Odise Kote: Kuaj të zinj tymi dalin me galop
Kuaj të zinj tymi dalin me galop nga udhët e thella të pyllit.
Zjarri si një brengë e turbullt i ka hyrë heshtjes mespërmes.
I dehur gjakut, me pamja alpine si zbulim e shijim torture,
kacaviret nxitimthi, nga një habi në tjetrën, ngjitet përpjetë.
Si dredhi e çarmatos fatin, tërheq zvarrë erotizëm shkretinor.
Ç’rëndësi ka adhurimi ndaj qëndresës kur e përcaktuara dihet.
Gjuhë e flakēs – jo dramë, por si komedi paraprin në revoltë.
Pa kuptuar që busullat e dikurshme janë thyer.
Besimi qenka plasaritur, siç plasaritet guri nga ngrica në acar.
Duhet të vdesim si dikur apo të jetojmë të palumtur?
Jetës së mendjes, tē mundë vdekjen e trupit i duhet t’ia dalë,
ose zmadhimi i moskuptimit si absurd, do të ikë në të kundërt?
Pikëpyetjet shkrepëtijnë tronditshëm nxitur nga flakët e zjarrit.
të verbëra, pushtuese, tërësi të gjakosura flu, pa destinacione.
Shumuar me shpejtësi rreziku, hakmarrje për pendimet a ndëshkim,
i ndjekin këmba-këmbës të ndërkryera iluzionet.
Fuqia e zjarrit s’tundohet një grimë për soditje, as s’prapset, as ndalet,
Parajsës i ngjiten të lemerisura dhe dëgjohen rënkimet, rrëzimet, të pakryera vrasjet…