Ismail Xhaferi: Gjithçka digjet…
Digjen yjet nëpër net,
digjen ëndrrat brenda gjirit.
Digjet shpirti Shën Marisë,
porsi flaka e qiririt…
Digjet hëna ngjyrë argjendi:
diku fshehur pas një mali.
Digjet buza e një vajze,
digjet buza e një djali.
Digjet burri për një grua,
ndaj ca letra shpesh i nis.
Mbi pëllëmbën e një lisi,
digjet gjethja e hardhisë.
Digjet vjeshta e bekuar
dhe vërtit gjethet në erë.
Digjet rrushi nëpër vreshta,
mezi pret të bëhet verë.
Digjet shpirti I një vajze,
që nuk vuri dot kurorë.
Digjet zemra për një zemër,
digjet, bëhet si dëborë.
Digjet malli brenda nesh,
digjet bari në korie.
Digjet zemra e një nëne,
për njëmij’ e një arsye.
Digjen yjet nëpër net,
digjen ëndrrat brenda gjirit.
Digjet shpirti Shën Marisë,
porsi flaka e qiririt…
Please follow and like us: