Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Spahiu: Rasputista e Vladimir Putinit në Ukrainë

Albert Spahiu
“Operacioni special ushtarak” i urdhëruar nga Vladimir Putini për të pushtuar Ukrainën ka bërë që ta shpërfaq në mënyrë të pabesueshme paaftësinë e Forcave Ushtarake të Federatës Ruse.
Tashmë kur është bërë një muaj nga fillimi i agresionit ushtarak, “Putini është ai që po mbështetet me shpatulla për muri”.
Këtë fakt e ka theksuar presidenti amerikan Joe Biden, duke shtuar se sa “më shumë të ndodh kjo, aq më e madhe është ashpërsia e taktikave që ai mund të përdorë”.
Pavarësisht goditjeve me raketa kundër spitaleve, shkollave, shtëpive dhe qendrave tregtare, nga kjo bie në sy se çdo ditë e më shumë Ushtria ruse po tregon dobësi për të përmbushur objektivat operative në terren.
Përballë rezistencës së ashpër e të papritur ukrainase që ka mbajtur pjesën më të madhe të forcave tokësore të Moskës me kilometra larg kryeqytetit – Kyivit, trupat e Putinit janë përqendruar gjithnjë e më shumë me sulme ajrore ndaj qyteteve rreth kufirit rus.
Qysh në ditët e para të këtij agresioni, Kremlini kishte filluar zbatimin e luftës së dezinformimit dhe përhapjes së propagandës për të përhapur narrativen se populli ukrainas duhet të marr në dorë fatin e saj kundër qeverisë “naziste” të presidentit Volodymyr Zelenskyy.
Agresioni rus ka hapur luftën edhe në Twitter. Pothuajse nuk ka informatë sekrete që nuk publikohet në këtë rrjet social. Përkundër dezinformatave të shumta, sot në Twitter ka edhe informacione shumë të sakta, veç se duhet filtruar autorët që publikojnë. Shpesh inteligjenca amerikane dhe ajo britanike del në opinion për zhvillimet në Ukrainë. Po publikohen mjaftë sekrete, ngase situata po zhvillohet shpejtë, prandaj edhe të dhënat publikohen shpejt për të parandaluar aksione ushtarake apo plane subversive.
Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme sa i përket pajisjeve luftarake të Ushtrisë ruse, ku sipas përllogaritjeve kalojnë shumën rreth 10 miliardë dollarë deri më sot.
Prej tetë vitesh nga pushtimi rus i Krimesë, Ukraina në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore, veçanërisht me Britaninë e Madhe, ka punuar ngushtë për rritjen e kapaciteteve operacionale, me qëllim sprapsjen e një agresioni ushtarak nga Kremlini.
Në anën tjetër, me qëllim të shmangies së humbjeve të mëdha, Serbia e Aleksandar Vuçiqit dhe Siria e Bashar al-Assadit po e ndihmojnë Rusinë me mercenarë për të “plotësuar” ushtarët e vrarë në Ukrainë.
Sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore e kanë dërmuar rëndë ekonominë e Putinit, ndërkohë në rast se ky agresion vazhdon me këtë intensitet, atëherë rezervat e ushtrisë ruse shumë shpejtë do të mbarojnë dhe se nga këtu humbja e Rusisë do të bëhet e pashmangshme.
Për shkak të pamundësisë për të vazhduar me të njëjtin intensitet, Rusia ka bërë kërkesë që Kina ta mbështesë me mjete ushtarake, mirëpo kjo e fundit e ka të qartë se në rast se i ofron ndihmë Rusisë pritet të përballet me sanksione të fuqishme ekonomike.
Putini e mendonte Evropën Lindore nën kontrollin e Moskës – e integruar në sferën e ndikimit kulturor, ekonomik dhe politik – për t’u përpjekur me të gjitha mënyrat që edhe Perëndimi të ishte i varur nga gazi rus.
Serbia nuk pranoi t’i bashkohej listës së gjatë të vendeve që vendosin sanksione kundër Rusisë dhe ishte i vetmi vend në Evropë me demonstrata pro-ruse të mbajtura në Beograd dhe në disa qytete, pas fillimit të agresionit në Ukrainë.
Afiniteti i ndërsjellë kulturor dhe aleanca politike ndërmjet Rusisë dhe Serbisë e bënë këtë të fundit një lojtar në aventurën më të re ushtarake të Putinit, duke e tërhequr në mënyrë të pashmangshme Kosovën në listën e vendeve të nxehta në këtë pjesë të rajonit që mund të nxis konflikt.
Rusia ka ndjekur një rrugë agresive në Ballkanin Perëndimor duke investuar në mbajtjen e konflikteve të hapura në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, pasi ishte përpjekur në mënyrë aktive të pengonte anëtarësimin në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut si përpjekje për të krijuar fronte destabilizimi në rajon.
Aktualisht, Putinit i duhet të përballet me izolimin dhe sanksionet e rënda ekonomike të vendosura nga vendet perëndimore. Ai tashmë duhet të ballafaqohet edhe me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për pushtimin e një vendi të pavarur, duke përfshirë vrasjen e civilëve ukrainas.
Gjithashtu, “cari” i Kremlinit po përjeton luftën agresive guerrile kundër ushtrisë së tij, humbjet e panevojshme të jetës së mijëra ushtarëve rusë, pasuar me shkatërrimin e mjeteve ushtarake, rritjen e pakënaqësisë dhe nxitjen e trazirave të brendshme të popullsisë brenda Rusisë.
Rusët vazhdojnë të kenë një qëndrim ironik ndaj Forcave të Armatosura të Ukrainës. Kjo pikëpamje është veçanërisht e popullarizuar në pjesën politike. Ndërkohë, ushtria ukrainase nuk është më e njëjta siç ishte vite më parë, ajo tashmë zotëron shërbime speciale dhe taktikë të avancuar.
Ukraina tashmë ka në zotërim sisteme të raketave anti-tank të gjeneratës së tretë dhe dronë Bayraktar TB2, në ushtrinë ruse ende nuk ka asnjë armë të tillë.
Në fund, ky sukses i pamenduar më parë është meritë e jashtëzakonshme e Forcave Ushtarake, ndihmuar nga armatosja e vet popullsisë ukrainase, po shfaqet si komponentë e suksesshme e strategjisë për të kundërshtuar regjimin e Kremlinit.

Please follow and like us: