Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Fotiadhi: In memoriam, Lame Konomi!

 

 

 

NDEROJMË IKONËN EMBLEMATIKE TË HISTORISË SË SPORTIT KRYEQYTETAS – Lame KONOMIN!

Portret i paautorizuar në përvjetorin e 96-të të ditëlindjes së misionarit të sporteve, Lame Konomit.

 

Në vend të prologut…

 

Është e njohur aksioma, se sportet dhe mbarë lëvizja sportive në thelb, janë pjesë përbërëse e pandashme e zhvillimeve të vrullshme social-kulturore të çdo shoqërie. Me të drejtë ato vlerësohen dhe konsiderohen si prej ambasadorëve më të spikatur të identitetit tonë social-kulturor. Si indicie dhe motivime të fuqishme jo vetëm në shërbim të forcimit të shëndetit mendor dhe emocional të brezit të ri. Por gjithësesi duke u ofruar alternativa dhe standarde, parime dhe vlera të shëndetshme.

Gjithësesi, fizionomia e sporteve si edhe identiteti filozofik i tyre, lidhet pazgjidhshmërisht me filozofinë e edukimit. Në këtë hapësirë, kultivohet sistematikisht integrimi i brendshëm i individit, i cili përmes rivalitetit fisnik të etikës së garës dhe lojës, të stërvitjes dhe përgatitjes sistematike, kërkon të dallohet dhe spikasë, të dëshmoj shpirtin luftarak, duke u ballafaquar kryesisht me vullnetin e fortë dhe mençurinë e shpirtit.

Sepse nëpërmjet ushtrimit fizik aktiv, moshat e reja zhvillojn në mënyrë harmonike trupin dhe mendjen por edhe fitojnë shkathtësinë, vetëkontrollin, si edhe kultivojnë guximin, vullnetin, vendosmërinë, forcën fizike, guximin për të përballuar dhe rrjedhat e vetë jetës.

Pikërisht kështu formohen personazhe më të virtytshëm, të cilët besojnë tek idealet, tek sporti i shëndetshëm dhe vlerat që burojnë prej tij, si edhe shfrytëzojnë më së miri kohën e lirë,larg stresit dhe rutinës, duke ushtruar në sporte dhe u argëtuar sinqerisht. Alternativa të cilat konsistojnë në maturimin e individit dhe zhvillimin e aftësive mendore, sepse e shtyn dhe motivon atë, në vendosjen e synimeve gjithnjë e më të larta, duke u përpjekur dhe luftuar me durim e këmbëngulje sistematike.

Si një prej individëve dhe personaliteteve me një hapësirë shumëdimensionale vlerash të suksesshme, të spikatura në kozmosin sportive shqiptar, e si një njeri tepër i dashur, mund të veçojmë Lame Konomin. Që me përkushtim, në misionin e tij jetësor të kultivimit të idealit sportive, për afro 5 dekada kontribuoi me punën e tij pasionante dhe shembullore, në sendërtimin dhe krijimin e një universi kohor, në shërbim të formimit dhe edukimit të brezave me vlerat më të vyera sportive por edhe qytetare. Nuk janë të pakta vlerësimet dhe mirënjohja për kontributdhënien e vyer intelektuale, sociale, sportive e kulturore të Lame Konomit. Për të papërsëritshmin vizionar, të përkushtuarin, ideatorin dhe realizuesin e kauzave meritore udhërrëfyese për të ringritur një sport dhe lëvizje sportive sa më të masivizuar e sa më funksionale.
Një jetë tejet ambicioze e personalitetit me ideale të vyera Lame Konomit, deri në frymëmarrjen e fundit, e përkushtuar tek sporti dhe lëvizja e gjerë sportive. E një adhuruesi dhe modeli krejt të papërsëritshëm, me shumë seriozitet dhe dashuri përmes shembullit të jetës së tij, mësoi mirësinë, etikën, këmbënguljen, realizimin, suksesin, mendjemprehtësinë, të cilat rrallë hasen të përqëndruara tek një individ.

Një individ krejt i rrallë për kohën që jetoi e kontribuoi, njeriu i vlerave te larta, me aftësi krejt të papërsëritshme konceptuale, sa i rreptë, po aq edhe i drejtë, i aftë dhe tepër i komunikueshëm, bashkëpunues me të gjithë e tepër rezultativ. Lame Konomi, ndër ikonat promotore të ndryshimeve cilësore dhe jetike në jetën sportive të kryeqytetit, duke afirmuar kësisoj vlerat më të spikatura dhe dinjitoze të një individi shumë të përkushtuar, me vlera dhe me përmasa të gjithanëshme.

Fjalët janë shumë të pakta e krejt të pagoditura, për të shprehur dhe ravijëzuar në hapësirat e një përkushtimi, sa më të plotë imazhin dhe tërësinë shumëdimensionale, të figurës, personalitetit dhe njeriut të jashtëzakonshëm, Lame Konomi.

Sepse faktori kohë luan rolin e vetë duke ecur dhe përparuar vrullshëm, e hera herës, figura e personalitete të afirmuara sikur zbehen dhe thuajse lihen në harresë. Ndërkohë që dimensionet e kontributdhënies së tyre, gjurmët e pashlyeshme,karriera e tyre e frytshme jetësore por edhe tepër e spikatur, janë fiksuar dhe mbeten në memorien e përjetësisë së mirënjohjes së vlerave të çmuara.
Gjithësesi, vlerat dhe madhështia e përmasave njerëzore dhe sociale e një personazhi publik, kurrësesi nuk vlerësohen përfundimisht dhe në një formë eskluzive krejt të parevokueshme, për periudhën kohore teksa ndodhen e jetojnë mes nesh. Zakonisht dimensionet dhe vlerat reale të kontributdhënies së tij, mund të vlerësohen objektivisht teksa e ka përmbushur misionin e tij dhe tërhiqet nga veprimtaria aktive. Pikërisht, vetëm atëherë mund të vlerësojmë me qetësi dhe objektivitet, larg paragjykimeve eventuale, peshën funksionale të aftësive dhe veprimit të tij publik ashtu sikundër edhe tërësinë e kontributit të tij social-shoqëror. Të nderosh dhe vlerësosh një figurë apo personalitet, mund ta realizosh me gjithfarë mënyrash. Kurrësesi nuk mund të anashkalonte prej kësaj aksiome dhe vlerësimi, pavarësisht temperamentit të tij karizmatik dhe integritetit, fisniku lavdimadh, njeriu i vlerave dhe i punës, Lame Konomi. Vizionari, drejtuesi frymëzues, krijuesi dhe ndërtuesi njeriu me personalitet të bollshëm dhe humor të jashtëzakonshëm. I pajisur me një karakter të fortë, përmes angazhimit dinamik, përmes punës dhe ngulmimit të tij sistematik, me stilin e tij krejt të veçantë, inicoi dhe rilindi me sukses, mbarë jetën sportive të kryeqytetit të vendit.

Me plotë të drejtë jo vetëm Tirana, por edhe Vlora e mbarë vendi duhet të krenohet me Lame Konomin dhe vlerat shumëdimensionale që ai mbartte në çdo hap të jetës së tij. I cili do të mbetet një personalitet dhe figurë e lartësuar, me një modesti të admirueshme, që la gjurmë të patjetërsueshme në bashkëpunimin dhe progresin e performancës institucionale sportive shqiptare.
Lame Konomi një misionar i zellshëm dhe i pakursyer i sporteve,i cili me punën dhe veprën e tij kolosale, na ka lënë një trashëgimi të madhe në sport dhe shoqëri.

Lame Konomi ishte një njeri i shqetësuar, tepër kërkues por edhe novator. Me një imagjinatë të pasur por edhe tepër këmbëngulës, nuk qëndronte asnjëherë pasiv, por vazhdimisht e sistematikisht tepër energjik. Besonte tek moshat e reja, ashtu sikundër ofronte gjithçka për të arritur edhe cilësinë por edhe nivele të larta, pa u tërhequr kurrësesi prej bindjeve dhe filozofisë së tij të suksesshme drejtuese. Çdo sukses apo arritje, nuk përbënte një çështje thjesht personale, por gjithë përpjekjet e tij konsistonin që ndryshimet, arritjet të përfshinin dhe preknin ekipet, ashtu sikundër edhe mbarë kryeqytetin, në ecurinë dhe lartësimin e lëvizjes sportive. Me përvojën individuale të fituar, me karakterin e fortë dhe ndërgjegjen e lartë, përmes një pune intensive dhe sistematike, Lame Konomi, ravijëzonte dhe ndiqte realizimin e ëndrrave të mëdha, duke i shndërruar në një realitet të këndshëm për lëvizjen sportive, por edhe për vetë brendinë e jetës sociale të metropolit shqiptar. Me cilësitë e një prijësi ambicioz, me fisnikërinë dhe dinjitetin e tij sipëror, i përket merita e padiskutueshme e vendosjes së piketave por edhe themeleve të shëndosha të edukatës dhe kulturës sportive në realitetin e kryeqytetit shqiptar, por edhe me gjerë, edhe jashtë tij.
Me thjeshtësinë, bujarinë dhe dashurinë e tij, jo vetëm për sportin, por veçanërisht për ecurinë, progresin dhe zhvillimet e lëvizjes sportive në kryeqytet, ai luajti një rol vendimtar jo vetëm duke ndikuar në realizimin e stërvitjeve trupore fizike, por mbi të gjitha një iniciues i dëshirës së shpirtrave rinorë, duke ngjitur në rrugët e lavdisë së suksesit, gjenerata të panumërta brezash dhe emra sportistësh të shquar.
Rrugëtimi jetësor dhe profesional…

 

Misionari dhe një prej ikonave rrezatuese të sportit dhe lëvizjes sportive shqiptare, Lame Konomi erdhi në jetë më 25 Mars të vitit 1926, në qytetin e Vlorës, si pinjoll në një familje të njohur për tradita dhe atdhetarizëm. U rrit dhe u edukua në një mjedis familjar patriotik dhe demokratik, i cili pashmangshmërisht përcaktoi në mënyrë të vendosur dhe të pakthyeshme stigmën e qasjeve dhe orientimit të tij social-politik, duke mbështetur dhe u lidhur ngushtë me LANÇ.

Pas viteve të fëmijërisë së hershme që i kalon pranë familjes, starton dhe vijon ciklin e mësimeve në qytetin e Vlorës, ku shquhet për zgjuarësi por edhe për vullnetin e tij në proceset e përfitimit të dijeve. Qysh në atë moshë përvijon aspektet e një fëmije kureshtar, me dëshira për të zgjeruar horizontet e tij, jo vetëm për të mësuar, por edhe për të zbuluar dhe eksploruar. Por njëherazi edhe një karakteristikë krejt e veçantë e natyrës dhe temperamentit të tij, ishte tepër këmbëngulës, në arritjen e synimeve të tij.

Ngjarjet dramatike të hidhura të pushtimit të vendit prej fashistëve italianë e nxit dhe e motivon Lame Konomin, që të angazhohet fuqimisht në lëvizjen për çlirimin e vendit. Starton dhe ndjek mësimet e gjimnazit pranë shkollës Tregëtare dhe aty lidhet me idetë komuniste dhe përfshihet me gjallëri në veprimataritë aktive të rinisë komuniste vlonjate.

Në kulmin e vrullit të moshës rinore, në harkun viteve 1945-46, menjëherë pas çlirimit të vendit, Lame Konomi emërohet si Drejtues i Klubit sportiv «Flamurtari» në qytetin e Vlorës. Starton një karrierë e karakterizuar nga një ndjenjë përgjegjësie të lartë, për riorganizimin e sporteve vlonjate në periudhën e pasluftës. Me seriozitet, përkushtim dhe punë të palodhur, duke kapërcyer vështirësitë e panumërta që përballej, dëshmoi ambiciet e një djaloshi pasionant për të ndryshuar situatat si edhe duke hedhur piketat e duhura, për të krijuar kushtet optimale, për ecurinë e suksesshme të sportit vlonjat.

Kurrësesi nuk mund të ishte asfare rastësor fakti, që në vitin 1946, Lame Konomi transferohet nga qyteti i Vlorës, në drejtim të kryeqytetit, duke u emëruar në Federatën e Sporteve Shqiptare, një institucion i porsakrijuar për t’i dhënë hovin e duhur lëvizjes sportive shqiptare. Por edhe për t’u përballur gjithësesi me sfida të reja,si edhe për të punuar denjësisht në projekte të reja zhvilluese. Të cilat ishin imperativi i kohës, por njëherazi edhe për të hedhur bazat e domosdoshme të një udhëheqjeje dhe drejtimi efektiv të sportit shqiptar.

Duke u njohur dhe bashkëpunuar ngushtë fillimisht me një ndër figurat më të shquara dhe brilante sportive të kohës, siç ishte gazetari sportiv Anton Mazreku, i cili menjëherë pas çlirimit të vendit, ushtron me sukses funksionet e Drejtuesit të Federatës së Sporteve Shqiptare, organizmit homolog me Komitetin Kombëtar të Fiskulturës dhe Sporteve. Por njëherazi edhe me Kristo Papajanin, në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Sportive Shqiptare, e në vijimësi prej muajit Mars 1947, si Kryetar i
Federatës Sportive Shqiptare, me të cilin njohjet ishin të hershme dhe startonin në qytetin e Vlorës, në shkollën Tregëtare e gjetkë, në angazhimet e fuqishme për lëvizjen çlirimtare të vendit.

Një angazhim dinamik dhe një pozicion, që ai mori rishtaz në një moshë të re dhe duke shërbyer me pasion, dhe kontribuar fuqimisht në kursin e rëndësishëm riorganizimit, të funksionimit dhe të zhvillimit të sporteve shqiptare. Kushtet social-shoqërore diktonin organizimin e një pune të mirëstudiuar dhe ndryshimet lidheshin me marrjen e vendimeve të shpejta. Duke nxitur gjithsesi organizimin dhe përsosjen e veprimtarive me karakter lokal por edhe ato kombëtare që organizonin në atë periudhë kohore shoqëritë ekzistuese sportive, ndonëse kushtet reale si edhe infrastruktura e duhur sportive ishte tepër modeste dhe linte shumë për të dëshiruar.
Por për t’ia dalë mbanë dhe për të arritur në lartësitë e suksesit, një rol shumë të madh luajnë performanca dhe aftësitë organizative, vullneti i fortë, puna sistematike, durimi dhe këmbëngulja. Lipsej të vijonte organizimi i klubeve sportive në rang qytetesh, pa lënë mënjanë edhe faktorin e rëndësishëm dhe mënyrat me të përshtatshme për sigurimin e terreneve të domosdoshme sportive. Ashtu sikundër edhe aplikimi i alternativës që lidhej me nxitjen dhe mbështetjen e shoqërive sportive ekzistuese, por edhe në çeljen e të rejave, në përshtatje me interesat dhe kushtet kohore.

Një aspekt tepër i rëndësishëm padyshim që përbënte edhe organizimi i kampionateve kombëtare në sporte dhe disiplina të ndryshme. Duke mbështetur fuqimisht ato ekzistuese, por njëherazi edhe duke nxitur në krijimin e startin e të rejave, duke u përballur natyrisht me barrierat e vështirësive të jashtëzakonshme në periudhat e para të pasçlirimit të vendit. Në këtë kontekst duhet vlerësuar dhe përmendur fakti, që në vitin 1948 merret vendimi respektiv dhe starton e funksionon e para shkollë e mesme e Fiskulturës, si një ndër hapat e para tejet të rëndësishme në drejtim të shtrirjes dhe mbështetjes së arsimimit sportiv në vendin tonë.
Përmes përkushtimit, thjeshtësisë e finesës, ndjenjës së përgjegjësisë, këmbënguljes, durimit dhe përjetimeve të thella shpirtërore, por edhe një angazhimi dinamik, Lame Konomi do dëshmonte potencialin e epërm energjik, simbiozën e gjithëvirtytshme pozitive, por edhe aftësitë e tij organizative krejt të veçanta.
Si gjithë moshatarët e tij, të gatshëm për t’i shërbyer atdheut dhe interesave të tij të larta, menjëherë pas çlirimit të vendit, Lame Konomi përfshihet me entuziazëm dhe është i pranishëm në një sërë aksionesh të rëndësishme kombëtare të rinisë, duke kontribuar në rindërtimin e vendit me çeljen e rrugëve dhe ndërtimin e hekurudhave ashtu sikundër edhe në aksione lokale. Përherë i papërtuar, me sjelljen e tij të natyrshme plot thjeshtësi, me sensin për të befasuar këndshëm, me individualitetin e tij drejtues e krijues, Lame Konomi, si një protagonist karizmatik, ravijëzoi profilin progresist të një njeriu të mrekullueshëm por edhe të një drejtuesi me aftësi të jashtëzakonshme, i cili rrezatonte energji pozitive, dinamizëm, etikë, urtësi, entuziazëm dhe shpresë.

Si një protagonist, si një lidership në sektorin e sporteve dhe edukimit fizik, Lame Konomi me natyrshmërinë e sjelljes, duke synuar në aspektet e emancipimit të vrullshme të shoqërisë, të progresit e humanizmit të saj të shumanshëm, dëshmoi aftësi të rralla të një mendjeje të ndritur, në ndërtimin e raporteve dhe marrëdhënieve me njerëzit, duke fituar besimin e tyre të patundur.
Lame Konomi me vullnetin e tij të jashtëzakonshëm për të arritur dhe perfeksionuar detaje dhe situata të domosdoshme, edhe në pozitat e drejtuesit të Klubit Sportiv «17 Nëntori» të kryeqytetit, në harkun kohor të viteve 1963¬-1971, duhet nënvizuar se spikat si një organizator i përsosur por edhe si një drejtues karizmatik shembullor, në arritjen e rezultateve cilësore sportive të ekipit kryeqytetas.
Në këtë mjedis të ri dhe të përshtatshëm për mendjen dhe punën e tij pasionale, si drejtues i i këtij institucioni sportive, si një njeri me një jetë të pasur sportive dhe me veprimtari të gjithanëshme, brenda pak vitesh, arriti të krijonte një legjendë unike suksesesh dhe arritjesh plot shkëlqim. Lame Konomi me imazhin e portretit institucional, me përulësinë emblematike të një protagonisti të heshtur, me fuqinë e shpresës, me forcën e shpirtit që e karakterizonte, me këndvështrimin largpamës dhe vizionar të misionarit organizator, me një përkushtim maksimal dhe vullnet të jashtëzakonshëm, ishte tepër energjik dhe këmbëngulës në arritjen e qëllimeve madhore, por njëherazi edhe për të mbajtur gjallë frymën dashamirëse sportdashëse.

Në ato vite, dukshëm spikasnin duke u renditur në krye të kampionateve kombëtare respektive ekipet e ngjyrave bardhë e blu të kryeqytetit, duke filluar prej shpalljes Kampion të ekipit të futbollit për të rritur, po ashtu edhe në basketboll për meshkuj dhe femra, në volejboll për femra. Ashtu sikundër edhe arritjet cilësore të ekipeve të atletikës, gjimnastikës, të mundjes, të qitjes, të pingpongut etj.

Një ndër sukseset e papërsëritshme në atë periudhë kohore, natyrisht që lidhet me vrullin triumfator, duke u shpallur si fitues, në 3 spartakiada kombëtare. Sepse spartakiadat luanin një rol inkurajues në angazhimin me sportin, por nga ana tjetër nxisnin interes të lartë për nevojën e edukimit fizik sistematik dhe sportit, edhe pas orarit të mësimit.

Lame Konomi, si drejtues dhe Kryetar i Komitetit të Fiskulturës të Tiranës, në harkun e viteve 1957-1963, i përvishet punës seriozisht dhe plot pasion, për të shndrruar në realitet ambiciet dhe vizionet e tija, duke iniciuar e motivuar nismën tepër të rëndësishme për krijimin dhe mirëfunksionimin me efektivitet të klasave sportive të shkollave të kryeqytetit. Jo vetëm si një qasje pozitive në procesin e edukimit fizik dhe atij sportiv, por për të shërbyer si fidanishte të vërteta nga ana e specialistëve dhe mësuesve trajnerë, në aspektet e përzgjedhjes dhe zbulimit të talenteve të reja sportive, prej nxënësve të shkollës ,në një mënyrë krejt të natyrshme e duke shmangur gjithësesi, çdo lloj subjektivizmi eventual.

Në një pozicion shumë të rëndësishëm përgjegjësie , duke përvijuar një rrugë plot vështirësi dhe sakrifica, Lame Konomi përdori aspiratat dhe vizionet, dëshirat dhe vullnetin, seriozitetin dhe këmbënguljen, për të formatuar imazhin e tij dinjitoz si një misionar i jetës, i sporteve dhe progresit të tyre.

Paralelisht me këtë, një tjetër indicie prioritare, në ambiciet drejtuese organizative të Lame Konomit, konsistonte edhe krijimi dhe funksionimi i ekipeve zinxhir të moshave në të gjitha kategoritë sportive duke hedhur bazat e duhura në funksionimin e tyre. Τë cilat nëpërmjet nxitjes së talentit, vullnetit apo dëshirave për t’u angazhuar me sportin, si bërthama dhe simbolika përfaqësuese të grupmoshave të talentuara, duke shërbyer si vijimësi në proceset jetike të rinovimit, rifreskimit dhe plotësimit të ekipeve profesioniste sportive, me elementë të talentuar e stërvitur me një mentalitet dhe disiplinë krejt të re.

Kontributi meritor dhe aftësitë vizionale të fuqishme të Lame Konomit, motivojnë dhe nxisin krijimin e klasave sportive në shkollat e kryeqytetit, si fidanishte dhe baza thelbësore për përmirësimin e nivelit dhe cilësisë sportive. Pikërisht sepse efektet e dobishme të ushtrimit të sportit, shtrihen në kultivimin e shpirtit të ekipit, në krijimin e një fryme bashkëpunuese, të solidaritetit, konkurrencës fisnike ose virtyteve të tjera, të cilat janë të domosdoshme për promovimin e jetës shoqërore. Strategjia afatgjate e zhvillimit dhe ecurisë sësporteve, konsistonte pikërisht në funksionimin e klasave sportive, me cilësi dhe rezultate premtuese, si vendi ideal dhe hallka e rëndësishme për zbulimin e talenteve të reja. Mësuesit trajnerë ngarkoheshin me barrën e rëndë dhe misionin qytetar që të krijonin kushtet e duhura respektive, në mënyrë që talentet e shfaqura, të mund të tregonin vlerat e vërteta sportive. Qysh në startin e tyre, klasat sportive lipset të funksiononin me metodika të caktuara, duke u stërvitur mbi bazën e skemave dhe ushtrimeve efektive, për të mundësuar nxjerrjen e sportistëve me nivel të lartë cilësor. Motoja e nxitsit dhe motivuesit të krijimit të kësaj hallke, ishte se klasa sportive në thelbin e saj,ishte baza e një pune të suksesshme në evidentimin dhe zbulimin e talenteve të reja sportive.

Νjë angazhim i fuqishëm institucional ku u dëshmua qartë ndihmesa e spikatur e Lame Konomit, lidhej me programimin por edhe me realizimin e misionit të ndërtimit apo rikonstruksionit të infrastukturës ekzistuese të sporteve në kryeqytet. Në këtë aspekt përfshihej ndërtimi i stadiumit të lojrave me dorë «Studenti», si edhe ngritja e një sërë sallave stërvitore, por edhe të poligoneve të qitjes e veçanërisht të komplekseve sportive të lagjeve të kryeqytetit.
Me cilësitë e një drejtuesi vizionar, thelbësor dhe i përkushtuar në përmbushjen e misionit të tij strategjik si drejtues, Lame Konomi me burime të pashterrshme energjish, mundësoi sigurimin e fondeve respektive, duke investuar në aspektet e ristrukturimit, modernizimit dhe zgjerimit të stadiumit kombëtar «Qemal Stafa». Me bindje se duke ofruar një mjedis modern po aq edhe funksional për kohën, njëherazi krijoheshin kushtet e nevojshme të arritjes së rezultateve cilësore sportive.

Lame Konomi, me dashurinë e tij për sportet, bëhet promotor i organizimit të kurseve kualifikuese për përgatitjen e trajnerëve, si një impakt i domosdoshëm për perfeksionimin e punës trajnuese dhe asaj edukative. Për të mundësuar kësisoj, pasur parasysh mungesën e sistemit dhe kësaj hallke tejet të rëndësishme në ecurinë e asaj periudhe kohore të sporteve shqiptare, hedhjen e bazave fillestare në proceset e përgatitjes të trajnerit profesionist. Në përmbushjen e synimit vendimtar që trajnerët të kualifikoheshin e për rrjedhojë të organizonin mbi baza të shëndosha shkencore proceset e stërvitjeve sportive, duke ndikuar në arritjen e niveleve dhe rezultateve të larta,në raport me kërkesat e kohës.

Lame Konomi ishte iniciatori dhe motivuesi i krijimit të ndërmarrjes të Qendrës Sportive në ish-Kampin e Pionierëve në malin e Dajtit, në afërsi të Tiranës, duke ndikuar fuqimisht në ndryshimin tërësor jo vetëm të imazhit të hapësirës natyrore. Por edhe më gjerë duke i ofruar jetë e gjallëri si edhe elemente nxitës për zhvillimin e jetës sportive jashtëshkollore. Me premisa për t’u krijuar mundësinë alternative fëmijëve dhe rinisë së kryeqytetit, jo vetëm për të frekuentuar dhe për t’u angazhuar në veprimtari aktive sportive si marshime në natyrë, por njëherazi edhe ndeshje futbolli, basketbolli, volejbolli por edhe kur e lejonin mundësitë aktuale klimaterike, në organizimin e garave interesante të rrëshqitjeve me ski.
Lame Konomit, si drejtues dhe organizator, i përket merita e jashtëzakonshme e organizimit për herë të parë, të shfrytëzimit aktiv dhe efektiv të Liqenit Artificial të kryeqytetit. Në funksion të përmirësimit të shëndetit të rinisë shkollore dhe duke synuar në masivizimin e veprimtarive fizike, me dinamizëm, inicion aktivitete sportive si kalimin masiv me not, të ujërave të këtij liqeni. Për të vijuar mandej me organizimin e përvitshëm të kampionateve respektive të notit, por edhe të vaterpolit apo edhe të lojërave popullore, me pjesëmarrjen aktive e të gjerë jo vetëm të ekipeve sportive të kryeqytetit, por edhe të rinisë e grupmoshave fëminore të shkollave tetëvjeçare si edhe atyre të mesme të kryeqytetit.
Në qendër të vëmëndjes dhe përkujdesit të Lame Konomit, natyrisht që do të ishte fokusimi në zgjerimin e alternativave por edhe mundësive, për përgatitjen dhe formimin e gjithanshëm të nxënësve, e cila lidhej si domosdoshmëri me procedurat e organizimit të departamentit të lojërave popullore, si thesare të vyera të jetës shpirtërore të vetë popullit. Starti ishte me aspektet e mbledhjes dhe qëmtimit e gjithë hapësirës së lojërave popullore, në të gjitha trevat shqiptare. Gjithë procesi i mbledhjes së këtyre materialeve tepër të rëndsishme historike, u shoqërua me publikimin duke u botuar një sërë broshurash dhe libra me përmbajtje, lojrat popullore. Mandej u programuan dhe zhvilluan seminare informative me pjesëmarrjen e mësuesve të edukimit fizik, për t’i orientuar se si duhej të përdoreshin në vijimësinë e zbatimit të procesit mësimor. Me objeksion këto lojra popullore, nisën të organizoheshin sistematikisht festivale por edhe konkurse të ndryshme promovuese.

Frymonte për sportin dhe motivi i gjithë jetës së Lame Konomit, ishte sporti dhe lëvizja sportive mbarëkombëtare. Kësisoj në vijimësinë e kohës, me talentin, me devotshmërinë dhe kontributdhënien e tij pasionante, krijoi një mit e një model tepër të rëndësishëm e krejt të papërsëritshëm.

Lame Konomi, një njeri guximtar dhe novator, një personalitet i mrekullueshëm, me një botë të brendshme krijuese imagjinative që arriti ta karakterizonte tërësinë e misionit të tij organizativ dhe drejtues, nga një dashamirësi autentike. Sepse gjithë misioni protagonist dhe arritjet e tij, dëshmojnë mirësinë e shpirtit por edhe mendjemprehtësinë e shkathtësinë Lame Konomi, një person i talentuar, i zellshëm dhe intelektual, një mik i mirë me shpirt të madh, puna e palodhur dhe shembulli i të cilit, do të zbukurojë ndër mote, historinë e ndritur të sportit shqiptar.

Një personalitet shumëdimensional, që me praninë dhe veprimtarinë energjike të tij, me vetëdijen dhe devotshmërinë në përmbushjen e interesave publike e veçanërisht në triumfin e idesë dhe filozofisë sportive, mundi të fitonte një respekt dhe reputacion të jashtëzakonshëm.

Lame Konomi, misionari i gati pesë dekadave, me shpirtin fisnik dhe karakterin burrëror, me një angazhim dinjitoz dhe efektiv në Tiranë dhe gjithandej, ikona e ndritur e ngritjes, gjallërimit dhe zhvillimit të sporteve, të shpirtit aktiv për të arritur rezultate të larta cilësore, rrezatonte ndjenja optimizmi e dashurie vëllazërore. Tepër vetëmohues, i thjeshtë, modest, punonte heshturazi larg vëmendjes dhe publicitetit. Duke ndikur fuqimisht në punën konkrete misionare të ngulitjes së dashurisë për sportin, por njëherazi edhe aftësive respektive për të garuar me iniciativë dhe vendosmëri. Me një kontribut shoqëror të pasur dhe i mbisunduar përherë prej përgjegjësisë së lartë dhe seriozitetit, ndershmërisë dhe paanshmërisë, zemërgjerësisë dhe tolerancës, vendosmërisë dhe humanizmit, virtyte që tepër e vështirë të gjenden në ditët e sotme, jo vetëm në fushën e sporteve, por edhe gjerësisht në shoqërinë tonë aktuale.

Posedonte një talent unik për të frymëzuar dhe motivuar, duke u ravijëzuar si themelhedhësi dhe krijuesi novator i gjithë premisave të bazave dhe ecurisë së suksesshme sportive të kryeqytetit shqiptar. I prirur dhe i vendosur në punën metodike dhe sistematike të zbulimit dhe kultivimit të talenteve të reja në disiplinat sportive.
Duke ravijëzuar me thjeshtësi dhe modesti portretizimin e jetës dhe rrugëtimit profesional të një emisari të përndritur siç ishte Lame Konomi, hedhim dritë e pasqyrojmë se indiciet e pozitivitetit dhe një sërë arritjeve në ecurinë sportive dhe lëvizjes fiskulturore të kryeqytetit në dekadat e viteve 60- të, 70-të, 80-të, padyshim që ruajnë një vulë të fortë të guximit si edhe të frymëzimit misionar dhe njerëzor të personalitetit të tij.

Kësisoj, drejtuesit e sotshëm vendorë të Tiranës, që për të mos thënë nuk e njohin, shumë pak janë të informuar rreth historisë dhe të kaluarës, por për më tepër dëshmojnë indiferencë krejt të pashpjegueshme për të vlerësuar dhe nderuar figurat e spikatura të kohëve, të cilët me autoritetin dhe veprën e tyre të suksesshme, me dhuntitë dhe performancën e tyre të jashtëzakonshme, u shndërruan në modele dhe shembuj frymëzues, për aktualitetin por edhe për gjeneratat e ardhshme. Për rrjedhojë është jo vetëm një mangësi absurde, por njëherazi edhe krejt e pashfajësueshme dhe e papranueshme që personaliteti dinjitoz, emri Lame Konomit, i cili dëshmoi si askusht tjetër një dashuri dhe pasion krejt të veçantë për sportet e kryeqytetit, të mos vlerësohet dhe përjetësohet në emërtimin e ndonjë vepre të rëndësishme të infrastrukturës së sporteve të kryeqytetit ose të ndonjë busti në mjedise sportive analoge.
Për gjithë veprimtarinë e tij intensive dhe rrugëtimin jetësor dhe profesional të suksesshëm, Lame Konomi është lauruar me titujt: «Urdhëri Olimpik», «Mirënjohje e Qytetit të Tironës» dhe «Kuadër i Dalluar» si edhe Dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit III-të. Ndërsa më 25 Mars 2021, Presidenti Ilir Meta, me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Lame Konomi, e ka nderuar me titullin e lartë «Mjeshtër i Madh». Një vlerësim asfare meritor krahasuar me vlerat reale të vërteta që ai ofroi dhe la si trashëgimi të vyer për shoqërinë shqiptare dhe brezat e ardhshëm. Sepse çdo përzgjedhje, çdo vendim i tij, kurrësesi nuk ishtë qëllim në vetvete apo mjet promovimi personal, i cili me kalimin e viteve, u shndërrua në një mision kombëtar kontributdhënieje në heshtje, për ecurinë cilësore të sporteve shqiptare. Duke dëshmuar realisht se çfarë do të thotë organizim, metodë, efikasitet.

Lame Konomi ishte një personalitet thellësisht dinjitoz, modest dhe me një karakter brilant, i cili diti të fitonte jo vetëm respektin dhe vlerësimin e të tjerëve, por edhe arriti të fitojë zemrat e të gjithë atyre që kishin fatin ta njohin por edhe të bashkëpunojnë me të. Kurrë, nuk kërkoi njohjen dhe promovimin e tij në media, për gjithë ato që ai i realizoi si realitete mrekulluese.

Me reputacionin e tij gjithëkohor, me ndershmërinë, vendosmërinë dhe bashkëpunimin admirues, Lame Konomi tregoi gjatë gjithë kohës së kontributdhënies së tij në sportet e kryeqytetit, se ishte dhe do të mbetet për të gjithë ne, ikona e një shembulli të gjallë të përkushtimit, të moralit, të punës së palodhur dhe shoqërisë.
Lame Konomi një emblemë historike krejt e papërsëritshme, që lidhi emrin dhe gjithë rrugëtimin e tij jetësor, me historinë e evolucionit dhe zhvillimit të sporteve shqiptare në përgjithësi e konkretisht në atë të kryeqytetit, në Tiranë.

 

Në vend të epilogut…

 

Aradha modeste që shpalosin dhe synojnë të vlerësojnë gjithë ato figura dhe personalitete të ndritura që ofruan me shpirtzemërgjërësi dhe kontribuan me vetëmohim, me moral dhe përkushtim, me të gjithë potencialin e energjive të tyre, në zhvillimin dhe ecurinë normale të sportit dhe jetës social-kulturore të vendit.  Si një përfaqësues dinjitoz i atij brezi idealistësh të papërsëritshëm, Lame Konomi, emisari i përkushtuar, drejtuesi,organizatori i palodhur për afro pesë dekadave në kontributdhënien dinamike e të përditshme në oazet e kryeqytetit shqiptar,na la si trashëgimi të vyer, historinë e ringritjes dhe hedhjes së themeleve të zhvillimeve dhe ecurisë së suksesshme organizative efektive të sportit shqiptar. Lame Konomi, përpos të tjerash, ishte një bashkëshort dhe familjar korrekt, ashtu sikundër edhe një prind model e i dashur për të tre bijtë e tij, Agimin, Agronin dhe Hektorin e në vijimësi një gjysh i përkushtuar e tepër i dashur. Lame Konomi pa e tepruar mund të pohojmë se ishte një njeri dhe mik i vyer për gjithkënd.

Lame Konomi u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare në muajin Qershor të vitit 2005, por la pas vetes një trashëgimi mbresëlënëse, për të cilën vlerësohet me mirënjohje të pakufishme e do të kujtohet me respekt të thellë e dashuri, nga të gjithë ata që njohën, kontaktuan dhe patën fatin të bashkëpunonin me të, si edhe tërësisë së publikut sportdashës.

Sepse fizikisht na mungon veprimtari i palodhur, Lame Konomi ndërsa madhështia e ndikimi i veprës së tij krejt të papërsëritshme, sukseset e arritjet epokale që mbajnë vulën e frymëzimit të tij, janë dhe do të jenë të pranishme. Imazhi i tij, gjurmët mbresëlënëse, dinamika dhe përkushtimi i tij, do të jenë përgjithmonë të gjalla e të pashlyeshme përjetsisht.

Pikësëpari jo vetëm Tirana por edhe Vlora e gjithë vendi anekënd, ju nderon dhe vlerëson me mirënjohje të pakufishme, për punën e ndërgjegjshme, për gjithçka që ofruat dhe kontribuat pa përtesë, për afro 5 dekada me vetëdije në hierarkinë drejtuese të jetës sportive, për t’i shërbyer me devotshmëri, kauzës së brezave të rinj por edhe mbarë shoqërisë.

Me rrugëtimin e tij jetësor Lame Konomi dëshmon përpos të tjerash, shembullin pozitiv të një intelektuali, që kontribuoi denjësisht dhe ia doli mbanë, që me mund dhe djersë, falë përkushtimit, falë seriozitetit, këmbënguljes dhe talentit të tij, të mishërohet dhe shndërrohet në histori suksesi gjurmëlënëse. Duke u angazhuar dhe punuar vazhdimisht për të arritur rezultate të larta, për të mirën e përgjithshme të shoqërisë si edhe në shërbim të interesave jetike të atdheut.

Lame Konomi, një personazh zëheshtur e punëshumë, një njeri modest dhe tepër i thjeshtë, pasionant dhe vetëmohues, ofronte me një mënyrë produktive, larg publicitetit të pavend dhe vëmendjes së të tjerëve. Një udhëheqës shpirtëror dhe një model tipik, që realisht është e vështirë të gjendet në shoqërinë e sotme në fushën e sporteve, siç dëshmon realiteti i sotshëm tepër zhgënjyes dhe i dhimbshëm.
Me mirënjohje të pakufishme, nderojmë një njeri emblematik për kontributin e tij të çmuar në historinë e sportit të vendit tonë. Lame Konomi ishte simbioza e njeriut progresist që ecte me hapin e kohës, madje shpesh herë duhet thënë se me vizionet e tij, i paraprinte konjukturave të kohës, duke përmbushur me entuziazëm dhe më së miri misionin e tij të ndritur vlerëmadh. Lame Konomi pa asnjë hezitim mund të personifikohet si njeriu që dinte të ofronte e t’u jepte njerëzve që e rrethonin atë që u takonte në të vërtetë.

Përkushtimi, dashuria dhe respekti i Lame Konomit për sportet dhe rininë e kryeqytetit, si drejtues por edhe si qytetar, integriteti i karakterit të tij dhe ecuria dinjitoze e rrugëtimit të tij jetësor,ishin ato që e veçuan dhe e vlerësuan atë në lartësitë e sfidave dhe vlerave reale të sportit shqiptar.

Lame Konomi, ndonëse jetoi dhe punoi në kohë të vështira, pa asnjë lloj hezitimi ishte një figurë tepër modeste, përherë i buzëqeshur, fjalëpak e vepërmadh, njeri shpirt dashamirës, me karakter të qëndrueshëm, i angazhuar dhe me respekt të thellë për rininë sportive të kryeqytetit, për vetë njeriun dhe të drejtat e tij,me ideale dhe vlera të larta.

Modeli i njeriut të rreptë e kërkues, të punëshumit modest, me ideale dhe vlera të larta dhe në të njëjtën kohë shumë i ndjeshëm, i dinjitetshëm, modest dhe i angazhuar në krijimin e promovimin e personaliteteve sportive të kryeqytetit ishte dhe do të mbetet përjetësisht, Lame Konomi

Me përulje, faleminderit i paharruari Lame Konomi, për atë që ofrove në inicimin, por edhe në zhvillimin dhe përparimin gjithëkohor të sporteve shqiptare dhe lëvizjes sportive-kulturore. Për modelin e suksesit që mundësuat dhe kultivuat tek mijëra e qindra të rinj si edhe për gjithë kontributin tuaj të jashtëzakonshëm e të përkorë në sporte si edhe në jetën shpirtërore në mbarë shoqërinë dhe prosperitetin e vendit.

Pikërisht lavdia dhe madhështia e kësaj kontributdhënieje tuaj, do t’ju shoqërojë në pavdekësinë tuaj dhe do të mbetet e pashlyeshme në këtë jetë.

Lame Konomi do të qëndrojë përgjithmonë në zemrat tona dhe do të frymëzojë brezat e rinj me trashëgiminë e pasur që na la

Kujtimi juaj është i përjetshëm, humani fisnik, Lame Konomi.

 

Athinë, 25.03.2022.                                                                                                

Please follow and like us: