SHBA/Ndue Gjika promovon në Saint Louis librin “Zambakë në erë”
Është prezantuar ditën e djeshme në ambientet e shoqatës Iliria në Saint Louis romani “Zambakë në erë” i shkrimtarit Ndue Gjika. Ky është një libër të cilin autori e kishte nisur në Shqipëri dhe e përfundoi në Saint Louis në vitin 2019.
Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël të Shqipërisë së viteve të periudhës komuniste. Siç edhe theksoi znj. Miranda Gaçe që mbajti referimin kryesor: “Në simbolikën, metaforat dhe në të gjithë mjetet shprehëse letrare të librit portretizohen vitet e një kohe të zymtë, të mbyllur, plot me paragjykime ku brenda tij gjendet një grua që divorcohet, e cila është e destinuar të (mbi)jetojë.
Gjatë takimin lexuesit e pasionuar që kishin lexuar librin dhanë përshtypjet e tyre. Xhevat Dullovi theksoi analogjinë e kësaj jete të mbyllur të femrës shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Jetnor Mullalli krahas komplimetave për mënyrën e të shkruarit dhe figuracionin letrar vuri në dukje që ky roman e ka rritur nivelin e të shkruarit dhe të pasqyrimit të jetës në krahasim me veprat e mëparshme te autorit. Elona Dyshniku shfaqi interes të kuptonte nga autori se si lindi bërthama e këtij romani. Pandeli Gaçe krahas vlerësimit për një paraqitje të një tabloje realiste jetësore të asaj periudhe kërkoi që autori të sjellë në të ardhmen edhe ndonjë temë nga jeta këtu në emigracion. Ilirjana Arapi u shpreh pozitivisht për librin dhe temën që shqyrtohet në libër. Erion Kafazi në qendër të fjalës së tij vuri në dukje lidhjen krahasimore të natyrës plot me vranësira, shira, stuhi dhe zhvillimit të jetës në këtë qytezë. Eneida Taçi theksoi që libri në vetvete nuk mbetet në një qytet të vetëm por evokon jetën e qyteteve shqiptare që jetonin këto meskinitete dhe barriera sociale.
Autori pas një esse-je të shkurtër mbi letërsinë dhe momente të librit të tij, falenderoi shoqatën për organizimin e veprimtarisë dhe të gjithë të pranishmit.
Shoqata “Iliria” thekson se kjo është hera e parë që në komunitetin e tyre zhvillohet një event i tillë letrar. Shoqata synon që në të vijimësi fokusin e saj ta inkuadrojë në evente të karakterit letraro-artistik, gjuhësor, studimor, historik, sportiv etj ndaj jemi të hapur për gjithësecilin.