Loja bizantine filoserbe e Bashkimit Europian me sanksionet antiruse, shahu diplomatik që u luajt në prapaskenë
Nga Shaban Murati
Shumëkush brenda dhe jashtë BE në Europë u shtang kur mësoi në 8 prill nga agjencia shtetërore serbe e lajme, “Tanjug”, se BE e përjashtoi Serbinë nga sanksionet e vendosura për importet e saj të naftës ruse. BE thyente vetë paketën e sanksioneve të vendosura prej saj në 14 mars kundër Rusisë, ku në listën e zezë u përfshi edhe kompania e madhe shtetërore ruse “Gazprom Neft”, e cila furnizon me naftë Serbinë.
Kur u shpall nga BE paketa e sanksioneve kundër Rusisë dhe në listën e zezë hyri edhe kompania ruse e naftës “Gazprom Neft”, Kroacia, e cila operon naftësjellësin Adriatik, që transmeton naftën ruse për Serbinë, njoftoi zyrtarisht Beogradin se pas 15 majit 2022 ajo do të ndërpriste furnizimin e e Serbisë me naftën ruse, në zbatim të vendimit të Brukselit për sanksione ndaj kompanisë ruse “Gazprom Neft”.
Sanksionet për naftën ruse krijuan një gjendje traumatike në Beograd dhe këtë e pohoi publikisht presidenti Vuçiç, i cili i alarmuar nisi kosultimet me qeverinë ruse për të gjetur rrugëdalje nga bllokimi prej sanksioneve. Presidenti Vuçiç deklaroi se Serbia si alternativë planifikon ta marrë tani naftën nga porti i Durrësit, duke krijuar disa dyshime për këtë zgjidhje të re nga një shtet i NATO-s si Shqipëria, e cila është bashkuar me sanksionet antiruse të BE.
Ndërkaq lobi filoserb brenda BE nisi të lëvizë në prapaskenë dhe siç pohoi në 14 mars zëdhënësi i BE, Peter Stano, bisedime të fshehta nisën midis Komisionit Europian dhe qeverisë së Serbisë, me sa duket për të gjetur modalitetet e një salvaxhenti për Serbinë. Dhe zgjidhja flagrante erdhi nga Komisioni Europian, pra nga qeveria e BE, i cili vendosi në 8 prill të shkelë sansionet e veta antiruse dhe ta përjashtojë Serbinë nga sanksionet.
Serbia tani është e lirë të furnizohet me naftën ruse nga kompania ruse, e cila formalisht është nën sanksione nga BE. Ndaj ministrja serbe e energjitikës Zorana Mihajlloviç u shpreh në 8 prill se “është lajm i mirë që Serbia u përjashtua nga paketa e sanksioneve të BE ndaj Rusisë, që do të thote se furnizimi ynë me naftën ruse përmes naftësjellësit “Adriatik” do të vazhdojë edhe pas 15 majit”.
BE për hatër të Sebisë ndërmori një ndryshim të bujshëm qendrimi politik, diplomatik, energjitik dhe strategjk, gjë që me pazakonshmërinë e vet vuri në mëdyshje shumë qarqe diplomatike dhe mediatike lidhur me korrektësinë e BE ndaj mbështetjes reale europiane për Ukrainën.
Karakteri flagrant i shembullit negativ të thyerjes së sanksioneve nga vetë BE, detyroi diplomacinë europiane të tentonte ndonjë argument për këtë shkelje të madhe. Në funksion të kësaj Komisioni Europian zgjodhi qëllimisht datën 8 prill për heqjen e sanksioneve për naftën ruse të Serbisë, të nesërmen e votimit në 7 prill në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB, ku Serbia bashkoi votën e saj me 95 shtete të tjera për përjashtimin e Rusisë nga ai Këshill.
Shpjegimi i diplomacisë së BE ishte se lëshimi i madh, që iu bë Beogradit me shkeljen e sanksioneve, ishte shpërblim pse Serbia dha votën e saj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për përjashtimin e Rusisë. Duket tepër naive të besosh se për votën e Serbisë në OKB u thyen sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Bëhet tepër e vështirë të besohet që BE vendosi ta komprometojë veten dhe të thyeje sanksionet, duke shkelur politikën e mbështetjes diplomatike dhe publike të dhënë Ukrainës.
Për sqarim të lexuesit duhet thënë se votën e përjashtimit të Rusisë e dhanë të gjitha shtetet ballkanike dhe asnjë prej tyre nuk mori qoftë dhe një “faleminderit” nga BE. Duhet thënë se përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB nuk ka asnjë vlerë dhe asnjë efekt për Rusinë. Duhet thënë se edhe pa votën e Serbisë Rusia do të përjashtohej.
Nuk mund të mos shtrohet pyetja se përse kjo vetësakrificë e madhe e Komisionit Europian për Serbinë filoruse dhe pse dikush në Bruksel e hiperbolizoi kaq shumë vetëm votën e Serbisë, sa që i dha si çmim aktin e thyerjes së sanksioneve antiruse nga vetë BE.
Një shah diplomatik u luajt në prapaskenë: Në datën 6 prill presidenti i Rusisë Putin, që po udhëheq një agresioni masiv ushtarak rus kundër Ukrainës dhe që ka një mijë e një telashe në kokë, gjen kohë dhe flet në telefon me presidentin e një mikroshteti si Serbia, i cili i kërkon leje që të abstenojë në votimin e nesërm në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Sipas burimeve mediatike ruse, presidenti Putin i jep lejen me kushtin që t’i kërkojë BE në shkëmbim diçka më të madhe, që i duhet edhe Rusisë si heqja e sanksioneve për importimin e naftës ruse.
Kur Serbia votoi në 7 prill për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli, diplomacia dhe propaganda ruse shprehën njëzëri mirkuptim për qendrimin e saj. Fitorja diplomatike ruso-serbe erdhi në 8 prill kur Komisioni Europian, i entusiazmuar nga vota e Serbisë, vendosi heqjen e sanksioneve për importet e naftës ruse në Serbi.
Në fakt çeshtja del më e komplikuar dhe shahu diplomatik nuk mbaron këtu. Agjencia proqeveritare ruse e lajmeve “Regnum.ru” analizonte në 8 prill heqjen e sanksioneve të BE për importet e naftës ruse në Serbi dhe theksonte se “presidenti i Serbisë Vuçiç ia arriti kësaj me ndihmën e udhëheqjes së BE dhe të Francës”. Pra del që Franca ka qenë protagonistja e marrjes së vendimit të Komisionit Europian për thyerjen e sanksioneve antiruse të naftës për Serbinë.
Padyshim Franca nuk e ndërmori kot këtë veprim, që e komprometon BE-në në shkallë europiane për shkeljen e sanksioneve, shkelje që dëmton interesat e popullit ukrainas në luftën kundër agresionit rus. Se çfarë fshihet në të vërtetë prapa lëvizjes franceze u sqarua nga deklarata e presidentit serb, i cili njoftoi në 9 prill se Serbia do të blejë nga Franca 12 avionë gjuajtës të rij të tipit “Rafale” dhe 12 avionë gjuajtës të përdorur të të njejtit tip, me një vlerë që sipas mediave serbe shkon në 1,5-2 miliard dollarë.
Diplomacia e votimit, e naftës, e luftës dhe e industrisë së armëve ndërthuren njera me tjetrën dhe ndihmojnë për të kuptuar përmbajtjen dhe sofistikimin e menexhimit të strukturave dhe të mekanizmave diplomatike të BE.
Vendimi i BE për thyerjen e sanksioneve për importin e naftës ruse nga Serbia ka dy aspekte.
Aspekti i parë është që i bëhet lëshim Serbisë në një kohë që ajo është i vetmi shtet europian, që ka refuzuar sanksionet antiruse të BE. Serbia është shtet kandidat i BE, por i ka refuzuar sanksionet kundër Rusisë edhe në vitin 2014 kur u zhvillua agresioni i parë rus në Ukrainë dhe Rusia aneksoi me dhunë Krimenë. I refuzon me vendosmëri edhe tani.
As në rastin e parë dhe as tani në rasti e dytë BE nuk ka ndërmarrë asnjë penalitet për Serbinë refuzuese ndaj politikës së jashtëme të BE. Paradoksi është që Brukseli e shpërblen Serbinë, duke i hequr ndalimin e importit të naftës ruse. Përrallat, që po hidhen nëpër tavolinat diplomatike dhe mediatike nga grupet filoserbe të diplomacisë së BE se Serbia ka ndërmarrë hapa të mëdha proeuropiane si votimi në OKB në 7 prill i përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, janë pa domethënie reale diplomatike apo politike.
Prirja filoserbe në disa qarqe të diplomacisë europiane arrin deri në kuotën skandaloze, ku po hedh tezat idiote se Serbia po kthehet nga perëndimi me këto hapat e fundit në OKB. Kemi një përpjekje të mjerë diplomatike për të përligjur qendrimin e papranueshëm filoserb të disa qarqeve në diplomacinë europiane dhe perëndimore, të cilat po vazhdojnë të autosugjestionojnë veten se me lëshime të paprincipta do ta largojnë Serbinë nga lidhja strategjike me Rusinë.
Aspekti i dytë, që është akoma më i rëndë, lidhet me faktin se BE, duke thyer sanksionet e veta për importet e naftës ruse në Serbi, në realitet po i shërben më shumë Rusisë se sa Serbisë. Sepse nafta që importon Serbia është e Rusisë dhe kompania që e furnizon është “Gazprom Neft” i Rusisë, pra beneficiari është Rusia. Defacto i hiqet sanksioni kompanisë ruse “Gazprom Neft”.
E bukura është se industria serbe e naftës, që e merr dhe e përpunon naftën ruse në Serbi, është pronë e kompanisë ruse “Gazprom”. Kështu që përfitues direkt i vendimit të 8 prillit të BE për thyerjen e sanksioneve të veta, është Rusia dhe kompania e saj shtetërore “Gazprom Neft”, të cilët shtojnë lumin e fitimeve dhe në mënyrë direkte ndihmojnë financimin e agresionit rus në Ukrainë.
Është e trishtueshme të dëgjosh deklaratën e drejtë të ministrit të jashtëm të Irlandës, Simon Coveney, i cili në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg në 11 prill deklaroi: “BE po shpenzon qindra miliona dollarë për importimin e naftës nga Rusia, gjë që sigurisht është kontribut në financimin e luftës në Ukrainë”.
Në planin formal BE ende nuk e ka ndaluar importin e naftës ruse për shtetet e saj, sepse ka kontradikta midis shteteve anëtare lidhur me këtë sanksion.
Thyerja e sanksioneve antiruse për Serbinë ka edhe një pasojë tjetër. “Gazprom Neft”, që ndodhet në listën e zezë të sanksioneve të BE, pas lejimit të importit të naftës ruse për Serbinë fare mirë mund ta përpunojë naftën e vet në industrinë e naftës të Serbisë, ku është pronar, dhe ta rieksportojë në shtetet e treta si “naftë serbe”. BE e din që menjëherë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve antiruse, brenda një muaji Rusia hapi dhe rregjistroi në Serbi si kompani serbe me emra serbe 323 kompani ruse.
Ky vërshim i kompanive të reja ruse, të rregjistruara në Serbi pas sanksioneve të BE, është strategjia e Moskës për neutralizimin e sanksioneve të BE. Çuditërisht nuk reagoi fare BE ndaj Beogradit për këtë shërbim të madh, që Serbia po i bënte Rusisë, duke i lejuar të krijojë në Serbi një ushtri kompanish ruse me emra serbë për thyerjen e sanksioneve nga territori serb.
BE ndërmori aktin e thyerjes së sanksioneve të veta për importin e naftës ruse në Serbi, në një kohë kur SHBA dhe Britania e Madhe vendosën embargon për naftën ruse. Në 7 prill Kongresi amerikan miratoi ligjin, që ndalon importet e naftës dhe të gazit nga Rusia. Kurse të nesërmen Komisioni Europian i BE i lejoi Rusisë të eksportonte naftë në Serbi.
Në situatën aktuale të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, kur diplomatë, strategjistë dhe analistë perëndimorë po prognozifikojnë se pas Ukrainës Rusia do ta çvendosë qendrën e përplasjes së saj gjeopolitike me NATO-n dhe me BE-në në Ballkan, stonon shumë heshtja e BE për garën e çmendur të armatimeve, që po zhvillon Serbia dhe presidenti serb. Serbia dhe presidenti serb Vuçiç po armatosen si përgatitje për fazën e pritëshme të përplasjes së re gjeopolitike në Ballkan dhe për rolin e Serbisë si një pladarm ushtarak i Rusisë.
Në datën 9 prill një flotilje prej gjashtë avionësh të mëdhej transporti të ushtrisë kineze zbarkoi në aeroportin e Beogradit për të sjellë sistemet e reja të komplekseve moderne kineze antiraketë. Është hera e parë që Kina bën një demostrim të tillë force me një flotilje ajrore ushtarake në Ballkan dhe Serbia është shteti i parë në Europë, që armatoset me komplekset moderne antiraketë të Kinës.
Natyrshëm lind pyetja se nga kaloi kjo flotilje ushtarako-ajrore që armatos Serbinë, në një kohë që Serbia është e rrethuar në të gjitha anët nga shtete anëtare të NATO-s. Nuk dihet nëse janë menduar dy herë qeveritë e shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE që i krijojnë lehtësi Serbisë të armatoset deri në dhëmbë.
Serbia është aleatja e vetme ushtarake e Rusisë në Ballkan dhe i vetmi shtet ballkanik, që ka nënshkruar Traktatin e Partneritetit Strategjik me Rusinë.
Serbia po armatoset çmendurisht për të realizuar hegjemoninë serbe në Ballkanin Perëndimor. Agjencia prestigjioze amerikane “Associeted Press” shkruante në 11 prill se “furnizimi me sistemet kineze antirakete për Serbinë, e cila është aleate e Rusisë, ndodh në një moment kur Perëndimi është i shqetësuar që armatimi i këtij shteti ballkanik në kohën e luftës në Ukrainë mund të prishë paqen e brishtë në rajon”.
Agjencia amerikane As.Press nënvizon se “armatimi kinez mund ta shtyjë Serbinë në një luftë të re, në rradhë të parë kundër ish-provincës së saj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008”. Kambanën e alarmit, që vjen nga SHBA për rrezikun e armatimit serb, nuk e dëgjojnë vetëm veshët e zënë me kufje serbe të disa zyrtarëve ballkanikë. Idiotët e dobishëm të Serbisë në kryqytetet ballkaniko-perëndimore, që kakarisin se Serbia po armatoset për paqen në Ballkan, nuk mund t’i quash dot as pacifistë të çmendur, sepse janë vetëm ushtarë të “botës serbe”.
Serbia nuk armatoset për të luftuar me Rusinë, me Kinën dhe as me Korenë e Veriut. Serbia armatoset kundër anëtarëve të NATO-s dhe të BE në Ballkan. Nuk dihet nëse në qarqet drejtuese të BE-së ekziston mendimi që shtetet ballkanike anëtare të NATO-s dhe të BE mund të sakrifikohen për hatër të Serbisë. Statusi preferencial, që BE i jep Serbisë, që nga sanksionet e deri tek armatosja, të zgjon kujtime të hidhura të shekullit 19-të dhe të shekullit 20, kur Serbia me ndihmën e Europës përgjaku Ballkanin.
Shpresojmë që dashuria dhe sakrifica e tanishme e BE për Serbinë të mos jetë ura ose alibia e një lidhje të vjetër europiane me Rusinë./gazeta dita