Albspirit

Media/News/Publishing

Brikena Bogdo: Ukraina, përplasja e dy vizioneve të papërputhshme

“Nëse mendoni që do të ndalemi pas Ukrainës, e keni gabim” –ishte kjo një deklaratë e gazetarit rus (pro Putin) Sokolyov, trasmetuar në një emision televiziv.  Sigurisht kjo deklaratë nuk do të mbetej pa u diskutuar në median perëndimore, pasi gazetari në fjalë është nga më të preferuarit dhe më të afërtit e Putinit.

Putini kërkon ringjallje të re të dominimeve të vjetra. Evropa sot qëndron në pozicionet e saj të ngurta “por”, “sikur”. Sot Putini sulmon Ukrainën, por nesër nuk do të ndalet, sepse ashtu si Hitleri kërkonte të dominontë botën, Putini kërkon BRSS (ish-Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike). BRSS u krijua në 1945-ën, me marrëveshje politike, në Jaltë, pas Luftës së Dytë Botërore. Putini, po tolerohet ende nga Perëndimi, duke rrezikuar seriozisht rikthimin e kampeve Lindje-Perëndim. Mendon Europa se, do të shpëtojë nga një krizë e tillë aktuale dhe rrezik i afërt serioz, me disa sanksione? Remarku, tek libri “Tre shokët” tregon se si u shfaros një kope me luanë. Nuk i sulmuan të gjithë menjëherë, por një nga një. Secili qëndronte indiferent kur goditej njëri prej tyre, duke menduar se nuk po sulmohej lëkura e tij. Dhe keshtu u shfarosën të gjithë.

“Lufta nuk është gjë tjetër veçse një akt politik, një instrument i politikës ose një vazhdimësi e  veprimeve politike”- thoshte Gjenerali Prusian, Carl Von Clauseëitz. Lufta aktuale dramatike në Ukrainë, shndërrohet në një shembull tragjik, të mungesës së një politike të aftë për të parandaluar dramën e një konflikti të armatosur. Kur ende rrjedha e luftës nuk është e qartë, më shumë se kurrë po kujtohet Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore. Lufta e Parë Botërore nisi për shkak të atentatit të Arqidukës, Francesk Ferdinandi i Austrisë. Por situata u rëndua, për shkak të moslëvizjes së politikës. Në korrik të vitit 1914, ekzistonte një botë multipolare, pa hegjemoni të qarta, me diferenca mes fuqive që shkonin, nga demokracitë borgjeze, tek autoritarizmi i moderuar, por në thelb kishte një farë ekuilibri e vlerash. Lufta e Parë Botërore theu ekuilibrat e zakonshëm të raporteve tregëtare, kulturore, iu hapi rrugë përleshjeve që arritën, deri në barbari. Kjo ishte një luftë, që lindi nga grumbullimi i tensioneve të garës së armatimeve, deri tek dëshira për të qenë i pari. Ishte një luftë idiote, në mos më idjotja, në histori, që u provokua më së shumti nga fjalët, që shpesh herë thuheshin edhe pa menduar. Në këtë mënyrë u arrit shumë shpejt në deformimin e kundërshtarëve, duke i identifikuar ata si përbindësha, p.sh. gjermanët. Po njësoj edhe Lufta e Dytë Botërore, i ka shkaqet te politika. Sanksionet e forta të vendeve fituese, ndaj Gjermanisë, pas Luftës së Parë Botërore, e pozicionuan ngushtë atë, duke i vendosur gjermanët midis varfërisë dhe inflacionit, për t’i çuar, drejt Hitlerit. Lufta e Dytë Botërore lidhet me politikën e keqe, të nisur që në Luftën e Parë Botërore. Evropa kishte mundësi që të ndalte Hitlerin, por nuk e bëri.

Administrata Trump sheshoi konfliktet, nëpër botë. Kjo vërteton atë çka u tha më lart, gjithçka fillon dhe mbaron me politikën. Trump pat deklaruar për krizën, në Ukrainë; “Unë do të kisha vepruar ndryshe. Nuk do e kisha sjellë situatën deri këtu”. Prandaj, çdo retorikë dhe sjellje politike duhet të jetë e milimetruar, pasi kushton jetë njerëzish.

Putin nuk është Stalin, por do të përfundojë i tillë, nëse vazhdon të lihet nga politika. Bombat ruse, nga dita, në ditë, po bëhen më pak selektive. Perëndimi po shfaq shenja shqetësuese, ndërsa Ukraina konsiderohet nga rusët, pjesë jetike e tyre (edhe termi rus lindi në Kiev, që ishte madje kryeqyteti i parë i të gjithë rusëve). Rusët e konsiderojnë pjesë të tyre ndërsa perëndimorët duan ta bëjnë pjesë të tyre.

Arsyeja pse Rusia sot nuk është pjesë e integruar e Europës, është përsëri faj i politikës evropiane. Rusia e sotme, pas rënies së murit të Berlinit, ishte e përfshirë plotësisht në tregtinë ndërkombëtare, i shndëruar në një vend autoritar, por jo në një vend totalitar. Biznesmenët rus bënin marrëveshje me gjithë botën. Pas rënies së komunizmit, rusët filluan të udhëtonin nëpër botë. Rusia shikonte gjithmonë e më tepër nga Perëndimi, që në thelb ka kulturë kristiane dhe evropiane, duke shpresuar të integrohej në të, madje duke krijuar aleanca, përballë kundërshtarëve më të fortë siç konsiderohet Kina, në mënyrë që të pranohej në Europë. Ky ishte dhe plani i Trumpit, i cili pranonte planin eurocentrik te Charl De Golit të cilin nuk konsideronte të dëmshëm, mjafton që të pozicionohej edhe Putin kundër Kinës.

Arnold Jozef Toynbee historian modern shkruan: “Rusia nuk është pjesë e qytetërimit perëndimor, por atij bizantin, një qytetërim motërzim, por jo i njëjti. Ashtu siç diferencat ekonomike edhe ndryshimet fetare kanë luajtur një rol, jo të vogël në integrimin e Evropës mes vetes. Rënia e murit të Berlinit, shënoi rënien e perandorisë Ruse, por krijoi konflikte në vendet që kërkonin identitetin e tyre, si p.sh. Ukraina, e cila duhet të bënte llogaritë me etnitë e ndryshme, mes pjesës perëndimore (katolike dhe përdoruesve të gjuhës ukrainase) dhe asaj (lindore, ruso ortodokse, përdoruese e gjuhës ruse). Ka shumë histori shqiptare edhe në mbijetesën ukrainase. Shqiptarët të ndodhur midis Lindjes dhe Perëndimit thelluan problematikat, me ndryshimin e fesë, në atë muslimane, duke u ndjerë të distancuar nga Evropa. Kthimi i një pjese dërrmuese të shqiptarëve në fenë muslimane, i shndërroi ata në një dele të zezë për Evropën, duke i konsideruar turq, paçka se në zemër të Evropës. Ende, Shqipëria nuk është e integruar në BE. Po ashtu edhe Ukraina nuk është e integruar në BE, paçka se sot po kujtohen t’i bëjnë një proces të përshpejtuar, për t’i integruar në të. Mjafton të kujtojmë një thënie të Henri Kissinger, në Washington Post: ”Shumë shpesh çështja ukrainase konsiderohet si larje hesapesh mes Lindjes dhe Perëndimit. Nëse Ukraina kërkon të mbijetojë dhe aq më shumë që të zhvillohet nuk duhet të mbajë një krah, Lindje apo Perëndim, por duhet të jetë urë neutrale mes tyre.

Perëndimorët po ndërgjegjësohen, se çuarja e Rusisë, në krahet e Kinës, është një c֛menduri që perëndimorët do e paguajnë me dekada. Mungesa e kompromisit, ose zgjat konfliktin, që po paguhet rëndë nga ukrainasit, ose rrezikon të gjithë Lindjen dhe Perëndimin, pasi duhen bërë llogaritë me bombat bërthamore. Me sa duket, fatkeqësisht, i është lënë ushtarakëve të komandojnë dhe ta konsiderojnë politikën lojë startegjike, dhe kjo do të jetë shkatërruese, sigurisht për ukrainasit, me shumë mundësi edhe për rusët, ndoshta për të gjithë, nëse evropianët nuk do të dinë të bashkohen. Nuk po ndeshen dy shtete, por sërish Perëndimi dhe Lindja, dy kampet kapitalizëm-socializëm, të djathtët dhe të majtët. Janë dy vizione, krejt të ndryshme të botës, të papërputhshme.

Po përballen në realitet dy degjenerime të ndryshme të kapitalizmit. Nga njëra anë kemi Rusinë e Vladimir Putin që duket sikur po tenton të rekuperojë një ish-BRSS, ose ish-imperializmin carist, ku pushteti qëndror absolut i tij, lejon klasën e re politike aristokratike, oligarkët, trashëgimtarët e latifondistëve, të pasurohen në kurriz të të tjerëve, por duke iu imponuar një hierarki, me grusht të hekurt. Prej këtu rrjedh mungesa e lirisë së shtypit, burgosja e opozitës, autokracia. Ndryshe studjuesja ruse Shoshana Zubolf e quan një neo-imparializëm post carist. Me një fjalë diktaturë. Nga ana tjetër në perëndim kemi një formë elitare dhe despotike të teknokracisë financiare, e ashtuquajtura neo-kapitalizëm. Kjo konsiderohet nga studjues, si frika më e madhe e Putinit, që teknokracia perëndimore, të përhapet, deri në rajonet e perandorisë së tij, për t’i përpirë ato. Prandaj ka luftë.

Putin do të bëjë përpjekje, që të zgjerohet sa më shumë, të ketë mundësi e fuqi, por edhe sa do ia lejojë Evropa e Amerika. Këtu kthehemi përsëri pak, në kohë, në Luftën e Parë Botërore, kur rivendoseshin kufijtë. Edhe kjo luftë është përpjekje për ridimensionim kufijsh dhe prishje të raporteve financiare e tregëtare.

Ashtu si idetë filozofike mbeten utopike, ashtu edhe ideja e Nitsche-s “Eurusia, e ardhmja jonë europiane” do mbetet  utopi, për sa kohë Rusia ende prodhon totalitarist, si Putin. Por, edhe vetë Evropa  e cila ka humbur shumë vlera duke mbetur në krizë nuk tentoi kurrë, realisht, ta përfshinte Rusinë.

Mbas Luftës së Dytë Botërore, BRSS dominoi për 50 vite në të gjithë Evropën Lindore, pushtet të cilin e humbi me rënien e murit të Berlinit. U duk, sikur Evropa do ta rifitonte kompaktësinë e saj europianiste, demokratike dhe të lirë. Por ndryshimet e mëdha ekonomike midis Evropës Lindore dhe asaj Perëndimore e vështirësuan integrimin natyral mes vetes. Europa Perëndimore hezitoi ta perfshinte atë Lindore, për shkak të ndryshimeve ekonomike mes vendeve te lindjes dhe perëndimit, duke parë interesat e saj, të ngushta ekonomike. Rënia e murit të Berlinit ishte casti i duhur, çasti kur bisha komuniste kishte humbur kokën dhe i ishin prerë krahë e këmbë. Europa nuk e imagjinoi kurrë që ajo bishë do të ringrihej dhe do ta rrezikonte sërish, mbas 30 vitesh. Ajo që po ndodh në Ukrainë po mbyll një periudhë të shkëlqyer të filluar në 1989-ën.

Lufta heroike e ukrainasve me kujtoi luftën tonë kundër perandorisë otomane. Për gati 100 vjet,  shqiptarët luftuan deri në kryengritjen e fundit në vitin 1505, kur otomanët e dogjën dhe e shkretuan krejt tokën shqiptare, për ta varfëruar ekonomikisht, për ta dominuar më pas. Evropa nuk ndërhyri, sepse kishte një popull, që derdhte gjak për të. Edhe sot, janë ukrainasit që derdhin gjak, për të  mbrojtur Evropën./gazeta standard

https://www.standard.al/2022/04/04/ukraina-perplasja-e-dy-vizioneve-te-paperputhshme/?fbclid=IwAR129_4FBHxHYDri_hUC1ouuX3W1hmjvRhc1ZNoW4YhSJahUwOHuwJSEnWg

Please follow and like us: