Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ARTI I AKTRIMIT I VANGJUSH FURXHIUT

Rikujtesë, me rastin e përvjetorit të lindjes (24 mars 1943) dhe 20-vjetorit të ikjes nga jeta.
Nuk më hiqet nga kujtesa studenti që erdhi nga Korça me drojën e një vajze, në vitin 1962, për t’u bërë aktor, ndëkohë që moshatarët e tij Llazi Serbo e Minella Borova kishin tre vjet që ndiqnin studimet. Vangjushi i kishte shok dhe nuk ju ndahej. Herë na merrte leje e qëndronte në studion tonë, tek bënim provat e “Mjeshtërisë së Aktorit” e herë i priste jashtë, për të shkuar së bashku me ta në konviktin e Studentëve. Komunikonin bukur me njëri-tjetrin, bënin edhe humor, qeshnin, por me kalimin e viteve do t’i ndante skena dhe ekrani në tre profile të ndryshme krijuese: Llazi do lakmonte rolet e mprehta, me karakter psikologjik e ata me botë shpirtërore të errët. Minella rolet gazmore, me natyrë të çiltër e sidomos personazhet e të rinjve të dashuruar, ndërsa Vangjushi, si pa u kuptuar, do t’u hynte roleve shumëplanshe, komplekse, me zbërthime të mprehta sociale e psikologjike dhe me mjete shprehëse që arrinin dramacitetin e lartë dhe satirën diabolike shpartalluese. Dhe, që nga viti 1966 do ta shikoje Vangjush Furxhiun në role multi- funksionale, që “operonin” në të gjitha gjinitë, planet e karakteret e tyre! Në dramë, në komedi e në film, me interpretime artistike të mprehta, që janë modele shkencore në Artin e Aktrimit.
Emërimi i tij në Teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçë, fillimisht nuk pati evidentime, për vetë mungesën e repertorit, po dhe të kërkesave me slogane ideologjike që në vitin 1966 ishin edhe më të dukshme. Kështu, Vangjushit do t’i besohej roli i Astritit në dramën e Zisa Cikulit “Flakë në Shtëpi”(1967) me tendenciozitet klasor, që do të përsëritej me vënien në skenë të dramës amerikane të autorëve Xh, Bellok dhe A. Xantir, “Ëngjëjt e Skëterrës” në vitin 1972, ku tendecioziteti politik qe i theksuar, sepse bëhej fjalë për Amerikën, që në atë kohë duhej nxirë nga të katër anët dhe roli i Vangjushit, Bllejku, duhej demaskuar me domosdo! Në këto hulli do ta gjente teatrin dhe aktorin e talentuar Furxhiu regjisori Mihal Luarasi, i cili vuri në skenë dramën e Minush Jeros “Njollat e Murme” që u anatemua nga Udhëheqësi si “revizioniste” në Festivalin Kombëtar dhe shkaktoi edhe gjithë ato masa represive, internime, burgime dhe frikë në ecurine e mëtejshme të teatrove tona. Në këtë shfaqje, që u interpretua në vitin 1972, Vangjushi qe në një rol shume aktiv e tërheqës, në atë të Luanit, sensi kritik i të cilit u vu re dukshëm. Por ra në sy dhe talenti i tij i veçantë, në aq interpretime sa pati fillimisht, duke punuar me regjisorë të aftë si Piro Mani e Mihal Luarasi. Disa vlera interpretuese të tij si konkretizimi i figurave, natyrësia e shprehjes dhe e komunikimit, trupi i lartë dhe elegant, zëri i ngrohtë e melodjoz, si edhe intensiteti i dukshëm i emocioneve të tij, bënë që shumë kineastë ta këkonin e t’i jepnin role kryesore në filmat e tyre.
“Aktrimi duhet të jetë art”, thotë Lee Strassberg. Edhe kur i jepet një pjesë a rol për të interpretuar, aktori që është aktor, duhet t’i gjejë të gjitha “kyçet” për ta shprehur si shfaqjen, ashtu edhe rolin. Me artin e tij, aktori plotëson ato pasazhe që deridiku mungojnë në to, apo janë fort të zbehta! Të gjithë e dimë se komedia e Luan Qafëzezit “Qamet në Dovlet”, mbeti për shume vite në sirtaret e teatrove tona, por kur e vuri në skenën e Akademisë së Arteve pedagogu Esat Oktrova, jo vetëm që regjisori ia gjeti “kyçet e shprehjes”, po edhe shkëlqeu me rolin e Kryetarit të Bashkisë, që e interpretoi aktori Furxhi, i cili me interpretimin e tij grotesk e bëri sallën të “shkulej së qeshuri”. Ai kishte “qëndisur” këtu një karakter dallkauku zyrash që “s’e kishte shokun”. E pabesueshmja ndodhi përsëri kur u rivu në skenën e Teatrit Popullor komedia e Vedat Kokonës “Hijet e Natës”… Vangjush Furxhiu do të shkëlqente përsëri me rolin e Thanasit, të cilin e kishte interpretuar Artisti i Popullit Pandi Raidhi… Që të dy virtuozë në skenë dhe sejcili me profilin e tij të veçantë. I njëjti personazh me mjete të ndryshme shprehëse interpretuese. Nëqoftëse tek aktori Raidhi njihej komiciteti i tij nga role të mëparshme, tek Furxhiu i ri dhe elegant nga shtati, as që mendohej fare, por ja që talenti bënë nganjëherë atë që nuk ta pret mëndja, kur je artist e interpreton me besnikëri dramën e brendshme të atij personazhi të lëkundur që nuk gjën dot “vrimë” ku të futet, kur mbi kokën e tij vërshëllejnë plumbat!
Po kompleksiteti i aktrimit të Vangjush Furxhiut si artist i mirëfilltë poliedrik, do të shihet e admirohet në ekranin e kinemasë. Kineastët e pikasën herët talentin e tij, diapazonin e gjërë artistik, portretin e veçantë dhe profilin ekspresiv, ndajë edhe e aktivizuan në dhjetra filma radhazi. Tek “Oshëtimë në Bregdet” luan vetëm një rol episodik, Vahidin, por pa e “invalidizuar” personazhin fatkeq nga natyra dhe, s’vonon shumë që ta shohim në një rol të plotë tek filmi “I teti në bronx”, në rolin interesant të Arifit, të njeriut të lëkundur. Ai është vërtetë nipi i Sali Protopapës, që hakërrehet se do “bëjë gjëmën” kundër Ibrahim Kovaçit e pasuesve të tij të idealizmës komuniste, ku është rreshtuar dhe Arifi, ashtu sikundër ther dhe dashin e kopesë, po ja që jeta e ka afruar me ata njerëz të shtresës së varfër, që xhaxhai katil e mburavec i quan “brekëgrisur”. Po ky dyzim i Arifit të Furxhiut, i “brekëgrisurit” që ka rrëmbyer pushkën dhe ai, vjen në shpirtin e tij prej djaloshi si një dallgë e fortë dhe e menjëhershme, po aq sa është e shpejtë edhe shkrepja e armës, mbi gjoksin e atij tipi të çuditshëm, të zhurmshëm e sugjestiv, me emrin Sali Protopapa, që e kishte mashtruar, gjersa e shtrin përdhe të plandosur… E menjëherë, në një rol tjetër, tek filmi “Malet me blerim mbuluar”, duke interpretuar figurën e italianit Peliçeli, ku rrëfen se është mjeshtër në portretizimin e figurës së një italiani që rreshtohet në rradhët e partizanëve tanë, si rruga e vetme për t’u kthyer në atdheun e në shtëpinë e tij,-sikurse ia thotë me gjithë pastërtinë e shpirtit italianit tjetër,-rob lufte-, që e kërkonte vdekjen si shpëtimin e tij. Peliçeli i Furxhiut është njerëzor, më se i ndjeshëm, kur ngrë tezgën me Lilo Laben e plagosur, udhëve malore, për të gjetur Spitalin Partizan, duke mbetur një individualitet, me atë psikologji konkrete e largpamëse.
