Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Demiraj: Armatosja e Serbisë, si alarm për Shqipërinë dhe Kosovën

Që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe sidomos në momentin kur dy javët e fundit e gjithë bota po përjeton me optimizëm mposhtjen e ushtrisë ruse në tre frontet, kemi patur gjithmonë e më pak reagime nga Beogradi zyrtar. Është e sigurtë se kjo humbje që në fakt ka befasuar shumë ekspertë ndërkombëtarë, po përjetohet me shumë ankth në Serbi.

Humbja e “vëllait të madh” ka bërë që shumë lider “pacifistë” të Serbisë që nga presidenti Vuçiç, Ministri i Mbrojtjes Stefanoviç, Ministri i Brendshëm Vulin dhe Daçiç të ulin tonet dhe kërcënimet sa i përket mbrojtjes së komuniteteve serbe, që në fakt asnjëherë nuk janë kërcënuar nga askush në rajon.

Por kjo farsë, nuk ka ndaluar procesin e armatosjes së Serbisë. Këtë fundjavë gjashtë avionë kinezë të forcave ajrore transportuan mjetet e fundit moderne për mbrojtjen kundërajrore të blera në Kinë nga Serbia.

Rritja e kërcënimeve rajonale, armatosja e vazhdueshme, mungesa e distancimit dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë në një kohë që e gjithë bota po i zbaton ato, thirrja e vazhdueshme e SHBA dhe BE që edhe Serbia t’i zbatojë, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Prokurimi, dërgimi dhe së shpejti instalimi i raketave kundërajrore me rreze të mesme kineze HQ-22, blerja e mjeteve të tjera të sulmit, asistenca ushtarake dhe me inteligjencë të vazhdueshme nga Rusia ndërkohë që Serbia pretendon statusin e vendit neutral, përbëjnë një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën.

Sistemi kundërajror HQ-22 është një sistem raketor modern prodhim i fundit, i cili ka një rreze veprimi 50 m deri në 27 km lartësi, rreze efektive deri ne 170 km dhe raketa me peshë 180 kg. Ky sistem është i njëjtë me sistemin KA rus S-300.

Që nga viti 2020 dhe në vazhdim, zyrtarët e DASH-it e kanë paralajmëruar Beogradin kundër blerjes së sistemeve anti-ajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3, por edhe për blerje të tjera armatimesh ofensive.
Tashmë është e qartë për të gjithë diplomatët perëndimorë se Serbia nuk dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, por ajo thjesht shfrytëzon ndihmat e tyre financiare pasi orientimi i tyre është krejtësisht anti-euroatlantik.

Si përfundim, këto zhvillime duhet te shihen me përgjegjësi nga qeveritë tona sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë që të vazhdojë me tej investimi në infrastrukturën e sigurisë kombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve operacionale të forcave tona të armatosura.

Please follow and like us: