Albspirit

Media/News/Publishing

Fituesi rus i Nobelit për Paqe nxjerr në ankand medaljen për të ndihmuar refugjatët ukrainas

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, redaktori i gazetës së pavarur ruse “Novaya Gazeta”, thirri një takim urgjent të stafit disa minuta pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi luftën e tij kundër Ukrainës.

“Jemi të pikëlluar, – tha Muratov në një fjalim video, pas takimit në selinë e gazetës në Moskë. – Vendi ynë, me urdhër të presidentit Putin ka nisur një luftë me Ukrainën dhe nuk ka kush ta ndalë atë. Prandaj, së bashku me pikëllimin, mbajmë edhe turpin”.

Muratov e kanalizoi agoninë e redaksisë së tij në kundërshtim me veprimin e Putinit. “Rusia po bombardon Ukrainën”, – u botua me germa të mëdha në pjesën e përparme të numrit të ardhshëm të gazetës. Titujt u shkruajtën krah për krah në rusisht dhe ukrainisht.

“Ne nuk e njohim Ukrainën si armik ose ukrainishten si gjuhën e një armiku, – nënvizoi në videon e tij. – Dhe nuk do ta bëjmë kurrë”.

Gati një muaj më vonë, ai titull i faqes së parë është shpallur i paligjshëm. Dhe Muratov është njeriu i fundit që qëndron mes Putinit dhe një mediaje të pavarur në Rusi.

Zemërluani 60-vjeçar i gazetarisë ruse për dekada e ka administruar “Novaya Gazeta” në momente të tmerrshme, përfshirë vrasjen e gazetarëve të saj. Tani, ndërsa kombi po shkon drejt totalitarizmit të plotë, ai përballet me mundësinë e vdekjes së vetë gazetarisë ruse.

Ndërsa qindra gazetarë kanë ikur nga Rusia, ai është ende në Moskë duke botuar “Novaya Gazeta” tri herë në javë. Por gazeta duhet t’i përmbahet një ligji të ri të censurës, të nënshkruar më 4 mars, që kërcënon deri në 15 vite burg ata që publikojnë lajme “të rreme” mbi Rusinë dhe ushtrinë e vendit. Ndër të tjera, censura do të thotë se media ruse nuk mund ta quajë luftë atë që po ndodh në Ukrainë, por vetëm një “operacion special ushtarak”.

Dmitry Muratov, një bashkëfitues i Çmimit Nobel të Paqes së vitit të kaluar, tha të martën se do ta nxirrte medaljen e tij “Nobel” në ankand për të mbledhur fonde në ndihmë të refugjatëve ukrainas

Please follow and like us: