Vendet perëndimore paralajmërojnë Putinin
Vendet perëndimore po paralajmërojnë presidentin rus Vladimir Putin të enjten (24 mars) se vendi i tij do të paguajë kosto “shkatërruese” për sulmin ndaj Ukrainës, gjatë tre aktiviteve të pashembullta njëditore sikurse takimi i nivelit të lartë i NATO-s, G7 dhe BE-së, ku merr pjesë Presidenti amerikan Joe Biden.
Dita e ngarkuar e takimeve të nivelit të lartë për të ruajtur unitetin perëndimor nisi në selinë e NATO-s në Bruksel, ku udhëheqësit e aleancës transatlantike ranë dakord të rrisin praninë ushtarake në krahun lindor të Evropës.
“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto për të sjellë fundin e kësaj lufte brutale. Ne vlerësojmë guximin e madh të popullit ukrainas dhe forcave të armatosura ukrainase që luftojnë për lirinë dhe të drejtat e tyre. Ne gjithashtu i dëgjojmë rusët që po flasin me guxim kundër luftës. Ne i dëgjojmë zërat e tyre, ata kanë rëndësi. Sot, ne do të diskutojmë mbështetjen e aleatëve për Ukrainën. Ne do të trajtojmë gjithashtu përpjekjet e NATO-s për të forcuar mbrojtjen tonë tani dhe për vitet në vijim”.
Të alarmuar nga mundësia se Rusia mund të përshkallëzojë luftën me fqinjin e saj pas një konflikti të rëndë njëmujor, 30 vendet e NATO-s pranojnë gjithashtu të dërgojnë pajisje drejt Kievit për t’u mbrojtur kundër sulmeve biologjike, kimike dhe bërthamore.
Rusia mund të përpiqet të krijojë një pretekst për përdorimin e armëve kimike në Ukrainë duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për përgatitjen e një sulmi të tillë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg,
“Ne jemi të shqetësuar pjesërisht sepse shohim retorikën dhe shohim se Rusia po përpiqet të krijojë një lloj preteksti duke akuzuar Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s se po përgatiten të përdorin armë kimike dhe biologjike,” u tha ai gazetarëve pas një samiti të NATO-s në Brukseli, duke shtuar se çdo përdorim i armëve kimike do të kishte pasoja të gjera.
“Ekziston gjithashtu rreziku që një sulm me armë kimike të ketë një efekt të drejtpërdrejtë te njerëzit që jetojnë në vendet e NATO-s, sepse ne mund të shohim kontaminim, mund të shohim përhapjen e agjentëve kimikë ose armëve biologjike në vendet tona”, tha zoti Stoltenberg.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy iu drejtua takimit të nivelit të lartë të NATO-s të enjten, duke i bërë thirrje aleancës që t’i japë më shumë ndihmë ushtarake Ukrainës në luftën kundër Rusisë.
Duke folur nga Kievi përmes video-telefonatës, zoti Zelenskyy tha se Ukraina kishte treguar forcën e ushtrisë së saj dhe se i takon NATO-s të tregojë se “ajo është me të vërtetë bashkimi më i fuqishëm i mbrojtjes në botë”.
Kreu i aleancës së Natos tha se udhëheqësit vendosën të ofrojnë mbështetje për Ukrainën kundër armëve kimike dhe biologjike, të instalojnë katër grupe të reja në kufirin e saj lindor dhe të rrisin aftësitë ajrore dhe detare në rajon.
Sulmi rus ndaj Ukrainës një muaj më parë ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka bërë që vendet perëndimore të rimendojnë rrënjësisht politikat e tyre të mbrojtjes.
Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi trupat e tij në Ukrainë më 24 shkurt në atë që ai e quan një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën. Ukraina dhe Perëndimi thonë se Putini filloi një luftë të paprovokuar agresioni.
Zoti Stoltenberg, mandati i të cilit u zgjat me një vit për shkak të luftës, tha se Kina nuk duhet të ofrojë mbështetje ekonomike dhe ushtarake për Rusinë, duke shtuar se Pekini duhet të përdorë ndikimin e tij ndaj Moskës për një zgjidhje të menjëhershme paqësore të situatës.