KRYQI I KISHËS LABOVËS, NJË MISTER QË PO KTHEHET NË MIT!
KRYQI I KISHËS LABOVËS, NJË MISTER QË PO KTHEHET NË MIT! – i dha emrin dhe e bëri të famshëm fshatin –
Koço Mosko, Boston, MA – SHBA
Në legjendat dhe mitet e popujve europianë shtogu përshkuhet hera-herës si një bimë mërzie dhe e neveritshme. Diku respektohet si një bimë e shenjtë ku rrinë Hyjneshat e Zanat, diku vend ku rrinë shtrigat e diku si bimë për t’i mbajtur larg shtrigat dhe të keqen. Në periudhën Para-Kristjane nga europianët shtogu konsiderohesh një bimë e shenjtë. Shtogjet mboheshin, ata mund të priteshin në qoftëse do të përdoreshin për mjekësi ose si hajmali, por së pari duhej të mirrje pëlqimin e Zanave duke ju lutur me zë:
“ Zonja Ellhorn, më jep mua ca nga druri tënd
Dhe une do të ta jap nga imi, kur ai të rritet në pyll”
Periudha e “mjaltit” e shtogut me njeriun përfundoi me lindjen e Kristjanizmit. Në këtë periudhë disa e quajtën “Druri Judës”, sepse Juda që tradhtoi Krishtin, thuhet se është varur në një degë të tij. Thuhet gjithashtu, se dhe Kryqi i Kalvarit, ku u kryqëzua Krishti, ishte nga dru shtogu, prandaj ka mbetur një pemë që vuan, i kërrusur e duket sikur zvarritet. Gojëdhënat thonë se që nga koha kur Krishti u mbërthye të krishterët e braktisën bimën e shtogut. Kjo është pasqyruar e përshkruhet në shumë shkrime e krijime të autorëve të Mesjetës, që nga Shekspiri e deri në anonimatë të shumtë. Në njërën prej këtyre krijimeve anonimë thuhet:
Pemë mërzie, pemë mërzie,
E shtrëmbëruar keqas!
Asnjëherë e drejtë dhe e fortë,
Mbete kaçube, e kurrë pemë,
Që kur Zoti ynë u kryqëzua tek ty.
Ndërsa Shekspiri, në shkrimet e tij për shtogun, ka thënë:
“Lere shtogun e qelbur të vuajë,
të shpleksi degët nga rrënjët e kalbura”.
Në Bibël nuk specifikohet me çfar druri ishte bërë Kryqi ku u kryqëzua Krishti, kjo është subjekt mosmarveshjesh e debatesh midis historianëve, botanistëve dhe studjuesve të Biblës.Nuk ka të dhëna të mjaftueshme e bindëse, deri tani, për llojin e drurit të Kryqit Kalvarit.
Të jetë bërë vallë nga druri shtogut Kryqi ku u kryqëzua Krishti!? Në Kishën e Labovës Kryqit, “Shën Mari”, ruhej një Kryq i cili brenda tij kishte një ashkël druri nga Kryqi Kalvarit, ndërkohë në vitin 1989 Kryqi u vodh. Fshatarët thonë se u dërgua jashtë Shqipërisë[7]. Vlerën më të madhe ky Kryq do ta kishte si relike 1500 vjeçare por, edhe për drurin që kishte brenda. Nuk mendoj se ai Kryq mund të ruhesh e të ekspozohesh në këtë Kishë por, një kopje origjinale e tij do të shërbente më së miri. Nje kopje që ndodhet sot aty, thuhet se nuk dihet se sa i shëmbëllen origjinalit, ose disa shprehen se është një kopje e keqe e tij.
Kryqi Kishës Labovës së Kryqit
Historia e Kryqit të Labovës, sipas historisë kishtare, zë fill në vitin 326 Pas Krishtit, kur Shën Elena, nëna e Kostandinit të Madh të Bizantit, kërkoi në Jeruzalem Kryqin ku ish kryqëzuar Krishti. Nga kërkimet e shumta, Ajo gjeti tre kryqe për të cilit dyshonte. Kryqi i vërtetë i kryqëzimit të Krishtit u përcaktua në bazë të një prove: kur e kontaktuan Kryqin me një grua që po vdiste, ajo u ngjall.
Ky Kryq u nda në dy pjesë, një pjese mbeti në Jeruzalem dhe pjesa tjetër u dërgua në Konstandinopojë. Ashkëla ose copa druri nga ky Kryq u shpërndanë të vendosur brenda kryqeve për kishat si dhe në kryqet për bizhuteri. Një nga studjuesit shqiptarë që pjesën më të madhe të jetës së tij ja kushtoi Kishës së Labovës së Kryqit, Gazmend Muka (1964-2012), ka shkruar se sipas shumë burimeve në prill të vitit 559 Shpatari i Parë i Perandorit Justinian të Bizantit, Kostandin Shpatari nga Labova, pruri për fshatin e tij një Kryq ku kishte brenda një ashkël nga druri Kryqit ku u kryqëzua Krishti, pra nga Kryqi që gjeti Shen Elena në Jeruzalem. Kryqi u shoqërua për në fshatin Labovë edhe nga një ekskortë e madhe kishtare, ne përbërje të saj ishin dhe tre klerikë të lartë. Ne Labovë thuhet se me këtë rast u organizua një feste e madhe që zgjati tri dite. Kjo tradite ka ardhur deri në ditët tona. Që atëhere fshati Labovë mori emërin Labova e Kryqit.
Prof. Gazmendi shkruan se në studimin e tij është munduar të deshifrojë ornamentet dhe gdhëndjet mbi këtë kryq nga disa fotografi jo dhe shumë profesjonale si dhe të marri dëshmitë e banorëve të fshatit që e kishin mabajtur. Nga dëshmitë e mbledhura nga banorët ai shkruan:
Nga të dhënat për Kryqin “… del se brenda ndodhej një kuti druri e punuar hollë dhe e vendosur në zemër të tij. Brenda kësaj kutie të vogël konservohej një copë druri (lisi, nga burimet del se ishte rreth 152 gram).
Pak më lart po aty ai përshkruan:
“Krahas saj në pjesën e poshtme të kolonës mbajtëse të Kryqit të Labovës njohim një motiv të përsëritur, të krijuar nga një petale luleje e hapur dhe lëshuar poshtë. Referenca të dukshme të këtij motivi gjejmë dhe në bazamente kolonash në vendin tonë, të cilat i përkasin periudhës bizantine të hershme. Në bazamentin e Kryqit të Labovës e figuruar si një kupë e përmbysur, njohim një ornamentikë të pasur ku inserohen imazhi i kerubinëve, kantarit si burim i jetës dhe motivet floreale trefletëshe si simbole të trinitetit”.
Autori bazohet në dëshmitë e banorëve kur thotë se druri brenda Kryqit ishte lis, por ka edhe shumë dëshmi, gojdhëna e të dhëna të tjera për llojin e drurit të Kryqit ku u kryqëzua Krishti. Unë nuk besoj se Kryqi Kalvarit ishte nga dru shtogu, pasi nuk ështe i përshtatshëm.Ka dhe autorë që thonë se në atë kohë nuk kishte shtogje në Jeruzalem. Përshkrimet që i bëhen gdhëndjeve mbi këtë kryq, edhe pse të vështira për ti saktësuar nga një fotografi si, “tri fletëshi” dhe veçanërisht “lulja e varur poshtë”, janë karakteristike edhe për bimën e shtogut.
Gjethet e shtogut janë të vendosura në mënyrë simetrike në një degëz në formë pendore që mban 5-10 gjethe por, nga punuesit e kryqit mund të jenë marrë vetëm tre gjethet e majës së degëzës për të na shprehur trinitetin.
Per llojin e drurit të Kryqit ku u kryqëzua Krishti ka shumë enigma: Në se Shën Elena vërtet e ka gjetur Kryqin e Vërtetë ku u kryqëzua Krishti??. Disa ashkëla që janë ruajtur deri në ditët e sotme nga kryqet e shumtë që u shpërndanë në atë periudhë janë mbyllur në xhama dhe janë të pa prekëshme, por dhe në se diku janë bërë analiza mikroskopike ato kanë nxjerë dhe bimë të tjera si: ullirin, pishën, etj. Nuk dihet në se ashkëlat e analizuara burojnë nga Kryqi që gjeti Shën Elena, apo janë fallco.
Lidhur me këte një pastor Protestant, John Calvin(1509-1564), me që shpërndarja e ashkëlave nga Kryqi Kalvarit ishte në modë tha: se të gjitha ashkelat e shpërndara po të mblidheshin së bashku, do të mbushej një anije e madhe. Teologët ju përgjigjën, se ai Kryq kishte aftësinë të shumohej për aq sa nevojë do të kishin njerëzit.
Këtu mund të fshihet misteri e vlera e Kryqit të Labovës. Llogjika të thotë se Kostandini, Shpatari i parë i Perandorit Justinian si njeri me influencë, ashkëlën për Kryqin e Kishës së fshatit të tij duhet ta ketë marrë nga Kryqi origjinal që gjeti Shën Elena. Analizat në laborator të kësaj ashkële për studjuesit mendoj se do të zbardhte shumë enigma mbi drurin e Kryqit të Kalvarit.
Për banorët e fshatit Labove dhe fshatrave për rreth, ky Kryq për 1430 vjet ka qenë Kryq i mrekullirave, çudibërës dhe qetësues. Kush ishte i sëmurë e mirrte në shtëpi dhe vendoste poshtë jastëkut, nëqoftëse Kryqi kërciste tri herë i sëmuri përmiresohej. Jo vetëm kaq por Kryqi përdoresh dhe në fatkeqësi natyrore si përmbytje,etj. sidhe për të ndalur epifititë në bimët bujqësore dhe epidemitë e ndryshme në njerëz e kafshë.
Për dëmtimet nga epifititë e vrugut të hardhisë që u çfaqën në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, apo për invazionet nga karkalecat organizoheshin proçesjone fetare. Proçesjone të tilla fetare në fshatin Labove dhe fshatrat rreth tij mbahen mend se janë kryer deri ne mesin e viteve 30-të të shekullit që kaloi për dëmtimet katastrofike të bimëve nga invazionet e karkalecëve. Këto proçesjone fetare gjat Mesjetës ishin të zakonshme në Evropë. Mund të përmendim këtu ato që organizoheshin në Francë për dëmet katastrofike që i sillnin sëmundjet e ndryshqeve kulturës së grurit.
Gjat periudhës se diktaturës kur në vitin 1967 u shkatëruan të gjitha Kultet fetare, ky Kryq u fsheh dhe u ruajt nga banoret e fshatit. Ndërsa zhdukja e Kryqit 1450 vjeçar në vitin 1989 është një mister, tashmë është kthyer në një mit për banorët.
Këto 33 vjet ata mblidhen dhe festojnë çdo 8 shtator, Festën e Shën Marisë, ose “Diten e Kryqit” ashtu siç kanë bërë 1500 vjet, pa Kryqin që i dha emërin dhe famën fshatit të tyre që tashmë përbën një antraksjon turistik për vizitorët e shumtë nga e gjithë bota.
Për banorët e fshatit Labovë dhe shqiptarët në tërësi, pak rëndësi ka se çfar druri ishte brenda Kryqit, e rëndësishme për ta është se protogonistët e kësaj historie që nga Kostandini i Madh, Shën Elena, Justiniani Madh, Kostandin Shpatari e ndoshta dhe ai që e bëri kryqin, nuk janë personazhe mitikë, por janë personazhe realë historikë, shqiptarë: arbër dardanë dhe epiriotë. Kjo histori është tërësisht iliro-shqiptare, ndaj dhe Kryqi 1500 vjeçar i Labovës e ka vendin në Kishën e Labovës apo Muzeun Kombëtar për të dëshmuar historinë tonë të lashtë.