“Malokët” e Drejtësisë së Shqipërisë
Nga Ermal MULOSMANI – Tiranë
Në vitin 1992, me marrjen e pushtetit nga Partia Demokratike, një ndër vendimet e para të Qeverisë së re ishte reformimi i drejtësisë. Sistemi i deri atëhershëm ishte i ndërtuar për t’i shërbyer dënimit të elementëve armiq të Partisë, shpesh me proçese të montuara politikisht. Direktiva e Partisë ishte mbi çdo ligj, detyra e Prokurorëve dhe Gjykatësve ishte konvertimi i kësaj direktive në një proçes gjyqësor që, të paktën formalisht, të dukej e kopsitur. Në shërbim të Drejtësisë viheshin ligje ekstreme, dëshmitarë të rremë, prova të sajuara dhe lejoheshin tortura çnjerëzore.
Juristët më të mirë ishin edhe aleatët më të mëdhenj të sistemit komunist.
Ky ishte sistemi i trashëguar.
Pushteti i ri demokratik, megjithëse krejt pa eksperiencë drejtimi apo profesionale, e dinte shumë mirë që ata gjyqtarë e prokurorë, në Pallatin e Drejtësisë, ishin anomalia më e madhe e një sistemi që bazohej mbi lirinë e fjalës, ekonominë e tregut, barazinë përpara ligjit. Gjyqtarët e diktaturës së proletariatit nuk mund të bëheshin menjëherë partizanët e fjalës së lirë dhe, fjala vjen, dënuesit e udhëheqësve të tyre të deridjeshëm për krimin e genocidit. Ndaj, me një vendim të Qeverisë Meksi të vitit ’93, shumë njerëzve iu dha e drejta që me një kurs tre mujor të bëheshin prokurorë ndërsa për 6 muaj mund të bëhej gjyqtar. Kursi u krye në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në zonën e Plepave-Durrës, dhe mori emrin legjendar “Kursi i Plepave”.
Kjo ishte një reformë thellësiht politike dhe bëhej haptas për të zëvendësuar gjyqtarët komunistë me besnikë të Partisë së re. Përzgjedhja e këtyre kursantëve ishte e udhëhequr nga kjo moto. “Të heqim të tyret e të vëmë tanët” – një zëvendësim mekanik me kritere krejt abuzive…
Reforma e sotme ndryshon shumë në formë nga Plepat e dikurshëm. Mekanizmi i vetingut dhe forma e tij ligjore është sofistikuar shumë.
Por, fatkeqësisht, thelbi është i njëjtë.
Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje proçesin e Vetingut dhe tani mund të them me bindje që ka qenë kryekëput nën ndikimin politik të udhëheqësve të rinj postkomunistë. Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Ja pse.
Fatmir Xhafa, ish hetuesi komunist që torturonte të rinjtë në burgje pse ata kishin qeshur në zinë personale të Fatmirit – vdekjen e Enver Hoxhës, ishte i përzgjedhuri për të drejtuar këtë Reformë. Ky është fakt i njohur botërisht. Ish Hetuesit komunistë rikthehen triumfalisht. Arben Kraja emërohet Kryeprokuror i SPAK. Ardian Dvorani ish Prokuror komunist në Shkodër shpallet Kampion kundër Korrupsionit! E dini kush e jep këtë çmim?! Vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken! Puna e fundit që kishte bërë zoti Dvorani për këtë meritë ishte shmangia e radhës së emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Një shkelje e hapur e Kushtetutës së Shqipërisë!
Në thelb të vendimit të Dvoranit qëndronte vullneti për ndërtimin e një Gjykate Kushtetuese larg ndikimit të Presidentit të Shqipërisë si i papëlqyeshëm i maxhorancës qeverisëse dhe Ambasadës së USA. Ose edhe DASH-it ndoshta. Dvoranit iu kërkua ta shmangte detyrimin kushtetues. Ai e bëri dhe u dekorua. Kjo gjë u bë aq haptas dhe në mënyrë mospërfillëse ndaj kushtetutës. Ajo ditë ishte guri mbi varrin e Reformës ligjore.
Ambasada Amerikane, maxhoranca dhe mashat e tyre “Kampionë të Drejtësisë” do të sillnin në Pallatin e Drejtësisë me ligj apo me “maliq” ata që dëshironin vetë.
Qeveria e kontrollon proçesin përmes organeve të Vetingut (KPK, KPA dhe Komisionerë Publik). Njerëzit e emëruar aty janë të përzgjedhurit e saj. Procesi monitorohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Këta janë disa juristë të huaj që vijnë e bëjnë Prokurorin ndaj funksionarëve tanë të Drejtësisë. Ata ngrenë zërin, ulërasin, bëjnë ironi, kërcënojnë haptas. Me një fjalë “vrajnë e kthjellin” në atë proçes.
Trupa shqiptare e Drejtësisë është në bankën e të akuzuarve si të bëhej fjalë për kriminelë të dorës së fundit, batakçinj, hajdutë, vrasës serialë. Për dinjitetin e tyre askush nuk merakoset. Turma shpërthen në duartrokitje sapo “sëpata e xhelatit” veting lëshohet mbi kokën e aksh prokurori apo gjykatësi. “Më mirë djepi bosh sesa me djallin brenda” – lëshon kushtrimin Kryeministri. Menjëherë trupa e Vetingut ndjek direktivën.
********
Ndër subjektet e rivlerësimit (juristët e sistemit) apo edhe në ambientet e gazetarisë rreth tyre, kriteret e shkarkimit nuk janë 2 siç shkruhet në ligj por tre:
E para është të jesh në gjendje të vërtetosh me dokumenta pasurinë e krijuar; e dyta është të mos kesh njolla profesionale në aktivitetin si gjyqtar apo prokuror; e treta të mos jesh tropojan. Ti mundet t’i mbijetosh dy kritereve të para por kurrsesi të tretit. Aty hyn në punë Florian Ballhysa, Komisioneri Publik, ish-këshilltari i Fatmir Xhafajt. Ai është postblloku përfundimtar që të gjen edhe gjilpërën në kashtë….I emëruar aty për të mos lejuar kurrsesi depërtimin e ndonjë “tropojani” në Trupën e Drejtësisë së re.
Kështu bëri me Prokurorin Arben Dollapi. Një prokuror serioz, i papërfolur kurrë ndonjëherë për korrupsion, ryshfet apo paaftësi, njeri që i kishte ngjitur një e nga një shkallët e karrierës, kundërshatri më i hapur i Kryeprokurorit të korruptuar Adriatik Llalla. Ai e pagoi kundërshtimin e Llallës me transferim me ulje, në Shkodër, sepse nuk ishte dakort me vendimet e tij klienteliste. U rikthye, pas ikjes së Llallës, si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë me votat e të gjithë kolegëve prokurorë. Si njeri dinjitoz dhe mbajtës i devotshëm i rrobës së Prokurorit të Shtetit. Me një pasuri familjare që nuk e kalon kurrë nivelin mesatar të një nëpunësi shtetëror 30 vjeçar. Trupa e shkallës së parë e kaloi me emfazë vetingun e Dollapajt, duke lavdëruar me tepri statusin e tij të respektuar.
Por, pak më tej priste Ballhysa. Ai kishte konstatuar, ndërmjet të tjerave, se vjehrri i Dollapajt kishte lënë një qokë të tepruar prej 200 dollarësh me rastin e hyrjes në shtëpinë e re…Ballhysa mendonte se kjo është jashtë mundësive të vjehrrit. Mjaftoi të lexoja këtë pasazh në relacionin 22 faqësh të Ballhysës për të kuptuar se si do përfundojnë tropojanët e drejtësisë….
Anton Martini ishte prokurori më i famshëm në Shqipëri deri para Reformës. Të paktën në perceptimin publik. Ai arriti të zbërthente e të dënonte një nga bandat më të fuqishme në Shqipëri, atë të Durrësit. Përmes dëshmive të të penduarit të Drejtësisë, Anton Martini kërkoi dënime maksimale për anëtarët e bandës që shkonin deri në të përjetshme. Bëhej fjalë për Lulzim Berishën, Doklen e të tjerë të këtij kalibri. Ai proçes ka qenë ndër më të suksesshmit por edhe të tjerë si banda e Cërrikut, Lushnjës apo vrasja e Komisar Dritan Lamajt. Por këto nuk mjaftonin, Ballhysa e priste te porta tropojanin e radhës. Një këst kredie i paargumentuar do të ishte edhe fundi i Prokurorit të tmerrshëm të bandave shqiptare.
Tani radhën e ka Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj. Ky nuk është një veting i zakonshëm dhe kjo për meritë absolute të Prokurores. Ajo është e vetmja nga gjithë gjyqtarët/prokurorët e sistemit të drejtësisë që ishte e zonja të debatojë hapur me përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs. Ky zyrtar, që u bërtet prokurorëve vendas si Drejtori i shkollës nxënësve të fillores, kuptoi që përballë më në fund kishte një njeri të aftë. Shumë të aftë. Që nuk i bën syri tërr dhe nuk është kollaj ta sikterisësh. Reputacioni i Imerajt është i padiskutueshëm mes kolegësh. Integriteti profesional, autoriteti në sallën e gjyqit dhe guximi për tu përballur me çfarëdo krimineli të famshëm është demonstruar me dhjetëra herë për çështje nga më të rëndësishmet. Ajo ishte e vetmja që shpëtoi nderin e Prokurorisë në përballjen me Komisionin e Mandateve të çështjes së Saimir Tahirit. Ka përfaqësuar akuzën në rastin e bandës së Emiliano Shullazit apo terroristëve islamikë, pa kurrfarë hezititmi…
Por, siç thotë Genta Bungo, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në mesazhin e saj të bërë publik: “Çfarë të duhet, një maloke më pak? Madje nga Tropoja. Pupupupu! Unë u largova se ajo ishte eprorja ime”, ajo plotëson kushtin numër tre për tu eleminuar: është maloke. Me këtë term Genta dhe simotrat e saj kuptojnë tropojan/e/i/-n.
Zbulimi i atij mesazhi nga një anëtare e trupës që përzgjedh “heronjtë e drejtësisë së re” është dëshmia më e fortë e turpit për këtë drejtësi. Le të bëjnë si të duan tashmë, Elisabeta Imeraj ishte më e zonja se të gjithë akuzuesit e saj. Ajo u bëri gjyqin reformatorëve racistë të drejtësisë së re më shumë se sa britmat e Theo Jacobsit apo pritat e Ballhysës. .
Please follow and like us: