NJË REFLEKTIM I SHKURTËR NË ÇESHTJET E SIGURISË
Prof. Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ
Paqja, siguria dhe zhvillimi, sot janë më të ndërlidhura se kurrë. Askund tjetër, sfidat e sotme nuk janë më të dukshme se në sferën e sigurisë. Megjithëse rreziku i luftës globale në gjykimin tim duket i largët, pamvarësisht luftës në Ukrainë, shumë rreziqe vazhdojnë të jenë prezentë dhe po lindin me shpejtësi sfida të reja. Kërcënimet e konflikteve rajonale, problemet e dështimit të shteteve, pandemitë globale, rreziqet e terrorizmit trans-nacional dhe të krimit të organizuar, rreziku nga armët e shkatërrimit në masë, mundësitë e zhvillimit të sulmeve elektronike dhe informative, katastrofat natyrore dhe ndikimi i ndryshimit të klimës po karakterizojnë gjithnjë e më tepër globin.
Sot, është e pamundur të parashikohet e ardhmja, por nga ana tjetër do të ishte mungesë përgjegjësie të mos bëhen përpjekje të gjithanshme për identifikimin dhe analizën e tendencave të zhvillimit të sotëm dhe shkaqeve të tyre, si dhe të përcaktohen rrugët përkatëse për të shfrytëzuar efektet pozitive dhe për të evituar ato negative të këtyre tendencave.
Klauzeviçi, për herë të parë, tregoi rëndësinë e lidhjes midis drejtimit politik dhe ushtarak, tregoi se lufta është një zhvillim social dhe akt politik njëkohësisht, duke theksuar se “lufta nuk është thjesht një akt ushtarak, por edhe një instrument real politik, një vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Ai, vazhdimisht theksonte se strategjia ushtarake dhe politika duhet të ecin krahas njëra-tjetrës. “Lufta”, deklaronte ai “ka gramatikën e saj, por jo logjikën e saj”.Tipike sot ajo që po ndodhë në Ukrainë, ka tejkaluar çdo logjikë.
Me të drejtë lindë pyetja; Cilat mund të jenë prirjet që do të përcaktojnë mjedisin e sigurisë globale në dekadave e ardhshme?
Globalizimi është tendenca kryesore që ndryshon tablonë botërore ekonomike, kulturore dhe të sigurisë. Kjo dukuri po shfaqet më se qartësisht tani me luftën në Ukrainë, ku çmimet kanë kapur majat dhe nuk dihet ku do ndalojnë. Ky proces dinamik i rritjes së shpejtë të qarkullimit ndërkufitar të mallrave, shërbimeve, parave, njerëzve, teknologjisë, ideve, kulturave, vlerave, krimit dhe armëve në të gjithë botën, do të vazhdojë të ketë një ndikim dominues në rendin e sigurisë, duke thelluar ndërvarësinë, duke forcuar pozitat e disa aktorëve dhe dobësuar ato të disa të tjerëve.Një gjë duket qartë, besueshmëria e Rusisë si furnizues energjie dhe tendenca e saj për ta përdorur atë si instrument për presion politik do të vazhdojë të rritet.
Rënia e regjimit të vjetër krijoi mundësi të papara për rritjen e ndikimit dhe fitimit të grupeve të ndryshme politike dhe ekonomike dhe shpesh këto grupe dominojnë drejtimin politik, shpërndarjen e të ardhurave dhe privatizimin. Shtetet më të suksesshme kanë arritur t’i rregullojnë këto procese dhe të kontrollojnë grupet konkurruese, ndërsa shtetet e dobëta jo vetëm nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, por shpesh politika e tyre është një zgjatim i luftës së konkurrencës së këtyre grupeve, ku fitimtari kontrollon fitimet.
Ndërsa vendet demokratike synojnë të çojnë përpara ekonominë, demokracinë, shoqërinë civile e shtetin ligjor, ato po ballafaqohen me paqëndrueshmërinë që rrjedh nga problemet e qeverisjes, atyre ekonomike dhe politike. Ato po sfidohen edhe nga ideologjitë radikale, regjimet e korruptuara, pikëpamjet e kundërta për rendin botëror, si nocioni i “demokracisë sovrane” i mbështetur kryesisht nga Rusia dhe Kina që e shikojnë mbështetjen amerikane për demokracinë e të drejtat e njeriut si një ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane. Në këto kushte, paqëndrueshmëria ka mundësi të përbëjë tiparin dominues për një të ardhme të parashikueshme, pasi edhe Evropa duket e prirur të merret më shumë me problemet dhe politikat e saj.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian, duket sikur ka stopuar. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së ballafaqohen me rreziqet në shkallë të ndryshme dhe rrjedhimisht po reagojnë në mënyra të ndryshme, çfarë përbën një kontrast në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë, kur kërcënimi dhe reagimi ishin pak a shumë të njëjta për të gjithë. Kjo do të thotë që një aleancë e sotme duhet të plotësojë nevojat e ndryshme të sigurisë për secilin anëtar dhe jo thjesht nevojën e zakonshme të Luftës së Ftohtë.
Ndarjet etnike, megjithëse në kuadrin e sistemeve politike të hapura nuk janë në gjendje të zhvillohen, ato me veprimet e tyre ndikojnë në dobësimin e legjitimitetit dhe të forcës së shtetit dhe shtetet e dobëta kanë vështirësi në ndërmjetësimin për zgjidhjen dhe frenimin e tyre.Predominimi i nacionalizmit etnik në shumë vende është nga çështjet më të dukshme sot. Lidhur me këtë është edhe çështja e kufijve, siç mund të shihet në; Ukrainë dhe vende të tjera të ish BS, problemet e Kosovës dhe Bosnjes me Serbisë, por edhe më gjerë. Historia botërore tregon se vetëm në rajonet ku nuk ka mosmarrëveshje dhe diskutim për kufijtë mund të ketë paqe të qëndrueshme.
Megjithëse mjedisi i sigurisë në rajonin e Ballkanit është shumë më i ndryshëm nga më parë, ai akoma nuk e ka arritur nivelin e një paqeje të qëndrueshme dhe pozitive. Duke mbajtur parasysh se koncepti i sigurisë ka marrë një sërë kuptimesh dhe nuk mund të kufizohet vetëm me sigurinë ushtarake, rajoni akoma ka një sërë çështjesh sigurie. Si rrjedhojë, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor mund të karakterizohen si “siguri virtuale” me “kërcënime artificiale”.
Sipas përcaktimit të Strategjisë së Sigurisë Evropiane, siguria është parakusht i zhvillimit. Në qoftë se i masim perspektivat dhe reformat e suksesshme sipas nivelit të sigurisë që është arritur dhe shkallës së perceptimit të qytetarëve në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së tyre, Ballkani Perëndimor vazhdon të karakterizohet nga një tablo jo shumë e qartë, pavarësisht nga përfundimi i konflikteve dhe rritjes së stabilizimit të rajonit.
Po kështu vendet e Ballkanit vazhdojnë të ballafaqohen me një sërë sfidash sigurie në sferën e mbrojtjes dhe të sektorit të sigurisë, drejtësisë dhe të punëve të brendshme, në luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe të menaxhimit efektiv të kufijve, pa përmendur parandalimin e kërcënimeve potenciale të terrorizmit.
Koncepti i sigurisë interpretuar ngushtësisht si: siguria e territorit nga agresionet e jashtme ose si mbrojtje e interesave kombëtare në politikat e jashtme, është i cunguar. Për shumicën e njerëzve një ndjenjë pasigurie më së shumti zhvillohet nga shqetësimet e jetës së përditshme, sesa nga frika e ngjarjeve tragjike nëpër botë. Sot është e natyrshme që të gjithë janë të shqetësuar për atë që po ndodhë në Ukrainë, por shqetësimi më i madh është jetesa e përditshme. Për sa i përket diferencave mes perceptimeve të publikut dhe kërcënimeve të sigurisë të njohura dhe pretenduara nga institucionet shtetërore ka një kontrast që mund të na drejtojë në disa argumente mbi kërcënimet reale dhe artificiale në fushën e sigurisë, duke iu referuar perceptimit të publikut. Teksa analizojmë strategjitë kombëtare dhe dokumentet e tjera në fushën e sigurisë, kuptojmë se siguria njerëzore është shumë pak e përfshirë dhe aspak e prioritizuar, krahasuar me kërcënimet e jashtme, rajonale dhe globale. Kjo krijon një hendek mes njerëzve dhe institucioneve shtetërore, duke pasur parasysh se kryesisht, perceptimi i kërcënimeve të sigurisë në publikun e gjerë është e lidhur ngushtë me “sigurinë njerëzore” që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek ata, ndërkohë që institucionet i japin më shumë rëndësi kërcënimeve të sigurisë shtetërore e territoriale, ku interesat kombëtare mund të preken. Pasiguria që rrjedh nga rritja e korrupsionit dhe klima politike e tensionuar dhe konfliktuale, e cila ka një ndikim negativ në ekonomi dhe që reflektohet në standardin e jetës së qytetarëve, e cila më së shumti po vërehet tani.
Pavarësisht se koncepti i sigurisë është zgjeruar, ai përsëri përmban elemente shumë të rëndësishëm ushtarak. Por edhe në këtë rast, kërcënimet ndaj sigurisë do të kërkonin një reagim ushtarak shumë më të ndryshëm nga ai i kohës së mëparshme, por lufta në Ukrainë po tregon se nuk kemi hequr dora nga lufta tradicionale, kur shikon se po vriten civilë të pafajshëm deri edhe fëmijë. Për pos objekteve ushtarake po goditen edhe objekte social- kulturore. Kjo luftë mund të zgjojë tensionet e pazgjidhura në lidhje me Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, dhe në zona të tjera ish-sovjetike.
Pas kësaj lufte, e cila në gjykimin tim nuk do të jetë e gjatë, do të kemi një rend të ri botëror.
New York Mars 2022