A e votoi Shqipëria Dora Bakojanisin? (Vazhdojnë të zgjidhen në organizmat europiane që merren me Kosovën, diplomatë nga shtete që nuk e njohin Kosovën)
Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Në 18 mars 2022 u njoftua se Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës caktoi me votim të fshehtë një ditë më parë ish-ministren e jashtëme greke Dora Bakojanis si raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Kosovën.
Gjëja e parë, që bie në sy, është se zgjidhet raportuesja nga një shtet si Greqia, që nuk e njeh Kosovën.
Vazhdon sjellja e habitshme e diplomacisë europiane, e cila vazhdimisht preferon të zgjedhë që në organizmat europiane të merren me Kosovën diplomatë nga shtete, që nuk e njohin Kosovën si shtet i pavarur.
Përvoja diplomatike europiane në Ballkan provon që diplomatët, kushdo qofshin ata, nëse vijnë nga shtete, që nuk e njohin Kosovën, diktohen nga qendrimet dhe paragjykimet e shteteve të tyre në veprimtarinë në Kosovë dhe për Kosovën.
E kemi parë me përfaqësuesin e posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, që vjen nga Sllovakia, që nuk e njeh Kosovën. E kemi parë me përfaqësuesin e lartë të politikës së jashtëme të BE, Joseph Borrell, që vjen nga Spanja, që nuk e njeh Kosoven.
Dhe tani kemi Dora Bakojanis, e cila vjen nga Greqia, që nuk e njeh Kosovën.
Gjëja e dytë dhe më e rëndësishme, e cila kërkon sqarim zyrtar, është të mësohet se si ka votuar Shqipëria në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. A e ka përkrahur Shqipëria kandidaturën e ish-ministres së jashtëme greke Dora Bakojanis?
Nëse e ka përkrahur, a e kishte parasysh se raportuesja e re vjen nga një shtet, që nuk e njeh Kosovën? Nëse e ka votuar në favor të Bakojanisit, çfarë i ka kërkuar Shqipëria për Kosovën ish-ministres së jashtme greke dhe Greqisë në shkëmbim të votës shqiptare?
Shpresoj që gazetarët shqiptarë, të akredituar pranë qeverisë, t’i kërkojnë sqarime kryeministrit të Shqipërisë për këto çeshtje në rastin më të parë./gazeta dita