Ukraina refuzon të dorëzojë Mariupolin, ndërsa Rusia paralajmëron për `katastrofë` humanitare. SHBA dhe BE po shqyrtojnë ashpërsimin e sanksioneve ndaj Moskës.

15:44/Trupat ruse qëllojnë mbi protestuesit në Kherson

Të paktën 12 persona raportohet të jenë plagosur sot pasi trupat ruse shpërndanë një demonstratë qytetare në qytetin e pushtuar jugor, Kherson në Ukrainë duke qëlluar me armë mbi protestuesit. BBC raporton se pamjet e videove të publikuara në rrjetet sociale tregojnë protestuesit në një shesh të qytetit, me njerëz që vrapojnë nën breshërinë e armëve. Kherson, që është më i madh nga një pjesë e vogël e qyteteve të pushtuara nga forcat ruse ka parë protesta të rregullta  qytetare kundër okupimit.

15:26/OKB thotë se të paktën 925 civilë janë vrarë në Ukrainë

Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) thotë se që nga 24 shkurti, kur filloi agresioni rus në Ukrainë, ka arritur të konfirmojë vrasjen e të paktën 925 civilëve. “Deri më tani kemi konfirmuar vrasjen e të paktën 925 civilëve në Ukrainë dhe plagosjen  e 1.496 civilëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e sotëm të OHCHR. Sipas OKB-së shumica e viktimave civile të regjistruara u shkaktuan nga përdorimi i armëve të rënda në zonat e banuara.

14:56/Vazhdon beteja për aeroportin e Kherson-it

Forcat ruse kanë  në orët e fundit kanë humbur terren  në betejën për të marrë kontrollin e qytetit, Mykolaiv, por ato vazhdojnë të sulmojnë autobusët civilë që largohen përmes rrugës nga Khersoni, qyteti i parë dhe i vetëm i madh i marrë deri më tani nga Rusia. CNN raporton se civilët vazhdojnë tub mbesin  të bllokuar në disa pika kontrolli  të forcave ruse, përderisa forcat e Ukrainës po vazhdojnë të mbajnë qytetin afër Detit të Zi në jug të Ukrainës. Marina e Ukrainës raportohet se po mban Posad-Pokrovske, vendbanimi i fundit afër pozicioneve ruse që po e përdorin si bazë e aeroportin e Khersonit, që vazhdon të goditet rëndë nga granatimet ukrainase.

14: 26/Ukraina njofton se të gjitha portet e saj janë të mbyllura për transport të anijeve

Të gjitha portet e Ukrainës në Detin e Zi dhe Detin Azov mbeten përkohësisht të mbyllura për anijet që kërkojnë të hyjnë ose të dalin në portet e këtij vendi. Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës, ka njoftuar sot se nuk mund të ofrojë aktualisht kushtet e nevojshme teknike dhe të sigurisë për transportin detar. Ushtria e Ukrainës pezulloi transportin tregtar në portet e vendit menjëherë pasi Rusia nisi sulmin e saj më 24 shkurt, duke nxitur frikën e ndërprerjeve përmes këtyre nyjeve të rëndësishme të furnizimit.

14:24/Borrell dënon “krimet masive të luftës” së Rusisë në Mariupol

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian Josep Borrell, në takimin me ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel e ka quajtur sulmin e Rusisë në qytetin port  ukrainas, Mariupol “një krim masiv lufte”. “Ajo që po ndodh tani në Mariupol është një krim masiv lufte, duke shkatërruar gjithçka, duke bombarduar dhe vrarë të gjithë”, tha Josep Ndërkohë një varg shtetesh anëtare të BE-së aprovuan sanksione ndaj sektorit kyç të energjisë së  Rusisë.

14:15/Shtëpia e Bardhë mbledh krerët e bankave dhe kompanive të naftës për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se sot do të mbledh në një takim krerët  kompanive të naftës dhe bankave, ExxonMobil, JPMorgan, Bank of America dhe kompanive të tjera të mëdha për të diskutuar çështjen e agresionit rus në Ukrainës. CNN citon zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë që konfirmojnë se takimi i mbyllur organizohet nga Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe do të udhëhiqet nga sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, sekretarja për Tregti, Gina Raimondo dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Takimi është thirrur pas pasi lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndëshkuese të Perëndimit ndaj Rusisë, kanë filluar të peshojnë në ekonominë botërore dhe ndërprerjet e furnizimit po ndikojnë në ushqim, energji e mallra tjera duke kërcënuar të krijojnë inflacionin më të lartë në 40 vjet.

13:59/OBSH thotë se 6 sulme të tjera janë kryer në objektet shëndetësore në Ukrainë

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka  njoftuar sot se gjashtë sulme të tjera ruse janë regjistruar, në 24 orët e fundit, në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë. Në një njoftim të OBSH-së në Twitter, thuhet se  deri më tani ka verifikuar kryerjen e 52 sulmeve ndaj objekteve shëndetësore civile. “Në 25 ditët e fundit që prej Rusia sulmoi Ukrainën ka pasur më shumë se 52 mbi ndërtesat shëndetësore. Kjo është e papranueshme. Kujdesi shëndetësor duhet të mbrohet gjithmonë”, thuhet në njoftimin e OBSH-së.

13:47/Zelensky i bën thirrje Gjermanisë ta shpëtojë Kievin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje sot Gjermanisë për të shpëtuar kryeqytetin, Kiev, duke thënë se ky qytet që dikur quhej një “Berlin i ri”, i ngjashëm në frymën e tij të “hapjes, emocioneve, lirisë në sheshe, sinqeritetit të njerëzve, bareve e partive, tani është i mbyllur”. “Është i heshtur në pritje të një sirene të re sulmi ajror për të hyrë në strehimore. Është diçka me të cilën ukrainasit jetojnë, punojnë dhe përpiqen të flenë. Ata trajtojnë plagët e tyre; lindin foshnja dhe vdesin “ ka thënë Zelensky. Zelensky lëshoi një klip prej 20 sekondash të një sirene sulmi ajror, duke e quajtur atë një tingull që ukrainasit po e dëgjojnë “për orë, ditë dhe javë të tëra”. Zelensky theksoi se Evropa, sidomos gjermanët kanë fuqinë për të bërë presion mbi Rusinë. “Pa tregtinë tuaj, kompanitë dhe bankat tuaja Rusia nuk do të ketë para për të financuar këtë luftë”.

 

13:29/Ministri ukrainas i Mbrojtjes thotë se mbrojtësit e Mariupolit shkatërruan planet e armikut

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, ka thënë se mbrojtësit e qytetit Mariupol luajtën një “rol të madh në shkatërrimin e planeve të armikut”. Reznikov  ka theksuar se forcat ruse ishin bllokuar diku tjetër, por pranoi ekzsiton një “situatë të vështirë” në mbarë vendin. “Duke u përballur me kaq shumë fuqi zjarri ruse në Mariupol, dhjetëra mijëra jetë në të gjithë Ukrainën u shpëtuan. Sot Mariupol po shpëton Kievin, Dnipron dhe Odesën. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë, ” ka thënë Reznikov. Ukraina hodhi poshtë më herët një ultimatum  të Rusisë për të dorëzuar qytetin e rrethuar Mariupol të caktuar në orën 5 të mëngjesit me kohën e Moskës.

13:20/Tetë të vrarë në sulmet në Kiev

Zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas ka njoftuar se 8 persona është konfirmuar të jenë vrarë nga sulmet ruse në disa shtëpi dhe një qendër tregtare mbrëmjen e së dielës në Kiev. Shërbimet e urgjencës të Ukrainës kishin  njoftuar më herët se janë katër të vrarë  nga sulmi në lagjen Podilskyi të kryeqytetit, por sipas të dhënave të prokurorisë numri i personave të vrarë është 8 dhe 20 të plagosur.

13:04/Ushtria ruse thotë se ka kryer sulme me raketa ndaj objektivave në Ukrainë

Forcat ruse kanë hedhur raketa dirigjuese që fluturojnë ulët dhe me shpejtësi konstante  në disa objektiva në Ukrainë. Gjeneralmajori, Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes,  ka deklaruar sot se  raketat kanë pasur cak kryer një qendër trajnimi ushtarak ukrainas në qytetin Nova Lyubomyrka, në Rivne, rajonin veriperëndimor të Ukrainës. Konashenkov pretendoi se sulmi shkaktoi dhjetëra viktima, por CNN raporton se ende nuk ka qenë e  mundur të verifikohen asnjë nga këto pretendime. Konashenkov tha se raketat e dirigjuara shkatërruan gjithashtu një depo municioni dhe selinë e një brigade pranë fshatit Selets.

12:50/Duhet më shumë se një javë për ta marrë Mariupolin

Një lider i seperatistëve të mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës ka thënë se nevojitet më shumë se një javë për ta marrë nën kontroll Mariupolin, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax. “Nuk jam shumë optimist se për dy apo tri ditë apo edhe një javë e mbyllë këtë çështje. Fatekqësisht, jo, qyteti është i madh”, citohet të ketë thënë Denis Pushilin, lideri i të ashtuqujturës Republika Popullore e Donestskut.

12:18/Kryetari i Odesës akuzon forcat ruse për sulmet në qytet

Kryetari i qytetit të Odesës ka akuzuar forcat ruse për sulmin e ndërtesave të banimit në periferi të këtij qytetit, duke e bërë këtë raportimin e parë për ndonjë sulm atje. Këshilli i qytetit tha se nuk ka viktima nga ky sulm, i cili raportohet të ketë goditur ndërtesa në periferi të qytetit, pavarësisht se është ndezur zjarr. “Këto janë ndërtesa banimi ku jetojnë njerëz paqësorë”, citohet të ketë thënë kryetari i qytetit, Gennadiy Trukhanov.

12:05/Rihapet pjesërisht bursa në Rusi

Bursa në Moskë është hapur pjesërisht, për herë të parë që nga 25 shkurti, një ditë pasi filloi lufta në Ukrainë. Tregtimi i detyrimeve dhe aksioneve në tregjet financiare të Rusisë u pezullua, pasi stoqet ranë me 33%. Sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë po vërehen gjerësisht në fushën ekonomike. Disa supermarkete po kursejne në artikujt bazik, sikurse kripa dhe vaji. Bursa është hapur në 13:00 me orën lokale, vetëm për disa hua për detyrimet, të lëshuara nga qeveria ruse. Këtë mëngjes, rubla ruse është vlerësuar 105 dollarë amerikanë. Ajo ka rënë për një çerek, që nga fillimi i luftës.

11:52/Kina do të japë edhe 1.57 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

Kina do të ofrojë ndihmë humanitare shtesë në vlerë prej 1.57 milionë dollarëve për Ukrainën, “bazuar në zhvillimin e situatës dhe nevojat aktuale”, ka thënë të hënën Ministria e Jashtme e Kinës. “Kina do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në promovimin e përmirësimit të situatës në Ukrainë dhe do të japë kontributin e saj për të tejkaluar krizën humanitare”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin. Kina ofroi grupin e parë të ndihmave për Ukrainën më herët këtë muaj, në vlerë prej rreth 800 mijë dollarësh.

11:40/BE paralajmëron “rrezikun e  madh” të trafikimit të fëmijëve ukrainas

Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme ka paralajmëruar se fëmijët ukrainas janë në rrezik “të madh” nga trafikimi, gjatë ikjes së tyre nga pushtimi rus. Ylva Johansson tha se gjysma e 3.3 milionë njerëzve që kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i luftës, janë fëmijë. Ukraina ka një numër të madh të fëmijëve që janë jetimë, apo që kanë lindur nga nëna surrogate, e të cilët nuk janë marrë nga prindërit adoptues. Kjo e rritë rrezikun e kidnapimit apo trafikimit të tyre, ka thënë Johansson.

 

11:09/Paralajmërohet orë policore në Kiev

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka paralajmëruar “orë policore” në kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, nga ora 8:00 e mbrëmjes të së hënës, deri në 7:00 të mëngjesit të ditës së mërkurë. Klitschko tha se dyqanet, farmacitë dhe pikat e karburantëve nuk do të hapen të martën. “Po kërkoj nga të gjithë që të qëndrojnë nëpër shtëpi apo strehimore kur të fillojë alarmi”, ka thënë ai.

10:55/BE “nuk lodhet” nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis tha se BE “nuk do të lodhet” nga vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, apo ta ndihmojë Ukrainën. Gabrielius Landsbergis paralajmëroi kundër një “ndjesie për të cilën duhet ulur e marrë frymë thelle”. Duke folur për media në Bruksel, ai tha se është e “pashmangshme” që të flitet për sektorin e energjisë. “Dhe ne definitivisht duhet të flasim për naftën. Sepse nafta sjellë të ardhurat më të mëdha për buxhetin rus dhe është lehtësisht e zëvendësueshme”, tha ai.

10:48/Kremlini thotë se një embargo për naftën do ta dëmtonte Evropën

Kremlini ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian do të goditet rëndë nëse do të vendosë një embargo në naftën ruse. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se një veprim i tillë do ta dëmtonte balancën energjetike të bllokut.

10:32/Situatë e vështirë në Mariupol

Zëvendës kryeministrja e Ukrainës e ka përshkruar si shumë të vështirë situatën në qytetin e Mariupolit, në kohën kur Ukraina ka refuzuar ultimatumin rus për ta dorëzuar qytetin. “Sigurisht që i kemi refuzuar këto propozime”, ka thënë Iryna Vereshchuk, duke shtuar se situata është shumë e rëndë. Moska kishte propozuar se në rast që pranohet ultimatumi, korridoret humantiare nga Mariupoli do të hapeshin nga ora 7:00 e mëngjesit.

10:15/Ukraina: Rusët goditën rezervuarin 50 tonësh të amoniakut

Zyrtarët thonë se një rezervuar 50 tonësh me amoniak është dëmtuar, pasi objekti në Sumykhimprom është goditur nga forcat ruse.  Sipas raportimeve, është krijuar një shtëllungë nga amoniaku. Kjo shtëllungë përfshinë një zonë prej rreth 2.5 kilometrash, ka thënë guvernatori rajonal, Dmytro Zhyvytskyy. Ai tha se është raportuar për një të lënduar, i cili ishte punëtor i fabrikës.

09:38/Rusia thotë se nuk do të sulmojë objektet e industrisë kimike

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Rusia nuk planifikon dhe  nuk ka sulmuar asnjë objekt të industrisë kimike në Ukrainë, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax. Gjithashtu thuhet se Rusia ka goditur një objekt ushtarak në rajonin Rivine të Ukrainës, me raketa nga deti, ka raportuar Interfax.

09:28/Eksodi i më shumë se 2 milionë ukrainasve në Poloni

Shifrat e fundit tregojnë se 10 milionë njerëz janë zhvendosur, brenda dhe jashtë Ukrainës, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Më shumë se 2.1 milionë njerëz kanë ikur për në Poloni, ka thënë Garda Kufitare Polake. Megjithatë, numrat po pësojnë rënie. Të dielën, rreth 34 mijë njerëz kanë kaluar kufirin, rreth 16 % më pak se të dielën paraprake. Profesori i Universitetit të Varshavës, Maciej Duszczyk vlerëson se 1.2 milion njerëz janë ende në Poloni.

09:20/Katër të vrarë në Kiev

Të paktën katër persona u vranë në bombardimin gjatë natës në një qendër tregtare në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Ndërtesa 10-katëshe u godit nga një shpërthim i fuqishëm, ku e gjithë pjesa jugore e saj ishte shkatërruar. Në një postim, kryebashkiaku i kryeqytetit Vitali Klitschko tha se ekipet e shpëtimit janë ende duke shuar një zjarr të madh në vendin e sulmit. Ndërkohë që Ministria Britanike e Mbrojtjes ka publikuar raportin e saj të fundit të Inteligjencës, duke thënë se luftimet e ashpra po vazhdojnë në veri të Kievit, megjithëse përparimi rus ka ngecur. Por, pavarësisht mungesës së vazhdueshme të përparimit, Kievi mbetet objektivi kryesor ushtarak i Rusisë. Ata mund ta kenë prioritet përpjekjen për të rrethuar qytetin gjatë javëve të ardhshme. Bombardimi i civilëve ka zhvendosur rreth 10 milionë njerëz, brenda vendit ose jashtë Ukrainës. Kurse më shumë se 2.1 milionë njerëz kanë ikur vetëm në Poloni, sipas autoriteteve polake.

 

09:13/Ukraina refuzon të dorëzojë Mariupolin

Ukraina refuzoi të hënën thirrjet ruse për të dorëzuar qytetin port të Mariupolit, ku banorët janë të rrethuar me pak ushqim, ujë dhe energji,  në një krizë humanitare që po rrit presionin ndaj liderëve evropianë për të ashpërsuar sanksionet ndaj Moskës. Qeveria e Ukrainës refuzoi në mënyrë sfiduese thirrjet ruse që forcat ukrainase në Mariupol të dorëzonin armët në këmbim të kalimit të sigurt nga qyteti dhe korridoret humanitare që do të hapeshin në mëngjes të hënën. “Nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë dorëzim, apo dorëzim të armëve,” citoi portali i lajmeve Ukrainska Pravda të ketë thënë zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, duke shtuar se kanë informuar palën ruse për këtë. Vereshchuk tha se mbi 7,000 njerëz u evakuuan nga qytetet ukrainase përmes korridoreve humanitare të dielën, më shumë se gjysma nga Mariupoli. Rusia dhe Ukraina kanë bërë marrëveshje gjatë gjithë luftës për korridoret humanitare për evakuimin e civilëve, por kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të shpeshta të tyre. Kriza në Mariupol dhe qytete të tjera të shkatërruara të Ukrainës ka të ngjarë të shfaqet shumë në diskutimet mes liderëve të Bashkimit Evropian këtë javë, ndërsa ata konsiderojnë vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë, duke përfshirë një embargo të naftës. Qeveritë e BE-së do të fillojnë diskutimin mes ministrave të jashtëm të hënën, përpara se presidenti i SHBA, Joe Biden, të mbërrijë në Bruksel të enjten për samitin me 30 aleatët e NATO-s, si dhe me BE-në dhe në formatin e (G7), duke përfshirë Japoninë.