Eugen Shehu: BABA REXHEPI, NJË JETË E JETUAR PËR FE DHE ATDHE
“KUR TË VDES, NUK DUA CEREMONI MORTORE. AMANET, ATE RASËN E GURIT QË KAM MARRË NGA GJIROKASTRA, TË MA VENDONSI TEK KOKA”
Lindi në gushtin e vitit 1901 në qytetin e gurtë të shtetit amë, Gjirokastrës. U rrethua që në vitet e para të jetës, me legjendën e famshme të kështjellës që mbante emrin e Argjiro dhe që u lëshua si erë nga bedenat e kalasë, vetëm e vetëm për mos t’i ranë në duart e Osmanëve. U rrethua prej tregimeve mbi trimëritë e pashallarëve të Gjirokastrës, fama e të cilëve arrinte deri në Athinë. Por pati edhe një fat të madh që do t’i paraprinte rrugëve të së ardhmes së vet. Ishte nipi i parë, i të mrekullushmit Baba Selim, i teqesë së Zallit në Gjirokastër. Rexhepi i vogël shkonte të mësonte në shkollën fillore të Gjirokastrës, në vitin 1907. Gjuha e përdorur aty ishte turqishtja, por fati i madh e çonte vogëlushin çdo ditë në Teqenë e Zallit, tek daja i tij (vëllai i nënës) i cili i mësonte në odën e madhe, gjuhën e bukur shqipe. Dhe tok me gjuhën e bukur tonën, Baba Selim ushqente në shpirtin e nipit të vet, dashurinë e madhe për Shqipërinë. Dihet tanimë se në vitet 1906-1909, Teqeja e Zallit në Gjirokastër ka qenë shndërruar në çerdhe të madhe të shqiptarizmës. Shahin Kolonja e Sulejman Delvina, Cerçiz e Bajo Topulli, Mihail Grameno dhe Qemal Panariti, shkonin shpesh në dhomën e kësaj teqeje dhe në biseda me Baba Selimin ideonin kryengritjen e përgjithshme shqiptare për pavarsi kombëtare.
Pas mbarimit të shkollës fillore, djali i thatë dhe imcak, Rexhepi nisi studimet në shkollën e mesme “Ruzhdije”. Ngase mësonte shumë dhe rezultatet i kishte mjaft të mëdha, me porosi të Baba Selimit, Rexhepi regjistrohet njëherazi në Medresenë e qytetit ku nis të futet kështu në udhën e shenjtë të misticizmës islame. Në shtëpinë e vet në Gjirokastër, nxënësi i dalluar i shkollave “Ruzhdije” dhe “Medrese”, Rexhepi do të ulej me ore të tëra pranë librave duke harruar krejt lodrat e moshës. Për më tej, me këmbënguljen e tij, ai do të shkonte rregullisht në Teqenë e Zallit, duke marrë prej dajës së vet, mësime për gjuhën persishte dhe osmanisht. Bashkëjetesa dajë-nip, pat lënë mbresa të pashlyeshme tek Rexhepi i vogël, i cili më pas, për dajën e vet do të shkruante pos të tjerave; “Me të qendruar në Post, Baba Selimi e përhapi shumë bektashizmën, i shtoi së tepërmi radhët e antarëve shpirtërorë, jo vetëm me shqiptarë, por edhe me të huaj që ishin në Gjirokastër si nëpunës. Fama e tij u përhap aq tepër, sa një major turk, i cili komandonte një garnizon ushtarak në Maqedoni, kur dëgjoi meritat e Baba Selimit erdhi në Gjirokastër për të marrë dorë tek ai dhe u dorëzua myhib… Në kohën e okupacionit italian, kur nisi lufta për çlirimin e atdheut, Baba Selimi përkrahu nxehtësisht nacionalizmin shqiptar. Thirri gjithë fshatarët me radhë dhe i këshilloi të gjithë, të bënin luftën e çlirimit me ngjyrë shqiptare, duke u larguar nga ideologjitë e huaja”. (Baba Rexhepi “Misticizma Islame dhe Bektashizma”, Botimi i Detroitit, Amerikë 1967, faqe 261 ).
Duke përfituar nga trazirat e brendshme të shtetit shqiptar, nën Princ Vidin, në qershorin e vitit 1914, grekët të përkrahur nga formacionet e tyre të andartëve ndërmuarën nismën për të krijuar aty qeverinë greke, kinse kishin të bënin me tokat e Vorio Epirit. E vërteta është se shteti shqiptar nën Princ Vidin ishte tejet i kufizuar nga ana gjeografike dhe ai e la jugun në dorë të një batalioni të armatosur keq të Ushtrisë sonë Kombëtare. Ky batalion asesi nuk mund të vepronte përgjatë vijës kufitare rreth 200 kilometra ndaj edhe grekët e zunë lehtësisht Gjirokastrën, me ç’rast donin të internonin Baba Selimin së toku me besnikët e tjerë të tij. Me ndërhyrjen e disa ortodoksëve të Gjirokastrës, kjo nuk ndodhi dhe Baba Selimi shkoi të banojë në Gjirokastër, në shtëpinë e motrës së vet, tek dervish Rexhepi. Anipse nuk ishin në teqe, dajë e nip e kthyen shtëpinë e gurtë, në fole të shqiptarizmës, çetat e trimave shqiptarë, merrnin porosi e letra prej Baba Selimit, nëpërmjet nipit të vet, dervish Rexhepit i cili nën uniformën bektashiane merrte e përcillte mesazhet e lirisë sidomos, bashkëpunim të ngushtë, dervish Rexhepi pat me Cerçiz Topullin të cilin e çmonte për besën e burrit dhe trimërinë e rrallë. Pas vitit 1919, kur teqeja u çel sërisht, dervish Rexhepi ishte i pari që ngarendi atje. Duart e tij të vogla e të buta bënin gjithfarlloj punësh, që nga ndërtimi i mureve të shkatërruara e deri tek mbjellja e luleve apo pemëve të shumta frutore. Pas një shërbimi të gjatë në Teqenë e Zallit në Gjirokastër dhe pas kalimit të shkallës së parë të karrierës së bektashizmës, biri i urtë dhe i mençur i Gjirokastrës merr titullin dervish. Në ceremoninë e marrjes së titullit, në fillim të viteve 30-të, shkuan në Teqenë e Zallit në Gjirokastër dhjetra dervish e baballarë, nga Tepelena, Kolonja, Gjirokastra e Delvina. Krejt atyre u pat rënë në sy, jo vetëm mençuria e dervish Rexhepit por sidomos aftësitë e tij mistike për të komunikuar me njerëzit e thjeshtë përmes shikimeve të syve. Një rrezellim të brendshëm, njerzor dhe depërtues, ata sy e ruajtën deri në fund, deri atëherë kur u mbyllën për në paqën e amshuar.
Pas pushtimit fashist të vendit në prillin e vitit 1939, Teqeja e Zallit në Gjirokastër do të shndrrohej në vatër të vërtetë atdhedashurie. Nacionalistët shqiptarë, të prirur pas bektashizmës, si një besim me kahje të përhershme nga dashuria e shenjtë për atdheun, do të kalonin ditë e netë të tëra në këto perehtore të shpirtit duke nxitur organizimin e çetave të armatosura kundër pushtuesit. Emra të njohur të nacionalizmit shqiptar si Babameto, Omari, Këlcyra, Xhaferi etj, do të bashkëpunonin ngushtë me dervish Rexhepin, fjala e të cilit ish pothuaj e shenjtë për krejt gjirokastritët. Jo pa qëllim, dervish Rexhepi ftonte gjatë kësaj periudhe në Teqenë e Zallit, edhe personalitete të arsimit e atdhetarisë së Kosovës, siç ishte Rexhep Krasniqi i cili pat kumtuar pikërisht në ate faqe, mësimin e vyer së historisë se “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë, por edhe pa Kosovë nuk mund të ketë Shqipëri”. Në fillim të viteve 40,në mbarim të luftës italo-greke, atëherë kur qeveria dhe junta ushtarake greke filloi genocidin e paparë ndaj Çamërisë, teqeja e Zallit dhe personalisht dervish Rexhepi bënë vatra e parë e këtyre shqiptarëve që linin me dhimbje viset e tyre dhe gjenin prehje në gjirin e shtetit amë. Në çdo rast, dervish Rexhepi interesohej për fjetje e ushqime të këtyre familjeve dhe më pas i dërgonte nëpër shtëpitë e mëdha të nacionalistëve të Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit, Tepelenës e Vlorës. Shqipëria etnike, përpara se të vlente si aspiratë, ishte një veprimtari e gjerë dhe konkrete e udhërrëfenjësit, dervish Rexhepi.
Në janar të vitit 1943, në Gjirokastër e rrethina, patën nisur të organizohen këshillat e nacionalçlirimtarëve, me ç’rast filluan të bëjnë edhe propagandë antinacionaliste. Kjo propagandë e kish fillin e saj, në mendjet e komunistëve jugosllavë, të cilët janë parë nga komunistët e shtetit amë sikur të ishin idhuj. Për më tej, pas ngjarjes së dhimbshme të Mukjes, gjithcka nisi të flasë për vëllavrasje. E vërteta është se komunistët e Qarkut të Gjirokastrës, përmes Bedri Spahiut (i cili në atë kohë pat marrë teqenë e Zallit dhe ish emëruar myhib), i bënte thirrje dervish Rexhepit që të bashkëpunonte me ta, por përgjigjja e udhërrëfenjësit ka qenë tepër lakonike “Unë bashkëpunoj vetëm me ata që e duan Shqipërinë. Unë nuk besoj se Dushanët e duan vendin tonë më shumë se Mit’hat Frashëri, Bahri Omari e Ismail Golemi”. Por do të vinte edhe një moment tjetër kur dervish Rexhepi do ta bashkonte fjalën e tij me veprën. Kjo ka qenë data e 30 gushtit 1943, atëhere kur nacionalçlirimtarët e udhëhequr prej Sotir Meros dhe Shemsi Totozanit u derdhën mbi Libohovën martire, kinse aty e kishte çerdhen e vet Balli Kombëtar.” Të nisur me urët e zjarrit në dorë, urejtjen dhe pabesinë në shpirt, ata u sulën në lagjen Marine, drejt shtëpisë së Rustemajt, shtëpisë së shenjtë të shqiptarizmës dhe u lanë oborrin e shtëpisë me gjakun e Qazim Rustemit, nipit të Avniut… i cili duke patur mbështetjen e dervish Rexhepit dhe nacionalistëve të tjerë të Prefekturës së Gjirokastrës, organizoi formacionin e parë nacionalist antifashist dhe antikomunist në Libohovë”. (Gazeta “Balli i Kombit” 31 gusht 1995 ).
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, duke njohur shpirtin e butë dhe atdhetar të Qazim Rustemit, dervish Rexhepi bëri një lutje dhe një betim. Lutja ishte për shpirtin e të ndjerit Qazim, ndërsa betimi se nën rrobën e shenjtë të dervishit do të mbante kurdoherë armën për të luftuar komunistët shqiptaro-sllav. Tashmë ai vihet në krye të një çete nacionalistësh prej 30-40 burrash duke kryer disa luftime të sukseshme si kundër okupatorit fashist, ashtu edhe kundër forcave komuniste që donin të gënjenin popullin shqiptar, me parrullat e sheqerosura të vëllezërimit me sllavët. Në shumë prej këtyre luftimeve, sido që nacionalistët nuk e linin dervish Rexhepin në radhët e para, ata i habiste gjithmonë guximi i tij. Mandej në një prej luftimeve në rrethinat e fshatit Lazarat, në Gjirokastër ka luftuar në këmbë, përmes breshërisë së plumbave. Tashmë që dervish Rexhepi pat dalë kundër pushtuesve dhe komunistëve duke mbledhur rreth vehtes ajkën e djalërisë gjirokastrite, ai u vështrua si armik permanent i nacionalçlirimtarëve. Sidoqoftë këta nacionalçlirimtarë, duke dashur të mos të konfrontohen me popullin e Gjirokastrës, Libohovës e Tepelenës (treva në të cilat personaliteti i dervish Rexhepit ishte i padiskutueshëm) menduan të vënë në përdorim taktikat e tyre dhelprake. Kështu, në një urdhër të Komandës së Qarkut të Parë Operativ Vlorë-Gjirokastër, thuhet pos të tjerave: “Është e nevojshme me u pa mundësia të eleminohet fizikisht dervish Rexhepi i teqes së Zallit sepse po bën për vete popullin e Gjirokastrës. Por këshillohet që vrasja të jetë e fshehtë dhe askush të mos deklarohet se e ka vrarë”. (Arkivi Qendror i Ushtrisë-Tiranë.Fondi Qarku Operativ Vlorë-Gjirokastër,urdhër dt.3 mars 1944).
Pa dashur të cek tiparet e vyera që kërkon të ringjallë bektashizmi ndër besimtarët e vet, besnikëria ka qenë dhe mbetet nder tiparet esenciale të frymëzuara. Ka qenë në skuadrën e nacionalçlirimtarëve të Gjirokastrës, një myhib i cili me të marrë urdhërin për vrasjen prapa shpine të dervish Rexhepit, e njofton ate në fshehtësi dhe prej këtij momenti, jeta e udhërrëfenjësit të bektashizmës kalon në ilegalitet të plotë, përmes trazirash të mëdha, por edhe betejash të mëdha. Miqtë e tij më të mëdhenj ishin besimtarët e teqeve në Lazarat, Nepravisht dhe Melan. Ata e pritën dhe e përcollën këtë dervish të urtë, gati shenjtor, i cili ndonëse me trup të pakët, askurrë nuk e lëshoi pushkën nga dora. Për më tej, ai u lidh edhe me burra të tjerë të mëdhenj si Skender Muço, Mit’hat Frashëri, Ismail Golemi etj. Fjalëpak, i pjekur në arsyetime, ai do të ishte ndër të parët nacionalistë të Gjirokastrës i cili do të dënonte ballistin Nexho Bejleri i cili pat kryer disa krime në Libohovë. Në biseda me bashkëluftëtarët e vet dervish Rexhepi ka kumtuar kurdoherë se pushka e një nacionalisti shkrep larg, kur ajo i drejtohet armiqve të Shqipërisë dhe jo shqiptarëve të pafajshëm të gënjyer nga ideologjia komuniste. Plot 8 muaj, dervish Rexhepi u end me pushkë në krah, në viset jugore të Shqipërisë, në krye të çetës nacionaliste të tij. Plot 8 muaj, jeta e tij kaloi përmes rreziqesh e brengash të mëdha. Por bashkëluftëtarët e tij kujtojnë se drita e thellë brenda syve të tij, ajo dritë gati enigmatike, nuk u shua askurrë. Udhërrëfenjësi i shqiptarizmës, përpara çdo luftimi, gati si përshpërim këndonte këngët e trimërisë, duke bekuar me radhë djemtë e Labërisë që i vinin pas. Një ngjizje e çuditshme e atdheut dhe fesë ish farkëtuar në shpirtin e madh të tij.
Në dhjetorin e vitit 1944, atëherë kur në Gjirokastër nacionalçlirimtarët nisën të hedhin vallen e zisë së komunizmit, për të parën herë sytë e dervish Rexhepit u përlotën. Duke kapërcyer kufijtë e shtetit amë ai u ish drejtuar bashkëluftëtarëve të vet, duke i thënë se do të largohemi përkohësisht, të organizohemi për të luftuar deri në çastin e fundit komunizmin. Duke kaluar për në tokat çame, sigurisht ndjen dhimbjen kur sheh teqetë e djegura, por ka kurdoherë besim në frymën e shenjtë të lirisë që ka shpërndarë kudo në botë, Haxhi Bektashi, i pari udhërrëfenjës i bektashizmit. Ishte ende në kampet e refugjatëve në Greqi, kur i vjen lajmi se ishte shpallur në Tiranë si armik dhe qeveria komuniste e kërkonte tanimë si kriminel lufte. Ministri i Drejtësisë Manol Konomi, me cilësinë e tij si kryetar i komisionit Qendror për zbulimin e krimeve i dërgonte komisionit ndërkombëtar në Londër kërkesën për dorëzimin e dervish Rexhepit, me ç’rast mbi të “vendosnin” një mal me akuza. Ku pas të tjerave për këtë shenjtor thuhej “Dervish Rexhepi, organizator i parë i forcave të Ballit Kombëtar në Gjirokastër. Si fetar ky frymëzuar ndjenjat fetare të popullsisë së Gjirokastrës, sidomos në Libohovë, Rrezome, Kardhiq, Lazarat etj, për t;i mobilizuar në radhët e Ballit Kombëtar e në bashkëpunim me italianët e gjermanë ka luftuar kundër ushtrisë nacionalçlirimtare”. (Gazeta “Bashkimi”, 6 mars 1945). Gjithashtu,në hetuesinë e tmershme që ishte bërë nacionalistit tjetër të madh Bahri Omarit, i është kërkuar llogari deri në një mbi lidhjet e tij me dervish Rexhepin. Por ky burrë i Gjirokastrës iu përgjegj hetuesve dhe gjykatësve komunist se dervish Rexhepi ish shenjtor dhe emri i tij nuk mund të ndyhej me akuza të tilla. Për më tej, në proces verbalin e gjyqit të Bahri Omarit, në kinema “Kosova” në Tiranë, në marsin e vitit 1945, lidhur me udhërrëfenjësin bektashi shkruhej tekstualisht “Qendra e Ballit Kombëtar ka qenë teqeja e Baba Selimit ku ishte shtabi i Bahri Omarit, ku ishte çerdhja e tradhëtisë. Atje dervish Rexhepi mblidhte popullin dhe Bahri Omari përhapte parrullat e tij”. Gazeta”Bashkimi” 13 mars 1945”, seanca e dhjetë e gjyqit specisl ndaj të pandehurit Bari Omari).
Në vitet 1945-1952, dervish Rexhepi pasi le Greqinë dhe Italinë, shkon për disa kohë në Turqi, Siri e mandej në Egjipt. Tashmë ai do t’i virej plotësisht studimeve fetare të misticizmës islame e pas gjuhëve të osmanishtes e persishtes të mësuar prej Baba Selimit, përvetsonte edhe ato italaine e arabe. I heshtur nga natyra, studioz ai do të përpiqej gjatë kësaj kohe të përvetsonte në thelb filozofinë e bektashizmës duke studiuar sidomos rrugën fizike dhe shpirtërore të dishepujve të këtij besimi. Mbas disa kërkesave të herpashershme prej Egjiptit, emigron në Amerikë, toka e “shenjtë” për mijëra shqiptarë. Aty do të pritet me dashuri të madhe prej dhjetra familjeve shqiptare të cilat patën emigruar vite më parë, Xhevat Kallajxhiu e Hysen Butka, Syrja Frashëri dhe Daver Agaj, Qani Prespa dhe Hivzi Husi, Haki Omari dhe Agim Karagjozi do të ishin miqtë e parë që hapën dyert e zemrave dhe të shtëpive të tyre për shenjtorin e rrallë. Por dervish Rexhepi nuk donte të jetonte askurrë mes luksit. Duke parë se shqiptarët aty, ndodheshin të përçarë në parti e ide, i bindur në fuqinë e madhe të mistikës bekstashiane, në vitin 1953 ai ndërmerr nismën për të çelur në Detroit, shteti i Miçiganit, teqenë e parë shqiptare në krejt botën perëndimore. Vite më vonë, në kujtimet e veta për çeljen e teqesë do të shkruante pos të tjerave se “Kur erdha në Amerikë, unë dëshiroja të bisedoja me hirësinë e tij Fan Noli. I kërkova një audiencë. Në takimin që bëmë i thashë se dy miqtë tuaj, më këshillojnë që të hap një teqe këtu në Amerikë. Unë u thashë se nuk bëjë asnjë veprim pa pyetur hirësinë tuaj. Fan Noli ndenji-ndenji dhe më tha: Edhe unë, të isha si ju,ashtu do bëja… Në këtë moment, njëri nga ata, Jahçja, më thotë: Baba, a behen bektashinj të krishterët. Dëgjo këtu, i thashë zotit Jahçe, ne i duam që të gjithë, të krishterë dhe bektashinj, sepse në radhë të parë janë shqiptarë. Kur ka dashur interesi i kombit, të krishterët jo vetëm i kemi konsideruar vëllezër shqiptarë, por i kemi bërë edhe dervishë”. (Baba Rexhepi, atdhetar dhe klerik i nderuar, gazeta “Për mëmëdhenë”, 13 shtator 1995.
Kështu ka marrë udhë ndërtimi i teqesë në Detroit, të Miçiganit, me ndihmat bujare të mjaft shqiptarëve atje, është ble toka dhe filloi ndërtimi i teqesë. Baba Rexhepi (tashmë këtë gradë e pat marrë në Egjipt) ngase kish njohuri të plota dhe kish vizituar qindra teqe, u rrinte mbi kokë ndërtuesve. Ajo çka të bind për aftësitë shpirtërore të tij, është fakti që për ndërtimin e teqesë në Detroit, kontribuan shqiptarë të cdo feje e besimi. Madje vetë Fan Noli ka qenë ndër të parët. Me kohë kjo teqe u shëndrrua në një vatër kurdoherë të çelur të bektashizmës dhe shqiptarizmës, ndërsa Baba Rexhepi e vlersonte së tepërmi këtë bashkëjetesë të besimit shpirtëror me dashurinë për atdheun. Madje jo vetëm shqiptarë, por në këtë prehtore të shpirtit gjenin ngushëllim me qindra amerikanë të cilët i tërhiqte personaliteti dhe shenjtëria e Baba Rexhepit. Një prej këtyre qytetarëve amerikanë, të mahnitur pas shpirtit të Baba Rexhepit, është sigurisht studjuesja në Universitetin e Miçiganit, Francez Trix, e cila në librin e saj posaçërisht për historikun dhe zhvillimin e bektashizmës, shprehet se “Baba Rexhepi, e them me plot gojën, është një shenjtor, përsa i përket anës shpirtërore, ndërsa përsa i përket erudicionit të tij, si edhe aftësive pedagogjike është i niveleve maksimale të pedagogëve të Universiteeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. (Francez Trix, “Spiritual Discourse”, faqe 18 ).
Pikërisht në vitin 1967, atëherë kur në shtetin amë në Shqipëri, komunistët e Tiranës urdhëruan prishjen e kishave, xhamive apo teqeve, Baba Rexhepi, ky shenjtor i madh nxitoi të nxirrte në dritë veprën e tij voluminoze, të titulluar “Misticizma Islame dhe Bektashizma”. Ai nxitoi ta nxjerrë në dritë këtë vepër, për t’u kujtuar shqiptarëve se, së paku teqetë patën qenë dhe mbeten çerdhe të shqiptarizmës dhe duke u rrafshuar ato, komunistët donin të shkatërronin me dhunë këtë ndjenjë kaq madhore, për t’i zevendësuar ato me kancerin komunist. Vepra në fjalë është fundi i një punë studimore në disa decenie. Baba Rexhepi, ngase zotëronte gjuhët orientale, nuk e pati të vështirë të përkthente pos mesazheve mistike e historike, edhe mijëra vargje të shkruara prej baballarëve apo dervishlerëve, në formën e nefezeve. Përkthimet e tij janë mjaft të lemuar dhe duket se brenda tyre rreth zemra e vet Baba Rexhepit. Ai vizaton me një dashuri të pashembullt figurat e ndritura të bektashizmës, të cilat predikuan veç tolerancë midis besimeve të tjera, duke respektuar së pari, dashurinë për vendin që të ka rritur. Jo pa qëllim në faqen e parë të këtij libri, Baba Rexhepi ka vendosur një dedikim personal. Ky dedikim është plotësisht kombëtar ngase vetëm një shpirt i madh si ai i Baba Rexhepit mund të kumtonte se “Klerikëve të të gjitha feve në Shqipëri, që u bënë fli për lirinë dhe pavarsinë e saj, si edhe klerikëve që u torturuan dhe humbën jetën nën terrorin komunist, sepse nuk pranuan të mohojnë idealet e tyre fetare e kombëtare, autori ua kushton këtë vepër me nderm të thellë”. Veprimtaria studiuese dhe krijuese e Baba Rexhepit është tepër e gjerë. Ajo përmbledh mijëra faqe studime, përkthime, traktate të besimit fetar apo kujtime që ende sot nuk po ndriçohen sa duhet, çdo fjalë e përkthyer prej tij gjen vendin e vet, nën koloritet e gjuhës së pasur shqipe. Në Teqe, mes bashkëkombasve të vet, ai donte të kuvendojë kurdoherë shqip dhe ligështohej kur ndonjë djalë apo vajzë e vogël mezi fliste gjuhën shqipe. Por edhe kur me sy të qortonte, ai dukej se të falte gjdo gabim.Me ndoj se është me vend të mbyll këto shënime, me ate entuziazmëm të një natyre të dukshme, të Baba Rexhepit kur shihte se si po rrëzohej diktatura komuniste në Shqipëri. Ai ndiqte me vëmendje çdo lajm nga Shqipëria dhe nuk nguronte, megjithë moshën e thyer, të thërriste në teqe miq të vetë amerikanë, t’u spjegonte mbi ngjarjet në Shqipëri e t’u kallzonte se bashkëkombasit e vet e kanë urryer për jetë komunizmin. Ai përshëndeti ndër të parët, krijimin e partisë “Balli Kombëtar” në Tiranë pas 55 vjetësh dhe i uroi me telegram: “Lus zotin për ju dhe ju bekoj për rrugën ku jeni nisur. Ju do të dini të shkoni në gjurmët e shkëlqyera të nacionalistëve shqiptarë”.
Në korrikun e vitit 1995, Baba Rexhepi u sëmur rëndë. Shpirti i tij prej shenjtori e kuptoi se po ecte drejt pavdeksisë shpirtërore, ishte plot 94 vjeç. Ka telefonuar në kryegjyshatën bektashiane në Tiranë duke kërkuar nga kryegjyshi botëror Haxhi Dede Reshat Bardhit që të dërgojë sa ma parë një dervish i cili mund ta zavendësonte, ndërsa miqëve të vet, që i shërbenin, një ditë gushti u ka thënë: “Kur të vdes, nuk dua ceremoni mortore. Amanet, ate rasën e gurit që kam marrë nga Gjirokastra, të ma vendosni tek koka”.B ashkëkombasit e plotësuan amanetin e shenjtorit të madh. Ata vendosën rrasën e gurit të Gjirokastrës tek koka, por nuk mundin ta mbanin dot valët e lumit njerzor që shpërthyen në homazh të këtij apostulli të bektashizmës. Klerikë, besimtarë, ortodoks, muhamedanë, katolikë e bektashinj, pa pyetur për telegramet e protokolle, nga krejt viset e Amerikës dhe Kanadasë shkuan t’i jepnin lamtumirën e fundit apostullit të tyre. Shkuan edhe nga Shqiperia, por edhe nga Gjirokastra e tij e dashur. Një popull i tërë përulej më 14 gusht 1995, përpara birit të vet shenjtor.
Bern-Zvicër.