Albspirit

Media/News/Publishing

Zelensky i kërkon Italisë të mos pranojë politikanët rusë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje ligjvënësve italianë të martën të ndalojnë që vendi i tyre të jetë një shesh lojërash për elitën ruse, ndërsa paralajmëroi se mungesa e ushqimit të shkaktuar nga lufta rrezikon një krizë të re emigrantësh, njofton AFP.

Deputetët italianë i dhanë duartrokitje Zelenskit teksa ai mbajti fjalimet më të fundit të një serie videosh në parlamentet perëndimore në një përpjekje për të mbledhur mbështetjen pas pushtimit rus të vendit të tij më 24 shkurt.

“Mos u bëni vendi që i mirëpret këta njerëz,” u tha Zelensky ligjvënësve në Itali, një destinacion kryesor pushimesh për elitën ruse, e njohur për zotërimin e vilave luksoze në disa nga destinacionet më piktoreske të vendit, nga Toskana në ishullin e Sardenjës.

“Ne duhet t’i ngrijmë të gjitha: të ngrijmë pronat e tyre, llogaritë e tyre, jahtet e tyre, nga Scheherazade tek më të vegjlit. Ne duhet të ngrijmë asetet e të gjithë atyre në Rusi që kanë fuqinë për të marrë vendime,” tha ai.

Pronësia e mega jahtit shumë milionë dollarësh Scheherazade, i ankoruar në bregdetin toskan, është aktualisht burimi i spekulimeve se i përket një oligarku rus, apo ndoshta edhe vetë presidentit Vladimir Putin.

Duke folur pas Zelenskit, kryeministri Mario Draghi tha se Roma deri më tani kishte sekuestruar mbi 800 milionë euro (880 milionë dollarë) asete që i përkasin oligarkëve rusë të sanksionuar nga BE, duke përfshirë një jaht 530 milionë euro.

Italia ka pranuar 60,000 ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët kanë ikur nga atdheu i tyre.

Zelensky — fjalimet e të cilit në parlamentet janë të shënjestruara me kujdes ndaj audiencës lokale — ngriti gjithashtu spektrin e njerëzve që mbërrinin në Itali nga vendet e goditura nga një krizë ushqimore e shkaktuar nga lufta.

Historikisht, Ukraina ka qenë një shportë buke eksportuese e grurit për botën.

Ajo gjithashtu furnizoi shumë agjenci ndihme, me Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së që bleu gati gjysmën e furnizimeve të tij globale me grurë nga ajo para luftës.

“Ne nuk e dimë se kur do të kemi të korrat dhe nëse mund të eksportojmë,” tha Zelensky.

“Nuk mund të eksportojmë misër, vaj, grurë, kaq shumë produkte që janë absolutisht të nevojshme për jetën.

“Dhe kjo prek edhe fqinjët tuaj përtej detit. Çmimet po rriten, dhjetëra miliona njerëz do të kenë nevojë për ndihmë nga brigjet tuaja,” tha ai.

Italia ka qenë në vijën e parë të migrimit në Evropë për vite me rradhë, me qindra mijëra njerëz që ikin nga konfliktet ose ndryshimet klimatike duke tentuar kalimin e rrezikshëm të Mesdheut në vitet e fundit nga brigjet e Afrikës Veriore.

Disa nga partitë në qeverinë e koalicionit të Draghit kanë ushqyer prej kohësh lidhje të ngushta me Kremlinin, nga partia Forza Italia e Silvio Berlusconit deri te Liga e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit dhe Lëvizja Pesë Yje (M5S) dikur anti-establishment./rtsh

Please follow and like us: