Mevi Rafuna: Faleminderit Zonja e Madhe, Madeleine Albright!
Faleminderit Zonja e Madhe, Madeleine Albright!
Ishe zëri ynë, kur ne nuk kishim më zë, ishe fjala jonë kur ne nuk mund të flisnim, një popull i lashtë i Ballkanit i përsekutuar prej shekujsh, ku edhe detet që na rrethonin nuk kishin ujë me kripë aq sa kishim derdhur lotë ne në tokën tonë, me “mëkatin” e vetëm se ishim shqiptarë. Erdhe dhe na i pa fytyrat tona të zbehura, të trishtuara nga tmerri dhe frika. Barkëthatë e këmbëzbathur ne shqiptarët po e shënonim fundin e shek. XX që lirisht mund ta quajmë shekulli më ç’njerëzor dhe turpi i civilizimit të botës moderne.
I more me vete matanë Atlantikut, të gjitha ëndrrat tona, fjalët që i kishim përbi, gjumin që nuk arrinim ta bënim, të qarat e foshnjeve dhe klithmën e pleqve. Erdhe dhe shkove për t’ia treguar botës tmerrin dhe tragjedinë që po na përbinte! Kur në vend të luleve tokën tonë e kishin mbuluar varret dhe kufomat pa varre që u bënë ushqim për sorrat.
Fjalët janë të pakta për të përshkruar Zonjë e Madhe sepse erdhe si një Hyjneshë tek ne në kohën kur erdhe zoti na kishte harruar.
Je frymëzim për çdo grua shqiptare, u bëre e jona dhe të gjithë shqiptarët kalimin tënd në amshim e pritën të trishtuar.
Vepra jote do të jetoj përjetësisht kur ne do ju këndojmë brezave nëpër djepa historitë tona të dhimbëshme!
Faleminderit Zonjë e Madhe, shqiptarët i le me buzë në vaj me ikjen tënde!