Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: KOHA E ZVARRANIKËVE


Më pat thënë dikur një mik,
Ca fjalë që në mend i mbaj,
Nëse nuk di të zvarritesh,
S’do të ngjitesh kurrë në majë.

 

Të arrish atje tek maja,
S’duhen muskuj, s’duhet shkencë,
Por duhet vetëm përulje,
Ndaj kujtdo që ka pushtet.

 

T’u përulesh gjithë eprorëve,
Fjalën kurrë mos ta bësh dy,
Kur qan shefi ti vur kujën,
Kur qesh shefi qesh dhe ti!

 

Duhet natyrisht ca tesera,
Dhe një karakter i shplarë,
Mos harro nëpër mitingje,
Gjithmonë në rreshtin e parë!

 

Nuk duhet moral e besë,
Nuk duhet as cipë, as nder,
Vazhdimisht të bëhesh urë,
Që mbi ty të shkojnë të tjerë!

 

Në mitingje thërrit fort,
“Rroftë partia, rroftë lideri”!
Edhe kur e di shumë mirë,
Që s’ka shumë ndryshim nga derri!

 

Kurrë s’do thuash të vërtetat,
As mendimet që ti ke,
Shkurt të tjetërsosh vetveten,
Të mos jesh ai që je!

 

Dridhe sa herë bëhen zgjedhje,
Kjo është një kërkesë e vjetër,
Dhe kur ndërrohet pushteti,
Edhe ti merr teser tjetër!

 

Më pat thënë dikur një mik,
Rrugë e jetës duhet shtruar,
Po të shesësh karakterin,
Do të dalësh i fituar!

 

Fjalët e mikut të hershëm,
Vazhdimisht në mend i mbaj,
Prandaj edhe zvarranikët,
I shikojmë gjithmonë në majë.

 

Më pat thënë dikur një mik,
Shih këta që bëjnë karrierë,
Pa moral, pa nder, pa emër,
Që së largu bien erë.

 

Më pat thënë një mik i hershëm,
Ke dy rrugë prandaj ti zgjidh,
O jeto duke zvarritur,
Ose ngreu në këmbë e vdis!
Mars 2022.

Please follow and like us: