Albspirit

Media/News/Publishing

Rreth 30 % shqiptarë, shpallen të dhënat për censusin në Maqedoninë e Veriut

Enti i Statistikave në Maqedoninë e Veriut shpalli sot rezultatet e regjistrimit të popullsisë, që 2 milionë e 97 mijë. Sipas këtyre rezultateve, përfshirë edhe diasporën, maqedonasit përbëjnë 54,2 përqind, ndërsa shqiptarët 29,5 përqind të popullsisë së përgjithshme.

Referuar këtyre të dhënave numri i banorëve rezidentë është mbi 1 milion e 800 mijë; 58,4% janë maqedonas, 24,3% janë shqiptarë dhe pjesë tjetër nga komunitetet. Komisioni Evropian e ka quajtur censusin në këtë vend si një arritje të madhe, ndërsa opozita thotë se janë bërë mjaft lëshime.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të shikohet si një zhvillim politik në vend, kjo sidomos për shkak të mospajtimeve lidhur me shifrat e komuniteteve etnike. Enti Shtetëror i Statistikave i shpalli të mërkurën zyrtarisht rezultatet e censusit të mbajtur në muajin shtator të vitit të kaluar.

Sipas numrit të përgjithshëm të popullatës, 54.2 përqind janë deklaruar maqedonas, 29.5% shqiptarë, 3.98 përqind turq, 2.3% romë, 1.2% serbë. Pakicat tjera etnike nuk e arrijnë veç e veç shifrën prej 1 përqind.

Në bazë të standardeve të Agjencisë Evropiane të statistikave EUROSTAT dhe të Kombeve të Bashkuara, numri i banorëve të një shteti llogaritet ai që është brenda vendit, pra banorët rezidentë.

Sipas të dhënave numri i banorëve rezidentë është mbi 1 milion e 800 mijë; 58,4% janë maqedonas dhe 24,3% janë shqiptarë. Rreth 260 mijë shtetas janë regjistruar në diasporë përmes aplikacioneve në internet, 66 për qind e tyre janë shqiptarë.

Komuna me më shumë banorë në Maqedoninë e Veriut është ajo e Kumanovës. 98 mijë banorë jetojnë atje. Ndërkaq, Shkupi që ndahet në tetë komuna, ka gjithsej 526 mijë banorë.

Procesi i regjistrimit nuk kaloi pa sfida: “Ajo që nuk e kishim parashikuar dhe që në fillim të aktiviteteve në terren vuri në pikëpyetje realizimin me suskes të regjisrtimit ishin sulmet e hakerëve në aplikacionin e regjistrimit dhe në kanalet e komunikimit të Entit Shtetëror të Statistikave”, tha Ilmi Selami, Zv.drejtor i Entit.

Rreth 132 mijë banorë brenda vendit nuk janë regjistruar sepse nuk kanë qenë të pranishëm në shtëpitë e tyre në kohën kur regjistruesit kanë shkuar të bëjnë evidencën, por të dhënat janë marrë nga burime administrative.

Për habi, bullgarët, të cilëve iu mundësua deklarimi në këtë census pas trysnisë nga Sofja, kanë rezultuar të jenë rreth 3 mijë e 500, ose 0.2 % nga popullsia rezidente.

Në bazë të këtyre të dhënave, vendi ka dhjetë përqind më pak banorë të regjistruar, krahasuar me regjistrimin e fundit të bërë në vitin 2002. Ekspertët e arsyetojnë numrin e zvogëluar të banorëve me shkallën e lartë të vdekshmërisë dhe me atë të emigricionit drejt vendeve perëndimore.

Shpallja e rezultateteve u bë përmes një ceremonie ku morën pjesë kryeministri me kanbinetn e tij dhe drejtues të institucioneve të tjera publike. Për rreth 20 vite mungonin të dhënat për popullsinë e Maqedonisë së Veriut për shkaqe politike.

Censusi i vitit 2011 u anulua pak ditë pasi nisi puna në terren. Faktorë politikë opozitarë maqedonas kanë paralajmëruar se nuk do t’i njohin as rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë sepse në to ka gisht politika, sipas tyre.

Në të kaluarën ishin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të cilët besonin se numri i tyre tejkalon 30 përqindëshin.

Madje edhet presidenti i parë i këtij vendi Kiro Gligorov në fillim të viteve ’90 paralajmëronte se numri i shqiptarëve brenda njëzet vjetësh do të barazohej me atë të maqedonasve. Ndërkohë, një pjesë e partive nacionaliste maqedonase së fundmi parashikonin që shqiptarët në këtë vend në janë më tepër se 18%.

Por, drejtuesit e Entit të Statistikave dhe ekspertët e huaj të angazhuar në proces shprehen krenarë me punën e bërë dhe nuk shqetësohen me komentet politike. /VOA

Please follow and like us: