioteca Cicognara në Vatikan. Bibliotheca Palatina e Heidelbergut ishte biblioteka më e rëndësishme e periudhës së Rilindjes Gjermane, që numëronte afërsisht 5,000 libra të shtypur dhe 3,524 dorëshkrime. Bibliotheca ishte një trofe i cmuar që u kap gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare (1618-1648) dhe u mor si plaçkë nga Maksimiliani i Bavarisë duke iu dhënë Papës si një gjest simbolik dhe politik. Ndërsa disa nga librat dhe dorëshkrimet tani ruhen nga Universiteti i Heidelbergut në Gjermani, pjesa më e madhe e koleksionit origjinal është një pjesë integrale e Bibliotekës së Vatikanit (Bibliotheca Apostolica Vaticana) në Vatikan, si dhe regjistrat e letrave Papale nga Arkivi Sekret i Vatikanit nga shekujt IX-XVI, në seritë Registra Vaticana dhe Registra Supplicationium.
2. BIBLIOTEKA E MANASTIRIT TË MAFRA-S, MAFRA (PORTUGALI), (Biblioteca do Convento de Mafra në Mafra, Portugali)
Biblioteka e Manastirit të Mafra, Mafra (Portugali) në Pallatin mbretëror të Mafras është ë e vendosur në një sallë mbresëlënëse të stilit Rococo. Stili Rococo ishte një stil ornamental i dekorimit të brendshëm, (tavane, mure, mobilie apo kolona, shandanë, altarë), një lloj variant i stilit Barok dhe që mbizotëroi në Francë gjatë mbretërimit të Luigjit të XV (15.02.1710-10.05.1774), Itali e Europën qëndrore nga viti 1730-1760 . Origjina e emrit të këtij stili është e lidhur me një përdorim disi humoristik të fjalës frënge rocaille. Pallati i Mafras dhe vetë salla ku është e vendosur biblioteka ndodhen 28 kam larg Lisbonës dhe u projektuan nga arkitekti i oborrit mbretëror portugez Manuel Caetano de Sousa (25.01.1742-21.05.1802) për t’u përdorur si muze. Në këtë sallë nëpër dritaret e shumta që e rrethojnë atë vërshon drita natyrore duke bërë që dyshemeja prej mermeri me ngjyrë trëndafili, gri dhe të bardhë të shkëlqejë gjatë gjithë ditës. Në vitin 1745, Papa Benedikti XIV (31.03.1675-03.05.1758) i dha leje komisionit mbretëror portugez që të vendoste në këtë bibliotekë librat e ndaluar nga Vatikani që ishin pjesë e të ashtuquajturit Index Librorum Prohibitorum (Lista e Librave të Ndaluar) një listë botimesh që konsideroheshin heretike ose në kundërshtim me moralin nga Kongregacioni për Doktrinën e Besimit (Roman Curia) në Vatikan dhe besimtarëve katolikëve u ndalohej t’i lexonin ato. Ato përbëhen nga 35,000 libra të lidhur me lëkurë dhe tashmë janë pjesë e koleksionit mbretëror të kësaj biblioteke Biblioteka Rokoko, e vendosur në pjesën e pasme të katit të dytë, është me të vërtetë pika kryesore e këtij pallati, duke rivalizuar madhështinë e bibliotekës së Manastirit të Melkut në Austri. E ndërtuar nga arkitekti Manuel Caetano de Sousa (25.01.1742-21.05.1802), kjo bibliotekë është 88 m e gjatë, 9,5 m e gjerë dhe 13 m e lartë. Dyshemeja e mrekullueshme është e mbuluar me pllaka prej mermeri trëndafili, gri dhe të bardhë. Raftet e librave prej druri në stilin Rokoko janë të vendosura në trotuare në dy rreshta, të ndara nga një ballkon me kangjella druri. Ato përmbajnë mbi 36,000 vëllime të lidhura me lëkurë, duke dëshmuar për shtrirjen e njohurive perëndimore nga shekulli i 14-të deri në shekullin e 19-të. Midis tyre, ka shumë xhevahire të vlefshme bibliografike, si inkunabula. Këto vëllime të bukura të përfunduara u lidhën në punishten lokale (Livraria) në stilin rocaille (gjithashtu nga Manuel Caetano de Sousa). Biblioteka është e njohur për lakuriqët e natës që i mbrojnë librat nga dëmtimi i insekteve.
3. BIBLIOTEKA E MANASTIRIT TË ABACISË SË SHËN GALLENIT, ST GALLEN (ZVICËR), (Stiftsbibliothek)
Biblioteka e Abacisë së Shën Gallen është e vendosur në kishën e manastirit me të njëjtin emër që është ngritur për nder murgut irlandez Gallus, i cili në këtë vend zgjodhi të kalonte jetën si eremit. Pas vdekjes së tij njerëzit e nderuan si shenjtor dhe në vendin ku u varros Shën Othmari themeloi në vitin 820 Manastirin dhe Bibliotekën e Abacisë së Shën Gallen në nderim të murgut irlandez. Në vitin 937 gjatë një zjarri Abacia u shkatërrua plotësisht, por cuditërisht biblioteka shpëtoi duke e bërë atë edhe më të famshme. Salla e famshme e kësaj biblioteke në stil Rokoko ku është vendosur një koleksion i rrallë librash u projektua nga arkitekti austriak Peter Thumb (18.05.1681-04.12.1767) mes viteve 1758-1767. Në derën e hyrjes së saj biblioteke është një mbishkrim në gjuhën greke “psyché iatreion”, që përkthehet “mjeku/apo ilaci i shpirtit”, një metaforë për rëndësinë e librit në jetën e njeriut. Koleksioni i bibliotekës është më i vjetri në Zvicër dhe konsiderohet si një nga bibliotekat më të hershme dhe më të rëndësishme të manastireve në botë. Biblioteka përmban 160,000 vëllime të vendosura në rafte druri, shumica e të cilave janë të disponueshme për publikun. Përveç librave më të vjetër, koleksioni përfshin 1650 inkunabula (libra të shtypur para vitit 1500) dhe në të gjenden edhe 2100 kodikë që datojnë nga shekujt 8-15 Këta kodikë mbahen brenda kutive prej xhami dhe secila prej të cilave ka në krye nga një kerubin (engjëll) të gdhendur që ofron një të dhënë vizuale për përmbajtjen e librave që gjënden në raftet poshtë tij. Psh në rastin e materialeve të lidhura me astronominë ka një kerubin që vëzhgon librat përmes një teleskopi. Ndërkohë është krijuar edhe një bibliotekë online për të ofruar akses më të gjerë në këta kodikë, Codices Electronici Sangallenses. (E-Codices) Aktualisht, më shumë se 600 dorëshkrime nga kjo bibliotekë janë në dispozicion të lexuesve në format dixhital.
4. BIBLIOTEKA KOMBËTARE E AUSTRISË, VJENË (AUSTRI), (Österreichische Nationalbibliothek)
Biblioteka Kombëtare Austriake (gjermanisht: Österreichische Nationalbibliothek) është biblioteka më e madhe në Austri, me më shumë se 12 milionë libra. Ajo është e vendosur në një krah të Pallatit Hofburg (fjala Hofburg do të thotë Kështjella e Oborrit) në qendër të Vjenës, e cila ka shërbyer që prej vitit 1279 deri në 1918 si ish-pallati perandorak kryesor i dinastisë Habsburgase. Pallati Hofburg ka shërbyer si rezidencë dimërore, pasi Pallati Schönbrunn ishte rezidenca verore e dinastisë Habsburgase. Pallati Hofburg është zgjeruar gjatë shekujve duke përfshirë rezidenca të ndryshme si Amalienburg & Albertina), kishëzën (kapela) perandorake (Hofkapelle/Burgkapelle), bibliotekën perandorake (Hofbibliothek), godina e thesarit perandorak (Schatzkammer), teatrin kombëtar të Austrië (Burgtheater/K.K. Theater an der Bur), shkolla spanjolle e kalërimit (Hofreitschule), stallat e kuajve dhe karrocave perandorake (Stallburg dhe Hofstallungen). Që nga viti 1946 është rezidenca zyrtare dhe vendi i punës i presidentit të Austrisë. Për ndërtimin e Pallatit Hofburg ku është vendosur Biblioteka Kombëtare e Austrisë kanë punuar arkitektë të njohur si arkitektët italianë Filiberto Luchese (26.12.1606-21.06.1666), Lodovico Burnacini (24.10.1636-12.12.1707), Martino dhe Domenico Carlone, si edhe arkitektët austriakë të stilit barok si Lukas von Hildebrandt (14.11.1688-16.11.1747), Joseph Emanuel Fischer von Erlach, Erhan (13.09.1693-29.06.1742) Johan Emanuek. Në këtë bibliotekë gjenden 7 milionë libra e dorëshkrime në një hapësirë të stilit barok që u ndërtua në viitin 1735 nga arkitekti Johann Bernhard Fischer von Erlach (13.09.1693-29.06.1742) dhe djali i tij Johann Emanuel. Një vepë e themeluar nga Habsburgët, biblioteka fillimisht quhej Biblioteka e Oborrit Perandorak (gjermanisht: Kaiserliche Hofbibliothek). Ndryshimi i emrit aktual në Biblioteka Kombëtare Austriake (gjermanisht: Österreichische Nationalbibliothek) ndodhi në vitin 1920, pasi u shpërbë Monarkia Habsburgëve dhe shpalljes së Republikës Austriake. Kompleksi i bibliotekës përfshin katër muze, si dhe koleksione dhe arkiva të shumta speciale. Shtesa më e vlefshme në atë kohë ishte koleksioni i gjerë i Princit Eugene të Savojës (18.10,1663-21.04.1736) 15,000 vëllimet e të cilit përfshinin libra me vlerë nga Franca dhe Italia. Që nga viti 2005, disa nga koleksionet e kësaj biblioteke janë zhvendosur brenda godinës të stilit barok të Palais Mollard-Clary që u ndërtua gjatë viteve 1686-1689 për Kontin Perandorak austriak Franz Maximilian von Mollard  (18.12.1621-08.10.1690) në vitin 1760, kjo godinë u ble nga konti Franz Wenzel von Clary und Aldringen. Perandori Jozef II (13.03.1741-20.02.1790) ndërkohë që aty ndodhet edhe Muzeu i Globa-ve (gjermanisht: Globenmuseum) që u hap në vitin 1956 dhe që është i vetmi muze publik në botë që i kushtohet globave, pjesë e koleksionit të bibliotekës, që përfshin modele tredimensionale të planetit të Tokës ose trupave të tjerë qiellorë, si edhe forma të tjera të sferës qiellore. Një nga sallat më mbresëlënëse të kësaj biblioteke është Salla Qëndrore (gjermanisht: Prunksaal) ku ruheshin librat e manastirit të françeskanëve (Minoritenkloster) dhe ku janë të ekspozuar në raftet prej druri afro 200,000 libra dhe në tavanet e saj ka afrekse interesante të realizuar nga piktori austriak Daniel Gran (22.05.1694-16.04.1757), ku bien në sy afresku alegorik i paqes dhe parajsës.
5. BIBLIOTEKA E MANASTIRIT TË MELKUT, MELK (AUSTRI), (Stiftsbibliothek Melk)
Biblioteka e Melk e njohur gjithashtu si Biblioteka e Abacisë Melk, është një bibliotekë manastiri me bazë në Austri e vendosur qytetin e Melkut në Austrinë e Poshtme, pranë luginës Wachau përgjatë lumit Danub. Biblioteka e stilit barok ka shumë dorëshkrime të rralla mesjetare, si dhe një inventar të madh të letërsisë baroke. Abacia dhe manastiri i Melkut u themeluan në vitin 1089 kur mbreti Leopold II i Austrisë (29.09.1073-15.11.1136) i dha një nga kështjellat e tij murgjve benediktinë nga Abacia e Lambachut për të ngritur atje manastirin e tyre. Në shek XII atje u krijua një shkollë monastike, e quajtur Stiftsgymnasium Melk si edhe biblioteka e manastirit që shumë shpejt u bë e njohur për koleksionin e saj të gjerë të dorëshkrimeve. Skriptoriumi i manastirit ishte gjithashtu një vend kryesor për prodhimin e dorëshkrimeve. Në shekullin e XV, abacia u bë qendra e lëvizjes së Reformës Melk, e cila ringjalli jetën monastike të Austrisë dhe Gjermanisë Jugore. Abacia dhe manastiri i Melkut në versionin e sotëm të stilit barok u ndërtua midis viteve 1702 dhe 1736 sipas modeleve të arkitektit austriak Jakob Prandtauer (16.07.1660-16.09.1726). Vlen të përmendet veçanërisht abacia me afreske nga piktori austriak Johann Michael Rottmayr (11.12.1656-25.10.1730) dhe biblioteka me dorëshkrime të panumërta mesjetare, duke përfshirë një koleksion të famshëm të dorëshkrimeve muzikore dhe afreske nga piktori austriak Paul Troger (30.10.1698-20.07.1762). Për shkak të famës dhe kapacitetit akademik, Abacia e manastiri i Melkut arriti t’i shpëtojë shpërbërjes së manastireve që ndodhi nën Perandorin Jozef II (13.03.1741-20.02.1790), kur shumë abaci e manastire të tjera austriake u shpërndanë midis viteve 1780 dhe 1790. Abacia arriti t’i mbijetojë kërcënimeve të tjera për ekzistencën e saj gjatë Luftërave Napoleonike ( 1800-1814), dhe gjithashtu në periudhën pas Anschluss në 1938, kur shkolla dhe një pjesë e madhe e abacisë u konfiskuan nga shteti. Por manastriri dhe abacia e Melkut nuk kanë mundur t’i shpëtojnë zjarrit të vitit 1297 dhe sulmeve turke në vitin 1683, por dorëshkrimet e bibliotekës arritën të ruhen nga murgjit. Ndërkohë pas një zjarri që ra në vitin 1974 godina iu nënshtrua një restaurimi që zgjati nga viti 1978-1995
6. BIBLIOTEKA E MANASTIRIT ADMONT, ADMONT (AUSTRI), (Stiftsbibliothek Admont)
Biblioteka e Manastirit Admont në Austri (Stiftsbibliothek Admont) është biblioteka më e madhe në botë që gjëndet në një manastir të Urdhrit Benediktin. Biblioteka ndodhet në manastirin e Admontit, pranë qytetit të Admontit në provincën e Styrisë në juglindje të vendit, Kjo bibliotekë është shumë e njohur për arkitekturën e saj të famshme të stilit barok dhe dorëshkrimet e shumta që gjenden brenda saj . Ndërtimi i kësaj biblioteke filloi që në vitin 1074 me ndërtimin e manastirit me të njëjtin emër dhe përfundoi në vitin 1776 . Vendndodhja e manastirit në kufijtë e Parkut Kombëtar malor Gesäuse (emri Admont rrjedh nga shprehja latine “ad montes,” “në male”) ofron një bukuri të pazakontë piktoreske. Manastiri që i kushtohet shenjtorit Shën Blaise, u themelua në vitin 1074 nga kryearqipeshkvi Gebhard i Salzburgut. Kisha aktuale e manastiri është projektuar nga arkitekti WËilhelm Bücher për të zëvendësuar kishën e mëparshme që u dogj pas zjarrit të të vitit 1865 dhe u frymëzua nga Katedralja e Regensburgut duke qenë ndërtesa e parë fetare në Austri në stilin neo-gotik.Vecanërisht të bien në sy në këtë bibliotekë salla kryesore e stilit barok që është projektuar në vitin 1776 nga arkitekti austriak Joseph Hueber( 26.03.1715-28.09.1787) Salla është 70 metra e gjatë, 14 metra e gjerë dhe 13 metra e lartë dhe konsiderohet biblioteka më e madhe e një manastiri në botë. Drita sigurohet nga 48 dritare që nxjerrin në pah nuancat e bardha të mermerit ndërkohë që arkitektura dhe modeli shprehin idealet e Iluminizmit,. Salla ka shtatë kupola ku janë mbresëlëmëse afresket e e piktorit austriak të stilit barok Bartolomeo Altomonte(24.02.1694-11.11.1793) të cilat përshkruajnë faza të ndryshme të dijeve njerëzore deri në pikën më të lartë të Shpalljes Hyjnore dhe përbëjnë një element plotësues të ciklit skulpturor të skulptorit Joseph Stammel “Four Last Things”.(Joseph Stammel’s sculptural series “Four Last Thing.. Sipas eskatologjisë tw krishterë, Katër gjërat e fundit ose katër gjërat e fundit të njeriut (latinisht: quattuor novissima janë 1)Vdekja, 2)Gjykimi, 3)Parajsa dhe4) Ferri, katër fazat e fundit të shpirtit dhe në jetën e përtejme. Nw tw ndodhen mbi 1400 dorëshkrime qw janw nga më të vjetrat , njw prej tw cilave janw dhuruar nga Abacia e Shën Pjetrit në Salzburg, si dhe mbi 900 inkunabula( libra para shpikjes së shtypshkrojnës së Gutenbergut. Termi inkunabula e ka prejardhjen nga latinishtja incunabulum që do të thotë “pelena”, ose “djep”, dhe në mënyrë metaforike i referohet “fazave më të hershme ose gjurmëve të para në zhvillimi i çdo gjëje”. Një term i mëparshëm për këto libra është pesëmbëdhjetë, në kuptimin e “botimit të shekullit të pesëmbëdhjetë”.Termi inkunabula u përdor për herë të parë në kontekstin e botimece nga mjeku dhe humanisti holandez Hadrianus Junius ( 12.07.1511-19.10.1575) në një pasazh në veprën e tij Batavia (shkruar në 1569; botuar pas vdekjes në 1588). Ai iu referua një periudhe “inter prima artis (typographicae) incunabula” (“në fillimet e para të artit tipografik”). Biblioteka e Manastirit Admont në Austri (Stiftsbibliothek Admont) wshtw mjaft e njohur pwr bukurinw e saj baroke dhe koleksionin
7. BIBLIOTEKA KOMBËTARE KLEMENTIUM E CEKISË, PRAGË (CEKI), (Klementinum – Národní Knihovna České republiky)
Biblioteka Kombëtare Klementium në Pragë është e vendosur në sallën baroke të godinës së një manastiri domenikan që u ndërtua pranë Kishës kushtuar Shën Klementit. Klementium përfshinte një kompleks godinash historike në Pragë ku ishin të vendosura biblioteka kombëtare, universitare e teknike e Pragës. Arkitektura e saj është një shembull mbresëlënës i arkitekturës baroke dhe Clementinum që ka një sipërfaqese 20,000 metra katrorë, është kompleksi i dytë më i madh i ndërtesave në Pragë pas Kështjellës së së Pragës (Pražský hrad). Historia e kësaj biblioteke daton nga ekzistenca e një kishe kushtuar Shën Klementit në shekullin e 11-të. Në periudhën mesjetare aty u themelua një manastird dominikan, i cili në vitin 1556 u shndërrua në një kolegj jezuit duke qenë një nga tre kolegjet më të mëdha jezuite në botë. Në vitin 1622 jezuitët transferuan bibliotekën e Universitetit të Charles në Klementinum. Universiteti Charles i Pargës u themelua në 1348 nga një dekret (bulë) papale nga Papa Klementi IV (19.04.1291-06.12.1352), në bazë të një kërkese nga Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake Charles IV (14.05.1316-29.11.1378), për të ngrituar atje një universitet si modeli i Universitetit të Parisit, i ngritur në 1150, kolegji jezuit u bashkua me Universitetin Charles të Pragës në vitin 1654 dhe jezuitët qëndruan atje deri në shpërbërjen e tyre në 1773, kur manastiret jezuite të urdhrit jezuit (origj: Societas Iesu -SJ, Iesuitæ) u shpërbënë më 23 Korrik 1773 nga një dekret “Dominus ac Redemptor” i Papa Klementi XIV. Ata u dëbuan nga shumica e vendeve të Europës Perëndimore dh kolonitë e tyre për shkak të ndikimit të madh dhe një lloj konflikti me selinë e shenjtë. Më pas Klementinum u rithemelua si një observator, bibliotekë dhe universitet nga Perandoresha Austriake Maria Theresa, (13.05.1717-29.11.1780). Në sallën baroke të kësaj biblioteke të bien në sy afresket e bukura në e tavan nga Jan Hiebl dhe kolonat prej druri mahogani në formë spirale që janë të veshura me ar. Kjo është një nga arsyet që Klementinum është konsideruar si “perla baroke e Pragës” dhe një nga bibliotekat më të bukura në botë. Në të janë mbi 20,000 vëllime me literatureëtë huaj teologjike dhe një koleksion i pasur globesh të punuara me dorë nga murgjit jezuitë. Në krye të sallës është një portret i perandorit Jozef II (13.03.1741-20.02.1790), i cili përkujton punën e për ruajtjen librave nga bibliotekat e manastireve që u shpërbënë në vitin 1773 dhe shumë prej këtyre veprave gjenden sot në këtë sallë.
8. BIBLIOTEKA E MANSTIRIT WIBLINGEN, ULM( GJERMANI), (Stiftsbibliothek Wiblingen)
Biblioteka e Wiblingenit është e vendosur në Abacinë e Wiblingenit që është një manastir i urdhrit Benediktin ku janë vendosur disa departamente të fakultetit të mjekësisë të Universitetit të Ulmit. Ajo ndodhet pranë ku bashkohen lumenjtë Danub dhe Iller, në jug të qytetit Ulm në landin gjerman të Baden-Württembergut. Abacia është pjesë e Rrugës Baroke të Shvabisë së Epërme (Oberschëäbische Barockstrasse), e cila është një rrugë me tematikë turistike që kalon përmes rajonit të Shvabisë së Epërme, ku paraqet monumente të natyrës, kulturës dhe arkitekturës së stilit barok. Rruga ka një gjatësi prej rreth 500 km dhe shtrihet përgjatë Zvicrës dhe Austrisë rreth liqenit të Konstancës. Logoja e saj përshkruan një putto të verdhë në një sfond të gjelbër, tipike e epokës baroke pasi putto-ja (italisht; djalë i vogël) është një figurë e përdorur shumë në veprat e artit të stilit barok që përshkruan një fëmijë mashkull topolak, zakonisht të zhveshur dhe ndonjëherë me krahë, në formën e një engjëlli. Fillimisht kjo figurë ishe e kufizuar vetëm simbolikën e pasioneve pagane, por më pas putto u përdor për të përfaqësuar kerubinin e ndërsa në artin barok përfaqësonte gjithëpraninë e Zotit apo edhe një kupid (italisht amorino) me shigjetën dhe harkun e tij që godiste zemrat e të dashuruarve. Abacia e Wiblingen u themelua në vitin 1093 nga kontët Hartmann dhe Otto von Kirchberg. që u ofruan murgjërve të ndërtonin një tokë pranë lumit Iller dhe gjatë mesjetës së hershme e të vonë ao u bë e njohur si një institucion i famshëm për studimet e dijes duke qenë një vend shembullor disiplinës monastike për shkak të respektimit të rreptë të rregullave të Shën Benediktit. Pas ndryshime të shumta në vitin 1714 iu nënshtrua një rinovimi ku shumica e e ndërtesave u ngritën në stilin e Barokut të Vonë, me përjashtim të kishës, e cila do të bëhej një nga shembujt kryesorë të hershëm të stilit Neoklasicist në Gjermaninë Jugore. Në bazë të projektit të arkitektit Christian Wiedemann (20.12.1678-22.10.1739) filluan punimet për ndërtimin e bibliotekës së famshme në krahun verior të abacisë e cila përfundoi në vitin 1744. Fasada e kësaj ndërtese u projektua sipas Bibliotekës së Oborrit Perandorak në Vjenë, e cila u përzgjodh për të demonstruar lidhjen e abacisë me perandorinë austro-hungareze. Biblioteka Wiblingen është një godinë dykatëshe me stil të vecantë barok ku bien në su dy nivele dritaresh dhe një çati pak e ngritur, e cila ofron hapësirë shtesë për tavanin me kupolë. Biblioteka në muret e dhomave të leximit ka një gamë të pasur ngjyrash ari, rozë dhe blu. Çdo sipërfaqe është e mbuluar me dekorim ndërsa kolonat dhe statujat janë bërë prej druri, por ato janë pikturuar që të duken si mermer. Gjerësia e bibliotekës nuk ishte proporcionale me lartësinë, kështu që arkitektët i bënë galeritë më të gjera për ta bërë sallën e leximit të dukej në ekuilibër me përmasat e saj Biblioteka përmban mbi 15,000 libra që janë të vendosura përgjatë kolonave ku janë një sërë statujash sic janë ato që simbolizojnë virtytet e krishtera si Bindja, Thjeshtësia, Devotshmëria dhe Përkushtimi) si edhe disiplinat shkencore si Filozofia, Historia, Ligji dhe Teologjia, duke e shndërruar në një skenë madhështore për ekspozimin e librave.
Please follow and like us: