Rexhep Shahu: Faleminderit Deçan!
Më 21 mars 2022, Komuna e Deçanit në Kosovë, në 24 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit më nderoi duke me dhënë titullin “Jusuf Gervalla për Poezi për kontributin si shkrimtar e publicist në shërbim të çështjes kombëtare”.
Natyrisht që unë jam për çmim Nobel në letërsi dhe nuk i marr seriozisht çmimet e tjera, por ky çmim i dhënë nga një prej komunave më të shkatërruara prej dhunës serbe gjatë luftës për Kosovën ku qëndresa ka qenë epike, më emocionoi dhe më nderoi.
Para se të lexoja poezinë në orën letrare, si parathënie të saj thashë këto fjalë:
Faleminderit kryetari i komunës z. Bashkim Ramosaj që nge ura njerzore. Është lehtë të bëhet një investim në komunë, të bëhet një rrugë apo diçka tjetër por është e veshtirë të ndërtosh ura mes njerzve nga hapsira shqiptare.
Deçanin e daçanasit për herë të parë i kam njohur e takuar në pasditen e 3 qershorit 1998 në sheshin e qytetit të Bajram Currit në Tropojë ku isha aty si gazetar i radio Kukësit e korrespondent i Radio Tiranës. Qindra njerëz nga rajoni i Deçanit mbërrinin aty në atë shesh ku priteshin me dashuri të rrallë nga tropojanët të cilët, për hir të së vertetës, duhet thënë se duan bukur. I merrnin njerëzit e ardhur nëpër shtëpitë e tyre se i konsideronin të gjithë njerëz të tyre, farë e fis. Tropoja është i vetmi vend në botë, sipas UNHCR, ku për refugjatët nuk u ngrit asnjë kamp pasi refugjatët u strehuan nëpër shtëpitë e vendasve.
Deçani dhe rajoni i Dukagjinit ka nxjerrë shkrimtarë e poetë me emër të madh dhe unë po ju prezantoj dy numra të revistes illz, revistë letrare e Tiranës të cilën e botojmë bashkë me mikun tim Izet Duraku me mbështetjen e deputetit humanist Flamur Hoxha. Kam sjellë dhuratë për komunën e kryetarin disa kopje reviste ku janë Jusuf Gërvalla e Teki Dervishi si dhe Azem Shkreli.
Deçani ka njohur shkatërrim të madh, por sa më i madh shkatërrimi aq më e madhe qëndresa e njerëzve. Deçanasit kanë luftuar në Kosovë e nuk kanë luftuar me mua nëpër kafet e Kukësit e të Tiranës. Decani ka nxjerrë Ramush Haradinin, komandanti më komandant i gjallë i UÇK që i ka dhënë edhe si familje gjak vëllezërish luftës.
6 muaj pasi u çlirua Kosova kam ardhë në Deçan në fshatin Kodrali dhe qëlloi dita kur nga dhuna serbe vdiq Zeqe Hasaj i cili me dy shokët e tij kishin shpëtuar nga burgjet serbe dhe u liruan 6 muaj pasi u çlirua Kosova.
Që nga viti 1997 kam intervistuar 4 a 5 herë me telefon heroin Sali Çekaj nga Radio Kukësi në Gjermani. Drejtoi i Radio Kukësit Izet Duraku ishte lidhë me Hafiz Gagicën dhe ai më rekomandoi të lidhesha sa herë të doja me Sali Çekën.
Fizikisht për herë të parë e kemi takuar Sali Çekën bashkë me Izetin në Bajram Curr me 4 qershor 1888 dhe i kemi bërë një intervistë të gjatë, intervistë e emetuar në radio Tirana e radio Kukësi. Me 8 qershor 1998 e takova sërish në Bajram Curri dhe ai deshi të shprehte mirënjohje për popullsinë e Tropojës e krejt shqiptarët që kanë çelë dyert për të dëbuarit që vijnë nga Kosova. E regjistrova sërish atë ditë.
Kjo dhe disa fjalë të tjera ishin parathënia e poezisë që vijon dhe që juria e shpalli fituese.
REXHEP SHAHU: TË DINË PËR KATUND KOSOVË
Të dinë për katund, Kosovë,
Një katund i humbur dikur në Veri
Me njerëz të egër, që flasin trashë
Që vijnë e na pshurrin detin në verë.
Ti je guri ku mbështes kryet Kosovë
Ku marr fuqi mos me vdekë
Je ëndrra që gjithë jetën të kam ndjekë
Ulkonja që duan ta shqyejnë qentë.
Ti je nëna që lind pesë për shpi e pesë për shki
Je baba që vdes te mbrojtë pragun e shtëpisë
Je vorri i babës, i nanës që flet
Je vorri i fëmijës që thërret.
Kopilat s’mund ta shesin Kosovën
Se s’pranojnë vorret me u shitë
S’munden vorret mos me folë shqip
S’mundën vorret me ikë.
Please follow and like us: