George BYRON: E MAHNITSHME KALON AJO
E mahnitshme kalon ajo, porsi natë
Me qiell që kaltëron e yjnajë të zjarrtë
Magji e zisë dhe shkëlqimit të pamatë
Rrëzëllin te pamja dhe sytë e saj;
Butësisht përhumbet n’atë dritë të artë
Më hyjnore se e lumja parajsë
Dritëhije që shfaqet e sakaq venitet
Veç ia shton bukurisë së paemër
Atë hir që praron floknajën e zezë,
Mu mbi fytyrë shndrit e zbehtë
Tek zhytet në t’ëmblat mejtime
Sa qenie e dëlirë dhe e shtrenjtë.
Ja faqet, balli të shtangin hutueshëm
Magjepsin gjestet por dhe fjalët urtojnë
Buzëqeshje e ëndërrt, e drojtur përskuqet
Pasqyrë e një jete krejt të përkorë
E paqtë mendja e saj çiltëri përçon
E pafajshme dashuria prej zemre i buron!
Përktheu: Granit Zela
Please follow and like us: