Zaho Golemi: HYSO XHAFERAJ, JETË E GDHENDUR NË KËNGËT POLIFONIKE
In memoriam për Hyso Bilal Xhaferaj (20.10.1966 – 27.2.2022), këngëtarin brilant të labërishtes, djalit të Kallaratit të historisë, këngëtarit të mirënjohur të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve popullore, që iku në përjetësi për ta vëzhguar polifoninë nga lartësitë ku u ngriti këngën labe me zërin e tij kumbues e tejshpues të marrësit, kthyesit e hedhësit të këngës labe, i cili nëpërmjet saj bëri emër dhe la emër në historinë e këngës…
Nga Kallarati në Tiranë, emër i gdhendur në këngë labërie
Ai nuk ka ikur, sepse vetëm u ngjit lart e më lartë në përjetësi. Emrin ja dha kënga trimërore e stërgjyshit të tij, Hyso Xhaferaj i parë, por ai e lartësoi dhe e përjetësoi këtë emër duke e bërë më të dukshëm në çdo këngë labe, në fshatra e qytete, në Kallarat, në lumin e Vlorës, në gjithë Labërinë, në skenat e festivaleve, brenda dhe jashtë kufijve të Atdheut duke shkrojtur histori suksesi në polifoni. Jam takuar tre dekada më parë, kur ishte lab në rritje, bilbil që mësonte dhe që shpejt arriti të bëhej mësues dhe të fitonte të gjitha gradat e titujt në këngën labe, që janë shkallë hierarkie që nuk ngjiten lehtë. Nuk mjafton vetëm dëshira, as lakmia për t’u bërë marrës, kthyes e hedhës i këngës labe. Janë veti “të lindura”, sepse duhet të testohesh dhe të marrësh titullin “marrës”, “kthyes”, “hedhës” në labërishte është si të jesh akademik i këngës. Testimi nuk është nga juria, për një det dashamirësish të labërishtes, që të vlerësojnë dhe të japin miratimin. Por ky det i madh është në gjithë vatrat e oxhakët e Labërisë, edhe përtej atdheut në emigrim në gjithë botën gjithkund janë bashkë dy-tre e më shumë labër që e ndezin traditën e këngës në të gjithë kontinentet e globit. Shpesh në biseda polifonia ishte tema prekëse dhe debatuese për të mirë e në kërkim të më së mirës, më të arrirës. Intrepretonte edhe vetëm dhe në takime sillte melodi të vletra sa Labëria, tekste historike, epikë, të dashurisë e veçanërisht të trimërisë. Ja merrte, ja kthente dhe bënte rolin e hedhësit si profesionist nga më të mirët e kombit në formatin e vet të paarritshëm. Diskutonte gjallërisht dhe kishte raste që nuk bindej kpollaj në mendimin e tij për labërishten, sillte shebuj nga këngëtarë të trevave dhe përtej tyre, gjykonte dhe donte ta imitonte herë pas here Lefter Çipën idhullin e vet edhe në gjeste, në lëvizjen e dorës, të kokës, të fjalës të këngës, të vargut, të kthesave dhe harmonizim i ison një sinergji që bashkëpërqëndron zërat sipas zakonit të “vibrimit elegant të një fije bari në majë të një saçi”, në një dhumë të mbyllur. Barometri matës i labërishtes është pëlqyeshmëria e tekstit dhe këngës së harmonizuar. Pra bie poshtë çdo lloj jurie e vlerësuesish, sepse kënga që ka “Marrësin-komandant”, “kthysi-zv/komandant”, “hedhësin-Shef Shtabi” dhe ison të sinkronizuar dhe në sinergji të plotë me tre liderat e këngës. Hyso Xhaferaj ishte dhe ngeli deri në fund një këngëtar zëbilbil në avangardë që këndoi shumë për të dy botët e këtejme dhe të përtejme dhe tani vëzhgon produktin e vet, këngën që rrugëton e sigurt në përjetësi. Ky ishte fati, edhe pse ai nuk dinte kurrë t’i përkulej dhe të stepej përballë kësaj jete. Nuk e qaste kurrë të keqen, por as që i trembej asaj. Ai ishte si komandanti në beteja, që gjatë rrugëtimit të repartit polifonik kujdesej më shumë për jetën e këngës se për jetën e vet. Rrugëtimi i jetës së tij qënkish i shkrojtur që në niste dhe të përfundonte me këngë, të jetonte veç për këngën polifonike, që t’ju falte kënaqësi bashkëudhëtarëve, miqve, shokëve e kolegëve të tij nga Kallarati deri në Ansamblin e Këngëve dhe valleve popullore. Ai e jetoi jetën me këngë, prandaj edhe ngeli në këngë labërishte përjetësisht.
Jeta e zëbilbilit brilant të polifonisë
Hyso Xhaferaj ishte lindur më 20 tetor 1966, në fshatin Kallarat të lumit të Vlorës. Oxhaku i Xhaferajve ishte i njohur për tradita të theksuara patriotike, atdhetare e liridashëse. Prindërit e tij Balil e Fari Xhaferaj, ishin njerëz të thjeshtë, të dashur e punëtorë, që gëzonin mirënjohjen e fshatit dhe krahinës. Hysua arsimin fillor e tëtëvjeçar e përfundoi në fshatin e tij të lindjes, ndërsa shkollën e mesme e ekreu me sukses në fshatin Brataj. Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, punoi për disa vite në strukturat e Policisë së Shtetit, por jeta e tij ishte e lidhur këngën dhe këtë nuk kishte nevojë për udhërrëfyes, ndërkohë që jeta e tij në më shumë se tre dekada do të mbushej vetëm me këngë. Hyso Xhaferaj e njihte mirë historinë e oxhakut të Xhaferajve, sepse është i njohur emri Hyso Balili (Xhaferaj) (25.9.1878-14.7.1914), emër që të gjithëve na shpie tek tek luftëtari 36 vjeçar, i fillimshekullit të kaluar në mbrojtje të Vilajetit të Janinë në kodrat e Bezhanit, ku dhe sot kënga nuk mbaron, “Në Bezhan përmbi Janinë, triqind topa, një të shtirë, na more trima të mirë..”, dhe më tej Hysua i parë në luftën e imponuar të 1914-ës, i cili së bashku me disa bashkëfshatarë të tij dha jetën për mbrojtjen e trojeve të Kallaratit nga sulmet e antardëve grekë. Hysua i parë la emër në trimëri dhe është shpallur me titullin e lartë “dëshmor i Atdheut”, me Vendim nr. 33 datë 27.06.1974 të ish-Komitetit Ekzekutiv të rrethit Vlorë. (sipas ish ushtarakut madhor dhe ish sekretar i Përgjithshëm i SHKA “Labëria”, Xhemil Çela në libri “Enciklopedia e Kurveleshit”, si dhe librit “Dëshmorët e Atdheut, Ministria e Mbrojtjes, 2012). Por një tjetër lab i Kallaratit me këtë emër, një stërnip i tij, u shfaq në dekadat e fundit me plot dinjitet, por me një ndryshim, këtë radhë jo me forcën e pushkës dhe jataganit, por me zërin-pushkë, të veçantë e kumbues, të marrësit, kthyesit e hedhësit të këngës labe, i cili nëpërmjet këngës bëri dhe la emër të lartësuar.
Hyso Xhaferaj i ri u rrit në mjedis të mbushur me këngë e halle. Por ai ishte i pasionuar pas këngës labe. Hyso Xhaferaj shumë shpejt u bë një nga këngëtarët më të mirë e kryesorë të këngës labe të Kallaratit. Këga rrodhi natyrshëm vëndçe-labçe në festivale, dasma, sebepe, festa të Kallaratit. Kënga e tij erdhi gjithmonë në rritje e përsosmëri deri sa u ngjit bindshëm në festivale folklorike lokale e kombëtare. Kënga sa vinte bëhej më e pjekur, më e arrirë, më e vlerësuar falë punës së tij pasionante, tashmë edhe pjesëtar i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Zëri i tij ishte përkrah artistëve të mëdhenj e të njohur në planin kombëtar e ndërkombëtar si: Irini Qirjako, Hysni Zela, Mimoza Kosturi, etj., që ishin pjesëmarrës në mjaft koncerte brenda e jashtë Shqipërisë. Nga ana tjetër Hyso Xhaferaj ishte gjithmonë në këngë me mjeshtra të tjerë të këngës Nazif Çelën, Golik Jaupi, bilbilat e Vlorës, me Sejmen Gjokolin, Trifon Golemin, Vullnet Silaj, Çune Basho, Nexhip Onjea, Irfan Birbilaj, Ajet Duka, Shyqyri Hysi, Arben Bllacin, Parim Nora, Astrit Muho, Sefer Muho, Hosho Onjea, Tomor Lelon, Katina Beleri, Mehmet Visha, Sotir Ballo, Velo Çela, Andon Pango, Paro Ziflaj, Neil Ruçi, Mihal Kaçi, e dhjetra qindra këngëtarë të polifonisë me të cilët këndoi në të gjithë Labërinë. Por pjesën më të madhe të veprës artistike, Hyso Xhaferaj e ka realizuar me Mjeshtrin e Madh Nazif Çela, viruozin uragan të labërishtes. Hysua krijoi një familje solide duke lidhur jetën me Meritën të bijën e Lavdosh Seraj, familje e nderuar nga Brataj i Vlorës. Bashkarisht lindën dhe rritën dy djem të edukuar e arsimuar në Tiranë. Vëllain e tij Bakon, e kishte shok e vëlla dhe që i qëndruan në krah njeri-tjerot, në çastet e vështira të jetës, që nuk di të njohë radhë e moshë, sikurse thoshin të moçmit e Labërisë.
Hyso Xhaferaj ishte një familjar i përkushtuar, njerëzor e tepër i afërt me shokë e miq, njeri që rronte me hallet e gëzimet e shokëve, tepër i dashur e i qeshur, që në aktivitete dhe tavolina ja shtonte gëzimet shoqërisë, që dinte të depërtonte në vendlindjen e tij që e kishte dobësi, në Kallaratin e burrave të pushkës, mencurisë dhe penës, në Kallaratin e punës dhe mirësisë. Nuk e tepërojmë se ishte një burrë i Labërisë, i flaktë për çështjet atdhetare e kombëtare, dashuri që e shpaloste plot pasion me këngë, me këngët që ngelën përjetësisht në dejet e tij. Hyso Xhaferi edhe pse u shua nuk ka ikur dhe nuk mund të shkojë përgjithmonë. Vargëzimi poetik për Hyson as ka rreshtur dhe as do të rreshtë: “..Ike të ndriçosh me yje,/mbete këngësh, Labërie…”, U këput një këmbë mali,/Kallarat të iku djali,/Të iku bilbili i këngës/Shkoi në gjirin e nënës/Iku Hyso këngëtari/Zëri si bilbil gjyzari,/Iku Hyso bukuria,/Djali që kish Labëria..”..Hyso trëndafil i majit/Vëlla e shkuar vëllait/Lashë këngën ia nisa vajit/Pasha shkuar Pashait…”, “..Bilbilat heshtën një çast,/pushuan këngën në pyje,/dolën nga foletë jashtë,/një shok përcollën në yje… “Eja o Hyso Xhaferi,/Se të pret ty shoqëria,/Eja lehtë me çap dreri,/Se të pret polifonía..”…”Po mallit si do t’ja bëjmë..”. Ndërsa kënga më e re labe nuk e mbush boshllëkun dhe as e shuan mallin: “Bilbilat, këngën pushuan,/Ditën që ti mbylle synë,/Mbi ylber,/Ty të kërkuan,/Këngët mbi ylberët rrinë,/Kur zërin tënd e dëgjuan,/Nisën këngën prishën zinë,/Vëlla që linde për këngë, Do jetosh sa kënga vetë,/Së bashku me hallet e rënda,/Dhe kënga na ka lezet,/O djalë i lumit të bardhë,/Ku malet puthen me retë,/ Sa kushton emri i mirë,/S’kushtojnë vitet që jetove,/Tani bridh o shpirt i lirë,/Dhe ditët që nuk gëzove,/Se me zerin tënd të dlirë,/Sa e sa zemra gëzove,/Ty të lindi lumi i Vlorës, Labëria të ka djalë,/Bardhësinë ja more borës,/Bilbilit zërin e rrallë,/Hyso me këngët e tua,/Do shuajmë të shretin mall”.
Duhet të bësh apelin e Labërisë për këngët për Hyso Xhaferaj, dhe sërish vargëzimi poetik dhe kënga do të vazhdojë. Zëri i tij kumbues jeton bashkë me këngët dhe vetë kënga labe tashmë pa një pasuri më shumë në trashëgiminë e saj, ka zërin e veçantë të polifonisë, ka zërin që edhe pse jeta të ndan fizikisht nga familja e shoqëria, ai jeton përtej jetës fizike, jeton në këngët e kujtimet tona.
Vlerësim i merituar i Hyso Xhaferaj të këngës!
Është e vështirë ta lavdërosh njeriun në të gjallë të tij sepse lëvdatat janë janë “makineri e fuqishme lufte, që paralizojnë e kanë efekt neutralizues”, që të zenë gojën, të lidhin këmbë e duar, kur në peshore është drejtësia ndaj lëvduesit, prandaj kënga labe nuk qas vlerësime pa meritë dhe lëvdatat zënë rrënjë vetëm kur marrin miratim mbarëpopullor. Prandaj edhe Hyso Xhaferaj, ky gur i rëndë xhevahiri, nuk rendi kurrë pas lëvdatave, e titujve vlerësues edhe pse i ka merituar me kohë. Ai i jepte jetë e vitalitet këngës, e ngrinte në qiejt e shtatë, e bënte këngën prosh e melhem plagësh, e flakëronte gjithë lezet, ndërsa këngët për dëshmorët ju jepte ngjyrim ylberi me ngjyrë gjaku dhe përjetësie. Ai ishte nxënës i dëgjueshëm i Lefter Çipës, Muhamet Tartarit e dhjetra mësuesve të labërishtes. Hyso Xhaferaj-kënga ky mjeshtër i madh i labërishtes, ka një dekoratë nga kreu i shtetit shqiptar, sepse me dekret nr. 9698, datë 12 korrik 2016 Presidentit të Republikës, i akordoi Hyso Xhaferaj, dekoratën e Urdhrit “Naim Frashëri”, me këtë motivacionin “Përçues i spikatur i trashëgimisë kulturore kombëtare dhe lëvrues virtuoz i këngës shumëzërëshe, në skenat brenda dhe jashtë vendit”. Ai mori dekoratën me emrin e Naimit, edhe pse Naim Shqipërisë i këndoi qindar e qindara herë. Nuk është vetëm koincidencë por përputhshmëri gjetjesh, për arsye se bilbilat me një dekoratë bilbili vlen të nderohen. Hyso Xhaferaj ishte për më shumë se tre dekada interpretues brilant i polifonisë në skenë, e kishte atë si shtëpinë e vet, emocionohej dhe dhuronte emocione, ishte dhe ngeli personalitet i kulturës kombëtare shqiptare. Vlerësim apsolut quante atë që thoshte Princi i Dashurisë dhe Bardit të polifonisë labe Lefter Çipa, që shkruante për këngëtarin profesionist të Kallaratit: “Hyso Xhaferaj është nga ata bilbila që thyen qelqet e qiellit me tingujt e tij, është një unazë trimi, me gur xhevahiri. Shteti jo më kot e ka radhitur Hyson, në radhët e zërave të bukur të Kombit. Në këtë trashëgimi të kombit shqiptar, Hyso Xhaferaj është një gur diamanti, brenda piedestalit të Kombit”. Lefter Çipa udhëzonte për Hyson dhe këngëtarët e tjerë të Labërisë, si të linte amanete: “Kënga nuk është zë. Ajo është mençuri dhe zemër. Shumë vende në Labëri bënë emër sepse kënduan këngët e traditës, i qëndruan konseguente trashëgimisë polifonike. Me këngë duhet të ngopesh, se labërishtja të ngop, të ngre lartë, peshë të mban, të lidh e të pleks fort me vendin tënd, të shuan etjen kur je i zhuritur, të bën me krahë kur je për rrugë, të çel inisiativën dhe të jep guxim, të mbush me shpresë. Prandaj mbruje këngën. Gatuaje, ndize, jepi zjarr dhe udhëhiqe fuqishëm këngën. Po të vdiq babai dhe nëna, po të pyetën sa vëllezër dhe morta ke, thuaj gjithmonë që je i vetëm. Kënga do bëhet vëlla e motër. Burri i mirë nuk rend pas lirive personale, sepse është më mirë të rendë dhe ta vërë veten në radhë tek kënga. Më dëgjoni, kur nuk je burrë i mirë as kënga nuk të vete mirë, prandaj korigjohu që edhe kënga të të vijë sipas dëshirës dhe të ketë muzikalitet. Kënga polifonike kërkon gjithmonë guxim dhe guximi sjell trimëri në këngë”. Këto ishin amanete të plakut të mençur të Pilurit, që Hyso Xhaferaj i pati vath në vesh, si këshilla të një miku dhe profesori të madh të polifonisë labe, këshilla që edhe i transmetonte për t’u kualifikuar e perfeksionuar më tej për labërishten.
Hyso Xhaferaj iku në mision të pakthyeshëm, por kur kujtohet me këngë i ngelur midis nesh, në çdo kujtim e gëzim, në çdo skenë festivali, në çdo dasëm e event, në çdo koncert të ansamblit të shtetit, në çdo pulsim të jetës e këngës labe.
Pas ikjes së Bardit të madh të polifonisë së Labërisë, Lefter Çipa, një vit më parë, kur ishte duke dalë ky dimër i xirosur pandemik, flamuri i polifonisë u ul përsëri në gjysëmshtize për të nderuar krenarinë e labërishtes Hyso Xhaferaj, 55 vjeçarin e papërsëritshëm. Kryesia e SHKA “Labëria” dhe Shoqata KA “Fushëbardha” e kishin gjykuar përshpirtjen për Hyso këngën, me këngë, me nderim, respektim dhe homazh, për shenjtorin me zë bilbili të polifonisë. Edhe diploma për Hyso Balil Xhaferaj “Personalitet i shquar i Labërisë”, ka motivacionin e gjumëbilbilit përjetësisht dhe pavdekshmërisht në këngë: “Për kontribut të dukshëm dhe të spikatur në trashëgimëninë folklorike të Labërisë, interpretues virtuoz i këngës labe e shqiptare në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare, për talent kombëtar me kontribute magjike individuale, për vlera njohëse dhe hedhës brilant i kënges labërishte, mjeshtër i pakrahasueshëm në këngë si hedhës, marrës e kthyes, gjuhëbilbil i Kallaratit të Vlorës”. Mban firmën e vulën e Labërisë, por nderon dhe fshatin e lindjes Kallaratin e Kurveleshit të Poshtëm të Bashkisë së Himarës në qarkun Vlorë. Hyso Xhaferaj do të rrojë sikurse jeton kombi, flamuri e kënga, sepse djali i Kallaratit është trupëzuar njësh me këngën labe dhe jeton me të në përjetësi. Ndërkohë që pusheti vendor në Vlorë dhe jo vetëm do të dijë ta nderojë me tituj të tjerë, me një emër rruge, me monografi, me këngë dhe gjithçka që i bën nder kulturës kombëtare shqiptare. Polifonia dhe zëri brilant dhe i veçantë i Hyso Xhaferaj nuk do ta humbasë kurrë këtë zë, sepse ai jeton në këngët e gjithë Labërisë, në çdo vatër të shqiptarisë, kudo ku flitet shqipja shqiptarçe.