Roger Cohen: Putin, evolucioni i një enigme
Rreth rrëshqitjes 22 vjeçare të Putin-it nga burrështeti në diktator të Tërbuem
PARIS./ Tue folë me gjuhën që ai quejti “gjuha e Goethe-s, Schiller-it dhe Kant-it” që ai mësoi gjatë qëndrimit tij si oficer i KGB-së në Dresden (Gjermani), Presidenti Vladimir V. Putin iu drejtue Parlamentit gjerman, më 23 shtator 2001:
“…Rusia ashtë nji komb europian miqësor”, deklaroi ai. “Nji paqë e qendrueshme në kontinent ashtë synimi kryesor i kombit tonë”.
Udhëheqësi rus, zgjedhun nji vit ma parë në moshën 47 vjeçare, mbas nji ngritje meteorike nga obskuriteti, vazhdoi me përshkrimin e ‘të drejtave demokratike dhe lirive” si “qellimi kyçi i Rusisë në politiken e mbrendshme”.
Anëtarët e Parlamentit (Bundestag) u ngritën në kambë dhe duertrokitën, të prekun nga fryma e ripajtimit që Z. Putin dukej se përfaqësonte në nji qytet si Berlini, që vite të gjata kishte simbolizue ndamjen në mes të Perëndimit dhe botës totalitare sovjetike.
Norbert Roettgen, nji deputet i qendrës së djathtë që kryesonte Komitetin për Politiken e Jashtëme të Parlamentit për shumë vjet ishte nji nga ata që u ngritën në kambë. “Putin na bani për vete”, tha ai. “Zani ishte krejt i qetë, në gjermanisht, nji za që përpiqet me bind për atë që thotë. Na kemi arsye me mendue se aty kishte perspektivë për nji bashkëjetesë”.
Sot, çdo bashkëjetesë ashtë coptue! Ukraina digjet, e gjakosun nga nji armatë invaduese. Z. Putin dërgoi ushtrinë me konfirmue bindjen e tij se kombësia ukraine ashtë nji mit. Ma shumë se 3.7 milionë ukrainas janë refugjatë dhe numri i të vdekunve rritet gjatë nji muej luftimesh; zani vicioz i Putinit ashtë transformue në zemrim të nji personi të përçudnun që cilëson çdo qytetar rus “fundërrinë e tradhëtar” çdo rus që reziston dhunën e shtërngimit tij diktatorial.
Kundërshtarët e tij, “nji kolonë e pestë” që dënohet si e manipulueme nga Perëndimi do të përjetojë nji fat të keq”. Z. Putin u betue këtë muej tue shikue planin e tij blitzkrieg në Ukrainë që dështoi. “Nji rus i vertetë, tha ai, duhet të pështyj kundërshtarët si nji mizë që hynë në gojë aksidentalisht dhe kështu kryen nji purifikim të nevojshëm të shoqënis…”.
Kështu nuk fliste Kanti, por nji ekzaltuem fashist e nacionalist i përziem me nji gjuhë pakuptim të mësueme në rrugt e St. Petërsburgut.
Në mes të këtyne njerëzve të arsyes dhe të nxitjes, në mes të kësaj dyshe në dukje dy persona të ndryshëm, qëndrojnë 22 vjet pushtet dhe pesë presidentë amerikanë.
Ndërsa Kina ngrihet dhe Amerika luftoi dhe humbi për gjithmonë luftën në Irak dhe Åfganistan, ndërsa teknologjia lidhi së bashku të gjithë botën, nji enigmë ruse u vendos në Kremlin.
A ka mundësi që amerikanët dhe aleatët e tyne, me eksese, oportunizëm ose naivite thjesht gjykuen gabimisht Z. Putin qysh në fillim? Å por Z. Putin u trasnformue gjatë kësaj kohe në nji luftënxitës revanshist ashtu si shohim na sot ose për arsye të provokimeve Perëndimore të imagjinueme, ankesa në rritje ose intoksikimin mendjemarrës të nji periudhe të gjatë si ai ‘covid-19’ e që prodhoi rregulla ‘të izolueme’?
Z. Putin ashtë nji enigmë, por ai asht gjithashtu figura ma publike. I pamë nga kjo perspektivë e ‘lodrës’ së tij pa princip në Ukrainë, nji figurë e madhe e cila bashkon nji person që përfiton nga çdo mundësi e Botës së Perëndimit si nji sulm kundr Rusisë dhe ndoshta kundër atij vetë. Me rritjen e ankimeve hap mbas hapi, vit mbas viti, dallimet u avulluen. Në fakt, ai u ba shteti vet, ai u ba vetë Rusia, fatet e të cilëveu shkrinë në nji vizion Messianik për restaurimin e lavdisë imperatoriale.
Nga hini i Perandorisë
“Per Putinin tentacioni që ushtron Perëndimi ka qenë, mendoj unë, kryesisht prirja që ai të shihte në atë nji instrument për ndërtimin e nji perandorie te madhe”, deklaronte Condoleeza Rice, ish Sekretare e Shtetit e cila takoi atë disa herë gjatë fazës së parë të sundimit tij. Ai ishte gjithëherë i preokupuem me 25 milionë rusë që mbeteshin jashtë kufinjve të Nanës Rusi për arsye të shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. Përsëri vazhdimisht ai ngrente këte problem. Kjo spjegon përse për ate “…fundi i Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa ma e madhe e shekullit 20”.
Por, në se arsyet irredentiste duken qartë së bashku me dyshimet e spiunazihit të Amerikës, Z. Putin kishte edhe tjera prioritete. Ai ishte nji shërbyes patriotik i shtetit. Rusia postkomuniste e viteve 1990 nën drejtimin e Boris N. Yeltsin, i pari udhëheqës i zgjedhun lirisht, kishte dështue.
Në 1993 Yeltsin urdhnoi sulmin ushtarak kundër Parlamentit me nënshtrue nji kryengritje. 147 persona u vranë. Perëndimi u detyrue me ndihmue Rusinë me ndihma humanitare aq shumë ishte damtue ekonomia e Rusisë, aq e hapun ishte vorfënia e madhe sa që pjesë të mëdha industriale u shitën vetëm për nji kang. Oilgarkët lindën si klasë. E gjithë kjo për Z. Putin ishte nji ferri vertetë. Ishte poshtënimi!
“Ai urrente çdo gja që ngjante në Rusi, e ruente idenë se Perëndimi u desh të ndihmonte”, tregon Christoph Husgen, këshilltari kryedilplomati i ish kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitet 2005-2017. Manifesti i parë i Z. Putin për fushatën presidenciale të vitit 2000 ka qenë i gjithë mbi nevojen me kundërshtue përpjekjet e Perëndimit për transferimin e pushtetit nga duert e shtetit në duert e tregut”. “Për Rusët”, shkruente ai, “nji shtet i fortë nuk ashtë nji anomali me luftue kundër”. Krejt e kundërta! “Asht burimi dhe garancia e rendit publik, fillestari dhe forca kryesore për çdo ndryshim”.
Por, Z. Putin nuk ashtë marksist, megjithëse ai ktheu himnin stalinist kombëtar. Ai kishte dshmue shkatërrimin e nji ekonomie të planifikueme, në Rusi dhe Gjermani lindore, ku shërbeu si agjent i KGB-së në vitet 1985-1990.
Presidenti i ri Putin do të bashkpunonteme oligarkët të krijuem nga kaosi, tregu i lirë, kapitalizmi e kronizmi- përsa kohë që ata tregonin nënshtrim absolut. Në rast mosbindje, oligarkët zëvendësoheshin. Në se kjo ishte demokraci, ajo ishte “demokraci sovrane” nji frazë e përdorun nga strategët e Putinit me theks në “sovran”.
I formuem ne nji shkallë të madhe nga jeta në St. Petërsburg, qytet i ndërtuem nga Pjetri i Madh në filim të shekullit 18 si “nji dritore kah Europa” dhe nga eksperienca fillestare politike në atë qytet që nga viti 1991 si nëpunës në zyrën e Krytarit të Bashkisë për tërheqje kapitali të huej për investim, duket se Z.Putin ka qenë i hapun, me kujdes, kah Perëndimi në fillim të sundimit tij.
Ai zinte me gojë mundësinë e anëtarsimit në NATO të Rusisë në takimin me Presidentin Clinton në vitin 2.000 nji ide që nuk u zhvillue asnji herë. Ai përkrahu nji marrëveshje për anëtarsim në Bashkimin Europian, në 1994. Nji Këshillë NATO-Rusi u krijue në 2002. St. Petersburgu rivalizonte me Njeriun Sovjetik.
Këtu kishte nji balancim delikat, për te cilin Z. Putin, i disiplinuem, ishte i përgatitun. “Ju nuk duhet ëe humbni kontrollin”, i tha ai drejtorit të filmave Oliver Stone në “Intervista me Putinin” nji dokumentar i vitit 2017. Nji herë ai përshkroi veten si nji “ekspert i relacioneve njerëzore”. Deputetët gjermanë nuk ishin të vetmit që u gënjyen nga ky njeri me cilësi të palëkundshme dhe qëllime të pamshirshme të përpunueme nga operativët e spiunazhit.
“Duhet të mos harroni. Ai vjen nga rradhët e KGB-së dhe gënjeshtra ashtë profesioni i tij. Nuk ashtë faj”, thotë Sylvia Bermann, ish ambasadore franceze në Moskë që nga 2017 deri 2020. “Ai ishte si nji pasqyrë, tue iu adaptue figurës që sheh në pasqyrë dhe në mënyrën që ashtë instruktue”.
Pak muej para fjalimit të mbajtun në Bundestag, Z. Putin në mënyrë të hapun fitoi besimin e ish Presidentit Bush. Mbas takimit të tyne të parë, qershor 2001 Bush tha se shikoi në sytë e tij dhe fitoi nji sens të shpirtit tij dhe gjeti “nji njeri të sinqertë dhe që meritonte mirëbesim”. Z. Yelsin njikohësisht e portretizoi Z. Putin si nji ndjekës i besueshëm vetëm tri vjet mbas ardhjes në Moskë në 1996.
“Putin orientohet pikërisht si nji personë para tjetrit”, Michael Khodorskovski pasaniku ma i madh rus para se të shërbej nji dekadë në burg siberian dhe mbasi humbi shoqeninë tregetare të tyne me dhune. Në nji intervistë në 2010 ne Washington Mr. Khodorskovski më tha. “Nëse kërkoni që ai t’iu dojë, ju do ta doni atë”,
Ma parë unë kisha pa Z. Khodorkovskin në Moskë në tetor 2003, ka qenë pikërisht ditën para arrestimit në apartmentin e tij nga agjentë të armatosun për shpërdorim fondesh. Ai kishte fol me mue në atë kohë rreth ambicieve të tij politike- nji faj i pafalshëm dhe i papranueshem nga Z. Putin.
Ngritja e nji autoritari
Ndërtesa prej druni e presidentit jashtë Moskës ishte e rehatshme, por jo e zbukurueme në vtin 2003. Gusti personal i Z, Putin nuk ishte rrite akoma në shkallën e madhënishme. Rojet e sigurimit silleshin për rreth, shikojshin në TV-në herë mbas here rrobet modele në Milan dhe Paris.
Z. Putin, më bani të pres për nji kohë të gjatë, si e ka zakon për disa orë. Duket si nji demonstrim i vogël i të mëdhejve, nji e metë e vogël pa njerëzilleku që ai do të tregonte edhe me Condoleeza Rice, të ngjashme me prumjen e qenit në takimin me kancelaren Angela Merkel, kur e dinte se Zonja Merkel kishte frikë nga qentë. “Unë e kuptoj pse ai verpon kështu; ai don të provojë se ashtë burrë”, spjegoj Merkel.
Kur intervista me tre korrespondentë të The New York Times ma ne fund filloi Z Putin ishte i përzemërt, i përqendruem dhe i rehatshem në detajet e bisedës. “Ne qëndrojmë fortësisht në rrugën e zhvillimit të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut”, tha ai, e shtoi: “Nga pikëpamja e mentalitetit dhe kulturës populli i Rusisë ashtë europian”.
Ai foli per “marrëdhanjet e ngushta dhe të mira tëAdministratës Bush me gjithë fushatën në Irak dhe tha: “Parimet kryesore të humanizmit”- te drejtat e njeriut, liria e fjalës- mbeten bazike për të gjithë kombet; “mësimi ma i madh i arsimit”, tha ai, “ka qenë respekti për ligjin”.
Në ate koh, Z.Putin kishte dërmue median e pavarun. Kishte ba nji luftë barbare në shkatërrimin e Groznyt, kryqytet i Çeçnisë dhe emnoi zyrtarë të Sigurimit- të njohun si siloviti (njerëz të fortë)- front dhe qendër e qeverisë tij. Shpesh herë ata ishin miq të vjetër nga St. Petërsburgu, si Nikolai Petrushev, sot sekretar i këshillit të sigurimit të Z. Putin. Pika e parë e nji oficeri të Sigurimit asht dyshimi.
Kur u pyet për metodat e tij, presidenti u shqetsue dhe sugjeroi se Amerika nuk mund të reklamojë nji nivel moral të naltë. “Na kemi nji proverb në Rusi” tha ai. “Nuk duhet kritikue pasqyra nëse ju keni nji hundë të shtrembët”.
Përshtypja ma e fortë ka qenë ajo e nji njeriu të dyzuem mbrapa nji shikimi të patundun. Michael Eltchaninoff, autori francez i librit “Mbrenda mendjes së Vladimir Putinit” thotë se ishte “nji siperfaqe e zbukurueme me liberalizem në fjalimet e tij në vitet e para të 2.000”, por apeli që kishte ideja e rivendosjes së nji Rusie me pushtet imperial dhe kështu me u hakmarrë kundër idesë së nji Rusie të perceptueme si meturinë që Presidenti Obama mund të quente”nji fuqi regjonale”, ka qenë gjithmonë nji nevojë urgjente për Z. Putin.
I lindun në vitin 1952 në nji qytet që quhej Leningrad, Z. Putin u rrit nen hijen e nji lufte të Sovjetëve kundër Gjermanisë naziste, e njohun si Lufta e Madhe Patriotike për Rusët. Babai i tij u plagos randë, nji tjetër vëlla ma i rritun vdiq gjatë 872 ditëve të rrethimit nazist të qytetit dhe nji gjysh i tij kishte punue si kuzhinier për Stalinin. Sakrificat e shumëta të Ushtrise së Kuqe në disfatën e Nazismit nuk ishin abstrakte, por konkrete mbrenda familjes tij modeste; ashtu si për shumë Rusë te breznisë tij, Z. Putin mësoi që në moshëtë re se, ashtu si ethonte ai: “I dobti rrahet”.
Perëndimi nuk e vlerësoi si duhet forcen e mitit sovietik, sakrificat ushtarake dhe revanshizmin tek ai”. “Z. Eltchaninoff, gjyshët e të cilin ishin të gjithë rusë, tregon: “Ai beson thellësisht se njeriu Rus ash i përgatitun me sakrifikue vehten për nji ide, ndërsa Perëndimorët preferojnë suksesin dhe konfortin”. Z. Putin pruni në nji farë mase ndjenjen e atij konforti në Rusi në tetë vjetët e para të presidencës. Ekonomia eci përpara, investimët e huaja u rritën. “Ka qenë ndoshta periudha ma e lumtun në historinë e atij vendi, me nji masë prosperiteti dhe nivel lirie të pa pamë ndonji herë në historinë e Rusis”, thotë Z. Gabuev, bashkëpuntor i vjetër i Carnegie Moscow Center.
Z.Gabuev, ashtu si mijra të tjer liberalë të Rusisë ka ikë në Stamboll që kur filloi lufta me Ukrainn, dhe shtoi se“ka shumë korrupsion dhe përqendrim pasunie, por gjithashtu mjaft anije që po dalin në sipërfaqe. Dhe mos harroni, ne 1990 -at çdo njeni ka qene i vorfen si miu në kishe… Tashti, klasa e mesme ka mundësi me shkue në Vietnam ose në Turqi për vakanca.
Problemi për Z. Putin ka qenë se tue diversifikue ekonominë, sundimi i ligjit ndihmon. Åi ka studjue drejtësinë në Universitetin e St. Petersburg dhe përsëriste se respekton ligjin. Në fakt, mbajtja e pushtetitu tregue se ishte magneti i tij. Ai kishte neveri për sjelljet legaliste. “Përse duhej që ai të bashkëndante pushtetin kur ai kishte mundësi me jetue me vajgurin, gazin,dhe pasuni tjera natyrore, dhe mjaft shpërndamje me plotsue nevojët e mbajtjes popullin të lumtun”, Z. Gabuev deklaron.
*Shenim: Versioni origjinal i këtij shhrimi në anglisht ashtë puna e Z. Roger Cohen, me qendër ne Paris, autor, dhe nji nga analistët ma tënjohuntë botës gazetareske. Përkthimi shqip ashtë nga Sami Repishti, Ph.D. dhe mirënjohja e tij për autorin.
Artikulli u botue në gazetën prestigjoze The New York Times të datës 27 mars 2022, ff.1e16, të cilën e falënderojmë.