Albspirit

Media/News/Publishing

Përfitimi zero i Shqipërisë, deklarata e Ramës në prill 2016: Çfarë ndodhi me përpjekjet për rinegocimin me TAP?

Nga Shaban Murati

 

Në ceremoninë e ardhjes së tubacioneve të para për gazsjellësin Transadriatik, TAP, në qytetin e Durrësit, në 18 prill 2016, kryeministri. Edi Rama zbuloi se qeveria e tij dhe konsorciumi TAP po zhvillojnë bisedime të reja për rinegocimin e kushteve të kontratës së nënshkruar nga qeveria e mëparshme për ndërtimin e pjesës së gazsjellësit, që do të kalojë nëpër territorin tokësor dhe detar shqiptar.

Arsyet e rihapjes së negociatave me kompaninë TAP të ngjallin shqetësim, për atë që ka ndodhur. Kryeministri deklaroi:

Ne e kemi vënë re me keqardhje që kontrata e nënshkruar nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi simetrik të shtetit shqiptar si me vendet e tjera, ku kalon TAP-i, deri te vendi fqinj në jug dhe kemi çelur negociata për të marrë një përfitim simetrik, sepse besojmë që nuk ka asnjë arsye që Greqia apo të tjera vende të përfitojnë për të njëjtën punë, për të njëjtin shërbim, për të njëjtin disponibilitet dhe Shqipëria të mos përfitojë asgjë”.

Është pak të thuash se krijon habi fakti që askush nuk ndaloi të analizonte këtë realitet shqetësues të një kontrate shekulli të shtetit shqiptar me një konsorcium të huaj, e cila kishte kaq neglizhenca, defekte dhe lëshime, në dëm të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.

Ishte një alarm i kuq, ku “Shqipëria nuk përfiton asgjë” dhe nuk u ndjenë as mediat, as portalet dhe as e ashtuquajtura shoqëri civile, të cilës një gjethe peme i duket më e rëndësishme se interesi kombëtar.

Çfarë është kjo situatë asimetrike, që kanë nënshkruar dhe krijuar qeveritarët me kontratën e parë me TAP-in dhe cilat janë konkretisht humbjet dhe dëmet, që i janë shkaktuar Shqipërisë, e cila nuk ka përfituar njëlloj si vendi tjetër tranzitues i gazsjellësit TAP-it, Greqia.

Përtej eufemizmit politik të kryeministrit, të përdorur për t’i regjistruar publikut në memorie një shqetësim real, shfaqet nevoja e një transparence, e cila nuk e zbeh aspak as interesin e madh dhe as përkrahjen mbarëpolitike dhe mbarëpopullore për gazsjellësin Transadriatik. Jemi të gjithë dakord për rëndësinë energjetike, strategjike, gjeopolitike, gjeostrategjike, ekonomike e me çfarë të doni tjetër, të gazsjellësit Transadriatik.

Autori i këtyre radhëve është ndër të parët, që e ka mbështetur fort që në fillim projektin e gazsjellësit TAP. Por, kjo nuk do të thotë që për shkak të rëndësisë kombëtare të këtij projekti, të lejohen hapësira për dëmtimin e interesave ekonomike dhe financiare të popullit dhe të buxhetit të shtetit dhe të mos kërkohen shkaqet dhe shkaktarët.

Është një e drejtë legjitime e qytetarëve shqiptarë të kenë transparencën e plotë ndaj asaj të keqeje, që është bërë dhe të cilën qeveria e tanishme po kërkon ta korrigjojë nëpërmjet rinegocimit të kushteve të kontratës me konsorciumin TAP. Qeveria duhet të flasë me terma dhe me emra konkretë se e kujt është përgjegjësia e nënshkrimit të një kontrate shtetërore shekulli, me kushte aq përulëse, e cila e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion jo vetëm asimetrik, por edhe fyes, në krahasim me shtetet e tjera tranzituese të gazsjellësit.

Është bërë një sëmundje tragjike e shtetit shqiptar mosndëshkimi i atyre zyrtarëve, që injorojnë apo shesin interesat kombëtare. Kështu ndodhi me zyrtarët që negociuan dhe shitën detin, kështu duket do të ndodhë edhe për gazsjellësin.

Opinioni publik ka të drejtën të informohet për arsyet pse Shqipëria ka përfituar shumë më pak, ose aspak në krahasim me shtetet e tjera tranzituese, sepse vetë kryeministri e deklaroi në 18 prill detyrën “për të negociuar një përfitim simetrik, që për ne është i domosdoshëm, për ta vënë Shqipërinë në të njëjtin nivel me të gjitha vendet e tjera dhe nga ana tjetër për t’u dhënë mundësinë komuniteteve dhe njerëzve në vendin tonë që të përfitojnë drejtpërdrejtë nga paketa e veçantë e financimit, që TAP-i vë në dispozicion të vendeve, ku kalon”.

Rasti i kontratës së mëparshme me kushte diskriminuese për kalimin e gazsjellësit TAP në vendin tonë, ku Shqipëria “të mos përfitojë asgjë”, ngre çështjen e madhe kombëtare se përse ndodh që në tratativat me shtetet dhe me kompanitë ndërkombëtare për të vënë në dispozicion territore dhe pasuri tokësore e mbitokësore të Shqipërisë, ne si rregull dalim të humbur në krahasim me shtetet e tjera, që bëjnë të njëjtat tratativa.

Është një fenomen negativ, që ka karakterizuar gjithë tranzicionin shqiptar, i cili nuk mund të justifikohet me të ashtuquajturën mungesë përvoje as në vitet e para të periudhës postkomuniste, e jo më në vitet e mëpastajme. Sepse kështu kemi humbur me naftën, me kromin, me bakrin, me telekomunikacionet, me energjinë elektrike, me autostradat, me portet dhe aeroportet, etj.

Zyrtarët dhe qeveritarët shqiptarë kanë spekuluar vazhdimisht me rëndësinë strategjike dhe kombëtare dhe me emrat pompues, që u kanë vënë projekteve, ku Shqipëria ka humbur dhe populli ka paguar, siç është rasti fatkeq i të ashtuquajturës rrugë të kombit, ku tupanët e patriotizmit të rremë të veshëve ruralë gjëmuan për të maskuar megavjedhjen e shekullit.

Tani kemi konfirmimin zyrtar të dështimit në negocimin dhe nënshkrimin e një kontrate kombëtare për gazsjellësin TAP, ku Shqipëria rezulton e humbur. Kryeministri falënderoi konsorciumin TAP, që kishte pranuar të rihapte negociatat për të ridiskutuar kushte më të favorshme të kontratës për Shqipërinë. Në të vërtetë duhet përshëndetur hapi i qeverisë për rinegocimin e kushteve të kontratës dhe për të rritur përfitimet, që Shqipërisë dhe popullit shqiptar u takojnë nga lejimi i territorit tokësor dhe detar për kalimin e gazsjellësit.

Kjo është një praktikë e njohur ndërkombëtare. Edhe qeveria e re e kryeministrit grek Aleksis Cipras, kur erdhi në fuqi për herë të parë në fillim të vitit të kaluar kërkoi rinegocimin e kushteve të kontratës së nënshkruar me konsorciumin TAP nga qeveria e mëparshme greke, sepse sipas saj ishin shkelur interesat kombëtare greke.

Qeveria e re e Athinës parashtroi tri kërkesa të reja, siç ishte rritja e taksës së tranzitimit të gazit të TAP-it nëpër territorin grek, pjesëmarrja e Greqisë në aksionet e gazsjellësit dhe ulja e çmimit të gazit të TAP-it, që destinohej për konsum në Greqi.

Edhe qeveria bullgare e kryeministrit Bojko Borisov, kur erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 2009, kërkoi rinegocimin e kushteve të kontratës me Rusinë për gazsjellësin “South Stream”, që do të kalonte nëpër Bullgari dhe të cilën e kishte nënshkruar qeveria paraardhëse, e njohur për prirjet e saj proruse.

Kjo do të thotë se opinioni publik e mirëpret një përçapje të rritjes së përfitimeve, që vendi ynë pritet të ketë nga ndërtimi i pjesës së gazsjellësit TAP nëpër territorin e tij.

Në një artikull të botuar në rubrikën time të përjavshme në “Gazetën Shqiptare” në datën 8.12.2014, lidhur me qëndrimin që duhet të mbajë qeveria shqiptare në kërkesat e saj për gazsjellësin TAP, që kalon nëpër Shqipëri, kam theksuar:

“Qeveria e Shqipërisë bën mirë të përfshijë në platformën e saj biseduese disa qëndrime dhe objektiva të qarta, të përshtatura me zhvillimet jo vetëm në tregun energjetik dhe në hartat e reja të rrjeteve energjetike, por edhe në prioritetet dhe veçoritë strategjike në rritje të vendit tonë.

1- Është e nevojshme që të përcaktohet në përputhje me interesat e vendit një taksë reale e tranzitimit shqiptar të gazit, si nga gazsjellësi TAP, ashtu dhe nga gazsjellësi IAP dhe kjo t’i bëhet e njohur publikut.

2- Është e nevojshme të zbatohet legjislacioni i BE-së për të përcaktuar që pronësia e tubacioneve të gazit, që do të shtrihen në territorin shqiptar, të mos jetë e të njëjtëve aktorë furnizues të gazit, që do të kalojë nëpër këto tubacione.

3- Është e nevojshme të krijohet një kompani shtetërore kombëtare e administrimit të gazsjellësit dhe jo kompani private, të cilat në vendet ish-komuniste i marrin gjithmonë kushërinjtë e parë të udhëheqësve të partive, të cilët si rregull janë edhe kontaktet e para të vendit tranzitues me kompanitë apo me shtetet ndërtuese të gazsjellësit apo furnizuese të gazit.

4- Të ndiqen me rigorozitet parametrat dhe shembulli i ndërtimit të gazsjellësve në Austri dhe jo i atyre në Bullgari, ku kostoja e ndërtimit të një kilometri gazsjellës është dy herë më e lartë se ajo në Austri. Në vendet ish-komuniste kostoja e lartë e ndërtimit të gazsjellësit paguhet me dëmtimin e arkës së shtetit dhe me fryrjen e llogarive bankare të qeveritarëve, që organizojnë tenderët”.

Natyrisht, platforma e bisedimeve të reja duhet të përshtatet edhe me kushtet e reja energjetike rajonale dhe ndërkombëtare. Nëse flitet për efektet pozitive të ndërtimit të gazsjellësit TAP në hapjen e vendeve të punës apo në ndërtimet e rrugëve, urave apo objekteve sociale, ato duhet të parashikohen si detyrime të konsorciumit në kontratë dhe jo si dhurata bamirësie të një fondacioni bamirës.

Kërkon vëmendje dhe konsideratë zyrtare një element i ri, që është rritja e rëndësisë strategjike rajonale dhe europiane të gazsjellësit TAP, gjë që rrit vlerën e tij në të gjitha drejtimet, që do të thotë si vlerën e atyre që e ndërtojnë, vlerën e shteteve që furnizojnë gazin, ashtu edhe vlerën e shteteve që janë pjesë e tranzitimit.

Gazsjellësi TAP po konkretizohet në kushtet e një rivaliteti të ashpër energjetik me Rusinë, e cila e konsideron gazsjellësin TAP si një konkurrent të rrezikshëm të gjeopolitikës energjetike ruse, ndaj tenton ta neutralizojë në njërën mënyrë apo tjetër. Kjo është edhe arsyeja që Moska nuk po heq dorë nga projektet e saj për një gazsjellës ndërkombëtar rus nëpër territorin e Ballkanit.

Rusia kërkon me këmbëngulje që të ndërtojë korridorin e saj rus të gazit, si kundërvënie ndaj korridorit jugor të gazit, që është një projekt i BE. Në 24 shkurt të këtij viti, Gazpromi rus nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë greke DEPA dhe kompaninë italiane Edison Sp.a, për të ndërtuar një gazsjellës të ri rus nën Detin e Zi, që do të çojë nga një vend i tretë, (emri i të cilit nuk u tha), gazin rus në Greqi dhe në Itali.

Ky është projekti i tretë rus, pas dështimit të “South Stream-it” për shkak të mosrespektimit të legjislacionit energjetik të BE nga disa shtete anëtare dhe dështimit të “Turkish Stream” për shkak të sanksioneve, që Moska vendosi ndaj Turqisë, pas rrëzimit të një avioni ushtarak rus, që shkeli hapësirën ajrore turke.

Strategjia ruse synon që vendet e rajonit të devijojnë angazhimin për diversifikimin e burimeve të energjisë, ku një burim kryesor është gazsjellësi TAP. Këto janë rrethana që i komplikojnë lojërat dhe intrigat energjetike në rajonin tonë, rëndësia e të cilit mbetet e pazëvendësueshme për të transportuar gazin në Europë nga Kaukazi, Azia Qendrore apo Lindja e Mesme.

Rihapja e negocimeve me konsorciumin TAP për kushtet e përfitimeve të Shqipërisë nga tranzitimi i gazsjellësit është një hap i drejtë. Për më tepër, ai krijon një përvojë të re të dobishme, sepse pas ndërtimit të gazsjellësit TAP, është radha e realizimit të projektit të degëzimit të tij me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, YAP, ku Shqipëria ka rolin e pikënisjes si transmetues kryesor.

Në këtë kuadër, Shqipëria mund të jetë një shtet, që nëpërmjet një diplomacie ekonomike dhe energjetike të nivelit të lartë, mund të ketë përfitime të mëdha ekonomike, financiare dhe të rritjes së standardit të jetesës së popullit. Duke qenë se territori sovran i vendit është atribut i sovranitetit të popullit, është e domosdoshme që projekte të tilla, kaq të mëdha dhe të rëndësishme strategjike të shoqërohen me transparencë të plotë.

Nga libri “Ballkani Faustian”, 2016, fq.462.

Please follow and like us: