Pse të ndalemi vetëm tek oligarkët rusë?
Mjaftoi që Roman Abramovich, i sapo shënjestruar nga sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar ndaj oligarkëve rusë, të njoftonte se po shiste klubin e futbollit Chelsea, që të fillonte një garë e shfrenuar. Një figurë e rëndësishme e atletikës, manjatë të qytetit londinez dhe madje edhe një kolumnist i respektuar i Times, secili duke përfaqësuar multi-miliarderë të ndryshëm amerikanë, zbritën në Londër në një garë për të blerë klubin. Ndërkohë, një sërë pronash në Londër që i përkisnin oligarkëve rusë hynë në një proces të vonuar likuidimi. Pse vonoi kaq shumë kjo gjë?
Për ta thënë troç: themelet ligjore të Perëndimit.
Liderët perëndimorë inkurajuan prurjet e të ardhurave. David Cameron, në atë kohë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, i bëri thirrje audiencës së Moskës në vitin 2011 që të “investonin” në Britani. Por nuk qe e vështirë të bindeshin oligarkët që të vërshonin në Londër së bashku me paratë e tyre. Legjislacioni i vendeve perëndimore i pengon qeveritë dhe publikun jo vetëm që të fusin hundët në pasuritë e ruajtura në juridiksionet e tyre, por edhe të dinë se ku dhe sa është ajo. Përse ndryshe do të regjistroheshin korporata të panumërta në shtetin amerikan të Delauerit, duke përdorur adresa kutish postare që garantojnë anonimitetin e pronarëve të tyre?
Në fakt, demokracitë perëndimore i japin pasurisë së huaj edhe më shumë mbrojtje nga shqyrtimi. Në një raport të vitit 2021 të titulluar me të drejtë “Problemi i Kleptokracisë në Mbretërinë e Bashkuar”, instituti Chatham House me qendër në Londër zbuloi se oligarkëve nga e gjithë bota iu dhanë viza të arta pas “kontrolleve … që ishin përgjegjësi e vetme e firmave ligjore dhe menaxherëve të pasurisë që i përfaqësojnë ato.” Në vendin tim, Greqi, pas falimentimit të shtetit tonë në 2010, një oligark mund të blinte një vizë të artë pa pyetje, e cila shoqërohej gjithashtu me një vizë Shengen (dhe mundësinë për të jetuar dhe udhëtuar kudo në Bashkimin Evropian), për 250,000 euro (276,000 dollarë). Viza të ngjashme shiten nga vende të tjera të eurozonës, duke nxitur një garë deri në fund që oligarkët e botës e vlerësojnë shumë.
Ndërsa ka arsye të mira për t’u fokusuar te paratë ruse, tani që bombat ruse po shkatërrojnë qytetet e Ukrainës, është çudi që vetëm miliarderët rusë quhen oligarkë. Pse oligarkia, që do të thotë sundim (arche) nga pak (oligoi), konsiderohet një fenomen ekskluzivisht rus? A nuk janë oligarkikë princat sauditë apo emiratë? A kontrabandojnë miliarderët amerikanë, si ata që tani grumbullohen për të blerë klubin e futbollit Chelsea FC, më pak para nga vendi i tyre sesa homologët e tyre rusë, apo kanë më pak ndikim politik? A e përdorin ata këtë fuqi më mirë se rusët?
0.01% më të pasur të Rusisë (1% më i lartë i 1%) e kanë nxjerrë rreth gjysmën e pasurisë së tyre, rreth 200 miliardë dollarë, nga Rusia dhe e kanë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar dhe parajsa të tjera fiskale. Në të njëjtën kohë, 0.01% më të pasurit e Amerikës kanë nxjerrë rreth 1.2 trilion dollarë nga Shtetet e Bashkuara, kryesisht për të shmangur pagesën e taksave. Pra, për sa i përket madhësisë, për çdo dollar që plutokratët rusë fshehin jashtë vendit, plutokratët amerikanë fshehin 10 dollarë nga pasuria e tyre.
Sa i përket ndikimit relativ politik të miliarderëve rusë dhe amerikanë, nuk është aspak e qartë se kush ka më shumë ndikim. Ndërsa nuk ka dyshim se një numër oligarkësh rusë janë me presidentin Vladimir Putin, ai ka më shumë kontroll mbi ta sesa qeveria amerikane mbi miliarderët e saj. Që nga vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së në vitin 2010 që u jepte korporatave të drejtën për t’u dhuruar politikanëve sikur ata të ishin individë, 0.01% më e pasur e Amerikës përbënte 40% të të gjitha kontributeve të fushatës. Ky ka rezultuar të jetë një investim i shkëlqyer në ruajtjen e pasurisë.
Pra, nëse miliarderët jo-rusë janë gjithashtu oligarkë, a do të thotë kjo se theksi ekskluziv te rusët në Perëndim do të thotë se oligarkët “tanë”, dhe ata që ushqehen nga aleatët tanë, janë në njëfarë kuptimi më të mirë? Këtu po shkelim në baza etike të pabesa.
Të argumentosh se miliarderët sauditë që qëndrojnë pas shkatërrimit një dekadë të Jemenit janë “më të mirë” se Abramovich, është njësoj si të tallesh. Putini do të ndihej i shfajësuar, nëse do të guxonim të pretendonim se naftëtarët amerikanë që korrën një fitim të papritur nga pushtimi i paligjshëm SHBA-Mbretëri e Bashkuar në Irak, ishin moralisht superiorë ndaj pronarëve të Rosneft dhe Gazprom. Sigurisht, oligarkët e Putinit bëjnë një sy qorr sa herë që një gazetar i guximshëm hiqet qafe në Rusi. Por, ndërkohë, themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange po venitet në një burg të sigurisë së lartë në Mbretërinë e Bashkuar, në kushte thuajse torturuese, për ekspozimin e krimeve të luftës të vendeve perëndimore pas pushtimit të tyre të paligjshëm në Irak. Dhe si u përgjigjën oligarkët dhe qeveritë perëndimorë kur partnerët e tyre sauditë të biznesit copëtuan kolumnistin e Washington Post, Jamal Khashoggi?
Pas pushtimit të Ukrainës nga Putini, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi vendosmërinë e saj për të hequr vellon e fshehtësisë dhe mashtrimit që mbron paratë që fshihen në Britani nga autoritetet policore dhe fiskale. Nëse realiteti përputhet me retorikën, kjo mbetet për t’u parë. Tashmë, ka shenja tensioni midis ambicies për të konfiskuar paratë e oligarkëve dhe imperativit për ta mbajtur Britaninë “të hapur për biznes”.
Ndoshta e vetmja shpresë që ofron tragjedia e Urkainës është se ajo ka krijuar një mundësi për të shqyrtuar oligarkët jo vetëm me pasaporta ruse, por edhe homologët e tyre amerikanë, sauditë, kinezë, indianë, nigerianë dhe, po, grekë. Një vend i shkëlqyer për të filluar do të ishin vilat e Londrës që Transparency International na thotë se janë bosh. Po sikur t’ua kthejmë ato refugjatëve nga Ukraina dhe Jemeni? Dhe, jemi që jemi, edhe klubin e futbollit Chelsea FC mund t’ia dorëzojmë tifozëve të tij./ Project Syndicate.