Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Pak fjalë për librin tim të ri me tregime

 

NË VEND TË PARATHËNIES

Në kohë të shkurtër, sa hap e mbyll sytë, vendosa të afrohem me një tjetër libër me tregime përpara lexuesit, titulluar “Po ku ishe tërë këto vite”? Kjo shpjegohet me faktin e thjeshtë, se  kam akumuluar mjaft krijimtari ndër vite dhe më në fund kam përveç dêshirës, edhe mundësinë  t’ua transmetoj ëndrrat e mia të kryqëzuara në fletē dhe shkronja, adhuruesve të librit e leximit.
Së fundmi, e shoh edhe si një realizim dëshire, vendosje dinjiteti për punën e gjatë krijuese e të palodhshme që kam bërë ndër vite, duke harxhuar aq kohë, mund, e net pa gjume.
Ndryshe nga libri tjetër me tregime, “Ikja e dytë e Noes” , Botimet Meshari , Prishtinë, 2022, paksa i ashpër, me proza të renda, që nganjëherë shkojnë gjer në limitet e dhunës e perversionit, ky është një libër i ëmbël me proza dashurie, por edhe me ndonjë temë tjetër, gjithmonë butë, me disa dedikime të veçanta, për vajzën e vogël, për babanë, kitaristin e zhgënjyer, e për mikun e vjetër të fëmijërisë.
Ndaj titulli, përveç që lidhet me njerin prej tregimeve qe ia kam dedikuar njohjes me bashkëudhëtaren e jetës, lidhet pak a shume me brendinë e librit; ndjesi kërkimi dhe mall, aq mall i pafund për jetën dhe dashurinë.
Këtë do e  ndeshni pothuajse nē të gjithë tregimet, por të veçojmë disa prej titujve si “Pesë minuta për dashurinë”, “Ngjashmëria jote”, “Në rrugën që dikur eca me një vajzë” etj.
Me vendosmërinë dhe vullnetin prej krijuesi jam përpjekur të rrëmbej nëpër kohë çaste të pakthyeshme dhe t’i materializoj, me të njëjtën energji, sikurse mullinjtë e erës kapin rrymat e ajrit për të përçuar dritën. Çdo tregim, me penelata të shkurtra dhe shtyrë nga instikti, vishet me poetikën e jetës dhe e kthen atë në metaforë. I kursyer në fjalë dhe pa u  ndalur në përshkrime të gjata e prozaike, por me vërvitje të drejtperdrejtë si bleta mbi polenin. Gjithashtu, po të llogaritësh katër dekada krijimtari , rreth pesedhjetë tituj tregimesh, nuk janë shumë. Por pa harruar këtu edhe lëvrimin ndër vite, të romanit, poezisë, eseve e studimeve, në të cilat jam përfshirë e çimentuar me pasion e zell prej murgu.
Në prozën e mrekullueshme “Këpuca e bardhë”,  e marr ngasjen nga një fener i vagullt kujtimi, kur në fëmijërinë  time, i përzgjedhur prej familjarëve, u përkula t’i hiqja këpucën e bardhë nuses, siç ishin zakonet e dasmave shqiptare dhe kjo ndjesi e bukur dhe e pashqitshme që më vërtitej prej vitesh në kokë, u shkrua një nate të ftohtë dimri, ku i detyruar të kaloj orë të pafundme e të mërzitshme në lokalin ku punoja, nxorra një fletë nga ato që kamarierët marrin porosinë dhe e shkrova me një frymë.
Tregime të tjera kanë pasur pothuaj të njëjtën ngjizje, i ballafaquar me monotoninë e jetës prej emigranti dhe vetminë, dritat e brilantet e kujtesës, i kam hedhur në letër, duke i modifikuar, përshtatur, ndryshuar, apo përpunuar, për t’i dhënë vetes dhe lexuesit kënaqësinë e trillimit.
Proza duke qenë midis trillimit dhe të vërtetës, ka lidhjet e saj të fshehta me shpirtin. Këtë e gjejmë më së miri tek tregimi “Rriten vazhdimisht gjyslyket e tua”. Një figurë gati atërore, e një njeriu të plakur dhe të vetmuar, mik i familjes, që gjithmonë vinte në shtëpinë tonë dhe kur unë ende fëmijë, e pata njohur dhe dashur për mirësinë e shpirtbujarinë e pasosur të plakut. Kjo ndjesi me shoqëroi gjer vonë, edhe gjatë shërbimit ushtarak , kur plaku “Borjan” erdhi mes maleve të më takonte, por edhe në vitet e para të emigrimit dhe tranzicionit, gjersa erdhi një kohë që nuk e pashë më, mikun e paharruar.
Por një prozë sa e bukur dhe e veçantë për mua, eshtë edhe skica me titull “Letër e padërguar për bijën e vogël” kur personazhi nga larg, matanë detit, kujton vajzën e vogël që rritet pa praninë e tij, mbushet me mall e dhimbje dhe komunikon me të bijën përmes mendimeve. Përmes dashurisë së një ati për krijesën që ka sjellë në botë dhe prej kushteve të vështira të jetës, por edhe për të përligjur të qenët prind, endet rrugëve të emigrimit në kërkimin e një jete më të mirë për të dhe familjen.
Gjithmonë në rrugëtimin tim krijues, më është dashur të përballem me shumë sfida, me moskuptimin njerëzor, me ambientin shoqëror ku u rrita dhe u formova, me mospranimin nga ana e familjareve të qenurit  tim një njeri me prirje për letërsinë. Në një farë mënyre, kjo shpjegohet në njërën prej prozave më të hershme, e shkruar në fundvitet ’80, me titull; “Unë dhe babai”, ku rrëfehet për një çun të vogël, që i ndikuar nga thirrjet e jetës dhe retë në horizontin e dashurisë, fillon të thurë vargjet e para me naivitetin dhe kërshërinë e moshës. I ati ia gjen bllokun me shkrime dhe ia fsheh, duke e bërë të ndjehet i fyer e i pezmatuar. Ai nuk ka më dëshirë t;i flasë të atit, as të shkojë me të për të peshkuar dhe provon dilemat e para, të tkurrjes dhe frenimit të lirisë individuale, të frikês së shpërfaqjes së ndjesive më të thella të shpirtit.
Por i gjithë libri përshkohet nga një atmosferë meditimi të thellë për jetën, për mundësitë e pakta që na jepen për të pasur ndër duar frytet e lumturisë.
“Burri me kitarë” është një prozë aq e brishtë dhe e dhimbshme. Një kitarist i harruar dhe i vetmuar, që shetit çdo ditë bregut të detit me kitarën e tij, por nuk guxon më t’i bjerë. Në trishtimin e brengën që e ka kapluar e sheh si nje nuse, qe e ka përballë  shtratit, por ngurron dhe trembet t’i zhveshë fustanin e nusërisë.
Jeta ka ato mijera metamorfozat e saj, dhe me delikatesë kam prekur lehtë ashtu si një pupël prek krahun e butë të një vajze, brendinë dhe enigmën e tyre, për të përthithur mesazhe e kumte, për të depërtuar nëpër sferat më intime të qenies, të dijes dhe pavetëdijes.
Në tregime të veçantë si “E panjohura në shtratin tim” apo “Diçka do të ndodhte midis nesh”, hedonismi dhe erotizmi merr flatra lirie, përndizet si flakë në pyllin e ndjenjave, duke thyer ngurtësinë dhe prangat e moralit. Secili sipas shijes dhe botëkuptimit, i gjykon dhe shijon, e rëndësishme për mua është të kem guximin e duhur edhe për të prekur tema të ndjeshme.
E kotë të zgjatem nëpër përshkallëzimin e ngjarjeve dhe intuicionit, sepse lexuesi vetëm nëpërmjet eksperiencës personale do dijë të marrë atë që duhet të marrë nga ky libër.

Please follow and like us: