Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Naim Frashëri, poeti më i famshëm i shqiptarëve në shekullin e 19-të

Naim Frashëri është poeti më i famshëm i shqiptarëve në shekullin e 19-të. Një përzierje profeti e prijësi, pasi ka shkruar mijëra vargje e himne për lirinë, për shpatën që do ta sillte atë, për atdheun e robëruar, për Kastriotin-Skënderbe, për dritën që do të vinte nga Perëndimi, shkurt, për Shqipërinë madhështore e po aq të hyjnueshme. Në veprën e tij të pafundme, që shpesh është quajtur ‘naimiana’, poeti sipëran, apostulli, idhulli, prijësi, shpata dhe rrufeja e kombit, jo vetëm thyhej prej një gruaje, por ishte gati të bëhej baltë e pluhur përpara saj, e si të mos mjaftonte kjo, të shkelej prej këmbëve të saj, e si të mos mjaftonte edhe kjo, të dehej nga kjo shkelje e t’i puthte ato këmbë (takat) etj. ‘Bukuria’ është poema e vetme erotike e kryeveprës së poetit të ‘Luleve të verës’, pikërisht këtu mund të kërkohet vazhdimi i atij misteri që lidhet me pyetjen: ishte mposhtur apo jo femra shqiptare prej territ osman? Naim Frashëri, poeti që nuk dremiste asnjë grimë kohe kur ishte fjala për Shqipërinë, shpallte të kundërtën: Gruaja jo vetëm nuk ishte mposhtur, por, në një ndeshje të hamendësuar, ajo mund ta vinte kundërshtarin e saj në gjunjë. E në qoftë se ky antinom i saj e kapërcente burrin, terrin, vetë poetin, kjo do të thoshte se ajo vetë, gruaja, duke kapërcyer vetveten, i afrohej trajtës dhe simbolikës së lirisë.

Please follow and like us: