Albspirit

Media/News/Publishing

Sheqet Meko: UNË DHE BIJTË E MI…

-Meditim si prind  dhe përtej-

Sot një nga bijtë e mi,  lëvizi nga një shtëpi ku jetonte falas, (sepse i përkiste babait) tek një apartament luksoz në qendër të qytetit. Unë nuk desha. Unë kundërshtova: “Rri këtu… E ke falas. Nuk dua dollarë…Rri këtu…”. Ai më pa drejt në sy. Më qeshi dhe ma preu: “Dua të paguaj dikë tjetër se ty nuk të jap dollarë… Edhe po të t’i jap, si shqiptar që je do m’i kthesh… Do iki  ku dua…”. U përpoqa ta diktoja, i thashë se do t’i jepja “bakshish” po të rrinte tek investimi im. Por iku. Sot bëri lëvizjen me një makinë të madhe. E ndihmova si baba. Ai ka nuhatje amerikane për tregun dhe biznesin. Me dhimbje e shoqërova tek shtëpia e re. Aty më dha një gotë birrë dhe më tha: “Bëju amerikan… Më lerë të lirë se unë prap do të të dua…”.

Sikur më “vrau  me pambuk”. Qesha. Kur pashë vendin që kishte  zgjedhur për të jetuar, u çudita. Nga dritaret e xhamta kishe në dorë qendrën e qytetit me rrokaqiejt e larta dhe më erdhi mirë. Më erdhi keq që desha të diktoja. Mu duk vetja një diktator-baba, që nuk pranon ndryshimin, kohën, kontrastin e brezave. Desha të kontrolloja jetën e tim biri si një arkaik shqiptar që rasti dhe fati e solli në Amerikë. Më erdhi keq. E kisha nga dashuria, por isha i gabuar. Liria e njeriut është më e madhe se dashuria e prindit, shumë më e madhe edhe pse ne themi “nuk ka si dashuria jonë”. Jemi të gabuar… “Dua të krijoj eksperiencën time”-më tingëllojnë fjalët e timbiri.

Më erdhi në mendje im at. Më deshte edhe kur mendoja ndryshe nga ai. Nuk më diktoi. Më la të shkoja në shkollë, të ikja larg nga fshati dhe të kthehesha ndryshe. Ai më duket se ishte më liberal se unë, që dua të kontrolloj bijtë e mi, t’i kem afër, t’i shoh përditë, të bëj shaka shqiptare dhe të qesh shqip… Të qesh shqip? Po, po. Unë qesh shqiptarçe kur im bir më thërret “Sherbet…Ku je?…”. Unë qesh, E qeshura më bën si  im bir, më sjell rini, freski, shpresë… Djali tjetër ka tjetër humor me një lloj filozofie moderne, që nuk më bën të qesh, por më fut në mendime. Të dy djemtë e mi janë kenaria dhe domethënia ime.

Bijtë tanë. Ata janë më të mirë se ne, më të mençur se ne, më të ditur dhe me botën e tyre për jetën, dashurinë dhe misionin në jetë. Ne shpesh nuk i kuptojmë. Duam t’i kontrollojmë, t’i “mëkojmë”, t’i këshillojmë deri në mosdurim. Harrojmë se ata nuk janë si ne. Duan të na ngjajnë ne, por ata nuk mund të jenë ne, ata janë shumë më përpara se ne… Miku im i pashoq, Medi Koxhaj, kur flisnim për Ne dhe Ata, më thoshte: “Gjithë brezat e rritur ankohen për brezin e ri… por bota përherë ka ecur para, jo mbrapa…”. M’u kujtua Mediu i madh, ndërsa dua të jem “diktator” i krijesave të mia. Njeriu lind me instiktin për të qenë diktator. Vetë e qara e thekshme  e sapolindjes sonë është “ego” dhe diktat për vëmendje. Ne qajmë që të gjithë t’i kthejnë sytë nga ne. Ne qajmë edhe pse nuk e dimë pse qajmë. Kush nga ju kujton këtë qarje të parë? Unë nuk e kam idenë, por nuk harroj të qarat e bebeve që kam sjellë në jetë. Ata qanin sepse deshën vëmendjen tonë, deshën kujdesin tonë. Tani nuk janë në nevojë. Tani ata duan  lirinë e tyre, larg “vëzhgimit “ tonë të tepruar.

Ne, nuk jemi si bijtë tanë. Koha na bie si “shuk bore” mbi mendjet tona dhe nuk kuptojmë se kemi ngelur prapa. Bijtë tanë duan vetëm një gjë: Të jenë të lirë nga “përkujdesja” jonë idiote. Ata kanë  ëndrra ndryshe, ata duan të jenë ata, pa “mbikqyrje” sikurse duam ne brezi i “shekullit tjetër”. Tirana dhe gjithë  Shqipëria ka një brez të mrekullueshëm që ka ëndrra të bukura, që nuk kanë më nevojë për “mbikqyrje pleqsh”, sado kjo të duket si dashuri dhe përkujdesje.

Vjet isha në Tiranë me tim bir. Nuk qëndroi me mua. Kishte porositur tjetër shtëpi. Si baba veseli iu qepa dhe mësova se ku do flinte. Ishte një  apartament luksoz diku tek ish-profarma, që e kishin futur në treg një çift i ri që dukeshin të sapodashuruar e plot ëndrra investuese. Ata ishin një shembull i madh i lirisë që ka nevojë brezi i ri. Investimi i tyre edhe pse ishte në katin e sipërm të një pallati,  ishte një “Copëz amerike” në cep të Tiranës. Im bir më tha: “I shikon shqiptarët e rinj?!…Brezi juaj mbeti me politikë dhe llafe koti…”.

Sot im bir më solli përsëri në bisedë investimin e çiftit të ri në Tiranë. Ata nuk janë të vetëm. Ata janë të shumtë. Brezi i ri i Shqipërisë ka ëndrra, ka fantazi, ka vision, por nuk i lenë “pleqtë e lajthitur” që duan të diktojnë, duan të kontrollojnë, duan të thonë se “Pa pleq, nuk ka Shqipëri”. Është një lajthitje që kërkon pakëz guxim të manaxhohet. Edhe mua m’u duk vetja si një “plak grindavec” kur dua të diktoj tim bir. Më erdhi turp  nga vetja. Edhe pse diktati im është dashuri, im bir e neverit. Dhe ka të drejtë. Edhe unë kam neveri kur kujtoj gabimet e mia. Kam neveri kur kujtoj se si dikur krijova një shoqatë  të gazetarëve të bujqësisë dhe vetja mu duk “pronar”. Për mua votuan të gjithë në mbledhjen e parë, por më pas, unë u bëra një “zevzek”. Kur ika në Amerikë, vulën dhe “dosjen” e shoqatës ja lashë një idioti që e desha si lolo pas vetes. Kur u kthjellova dërgova një letër dhe kërkova falje. Fuat Memelli ringriti shoqatën nga përgjumja që e lashë unë. Isha i lajthitur pas vulës, emrit dhe ashtuthënës lavdi. Në Amerikë mësova se  çdo gjë ka kohën e vet. Amerika vetëm kohën nuk ja fal kujt. Ne në Shqipëri e japim falas dhe për më keq kohën tonë ua falim “të shtrydhurve”… Po a mendon kështu brezi i ri? Të rinjtë duan “Liri nga pleqtë” sepse ata e dinë se do bëhen si ata, ndaj nuk kanë nevojë për “huqet e moshës” që do vijnë një ditë edhe për ta. Ndaj të rinjtë qeshin me ne, sepse nuk njohin “tekat e viteve”.

Më erdhi turp nga vetja kur edhe unë isha bërë i tillë ndaj ëndrrave të tim biri. Po si ja bëjnë ata, që nuk janë as fis, as gjak, as familje, por thjesht “familje politike” dhe duhet të dëgjojnë “Plakun”?… A ka një forcë t’i shpëtojë? Unë ika dhe e lashë vetë tim bir, tek apartamenti luksoz, duke i kërkuar falje për  “diktaturën” time. Po ata që kanë ëndrra politike si mund të dalin mbi “brezin e shekullit që iku” dhe vërtet të sjellin freski në politikën kundërmuese të Tiranës?…

Bijtë tanë janë të mrekullueshëm. Ata meritojë me shumë liri, më shumë besim sepse dinjiteti i botës së tyre është ndryshe nga jona…

Im bir iku të jetojë aty ku do vetë. Unë hesht dhe mendoj. Ai ka të drejtë…

Minneapolis,  31 Mars 2022.

Please follow and like us: