Albspirit

Media/News/Publishing

A mund ta zbatojë Putini skenarin ukrainas në Ballkan? Deshifrimi diplomatik dhe ushtarak i një paralajmërimi të ri rus

Shaban Murati

 

Përvoja e hidhur ushtarake dhe strategjike botërore se një luftë e njëkohëshme në dy fronte e ka blerë biletën e dështimit, ka ngritur aktualisht një pikëpyetje të madhe nëse e ka harruar Kremlini këtë mësim të provuar të historisë. Pikëpyetja lindi pas kërcënimit, që i drejtoi shtetit të Bosnje-Hercegovinës në 17 mars ambasadori i Rusisë në Sarajevë, Igor Kallabuhov, i cili tundi gogolin e një ndërhyrje ushtarake të Rusisë në Ballkan njësoj si invazioni i tanishëm rus në Ukrainë.

Në një intervistë me një rrjet televiziv vendas në Sarajevë ambasadori rus kërcënoi se ”Nëse Bosnje-Hercegovina vendos të jetë anëtare e Aleancës, është çeshtje e brendëshme. Përgjigja jonë është çeshtje tjetër. Shembulli i Ukrainës tregon se çfarë ne presim. Nëse do të ketë ndonjë kërcënim, ne do të përgjigjemi”.

Deshifrimi diplomatik dhe ushtarak i këtij paralajmërimi të ri rus është se Moska planifikon të ndërhyjë usharakisht si në Ukrainë në rast se Bosnje-Hercegpovina vendos që të hyjë në NATO. Natyrisht përbën një sjellje flagrante antidiplomatike të ndërhyrjes në punët e brendshme dhe të papërputhshme me statusin e ambasadorit të akredituar në shtetin mikpritës.

Këtë ia bëri atij të qartë kryetari i triumviratit aktual presidencial të Bosnje-Hercegovinës, Shefik Xhaferroviç, i cili deklaroi se “deklarata e ambasadorit rus për atë që Rusia do të reagojë në rastin e hyrjes së Bosnje-Hercegovinës në NATO dhe përmendja e Ukrainës në këtë kontekst përbën një kërcënim të palejueshëm ndaj sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës”.

E dënoi kërcënimin e ambasadorit rus edhe anëtari kroat i presidencës trepalëshe, Zhelko Komsiç, ndërsa ambasada amerikane në Sarajevë në 18 mars iu përgjigj ambasadorit rus me deklaratën që “kërcënimet e fundit të ambasadorit rus ndaj Bosnje-Hercegovinës janë të rrezikëshme, të papërgjegjëshme dhe të papranuesme”.

Ajo që duhet analizuar janë motivet e lëvizjes së re të diplomacisë ruse, e cila vendosi që të kërcënojë me hapjen e një fronti të dytë kundër NATO-s në Bosnje-Hercegovinë dhe në Ballkan. Lëvizjen ruse e bën të çuditshme rrethana e terrenit dhe konkretisht fakti se Bosnje-Hercegovina nuk ka ndërmarrë ditët e fundit ndonjë hap apo akt të veçantë avancimi në drejtim të shpejtimit të programit të anëtarësimit në NATO.

Nga ana tjetër është e njohur për Rusinë dhe për të gjithë shtetet se planet e anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në NATO i ka bllokuar e ashtuquajura “serpska republika”, pa miratimin e së cilës nuk mund të merret asnjë vendim drejt integrimit europian dhe atlantik të vendit. Moska e ka në varësi dhe nën kontrollin e saj mekanizmin bllokues kundër anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës, që është “serpska republika”.

“Serpska republika” dhe udhëheqësi i saj ultrafilorus Milorad Dodik, e kanë shpallur zyrtarisht se nuk do të lejojnë anëtarësimin e vendit në NATO. Madje në 22 mars Dodik deklaroi se ne nuk mund të pranojmë të hyjmë në NATO, e cila ka bombarduar popullin tonë serb.

Pra Moska e ka sigurinë e mekanizmit bllokues për anëtarësimin e Bosnje-Hercegovinës në NATO. Servilizmi filorus i udhëheqjes separatiste të “serpska republikës” tani me rastin e agresionit rus në Ukrainë u afishua më shumë me përkrahjen zyrtare që Banja Luka i dha agresionit rus dhe me bllokimin që i bëri “serpska republika” çdo vendimi që Bosnje-Hercegovina të bashkohej me sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Në një situatë të tillë konkrete bëhet e qartë se Moska nuk e ka hallin vërtet se Bosnje-Hercegovina po hyn në NATO, po e ka hallin të provokojë konflikte nën pretekstin e anëtarësimt të atij shteti në NATO. Është një provokim, që nuk shkaktohet nga ndonjë zhvillim konkret, por që lidhet me strategjënë ruse në rajonin e Ballkanit.

Në datën 21 mars media proqeveritare ruse “news.ru” shpallte qysh në titull: “Moska kërcënoi Balkanin me skenarin ukrainas”, duke i dhënë një dimension balllkanik kërcënimit të diplomacisë ruse. Po kjo media shpjegon se vendet europiane, që nuk janë anëtarë të NATO-s, por që çfaqin interes për hyrjen në Aleancë, duhet të shohin me vëmendje pasojat, duke pasur parasysh ngjarjet në Ukrainë-ky është kutimi i paralajmërimit të ambasadorit rus në Sarajevë.

Në thelb diplomacia dhe shteti rus duan të krijojnë klimën e frikës në Ballkan nga forca globale e Rusisë. Moska ndërmerr një shantazh të ri diplomatik dhe ushtarak ndaj shteteve ballkanike dhe t’i trembë si ato që duan të hyjnë në NATO, ashtu edhe ato shtete që janë në NATO. Për këtë qëllim po fryn skenarin ukrainas për Ballkanin.

Në këtë retorikë të re luftëxitëse të ambasadorit rus dhe të diplomacisë ruse në Ballkan duhen parë me kujdes disa elemente.

Elementi i parë është që Rusia në situatën e tanishme të invazionit të saj ushtarak në Ukrainë kërkon krahas të ngrejë tensionet dhe konfliktet në Ballkan dhe për këtë sajon pretekste. Pretekst është anëtarësimi i Bosnje-Hercegovinës në NATO, me të cilin në fakt synon të trembë gjithë shtetet e rajonit, qofshin ose jo në NATO.

Elementi i dytë është që Rusia synin me këtë ndërhyrje flagrante diplomatike të konfirmojë veten si superfuqi që ka zërin vendimmarrës dhe pjesën e saj të influencës në Ballkan. Duke dalë me kërcënimin e skenarit ukrainas të ndërhyrjes ushtarake Moska u parashtron vendeve të Ballkanit pretendimin që ato të marrin parasysh interesat ruse, përndryshe mund të bëhen objekt i ndërhyrjes ushtarake nëse nuk i binden Moskës. Pra Kremlini synon të sanksionojë Ballkanin si pjesë e influencës së tij.

Së treti, Rusia me kërcënimet e ndërhyrjes ushtarake në Ballkan i bën presion NATO-s dhe Perëndimit që të frenojnë ndihmat intensive që po i japin Ukrainës për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin shtetëror përballë agresionit rus.

Çeshtja e aktualizuar këto ditë është nëse Rusia ka vërtet gatishmëri të hapë një front të dytë lufte apo të zbatojë skenarin ukrainas në Ballkan. A është në gjendje dhe a ka interes Rusia t’i hyjë një konfrontimi ushtarak me NATO-n dhe me SHBA në Ballkan dhe për Ballkanin. Përgjigja duhet kërkuar në realitetet aktuale politike, diplomatike, gjeopolitike dhe ushtarake të Ballkanit.

Duhet thënë që në fillim se asnjë përllogaritje strategjike nuk shkon në favor të supozimit se Rusia mundet dhe ka interes të ndërhyjë vetë direkt ushtarakisht në Ballkan dhe të hapë një konflikt të ri ushtarak me NATO-n në Ballkan. Retorika e tanishme e diplomacisë ruse sado luftarake, nuk mund të harrojë ekuilibrin e terrorit, i cili ka që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore që i bën frenat e udhëheqësve të fuqive të mëdha të punojnë mirë.

Për ilustrim po pëmendim se në prag të hyrjes së Malit të Zi dhe të Maqedonisë në NATO ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, pat kërcënuar se “hyrja e atyre dy shteteve ballkanike në NATO është vija e kuqe për Moskën”. Ambasadori i Rusisë në Shkup deklaroi në vitin 2019 se në rast se Maqedonia e Veriut hyn në NATO “përgjigja e Rusisë do të jetë disproprocionale dhe asimetrike”. Të dy shtetet ballkanike u anëtarësuan në NATO dhe Rusia nuk ndërmori asnje veprim kërcënues.

Strategjia ruse është që të shkaktojë konflikte në Ballkan, por pa ndërhyrë ajo vetë direkt ushtarakisht si në Ukrainë. Strategjia ruse është që konfliktin në rajon ta bëjë me dorën e ballkanasve, që ballkanasit të luftojnë me njeri-tjetrin, duke i shkaktuar telashe dhe trazira NATO-s dhe BE-së në Ballkan dhe duke i dobësuar aleancat perëndimore.

Për këtë qëllim Moska ka dy instrumente për të provokuar konfliktet, dy instrumente me të cilat ka mbajtur gjallë tensionet në rajon prej 27 vitesh. Ka Serbinë dhe “serpska republikën”. “Serpska republika” po nxitet prej shumë vitesh nga Moska për të prishur shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Udhëheqësi fashist serb Dodik dhe “serpska republika” kanë shkallëzuar përpjekjet për shkëputjen separatiste dhe rindezjen e konfliktit ndëretnik në Bosnje-Hercegovinë.

Një rol çdo ditë e më të rrezikshëm në funksion të strategjisë ruse po luan nëBallkan Serbia. Në misionin e tij rus të destabilizimit të Ballkanit presidenti serb Vuçiç po ndjek një politikë histerike të ringjalljes së kursit kriminal të luftës, që ndoqi qeveria e kriminelit ndërkombëtar të luftës Millosheviç, ku Vuçiçi ishte ministër.

Presidenti serb ka qysh nga 24 shkurti i nisjes së agresionit rus në Ukrainë e deri tani që çdo ditë, ndërsa nuk thotë as një gjysëm fjale për agresionin rus, sulmon në çdo dalje të tij publike ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 në Serbi, ndërhyrje që u bë për të ndalur spastrimin etnik të popullit shqiptar nga qeveria e Millosheviçit dhe e Vuçiçit.

Në datën 18 mars histeria luftënxitëse dhe urrejtja antiatlantike dhe antishqiptare e presidentit serb arriti një kulm skandaloz ndërkombëtar kur ai deklaroi publikisht se “Unë them që Millosheviçi nuk është fajtor”. Kemi një deklarim, që është i njejtë sikur të thuhej se “Hitleri nuk ësht fajtor”.

Kjo duhet të kishte ngritur në këmbë zyrat e BE, të NATO-s, të Këshillit të Europës, të OSBE, qeveritë e Shqipërisë, të Kosovës, të Bosnjë-Hercegovinës, të Kroacisë, të Sllovenisë, etj. Duhet të kishte ngritur në këmbë Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi, etj.

Nuk është çështja vetëm se Vuçiç po bën apologjinë e krimeve monstruoze të kriminelit ndërkombëtar Millosheviç. Çeshtja është se ai po shpall të pafajshme politikën e përgjakëshme të Millosheviçit. Që don të thotë se presidentit të sotëm serb i duket e pafajshme që të ndërmarrë përsëri agresionet kriminale të Serbisë ndaj shteteve, që kanë dalë nga ish-Jugosllavia.

Moska po i injekton presidentit mburravec serb sindromën e politikës ruse në Ukrainë. Presidenti rus Putin për të përligjur agresionin rus, doli me teorinë absurde që Ukraina është shtet artificial, ndaj i takon tani Rusisë ta aneksoje me forcë ushtarake. Me këtë mentalitet fashist po pompon veten presidenti serb Vuçiç, i cili me doktrinën raciste të “botës serbe” praktikisht nuk njeh as shtetin e Bosnje-Hercegovinës, as shtetin e Kosovës, as shtetin e Malit të Zi, dhe as shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Kjo filozofi fashiste i ushqehet atij nga Rusia për të provokuar konflikte të reja në Ballkan. Nuk duhet harruar se rivendikimet e Serbisë janë ndaj dy shteteve anëtare të NATO-s si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndaj Bosnje-Hercegovinës që ka hyrë në rrugën e integrimit atlantik qysh në vitin 2006, dhe ndaj Kosovës, qeveria e së cilës kërkoi tani anëtarësimin e shpejtuar në NATO.

Rreziku i konflikteve të armatosura në Ballkan buron nga ambicjet hegjemoniste serbe dhe nxitja strategjike ruse. Përsa i takon zbatimit të një skenari ukrainas nga vetë Rusia në Ballkan, logjika e ftohtë diplomatike dhe ushtarake çon te mendimi se Moska vetë nuk do të guxojë të ndërhyjë ushtarakisht në një rajon si Ballkani, i cili ka dhjetë shtete anëtare të NATO-s, pjesë përbërëse të arkitekturës atlantike të sigurisë dhe që natyrisht do të kishte pasojë shkatërrimin e Rusisë në një kofrontimim global me NATO-n.

Thelbi i çdo lloj analize apo përllogaritje është fakti strategjik që për Rusinë Ballkani nuk është Ukraina. Tjetër është interesi jetik i Rusisë në Ukrainë dhe tjetër është interesi politik, diplomatik dhe strategjik i Rusisë për destabilizimin e Ballkanit. Rusia nuk mund të guxonte të hynte në konflikt ushtarak me NATO-n në Ballkan edhe nesë Serbia çmendet e i hyn ndonjë aventure ushtarake në rajon.

Nuk mund të mos i japësh të drejtë profesoreshës ruse Ekaterina Entina, studjuese e Qendrës së ekonomisë dhe të politikës botërore në Akademinë Ruse të Shkencave, e cila në 21 mars shkruante se ”instrumentat praktike për përkrahjen e Serbisë nga ne i kemi shumë të pakta. Të hysh në Ballkan don të thotë të hysh në zemër të sigurisë europiane. Thënë shkurt: don të thotë ta kthesh situatën në konflikt direkt të Rusisë me NATO-n, gjë që të dy palët tani po përpiqen ta evitojnë”.

Kujdesi dhe vëmendja, që duhet të kenë shtetet ballkanike, përfshirë Shqipërinë, është të bashkojnë forcat për të ndaluar Serbinë dhe presidentin e saj që të përsërisin politikën kriminale të Milloshevçit. NATO dhe BE i kanë instrumentat dhe kapacitetet për t’i veshur presidentit Vuçiç këmishën e forcës dhe për ta detyruar që të mos ndjekë strategjinë ruse të konflikteve në Ballkan me dorën serbe.

Vuçiç i ka harruar krimet e përbindëshme të MiIlosheviçit dhe po e rrit predispozicionin për luftra në rajon. Situata e agresionit rus në Ukrainë tregon se ka ardhur koha që t’i ftohin kokën Vuçiçit se Serbia nuk mund të luajë lojra të rrezikshme ruse me stabilitetin e Ballkanit. Një mënyrë efikase do të ishte që NATO të anëtarësojë në mënyrë të përshpejtuar Kosovën në rradhët e saj./gazeta dita

Please follow and like us: