Albspirit

Media/News/Publishing

Avdush Canaj: UNË PRAPË TË DUA

Edhe unë jam biri yt, Atdhe,
Edhe unë jam gjaku i zemrës tënde.
S’më ule në sofrën e madhe
Si bijtë e tjerë,
Më harrove!
Harrove se më ke pjesë të trupit tënd
U bëre vend
Çanaklëpirësve!
Më harrove mua, Atdhe,
Të voglin,
Sugarin,
Sypatremburin.
Të kujtohet,
Unë ta pata prerë litarin në fyt,
Litarin e gjarprit
Që të shtrëngonte,
Donte ta ndalte frymën
Si s’të kujtohet?!
Të tjerët ikën,
Ia mbathën si lepujt
Ata që sot janë bërë heronj
Rrahin gjoks,
I kanë fryrë xhepat,
Vrajnë e kthjellin!
Për ty fala këmbën,
Edhe krahun,
Ti të mos vritesh,
Atdheu im.
Dhe s’jam penduar,
Do t’i falja të gjitha për ty.
Unë prapë të dua,
S`kam Atdhe tjetër,
Të kam vetëm ty,
S’mund ta kthej shpinën.
Please follow and like us: