Agim Xh. Dëshnica: NË MJEGULLA TRAGJEDISH
Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,
Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon.
Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e gurta.
Shfaqet lart nën hije resh të murme,
n ëkulla, bedena këshjellash tragjike.
Në pallatet e ngrysur hyn,
shkel në gjurmë,
mbretërish e mbretëresash,
princash e princesash,
kalorësish hijerëndë.
Heton me radhë intrigantë,
hapa besnikësh e rojesh,
Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;
qan të dashuruarët e pafaj;
ndëshkon vrasës të pabesë.
Në kulla, bedena e shkallë të gurta,
veç terr, pluhur, frymë shkretëtire.
Ndër sallat mister, hijet sillen qark,
pa shenjë, pa fjalë, veç heshtja flet,
nga thellësi e mjegullt ekohrave.
Kupolat kumbojnë,
nga zëri titanik i perandorit:
Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!
Atëhere bjer o Qesar!
Në sallat e hollet e zymta,
ushton thirrja tragjike
e princit Hamlet:
Të rrosh a të mos rrosh,
kjo është çeshtja!
O prapësi o dreq,
që unë paskam lindur të të ndreq!
Makbeth! Makbeth!
Më kot! Më kot! lan duart e krimit;
Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës lëvizi!
Bujar Makdafi, vjen për ndëshkim!
Shekspiri kundron trishtueshëm,
sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.
U qetëson plagët trimave të drejtësisë,
përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;
gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;
kumte të ndritur, lë për njerëzimin.