Filmat “Plumba Perandorit”(1980), “Gëzhoja e vjetër”(1980) dhe “Dora e ngrohtë” (1983) e paraqesin aktorin në tri role hetuesish në kohë e rrethana të ndryshme, thuajse të njëllojtë për nga pamja, po me psikologji të individualizuara, ndër të cilët është më i plotë Kryehetuesi i filmit “Gëzhoja e vjetër”, tepër i qetë dhe i matur në zanatin e tij prej zhbiruesi karakteresh të ndërlikuara kundërshtarësh. Po në vitin 1982, Vangjushi do të interpretonte edhe dy personazhe, që nuk i dëshironte: dy Sekretar Partie, që ai nuk kishte si i kundërshtonte, atë të Bujarit tek filmi artistik “Shokët”, si edhe në filmin televiziv “Era e ngohtë thellësive”, me të vetmin dallim, që të ishin njerëz sa më të thjeshtë, të besueshëm, pa retorikën dhe anën e tyre deklamative, me sloganet strikte e manierat e tyre pompoze. Kështu do ta interpretonte sidomos figurën partiake të Bujarit tek filmi “Shoket”,-realizim tipik i frymës partiake të atëhershme… Ndërsa karakterin e vërtetë të pushtetarit të diktaturës, njeriun tendecioz e egoist që të “bënë gjëmën”, ai do të ketë rastin për ta pasqyruar gjer në “lakuriqësinë” e tij në filmin “Shirat e vjeshtës”. Gjithsesi, ata janë për të filma tranzit për tek filmi televiziv “Agimet e Stinës së Madhe”, ku Vangjush Furxhiu do të kishte përsëri një përfaqësues të pushtetit të ri që, sipas skenarit të Vath Koreshit, ka rënë në prehërin e armiqëve të klasës… Mirëpo këtu, si mjeshtër aktrimi që ishte, do të tjetërsohet si figurë e do të shpërthejë si një aktor me potencë, befasues, në planin kombëtar të një krijimi krejtë të veçantë, me personazhin e Latif Borës. Duke e pasuruar repertorin e tij artistik me një figurë sarkastike që aty përfaqëson edhe pushtetin e fillimeve të shtetit të ri, por që është e mbetet haptazi si demagog i rafinuar. Me atë fytyrë prej urithi që është shtruar në të njëjtën tryezë e pi raki me kundërshtarët e atij regjimi që ai përfaqëson, me një dukje false prej babaxhani!
Dhe, pasi të shohim dhe filmin “Njeriu i mirë” (1982), me tipare realiste, do të bindemi se ai do të mbetet gjatë si njeri nga figurat më të rëndësishme të aktrimit në Altarin e Kombit. Që i hynë personazhit dhe do ta pasqyrojë atë si karakter, me të gjitha “vlerat” që ai ka, të mira e të këqia, si figurë komplekse njerëzore. Me një virtuozitet të tillë, i përfshirë në kompleksitetin e jetës shqiptare, atë e shohim kryesisht në ekranizimin e romanit të Kadaresë “Prilli i Thyer”, ku pasqyrohet njëherësh edhe intelektuali i “thyer” në bindjet e ndjenjat e tij, kur do të përballet me realitetin e pa njohur, në ato djerrina të malësisë sonë, ku nuk sheh këmbë njeriu e kur do të bindet, pas takimit me Gjorgun, se të gjithë burrat janë të detyruar që të mbyllen nëpër kullat e tye, derisa të vriten edhe ata nga “syri i pushkës”, kur t’u vijë rradha e ora e hakmarrjes. Vorpsi i Furxhiut, shkrimtari idealist i kryeqytetit, do të zbres nga karroca elegante, ku ka ndenjur paksa i ftohtë, përbri një gruaje të bukur, i kaplluar nga ky “rrafsh i mallëkuar” ku kishte ardhur, për t’u njohur me realitetin e kundërt e të thyhen kështu që të gjitha “thuprat e idealizmës” së tij! Ai do të kuptojë, jo pa u tronditur se si këtu, jeta ështe përherë e kërcënuar dhe fare pranë vdekjes! Thuajse i përhumbur, në një marrëdhënie më tepër me veten se sa me “ikonën” e karrocës! Duke punuar bukur edhe me regjisorë të rinj, sikundër ishin shokët e tij të shkollës , si Kujtim Çashku, Mevlan Shanaj, Albert Minga e të tjerë, tashmë me aktrimin e tij plotë siguri. Paralelisht edhe me shokët e shkollës që aktronin përbri tij, si me Buajar Lakon, Ndriçim Xhepën, Agim Qirjaqin, Timo Flllokon, Mevlan Shanaj, Niko Kanxherin, Viktor Zhustin, Bujar Asqeriun, Reshat Arbanënn, Kastriot Çaushin, Yllka Mujën, Eva Alikën, Raimonda Bulkun e të tjerë, që maten me nivelin e tij superior, duke e ndjerë veten në “binarët” e një interpretimi bashkëkohës…
Kur flasim tani, pas një dekade, për Vangjush Furxhiun e ndjejmë se kemi të bëjmë me një figurë madhore, si edhe me një humbje të pazëvëndësueshme… Ishte i kompletuar në skenë e në ekran, kurdoherë me portretin e tij ekspresiv dhe intensitetin e emocioneve. Përkrah artisteve të mëdhenjë të kombit, si Kadri Roshit, Sandër Prosit, Pandi Raidhi, Margarita Xhepa, Mihal Stefës e të tjerëve rradhazi, i përzgjedhuri i regjisorëve të shquar të skenës sonë Piro Mani, Mihal Luarasi e Esat Okktrova, i preferuari i kineastëve tanë më të talentuar, si Dhimiter Anagnosti e Viktor Gjika. Kurdoherë, i përmbajtur e serioz në punën krijuese, me etikën shembëllore të një artisti bashkëkohës të kulturuar. Njerëzor gjer në skajet e vetvetes, me një ndjeshmëri të lartë, gati për të shpërthyer, sqimatar e me etikën shembëllore të një artisti të përkor. Me role që flasin vetë para se të flase kritika e publiku i vëmendshëm, me figura artistike që nuk shuhen, po përkundrazi ndritin. Në asnjë rol dhe asnjëherë nuk kishte pauza bosh, po e jetonte çdo çast të vetëdijes së tij në rol. Gjestet e tij të kursyera vinin vetiu si refleksione të shpirtit të personazhit. Aktor shumëplanësh, që e ngrinin dhe e ulnin vetëdijen emocionale, krejt natyrshëm e pa u kuptuar kadencat… Syri i tij ishte si një “kamare” e kaminave të zjarrit që djegin gurin brenda natës. Ai krijoi e bëri artin e tij prej artisti të përkushtuar, në periudhën më të errët të historisë tonë, kur aktorin e merrnin nga teatri dhe e kushtëzonin që të lozte edhe në atë “planifikimin e detyruar” prej 14 filmash në vit dhe që ishte shumë e vështirë, qofte të zgjidhje, qoftë edhe të kundërshtoje rolin që të jepej, duke iu përgjegjur me domosdo pragmatizmit ideologjik e partiak të fillimit të proçesit krijues, po edhe të çensurimit përfundimtar, kur filmi hidhej në celuloid e do të jepej ose jo për publikun e mjerë. “Ishim të detyruar, thoshte Mihal Popi, që të dashuronim kështu edhe figurat e armiqëve, për t’i paraqitur ata në skenë, sikundër na i kërkonte autori, regjia, po edhe koha”. Krijohej kështu një realitet artistik, paralelisht me realitetin e kohës, që seicili duhej të përballej e ta kapërcente “rrethanën” e “ngërçin e sajuar”, aq sa mundej. Shembëlltyra e aktrimit të Vangjush Furxhiut në dramën “Njollat e murme”, i cili brenda një mbrëmjeje, provoi të dyja kulmet ekstreme, atë të lavdisë dhe, nga ana tjetër, atë të denoncimit armiqësor me regjimin,-përbënin dramën më absurde të epokës. Se Udhëheqësi u nxi në fyfyrë kur pa shfaqjen e tij dhe nuk e zinte gjumi me pandehmëm se po “lozej për të vepra revizioniste”, e cila e paskishte futur të gjithë shoqërinë shqiptare në një “Akureum Peshqish” që vërtiten aty për të “ngrënë njëri- tjatrin”! Kriza e identitetit, i kishte errësuar pamjen Artistit të Madh dhe i shfaqej sa herë e thirrnin diku, apo pa e thirrur fare, si para një gjëme të padukshme a të një gjyqi shtrigash…
Krijimtaria artistike në skenë dhe në ekran e Furxhiut dhe e të gjithe artistëve tanë të kësaj periudhe, duket edhe më e qartësuar, sidomos tani, në realitetin e ri shoqëror, kur i shohim me kënaqësi interpretimet e tyre, si një “ngërthim” e lufte të brendshme shpërtërore midis dy realiteteve, i atij që proklamohej, si edhe atij realiteti artistik që vlonte përbrenda këtyre artistëve martirë. Prandaj filmat e kësaj periudhe, duhet që të jepen nëpër ekranet tona, që brezi i ri, i cili nuk e ka njohur gjysmën e shekullit nën diktaturë, lypset të njihet mirë e saktësisht, për të mësuar se si, në atë kohë deformohej raliteti, si edhe “njeriu i ri”, se si jeta shterpëzohej nga sloganet partiake të ideologjisë dhe, mbi të gjitha, kufizohej liria e individit dhe e mbarë shoqërisë shqiptare. Por, në të njëjtën kohë, për të parë se në çfarë kushte e kërkesa krijonin artistët tanë-asnjëherë të vlerësuar mbarazi e të paguar, si edhe për të njohur dhe talentet e vërteta, kur realiteti artistik, deridiku i është imponuar prej tyre kinematografisë së asaj kohe, tek e cila gjenden edhe “perla” e modele studimi të mjeshtërisë së ekranit. Dhe ne kujtojmë e vlerësojmë sot, me veneracion figurat artistike me vlerë studimore të Kadri Roshit, Sandër Prosit, Pandi Raidhit, Nikolin Xhojës, Robert Ndrenikës, Piro Manit, Vangjush Furxhiut, Bujar Lakos, Agim Qirjaqit, Viktor Zhustit e të të tjerëve me radhë, nga plejada e vjetër e nga brezi i dytë i artistëve, për të vazhduar me aktorët e brezit të ri… Filmoteka e asaj kohe të mbrapsht na ka vlejtur edhe neve, studjusve të artit, si një “Arshivë e gjallë” për të shkruar monografitë, portretet e studimet tona, para se t’i fshijë koha e zhbërjes, si një përgjithësim të gjithanshëm të vlerave e të antivlerave.
Shume nga aktorët tanë, gjatë karrierës së tyre edhe shtamposen, sikundër e vinte re edhe Stanislavski, duke i rrëfyer të njëllojtë personazhet në skenë e në ekran. Po kjo nuk ndodhte me Vangjush Furxhiun, që ishte përherë i ndryshëm, i përqëndruar në rol, dinamik dhe reagonte kur të tjerët flisnin, pa qënë nevoja e “maskës së përhershme” të aktorëve zanatçinj. Në librin e teoricienit William Archer “Maska dhe Fytyra” zhvillohet një debat i tërë rreth kësaj teme. A duhet vallë që aktori të ketë gjithmonë në skenë të njejtën “maskë” e të mos i lëvizë asnjë muskul në fytyrë dhe syte e tij të mbeten të zbehtë, sikur “flejnë gjumin e madh”? “Oh,-psherëtin Hamleti i Shekspirit, tek i orienton aktorët që të harmonizonin fjalën me veprimin e veprimin me fjalën dhe të mos delnin jashtë natyrshmërisë… se më ofendon deri në shpirt të dëgjoj djem të zhurmshëm me paruke, teksa grisin një pasion në copëza… duke çarë veshët e spektatorëve…”!
Vangjush Furxhiu ishte njëkohësiht edhe një figurë tragjike, që 40 vite me rradhë jetoi me “planin e dytë” të një survejimi, qyshkuri debutoi te “Njollat e Murme” dhe një “sy i fshehtë!” e ndiqte nga pas vetes. Qe hija e ndjekësve të tij. Ata i shihte dhe nuk i shihte, po ata ishin gjihmonë në vetëdijen e tij, për ta thirrur në hetuesi, si të ishte një “komplotist i rafinua”, me jehona kambanash, me klithma, hekura e kthina të mbyllura nënë tokë, për të mos e parë më diellin, ngjyrën e qiellit dhe godinën e teatrit të tij…
E donte artin e tij Furxhiu deri në përgjërim. E jepte veten për një krijim jete tjetër në skenë a në ekran. Zhytej në proçesin e krijimit dhe harronte veten, harronte se ishte ai, Vangjush Furxhiu dhe i gëzohej një jete të dytë, të tretë a të katërt… Sa të kishte personazhe në Teatër e role në Film, për të, do të kishte dhe jetë, ushqim shpirtëror, liri personi, hapësirë, ajër dhe dritë. Nuk i pëlqente detyrat administrative, sepse këto, sikur i hiqnin diçka të rëndësishme nga vetja… Po, as që mund ta kundërshtonte Anagnostin që e la përkohësisht kamerën e Xhirimit, për karriken e ministrit dhe që artistin në fjalë e donte pranë tij, si zëvëndësin e tij! As atë punën e nëpunësit në prefekturën e Tiranes nuk e donte, bile as shefin e Katedrës së regjisurës më pas!… Vangjush Furxhiu kihte lindor Artist e Artist mbeti, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, derisa pati frymën e fundit 20 vite më parë…! Vitet ikin po Artisti mbetet sepse ndrinë vepra e tij, jeton përhere ARTI I TIJ I MAGJISHËM!
Shkruar ne Athinë, më 23 të marsit 2022.
Please follow and like us: