Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhjet presidenciale në Serbi i fitoi Putini (lëreni kozmopolitizmin se ai është vetëvrasës për shtetet e vogla)

Nga Shaban Murati

 

Titullin e shkrimit e huazova nga gazeta ruse “Vzgljad” e datës 4 prill, sepse shreh kuintesencën e përmbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit në Serbi dhe ndihmon të kuptohet intonimi real i Serbisë në mandatin e ri të presidentit të vjetër. Është tipike se të gjitha mediat ruse, të nesërmen e zgjedhjeve presidenciale në Serbi, me një entusiazëm unanim e përkufizuan fitoren elektorale të presidentit Vuçiç si një fitore e Rusisë.

Po jap vetëm disa tituj nga mediat e pafund ruse, të cilat në 4 prill glorifikuan si fitore ruse mandatin e ri presidencial të Vuçiçit:

-“Ura.ru” që në titull: “Aleati i Rusisë Vuçiç fitoi zgjedhjet presidenciale”. -Gazeta “Pravda” që në titull: “Presidenti prorus Vuçiç rizgjidhet për herë të dytë”. –Gazeta “Komsomolskaja Pravda” që në titull: “Miqtë e Putinit fituan zgjedhjet në Serbi dhe në Hungari”. –“Regnum.ru“ që në titull “Serbisë i duhet fitorja e Rusisë në Ukrainë”. -Gazeta “Vzgljad”: “Në Serbi dhe në Hungari fitoi interesi rus”. -Gazeta “Moskovskij komsomolec”: “Fitorja e Vuçiçit dhe e Orbanit u bë skandal për Perëndimin”. -Gazeta “Izvestia”: “Fundjava solli lajme të mira për Rusinë. Pas zgjedhjeve në Serbi dhe Hungari në pushtet mbetën liderët me simpati për Moskën”.

Mediat ruse veçojnë faktin se presidenti Putin ishte i pari kryetar shteti në botë, që e uroi Vuçiçin për rizgjedhjen e tij. Emfazën shtetërore ruse për fitoret elektorale të dy autokratëve filorusë e kulmoi në 4 prill zëvendëskryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Kostantin Kosaçev, me thirrjet: “Bravo Serbia, bravo Hungaria, bravo Europa e vërtetë sovrane!”. Filorusizmi shpallet si bosht i sovranizmit allarus të Serbisë dhe të Hungarisë.

Si presidenti i Serbisë Vuçiç, ashtu dhe kryeministri i Hugarisë Orban, që u konfirmuan prapë në postet e tyre në zgjedhjet e zhvilluara në 3 prill në të dy vendet, nuk është se nuk njiheshin si filorusë dhe ithtarë të Putinit.

E veçanta e rizgjedhjes së tyre dhe veçanërisht e Vuçiçit, që shkaktoi një entusiazëm kaq të madh në Kremlin, është se nevoja aktuale diplomatike, politike dhe gjeopolitike e Rusisë në situatën ndërkombëtare të krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, është më e madhe se kurrë. Izolimi diplomatik ndërkombëtar i Rusisë nga Europa dhe nga Perëndimi është kaq shtërngues, sa që Moska tani ka interes jetik të ketë një apo dy shtete në Europë aleatë të saj.

Serbia zë një vend të veçantë në strategjinë e tanishme diplomatike ruse, sepse është shteti i vetëm europian, që ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë, të vendosura si ndëshkim për agresionin rus në Ukrainë. Serbia është shteti i vetëm, që nuk ka dënuar me emër Rusinë për invazionin e saj ushtarak në Ukrainë.

As presidenti serb Vuçiç dhe asnjë udhëheqës tjetër serb nuk kanë dënuar asnjëherë me emër me një deklaratë të tyren agresionin rus, edhe pas bashkimit formal dhe të detyruar të Serbisë me votën e 141 shteteve për rezolutën e OKB të 2 marsit, që dënonte agresionin rus. Presidenti serb Vuçiç dhe qeveria serbe janë të vetmit në Europë, që nuk kanë dënuar masakrën e përbindëshme të forcave ushtarake ruse në Bucha të Ukrainës, vrasjet masive të 410 civilëve dhe varret masive të zbuluara ditët e fundit në Ukrainë.

Serbia është shteti, i cili po ndihmon Rusinë që të thyejë sanksionet dhe të zbusë efektin e tyre në ekonominë dhe në financat ruse. Serbia i dyfishoi fluturimet ajrore të kompanisë së saj “Air Serbia” për në Moskë në një kohë që gjithë shtetet europiane mbyllën hapësirat e tyre ajrore për avionët rusë dhe ndaluan fluturimet për në Moskë. Serbia po i shërben taktikës ruse të shmangies së sanksioneve të BE, duke i hapur Rusisë një kanal të ri veprimtarish ekonomike dhe tregtare në Serbi.

Një formë tillë pas vendosjes së sanksioneve të BE është fenomeni i ri i krijimit me shpejtësi në Serbi i kompanive ruse, që rregjistrohen me emra serbë, dhe zhvillojnë veprimtari ndërkombëtare tregtare, ekonomike dhe financiare, duke u paraqitur si firma serbe. Portali proqeveritar rus “balkanist.ru” njoftonte në 2 prill se që nga fillimi i “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, firmat ruse kanë rregjistruar 323 kompani të reja të tyret në territorin e Serbisë si kompani serbe. Krijimi direkt dhe me shpejtësi brenda një muaji pas agresionit rus i këtyre kompanive të reja ruse, të rregjistruara në Serbi me emra serbë, në shërbim të strategjisë së thyerjes së sanksioneve të BE, lexohet shumë qartë.

Tonalitetin rus të rizgjedhjes së tij si president i Serbisë e shtoi edhe vetë Vuçiçi, i cili në 3 prill, kur njoftoi fitoren e tij elektorale, deklaroi menjëherë vazhdimin e marrëdhënieve e strategjike me Rusinë, duke iu betuar për besnikëri Moskës. Servilizmin e tij prorus e afishoi atë ditë me deklaratën patetike se “në Serbi askush dhe asnjëherë nuk do ta heqë Dostojevskin nga shkollat”.

Është vërtetë komike kjo emfazë presidenciale serbe, sepse Dostojevski nuk ishte asnjë lidhje me zgjedhjet, sepse askush dhe asnjëherë nuk i ka kërkuar presidentit Vuçiç që Serbia të heqë Dostojevskin nga shkollat serbe. BE dhe SHBA i kanë kërkuar presidentit serb që të bashkohet me sanksionet kundër Rusisë. Por në dalldinë e tij filoruse Vuçiç barazon sanksionet ekonomike me Dostojevskin për të treguar se ai refuzon me vendosmëri sanksionet perëndimore ndaj Rusisë agresore.

Në leximin diplomatik deklarata absurde e presidentit serb është konfirmimi i mbrojtjes prej tij të interesave ruse me atë vendosmëri që do të mbronte Dostojevskin në programet shkollore serbe.

Rizgjedhja e presidentit serb Vuçiç dhe mbështetja e jashtëzakoneshme, që ai pati për këtë nga Kremlini dhe nga institucionet e specializuara ruse, si dhe entusiazmi shtetëror dhe propagandistike rus për fitoren e tij elektorale, janë në planin diplomatik momente për t’u ndalur dhe për të analizuar efektet përkatëse dypalëshe, rajonale dhe europiane.

Janë momente, që kërkojnë një reflektim më realist nga diplomacia europiane dhe perëndimore për qendrimet e tyre ndaj presidentit Vuçiç dhe ndaj Serbisë. Është për të ardhur keq që ka pasur dhe vazhdon të ketë iluzione për presidentin serb dhe për Serbinë në disa segmente të diplomacisë perëndimore.

Janë iluzione të vjetra dhe të dështuara, të cilat disa segmente të diplomacisë europiane dhe perëndimore i kanë pasur si shabllone vlerësimi edhe për presidentin serb Koshtunica, edhe për presidentin serb Boris Tadiç, madje edhe për presidentin serb Nikoliç, i cili deklaronte se Serbia më mirë të jetë provincë e Rusisë se sa anëtare e BE dhe në 2014 përshëndeti aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Këto iluzione çuditërisht vazhduan edhe pasi Serbia refuzoi të bashkohej me sanksionet e BE në rastin e agresionit të parë rus në Ukrainë në 214 dhe nuk e dënoi atë agresion. Nga 2014 deri në 2022 Rusia vërshoi një lumë armatimesh moderne ruse në Serbi, duke krijuar një makinë gjigande ushtarake si rrezik për rajonin, dhe Serbia ka zhvilluar çdo vit manovra të përbashkëta ushtarake në territorin serb me forcat desantuese ruse.

Serbia ka provokuar tensione të përmuajshme dhe provokime për konflikt ushtarak ndaj Kosovës, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovins, Kroacisë,etj.
Në agresionin e tanishëm të Rusisë kundër Ukrainës presidenti Vuçiç jo vetëm refuzoi sanksionet e BE dhe nuk e ka dënuar kurrë Rusinë me emër si agresore, por çdo ditë ka sulmuar NATO-n dhe vendet e NATO-s për ndërhyrjen e tyre humanitare në Serbi në vitin 1999.

Vuçiç ka sfiduar gjithë këto ditë BE-në, NATO-n, shtetet ballkanike viktima të agresioneve serbe dhe gjithë botën demokratike, duke e quajur të “pafajshëm” diktatorin kriminel ndërkombëtar lufte Millosheviç dhe “të pafajshme” politikën kriminale të qeverisë së Millosheviçit dhe Vuçiçit, sepse presidenti i tanishëm serb ka qenë ministër dhe ka miratuar agresionet e Serbisë.

Në kohën e agresionit rus në Ukrainë, ndërsa Europa dhe Perëndimi dënojnë çdo ditë agresionin dhe masakrat ruse, Vuçiçi siç shkruante në 4 prill gazeta ruse “Vzgljad”: “presidenti i Serbisë çdo ditë flet për rëndësinë e lidhjeve serbo-ruse”. Ndaj Rusia, Kremlini dhe propaganda ruse, e vlerësuan kaq lart rizgjedhjen e Vuçiçit si fitore e Rusisë. Ndaj mediat ruse e cilësuan si fitore e Putinit apo si zgjedhje e Putinit, sepse janë të sigurt për vasalitetin e presidentit serb.

Përballë një realiteti të tillë është vërtet e pakuptueshme dhe janë tepër të dëmshme iluzionet, që ekzistojnë edhe këto ditë në disa segmente të diplomacisë europiane dhe perëndimore për presidentin filorus të Serbisë. Është jashtë kohe edhe jashtë logjike deklarata e një diplomati të lartë perëndimor në 4 prill se “Serbia në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB ka dënuar invazionin rus dhe ky është një ndryshim sizmik”.

Ta quash miopi diplomatike është pak. Nuk po përsëris atë, që thashë me lart se Serbia dhe presidenti i saj nuk e kanë dënuar asnjëherë dhe askund me emër Rusinë si agresore, por vetëm u bashkuan me votën e 141 shteteve në OKB, ku as përfaqësuesit e Serbisë në OKB nuk e dënuan kurrë me emër Rusinë.

Për të qenë indulgjent duhet thënë se disa segmente të diplomacisë europiane dhe perëndimore nuk e njohin sa duhet dhe si duhet Serbinë. Është vërtet për t’u habitur se si, edhe pas një dështimi katastrofik të politikës europiane dhe perëndimore të indulgjencave ndaj Serbisë gjatë 22 vitet e fundit nga largimi i Millosheviçit, ende ka diplomatë dhe segmente diplomacie, që shpresojnë se me miklimet e pabaza ndaj Vuçiçit do të bëjnë që Serbia të largohet nga Rusia dhe të shkojë te Perëndimi.

Kjo don të thotë që, mirë nuk njohin Serbinë, por duket nuk njohin mirë as Rusinë, përderisa mendojnë se Rusia do t’ua lëshojë Serbinë. Gazeta ruse “Komsomolskaja Pravda” paralajmëronte në 4 prill se “Vuçiç e kupton se në kushtet e dashurisë totale të serbëve për Rusinë çdo hap i tij drejt Perëndimit do të ishte vetëvrasje politike”.

Fitorja elektorale e presidentit serb Vuçiç dhe mbështetja e fuqishme ruse për rizgjedhjen e tij duhet të konsiderohet edhe nga diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë. Duhet shqyrtuar me vëmendje, sepse rrethana e re e agresionit rus në Ukrainë pritet të ketë pasoja negative në rajon.

Duhet pritur një çvendosje në Ballkan e qendrës së përplasjes gjeopolitike midis Rusisë dhe NATO-s pas agresionit rus në Ukrainë. Rusia pritet ta realizojë këtë nëpërmjet nxitjes së Serbisë për provokimin e konflikteve dhe të destabilitetit në rajon. Shumica e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë perëndimorë kanë paralajmëruar se pas Ukrainës qendra e tensioneve usharake parashikohet Ballkani. Presidenti Vuçiç është treguar një ushtar i bindur i interesave ruse në Ballkan dhe i makroambicjes së presidentit Putin për akaparimin e sferave të reja të influencës në Ballkan.

Jo rastësisht diplomacia dhe propaganda ndërkombëtare ruse po qarkullojnë shumë kohët e fundit konceptin e “kampit socialist”. Jo rastësisht “Komsomolskaja Pravda” në 4 prill theksonte se në dy shtete të ish-kampit socialist, Hungari dhe Serbi, u zhvilluan zgjedhje. Duke pasur parasysh që u rizgjodhën dy udhëheqës filorusë, domethënia ruse e këtij koncepti është që shtetet e ish-kampit socialist duhet të kthehen në gjirin e Moskës si dikur kur ekzistonte kampi socialist.

Shqipëria është e detyruar të bëjë një rivlerësim të marrëdhënieve të saj dypalëshe me Serbinë në dritën e pasojave në Ballkan të agresionit rus në Ukrainë. Në rradhë të parë duhet të nxjerrë mësime nga agresiviteti i ri i presidentit serb ndaj Kosovës, agresivitet i ushqyer nga invazioni rus në Ukrainë. Presidenti Vuçiç duket tepër i inkurajuar nga metoda ruse e Donbasit dhe ka dhënë shenja të qarta se mund të përpiqet që ta zbatojë atë në Veriun e Kosovës.

Ndërhyrja aneksioniste ushtarake ruse ka nxitur qarqet nacionaliste të kërkojnë që Serbia të anojë tani më shumë nga zgjidhja ushtarake se sa nga zgjidhja diplomatike e çeshtjes së normalizimit të marrëdhënieve të saj me Kosovën. Presidenti Vuçiç deklaroi para disa ditësh se dialogu Serbi-Kosovë në Bruksel i ndërmjetësuar nga BE nuk vlen më.

Shqipëria duhet të reflektojë për rrethanat e reja të agresivitetit serb dhe rus në Ballkan, jashtë objektivit të të cilave nuk është as Shqipëria. Vërtetë Rusisë dhe Serbisë i interesojnë në plan të parë konfiktet në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë, por një objektiv qendror ruso-serb mbeten konfliktet me shtetet e NATO-s në rajon. Dhe një konflikt serb me Kroacinë apo me Malin e Zi automatikisht do të implikonte direkt edhe Shqipërinë. Ndaj Tirana duhet të marrë urgjentisht masat e duhura politike, ekonomike dhe ushtarake për t’u dalë përpara të papriturave të aventurave të mundëshme serbe kundër Kosovës dhe kundër aleatëve tanë atlantikë në rajon.

Në rrethanat e tanishme bëhet edhe më e nevojshme që Shqipëria të forcojë sa më shumë marrëdhëniet e gjithëanëshme me shtetet anëtare të NATO-s në rajon, qoftë në perëndim të Ballkanit, si Kroacia dhe Mali i Zi, qoftë në lindje të Ballanit si Bullgaria dhe Rumania.

Rrethanat e tanishme ndërkombëtare diktojnë syçeltësi të madhe ndaj politikës serbe në planin dypalësh dhe rajonal, dhe një shkëputje urgjente nga mikrogrupi i krijuar dhe i drejtuar nga Serbia “Ballkan i hapur”, që sanksionon hegjemoninë serbe dhe influencën ruse në Ballkanin Perëndimor. Një Serbi filoruse dhe antishqiptare nuk mund t’i ofrojë tjetër Shqipërisë veçse varësinë nga Beogradi.

Zgjedhjet në Serbi i ka fituar Putini. Kjo është pikënisja nga duhet të niset çdo rivlerësim i politikës serbe dhe i presidentit serb nga diplomacia dhe nga qeveria e Shqipërisë. Lëreni kozmopolitizmin për leximet e fundjavës, sepse kozmopolitizmi është vetëvrasës për shtetet e vogla./gazeta dita

 

Please follow and like us: