Ismail Xhaferi: Ti je një re në syrin tim
Te je një re në syrin tim,
Një re e bardhë si dëborë,
Unë dorën zgjat që të të prek,
A preket reja vallë me dorë?!
Ti je një re në syrin tim,
Që zbret ngadalë nga netët blu,
Sa herë që unë nis e zgjat dorën,
Tretesh ngadalë e humb diku.
Ti je një re në syrin tim,
Dhe mall i trishtë si në një ëndërr,
Sa herë që nata mbyll qerpikët,
Më bëhesh dhimbje, shkon në zemër.
Ti je një re në syrin tim,
(O zot ç’magji të bëkan gratë)!
Ti je një yll nga qiej ëndërrash,
Ti je një dhimbje kaq e gjatë!
Ti je një re në syrin tim,
Që asnjëherë nuk m’a zë dritën,
Po mbyll qerpikët dalëngadalë,
Sepse kam frikë se mos më ikën.
Ti je një re në syrin tim…
Please follow and like us: