Emigrantët shqiptarë me qëndrim prej 30 vitesh, do marrin pension të plotë
Parlamenti grek ka diskutuar projektligjin e ri që lehtëson dhënien e pensionit të plotë për emigrantët shqiptarë dhe atyre nga vendet e ish BRSS. “Qeveria është zotuar se në prag të zgjedhjeve se do të përmbushet kërkesa e emigrantëve nga Shqipëria dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik për dhënien e pensionit të plotë kombëtar ”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Greqisë.
Drejtuesi i zyrës së Sigurimeve Shoqërore, Panagiotis Tsakloglou u shpreh se pavarësisht krizës dhe kufizimeve buxhetore, “qeveria ka zgjedhur të dëgjojë emigrantët dhe me këtë projektligj të plotësojë kërkesat e tyre dhe të korrigjojë një padrejtësi”.
Por çfarë ndryshon në dhënien e pensionit kombëtar për emigrantët shqiptarë?
Deri më tani, pensioni kombëtar për emigrantët nga Shqipëria dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik kushtëzohej me qëndrimin e tyre në Greqi prej 40 vitesh.
“Megjithatë, kriteri i vendbanimit rezultoi objektivisht i pamundur për të plotësuar dhënien e masës së plotë të pensionit kombëtar për bashkëqytetarët tanë (emigrantët që kanë marrë shtetësi greke), pasi kufijtë e vendeve të tyre të rezidencës u hapën në vitin 1990, në rastin më të mirë”, theksoi Tsakloglou sipas mediave greke.
Ai shpjegoi më tej se “me dispozitën e propozuar, e cila është e vlefshme nga data 1 janar e këtij viti dhe për një periudhë kalimtare 10-vjeçare, e cila skadon në vitin 2032, kërkesa është 30 në vend të 40 viteve të qëndrimit, në mënyrë që emigrantët të marrin një pension të plotë kombëtar. Më pas, ky kufi rregullohet gradualisht çdo vit”
Sipas autoriteteve greke pensioni llogaritej në raport me sa vite qëndrimi kishin mbetur prej 40 viteve që ishte kriteri kryesor. Ky hark kohor tashmë është ulur.
Përfaqësuesit e emigrantëve kërkuan një pension të plotë kombëtar ku kriteri i viteve të ulej në 20 vite të qëndrimit të ligjshëm në Greqi, dhe jo 30 saç është përcaktuar në projektligj.
SYRIZA ka kërkuar pagesën e pensionit kombëtar për emigrantët nga Shqipëria dhe ish-Bashkimit Sovjetik që kanë 15 vite qëndrim të përhershëm dhe dhënien e një pagese të plotë për të moshuarit emigrantë të pasiguruar nga Shqipëria.
“Qeveria, pavarësisht premtimeve të zotit Mitsotakis, me nenin 60 të projektligjit të Ministrisë së Brendshme parashikon se do të kërkohen 30 vjet qëndrim që emigrantët nga Shqipëria dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik të marrin pension të plotë. Kjo është një marrëveshje joadekuate që erdhi shumë vonë. Gjithashtu, qeveria Mitsotakis është përgjegjëse sepse nuk zbaton për 32 muaj dispozitën e qeverisë SYRIZA të vitit 2019, e cila parashikon kthimin e plotë të kompensimit për të moshuarit emigrantë të pasiguruar nga Shqipëria”, thanë deputetët Mariliza Xenogiannakopoulou dhe Kosdas Zodrias.
Kryetarja e posaçme e Lëvizjes për Ndryshim, Evangelia Liakouli, ka theksuar se pensioni kombëtar i mërgimtarëve nuk duhet shkurtuar, “pasi është e qartë se ardhja në Greqi pas vitit 1992 dhe marrja e kartës së mërgimit në 1998, nuk mund të kushtëzohen me 40 vitet të qëndrimit në Greqi para vitit 2038”.
Lëvizja për Ndryshim ka paraqitur edhe një amendament për “heqjen e uljes së Pensionit Kombëtar të emigrantëve nga Shqipëria.