Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: SI DO TË SHKRUHET PËR FËMIJËT NË TË ARDHMEN?

 

 

Duke e lexuar, esenë tuaj, “Bota e fëmijërisê dhe arti” më lindi pyetja: A do shkruhen këtej e tutje letërsi për fëmijë me aq vlera dhe të bukura që i njohëm në brezin tonë?!

Kjo pyetje m’u bë nga një grua fisnike, por dhe një poete e angazhuar, e cila  jo vetëm krijon me seriozitet, por edhe perfshihet ne problematikat e sotme të letërsisë. Pyetja është thikë me dy presa. Sepse duhet folur duke u mbështetur në baza të shëndosha vlerësimi, e jo të shprehesh kuturu.

Në përgjigje të pyetjes së saj jam pak hezitues, nuk e di në kohën që jetojmë dhe në kohët që do vijnë, të mbarsura me kaq shumë teknologji, a do të shkruhen përsëri kryevepra të letërsisë për fëmijë, si dikur ne u rritëm me to. Dhe besoj se veprat më të bukura i kanë bërë nënat tona kur na përkundnin në djep dhe sajonin gjithfarsoj përrallash për të na vënë në gjumë të qetë e të lumtur. Një letërsi që do të vazhdojë të shkruhet, por asnjëherë me impaktin e dikurshëm. Ky është mendimi im. Pra, letërsi e bukur për fëmijë do bëhet përherë, por mbase nuk do të ketë më aq shumë pasion, fantazi e ëndrra në to, sikundër shkruhej njëqind vjet me parë. Bota atëherë ishte më e virgjër, fëmijët luanin lojërat e moshës, kishin shpirtin e zbulimit dhe të aventurës, dêshirën e madhe për të jetuar. Ndërsa sot, pjesa më e madhe e fëmijëve jeton në qendra të mëdha urbane, shpesh të izoluar dhe të vetmuar, shumë prej tyre janë kthyer në manjakë interneti dhe kanë filluar të humbin sensin e jetës reale. Për këtë arsye, edhe letërsia qe shkruhet për fëmijë vjen gjithnjë e duke u zbehur, nga prindër dhe krijues gjithnjë më të lodhur e të tensionuar, nga nje jetë kaotike dhe nevrotike, nga humbja e individualitetit dhe përfshirja e gllabërimi gjithnjë e më tepër nën tentakulat e globalizmit. Mbase e kam gabim, por ndjesia ime kjo është. Njerëzit kanë gjithnjë e me pak kohë për të lexuar, ka humbur ndjeshëm kontakti i drejtëpërdrejtë me libri, dhe pjesa më e madhe e leximit kryhet krejt rastësisht nëpërmjet celularit apo kompjuterit. Lexime të shpejta, si thithja e një cigareje, shpërqendrim, një mishmash klikimesh të ndryshme nëpër rrjetet sociale dhe gjithçka të hyn nga njëri vesh e të del nga veshi tjetër. Edhe ata që lexojnë ndopak, nuk i rikthehen dy herë të njëjtit libër. Askush s’mban mend më përmendësh një poezi, si dikur recitonim vargje të Dritëroit apo Kadaresë, për çdo padrejtësi që vrojtonim na vinin papritmas në mendje vargje nga Noli i madh apo thënie të arta nga Faik Konica. Po harrojmë Ndre Mjedën, Çajupin, Naim Frashëri, dhe pasardhësit tanë, aq të hutuar mbas jetës virtuale, as do të kujtohen më për ta, bile do t’i kenë harruar e fshirë përfundimisht nga kujtesa. Do të mbeten vetëm nëpër raftet e bibliotekave, si relike muzeale, si autorë e libra të kyçur me çelës dhe çelësi ka për të humbur nën pëlhurën e trishtë të harresës.

Fantazi të mrekullueshme si tregimet e Zhyl Vernit nuk do t’i bëjnë më përshtypje askujt, përrallat me fantashkencë, jo e jo, sepse po jetojmë edhe vetë më së fundi brenda fantashkencës. Përrallat me Qerosin e me Gishton do fillojnë të duken qesharake, nuk do të ketë më as fëmijë që do të besojnë në ardhjen e plakut të Vitit të Ri, me një thes lodrash mbi shpinë. Bota do të varfërohet gjithnjë e më shumë shpirtërisht, si rrjedhojë edhe letërsia që do të shkruhet.

Më e keqja është se edhe tek vetë fëmijët ka filluar të humb ndjesia e kërshërisë dhe naivitetit. Lindin me shkollë që në djep, kanë filluar të ankohen mjaft nga prindërit. Nuk i entuziazmon më jeta e gjallë, nuk e njohin fshatin, nuk njohin nga afër as mjaft nga kafshët shtēpiake që na rrethojnë, të cilat ishin burim frymëzimi për La Fontenin e mjaft poetë për të denoncuar dhe nxjerrë në pah veset dhe anët negative të njeriut dhe shoqërisë.

.
Please follow and like us: