Albspirit

Media/News/Publishing

INVAZIONI I UKRAINËS, PËRPJEKJA E PUTINIT PËR TË KTHYER PRAPA RROTËN E HISTORISË

Nga Xheladin Zeneli

 

Ndërsa shumica e vendeve në mbarë botën e kanë dënuar ashpër agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, ka disa politikanë, analistë dhe burrështetas jashtë Rusisë, të cilët po përpiqen të fajësojnë dhe ta bëjnë Perëndimin përgjegjës për këtë luftë.

Ata argumentojnë se janë NATO dhe SHBA që ‘provokuan’ dhe ‘zemëruan’ Putinin duke zgjeruar anëtarësimin e saj në shtetet që kufizohen me Rusinë.

Ndërsa secili ka të drejtën të shpreh mendimin e vet në këtë çështje, faktet dhe të vërtetat tregojnë diçka krejtësisht të ndryshme.

E thënë thjesht, Lufta e Ftohtë u fitua nga vendet demokratike perëndimore, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe NATO-ja mbizotëroi mbi Traktatin e Varshavës, një kualicion ushtarak i vendeve komuniste të Evropës, i cili u shpërbë në vitin 1991.

Të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore që dolën nga regjimet e diktaturës komuniste në fillim të viteve 1990, duke përfshirë edhe disa republika të ish-Bashkimit Sovjetik, ishin në gjendje të zgjidhnin një rrugë midis fituesve ose humbësve.  Natyrisht, shumica prej tyre zgjodhën dhe u radhitën  me vlerat perëndimore duke aspiruar dhe kërkuar të ishin pjesë e Organizatave Euro-Atlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO.

Pra, janë këto vende që aplikojnë dhe kërkojnë anëtarësim në këto organizata dhe nuk është NATO-ja ajo që iu impononohet.

Si fitues të Luftës së Ftohtë, Perëndimi do të duket shumë i dobët nëse u thotë këtyre anëtarëve aspirantë të NATO-s  se “ne nuk mund t’jua plotësojmë dëshirën për t’u bërë anëtare e NATO-s, sepse kjo do të zemroi Rusinë”. Nuk funksionon kështu.

Siç e dimë të gjithë fituesit e çdo lufte, përfshirë Luftën e Ftohtë, vendosin rregullat e “Rendit të Ri Botëror”.  Ky është një realitet që regjimi i Putinit, për disa kohë tashmë, e ka shumë të vështirë ta pranoi.

Pas më shumë se tre dekadash nga shpërbërja  e Bashkimit Sovjetik, Rusia duke bërë luftë në Ukrainë, zgjodhi ti kundërvihet  NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake në botë dhe kundër ekonomive më të fuqishme në planet, BE dhe SHBA.

Sulmi luftarak nga ana e Rusisë ndaj fqinjit të vet është përpjekje për të kthim prapa të rrotës së historisë duke bërë atë që Rusia, tani e udhëhequr nga Putini, di të bëj më mirë: imponimin e vullnetit me forcë ushtarake mbi një komb tjetër të pavarur, duke pushtuar vendin e pavarur dhe sovran të Ukrainës.

Duket sikur Rusia e Putinit refuzon të nxjerrë mësime nga e kaluara se përmbysja ose ndryshimi i qeverisë legjitime të një vendi tjetër me forcë dhe agresion nuk funksionon.

Putini mund të jetë në gjendje të përdorë forcën e tij ushtarake për të bombarduar dhe shkatërruar qytete, për të vrarë civilë, por ai kurrë nuk do të jetë në gjendje të shtypë vullnetin dhe vendosmërinë e popullit ukrainas për liri dhe demokraci, kurse agresioni luftarak ndaj Ukrainës do thotë fillimi i fundit të regjimit të tij diktatorial.
Xheladin Zeneli, aktivist i njohur shqiptaro-amerikan, i autor librit “Diaspora dhe Vendlindja”.

Please follow and like us: