“E puthura”, libri që e identifikon Andon Andonin
Tek tregimi me të njejtin titull autori e trajon temën e dashurisë përmes përdorimit të detajeve psikologjike të portreteve të personazheve
“E puthura”, libri që e identifikon Andon Andonin, si një mjeshtër të prozës së shkurtër
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Me njëzet e tre tregimet e zgjedhura, të përmbledhura në librin “E puthura”, Andon Andoni vjen sërish për lexuesin si një mjeshtër i prozës së shkurtër. Në gjurmët e xhaxhait të tij, tregimtarit të famshëm Sotir Andoni, por edhe si besnik i shkollës Kuteliane, ai vijon të shkruajë tregime, që pasi i ke lexuar të nxisin për të “rrëmuar” më tej në botimet e mëparshme të këtij autori, siç janë: “Tek kilometri 39” (1987); “Guri në mes të lumit”(2002)’, “Nusja” (2005); “Kohë e çmendur për dashuri” (2007); “Dane Çiçua dhe rrëfenja të tjera”, si dhe “Fryma e bardhë”(2016).
Këto vëllime me tregime në shtatë libra, si dhe dy romanet e tij: “Gri” (2009; “Plaku në mes” (2011), dhe monografia Kostë Çekrezi: i treti i munguari” (shumica botime të “M& B”, ndër botuesit më të suksesshëm të dy dekadave të fundit), janë tregues i një biografie mjaftë të pasur krijuese të Andon Andonit, të krijuar në harkun kohor të tridhjetëepesë viteve (1987-2022).
Por le të ndalemi më konkretisht tek libri i fundit i tij, “E puthura” (tregime-2021).
Ky vëllim nis me tregimin e titulluar “Kisha”, ku kemi të bëjmë me një ligjëratë të mirëfilltë artistike, pra me një prozë letrare. Aty rrëfehen ankthi, pasiguria por edhe vendosmëria e besimtarëve të krishterë të fshatit Guras për ringjalljen e Kishës së Fjetjes së Shënmërisë, që sipas autorit “s’mbahej mend që kur qe ndërtuar”. Këta besimtarë të devotshëm janë vështruar e trajtuar nga autori në planin njerëzor, në drama dhe situata psikologjike, ndërtuar me përshkrime, me dialogë e monologë, tipare këto të prozës artistike.
“Në të vërtetë, prej disa breza, gurasit patën kishë, por prift jo. Pasi qe vrarë papa Gjergua nga ajo cifël guri në Luftën e Madhe, as që donte të dorëzohej prift ndonjë prej burrave e djemve të katundit….Prifti i vdekur në oborr të kishës nuk kishte pasur ndonjë shenjë prej gjaku pas koke. Por ja që katundi ja kishte vënë fajin luftës dhe asaj cifle guri të qemerit, që bashkë me dy numrat 85 apo 58, pat marrë edhe jetën e vetë shërbetorit të perëndisë, papa Gjergos…”. Qoftë edhe ky perifrazim nga faqja 11, e këtij libri mjafton për të qëmtuar rrëfimin mjeshtëror të këtij autori, gjë që mund ta konstatojmë edhe më tej në vijim të këtij tregimi: “Por erdhi shumë shpejt koha, kur në tërë vendin, me demek rinia po i digjte e shkatërronte kishat e xhamitë, e ata në Guras kërkonin prift se kishën e kishin top e të palëkundur aty mbi kodrinën, në mes të katundit!?”. (fq.18).
Dhe padyshim, pasi ke lexuar njëzetëetre tregimet e këtij vëllimi, vëmendja kryesore shkon tek E puthura”, titull ky intrigues i këtij tregimi që autori jo pa qëllim e ka vënë edhe si titull të librit të tij të dymbëdhjetë. Është tema e dashurisë që përshkon thuajse gjithë lëndën, të cilën A.Andoni e trajton përmes përdorimit të detajeve psikologjike të portreteve të personazheve.
Tek tregimi “E puthura” është dashuria e konsumuar nga zyshë Xhuli e anglishtes me maturantin rebel, Deni, të cilin pasi kishte dalë nga burgu të gjithë mësuesit nguronin ta kishin në klasën e tyre të kujdestarisë. Dhe kjo ndodhi një ditë, kur Deni erdhi në klasë i mbështjellë me një batanije, dhe kur Zyshë Xhuli e mbajti pas orës së mësimit për ta ndëshkuar… Por “sytë e tij blu ishin mishërues. Vështronte në bebëzat e saj plot sfidë…Zyshë Xhuli donte ta qëllonte, mbi faqe, siç bënte drejtor Rimi; frap-frap… Pastaj ta qëllonte mbi gjoks me grushtet e mbledhura sa që po i gjakosnin pëllëmbët…mund ta hante me dhëmbë mbi gjoks, mbi zverk, mbi krah… Kokat iu ishin afruar aq shumë sa hundët po ju tokeshin dhe frymët iu këmbeheshin mbi fytyrë. Dhe…nuk bëri asnjërën nga sa mendoi, por e puthi në buzë… Vetëm njëherë me buzët e saj të thara”.
Nga ky perifrazim (fq.155-166) dallohet pastërtia e gjuhës, hijeshia e rrëfimit, përshtatësija e fjalëve, ritmi e ndërtimi estetik i tyre në konsumimin e një ndjenje aq të pastër njerëzore.
Gjithsesi, në këtë libër si edhe në disa të tjerë të këtij autori sundon jeta e fshatarit devollij, kryesisht nga vendlindja e tij, Ziçishti, me të cilën autori është i lidhur ngushtësisht si askush tjetër. Nga atje ka marrë nektarin e luleve, bukurinë e hijeshinë e maleve, brengat e hallet e bashkëfshatarëve të cilat i kanë shërbyer si fabula të tregimeve me titull: “Gratë e katundit”, Ura e nuses”, “Java e dasmës”, “Kodrat e Ziçishtit”, “Ariu”, “Dylbitë”, etj.
Po ashtu, plagët e kurbetit, tek tregimet e këtij libri, janë ndër më të spikaturat, si nga fabula e ngjeshur dhe dinamike, ashtu edhe nga lirizmi i gjuhës. Kështu, pasi ke lexuar tregimin “Emigranti”, e kupton fare qartë se autori ka të drejtë kur shprehet se “Kurbeti i devollinjve është i dhimbsur, po të kesh parasysh se ikin dhe e mbajnë kokën gjithmonë pas, nga njerëzit që lënë këtu, gjë e mall. Ikin, dhe zemrën e shpirtin e lënë tek vendlindja”. Tregimi “Emigranti” është një apologji e kësaj dhimbjeje.
“Po mbusheshin tridhjetë vite që Ai ishte larguar nga shtëpia nëpër udhët e botës, por tani sa vinte dhe më shumë i dilte përpara syve dita e parë kur kishte ikur….Por ndodh që fati të të nëpërkëmbë dhe udha e jetës merr tjetër rrjedhë. Një mëngjes, teksa kryente punën në kuvertë mori lajmin se nënë Meni kishte vdekur. Ngarendi nëpër anijen që lëkundej si guaskë dhe gati u hodh në det të niste udhën e kthimit ta arrinte t’í hidhte një dorë dhe nënës plakë…”.
Është kjo vërtetë një simbolikë therrëse, kur siç shprehet autori A. Andoni “…bij e bija ikën larg në mërgim, dhe vetëm tymi i bardhë i avionave në qiell i lidh me të afërmit, apo ndonjë telefon i varur në degët e gështenjës, që përdorte gjithë fshati në fillim të viteve 90, ua sillte pranë zërin e mallëngjimin”.
Për të mësuar se sa dhe si ta pëlqejnë letërsinë, lexuesit, Andon Andoni pohon se gjithmonë ka falur libra poshtë e përpjetë, miqve të tij, shkrimtarëve e ustallarëve të mirënjohur dhe deri tek ata që i ka miq e të njohur e më pak të njohur, me shpresën që t’ia lexojnë për çka është lodhur dhe ka paguar para për ti botuar. Dhe sigurisht, bashkëfshatarëve të tij ua dhuron me dëshirë dhe me autograf, i bindur se do gjejnë brënda tyre, jo vetëm rrugët dhe natyrën, çezmat e ujit me sylinarë të bronxët, dashuriçkat e rinisë nën shelgje, por të kuturisur tani nëpër udhët e botës dhe që kthehen në vendlindje më të rrallë si zogjtë shtegëtarë, për ditën e Pashkës a të Shënmarisë, do t’ua u ndizte mallin përmes leximesh… Është kjo një nga mënyrat e përhapjes dhe promovimit të librit, në kohën që nga egërsia e rrjeteve sociale, gjithnjë e më shumë po ushtrohet trysni mbi librin e printuar. Por Andoni Andoni, i njohur dhe vlerësuar nga elita krijuese e vendit, duhet ndjekur edhe kësisoj.