Irma Kurti shpallet fituese e konkursit të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli
Me romanin “Vite chiuse a chiave” (Jetë të mbyllura me çelës)
Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti shpallet fituese e Konkursit Letrar Ndërkombëtar të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli në bashkëpunim me Revistën “Nuove lettere”. Në konkurs morën pjesë 1036 pjesëmarrës dhe punimet u vlerësuan nga juria e kryesuar nga prof. Roberto Pasanisi si dhe nga shkrimtarë e gazetarë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në sallën Gabriele D’Annunzio të këtij instituti.
Kurti u shpall fituese absolute në seksionin e romanit të pabotuar me veprën “Vite chiuse a chiave” (Jetë të mbyllura me çelës). Kjo i jep të drejtën që ta botojë këtë libër me Shtëpinë Botuese të Institutit Italian të Kulturës në Napoli (ICI Edizioni) si dhe fragmente të tij në Revistën Ndërkombëtare të Poezisë dhe të Letërsisë “Nuove Lettere” në versionin e shtypur dhe elektronik.
Nga parathënia e romanit “Vite chiuse a chiave” të shkruar nga Manuela Raciti veçojmë: “Me një stil delikat dhe, në të njëjtën kohë, të drejtpërdrejtë, shkrimtarja Irma Kurti shpalos jetën e protagonistëve, duke treguar të kaluarën – intensive dhe të rëndësishme – të tyre. Falë zhvendosjeve kohore mjeshtërore, si dhe zgjedhjes së një këndvështrimi të shumëfishtë, zbulohet lidhja e thellë ndërmjet tyre si dhe raporti konfliktual, brishtësia emocionale dhe përpjekja për të ndërtuar një familje. Ky roman na rrëfen se diçka e bukur mund të ndodhë gjithmonë, madje edhe në faqet e fundit të librit të jetës sonë”.
Irma Kurti ka botuar njëzet e katër libra në gjuhën shqipe, shtatëmbëdhjetë në italisht dhe gjashtë në anglisht. Është përkthyese e 10 librave të autorëve të ndryshëm, si dhe e të gjitha veprave të saj në italisht dhe anglisht.