Izmira Ulqinaku Rusi: I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve!
Sot përkujtojmë 31-vjetorin e masakrës së 2 Prillit 1991, një ditë kjo që i dha gjithë botës lajmin se shkodranët dhe shqiptarët janë të vendosur për demokraci.
U pagua kjo përpjekje madhështore, ky demostrim kurajoje me jetën e Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës e Bujar Bishanakut, të cilët u vranë nga regjimi komunist teksa i prinin lirisë së një kombi. Ata janë dëshmorët themelues të demokracisë shqiptare! Gjaku i tyre i derdhur në rrugët e Shkodrës u shndërrua në emblemën e bashkimit të një populli për të mundur tiraninë. Po aq, ata u bënë engjëjt mbrojtës të opozitës shqiptare, Partisë Demokratike, e cila i priu shpresës dhe betejës për pluralizëm, liri, demokraci dhe dinjitet.
Partia Demokratike, në këto vite, e bashkuar rreth vlerave tradicionale e atyre perëndimore, interesave kombëtare, ia ka dalë të sjellë dritë, kur çizmja e kurrupsionit, tentakulat mafioze të neokomunizmit kanë vënë perfund shtetin e shoqërinë, kur asgjësimi i votës së lirë ka shkretuar vendin dhe kështu do të ndodhë edhe kësaj here; kur ajo po gjen rrugën e bashkimit.
Kam patur nderin e përgjegjësinë e madhe të jem deputete e PD në 2017 dhe kandidate në listën e vitit 2021 e renditur e nënta, ku jam vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi ndër kandidatët më të votuar! Kam qëndruar gjithmonë tek PD dhe do jem gjithmonë aty, unë dhe njerëzit e mi. Nuk ia kemi kursyer ndonjëherë mbështetjen lidershipit të PD dhe nuk do t’ia kursejmë kushdo të jetë ai, produkt i votës së lirë të demokratëve.
Kur flet vota, bie heshtja dhe fillon bashkimi!
Nuk kemi kohë për të humbur, të gjithë bashkë për të rrëzuar narkoshtetin e Edi Ramës! Kështu nderojmë kujtimin e Dëshmorëve të 2 Prillit, kështu nderojmë shpresat tona, kështu i kthejmë dinjitetin dhe cilësinë, jetës sonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve!
Please follow and like us: