Madeleine Albright, zë i fuqishëm për liri dhe demokraci
Madeleine Albright, gruaja e parë që udhëhoqi Departamentin amerikan të Shtetit, vdiq të mërkurën në moshën 84 vjeçare. Ajo u zgjodh si kryediplomate në vitin 1997 nga Presidenti i atëhershëm Bill Clinton, dhe qëndroi në këtë pozitë për katër vitet e fundit të administratës së tij. Në atë kohë ajo ishte gruaja me pozitën më të lartë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Vetë zonja Albright ka vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha të karrierës së saj, çlirimin e Kosovës që më pas solli pavarësinë e këtij vendi.
Madeleine Albright erdhi në Shtetet e Bashkuara në moshë të re si refugjate. Ajo arriti të bëhet gruaja e parë që mori pozitën e sekretares së shtetit, duke formësuar politikën e jashtme amerikane në fund të shekullit 20.
E emëruar nga Presidenti Bill Clinton, fillimisht si ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe më vonë si kryediplomate amerikane, zonja Albright ishte një nga gratë më me ndikim të gjeneratës së saj.
Ish-Presidenti Clinton tha se vdekja e zonjës Albright është një humbje e madhe për botën. Ai theksoi kontributin e saj për liri, demokraci e mbrotjen e të drejtave të njeriut.
Presidenti Joe Biden vlerësoi kontriburin e zonjës Albright në ndryshimin e rrjedhës së historisë, duke sfiduar rregullat dhe thyer barrierat.
Presidenti Clinton ndërsa njoftoi emërimin e zonjës Albright për të udhëhequr Departamentin e Shtetit më 1997, tha se gjinia nuk kishte rëndësi në angazhimin e saj dhe shtoi se ajo ishte kandidatja më e kualifikuar.
Megjithatë, zonja Albright ishte e vetëdijshme për rëndësinë e emërimit të saj në këtë pozitë.
“Dikur mënyra e vetme që gratë të ndikonin përmes pikëpamjeve të tyre në politikën e jashtme ishte duke u martuar me një diplomat dhe duke hedhur çaj në prehërin e ndonjë ambasadori problematik”, kishte deklaruar ajo në një fjalim të Grupit për Gratë në Politika të Jashtme, ndërsa shtonte se “sot, gratë janë të angazhuara në çdo sferë të çështjeve globale”.
Zonja Albright udhëhoqi Departamentin e Shtetit deri më 2001. Ajo mori këtë detyrë, disa vite pasi bota kishte dalë nga Lufta e Ftohtë, një periudhë ku Shtetet e Bashkuara ishin fuqia e vetme që udhëhiqnin diskutime jetike me udhëheqës botërorë për kontrollin e armëve, tregtinë, terrorizmin dhe të ardhmen e NATO-s.
Që nga koha kur Margaret Thatcher drejtonte qeverinë britanike, asnjë grua nuk kishte pasur një detyrë me kaq ndikim në botë.
Zonja Albright ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër mizorive të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç në luftërat e Ballkanit.
Ajo mbështeste hapur ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalej vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe në luftën e viteve 98-99.
Fushata 78 ditore e bombardimeve të NATO-s kundër Beogradit, solli lirinë e Kosovës.
“E fituam këtë luftë në mënyrë që ju të mund të shkoni në shtëpi dhe të jetoni një jetë normale. Millosheviçi dhe serbët humbën kontrollin mbi Kosovë”, u tha zonja Albright refugjatëve shqiptarë gjatë një takimi me ta në kampet e Maqedonisë së Veriut.
Kosovën e lirë dhe të pavarur zonja Albright e vlerësonte si arritjen më të madhe të karrierës së saj.
“Në jetën time profesionale, jam krenare me atë që kemi arritur në Kosovë. Isha shumë e shqetësuar rreth asaj që po ndodhte në Ballkan dhe e kisha të vështirë të shihja njerëzit që vriteshin për shkak të kombit apo fesë që kishin. Kisha mundësi të kontribuoja që Shtetet e Bashkuara të angazhohen për ndryshimin e atij vendi. Populli i Kosovës tani ka vendin e pavarur. Aty jeton një gjeneratë e tërë e vajzave të vogla që mbajnë emrin Madelein. Jam shumë krenare për atë që Shtetet e Bashkuara arritën në Ballkan”.
Miqësia e zonjës Albright me shqiptarët u ruajt edhe pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të vendit, në qendër të Prishtinës në një shesh që mban emrin e ish-seketares amerikane, u zbulua edhe busti i saj.
Para zbulimit të bustit, zonja Albright përkrah ish presidentit amerikan, Bill Clinton, ish komandantit të NATO-s, Wesley Clark të shoqëruar edhe nga udhëheqësit e Kosovës, parakaluan në qendër të Prishtinës në atë që u quajt “ecje për lirinë”.
“Jam thellësisht e nderuar që jam këtu. Shpesh njerëzit më pyesin se cila është gjëja që më bën më së shumti krenare me veten nga të gjitha gjërat që kam bërë dhe unë gjithmonë them; Kosova, sepse ne patëm mundësinë të sigurohemi që njerëzit në Kosovë do të jetojnë në paqe”, tha ajo. “Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua”, tha zonja Albright disa orë pasi mori dekoratën “Urdhri i Lirisë”.
Përpjekjet e zonjës Albright për të ndihmuar popujt që vuanin nga luftërat lidheshin me fëmijërinë e saj, kur si refugjate u largua nga Evropa e shkatërruar nga lufta.
Historia e saj personale e ndihmoi atë në formësimin e pikëpamjeve profesionale.
Zonja Albright erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Çekosllovakia më 1948, ndërsa shtetësinë amerikane e mori më 1957.
Babai i saj, diplomati Josef Korbel, u konvertua nga hebre në katolik pasi familja e tij u largua drejt Londrës më 1939 për t’u shpëtuar nazistëve.
Zonja Albright pati thënë se shumë vonë kishte mësuar rreth origjiinës së hebreje dhe faktit se tre gjyshërit e saj kishin vdekur në kampet e përqëndrimit.
Ajo fliste rrjedhshëm gjuhën angleze, franceze dhe ruse, ndërsa kishte marrë doktoraturën për shkenca politike në Universitetin Columbia.
Ish-presidenti Barack Obama e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimi më i lartë civil amerikan, duke thënë se jeta e saj ishte një frymëzim për të gjithë amerikanët.
Në fillim të viteve 2000, zonja Albright u shndërua në ikonë të gjeneratës së re të grave e vajzave amerikane. Ajo i ka frymëzuar ato të luftojnë për më shumë mundësi dhe respekt në vendet e punës. Një nga shprehjet e famshme të saj të cilën zonja Albright e ripërsëriste shpesh ishte se “ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën”.
Për nder të jetës dhe veprës së saj, President Joe Biden urdhëroi uljen në gjysmë-shtizë të flamujve të Shtëpisë së Bardhë dhe ndërtesave tjera federale, deri më 27 mars.
Ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një minutë heshtje në nderim të saj.