Xhoi Jakaj: Për ty vajzë dhe grua!
Fati yt ndonjëherë në mendjen tënde…
Reago dhe vepro nëse je nën dhunë fizike apo psikologjike.
Neser është vonë sepse do kthehesh në statistikë si vrasëse ose në një shifër si grua e vrarë!
Para ca kohësh kam drejtuar një burg grash, ku shumica përfshiheshin në veper penale për shkak të dhunës nder vite…
Sa shumë gra kam dëgjuar dhe intervistuar për një libër që po e sjell në tregun e librit, e sa dhimbje, droje dhe pasiguri kam parë në sytë e tyre.
Ndoshta një grua shpesh e bind veten se unë kam lindur pa fat dhe për të vuajtuar, refren që tek të gjitha gratë e dënuara e hasje gjatë rrëfimit tyre prekës.
Në ditët e sotme të flasësh për të drejtat e grave është bërë një mënyrë e përditshme jetese saqë shpeshherë, duket sikur kemi fituar aq shumë imunitet ndaj këtyre teorive dhe nuk po risjellim asgjë të re në këtë aspekt për të mbrojtur një vajzë apo grua.
Çfarë ndodh në të vërtetë me gruan në ditët e sotme në shoqërinë tonë?
Flitet sikur kemi numër të madh me gra e vajza në televizione dhe botën politike, por shoqëria ende mbetet konservatore ndaj fenomenit e të qënit “grua”.
Dihet se, në vendin tonë “Mendësia dhe Kanuni ” vazhdon të ndikojë në mentalitetin social të popullit shqiptar e për hir të së vërtetës së madhe ky “Kanun ” është një pretekst për nënshtrim sepse askush nuk e respekton e as nuk e zbaton atë në ligjësitë e tij.
Gjithnjë ka një justifikim pas momentit që ndodh një krim, e në çdo rast kur në mes është një femër, gjendet një alibi false për të shpëtuar veten nga një veprim ç’njerëzor. Si psh ajo ishte e “përdalë” ka pasur një “histori me meshkuj të tjerë” ka qënë e martuar dhe nuk e pranoj për nuse djali, nuk më shërbeu si duhet, i ka ardhur një mesazh në telefon nga një i panjohur. Sa shumë krime janë kryer në vite, me nofkat e mësipërme!
Psikika e gruas kryesisht në zonat rurale në vendin tonë është e shtypur nga mashkulli i cili e “gënjeu”, e bëri skllave të tij, e shndërroi shpesh në personazh të dorës së dytë. Ku detyrë e saj është të punojë dhe të mbyll gojën, sepse burri është ai që drejton e kryeson në familje edhe kur nuk sjell të ardhura në shtëpi.
Edhe pse duket sikur jemi në rrugë të mbarë përsa i përket fitimit të të drejtave, rritjes së rolit dhe integrimit në jetën sociale, politike e ekonomike të grave e vajzave, për fatin tonë të mjerueshëm, ende vazhdon një persistencë e dhunimit fizik, psiqik ndaj saj, keqtrajtimet e ndryshme, deri në vrasje makabre, mbytje me duar ose mjete prerëse, apo rrahje nga ato më të çuditshmet të tipit horror e hedhje nga ballkoni.
Në kushte të tilla, shumë gra shtyhen drej kryerjes së krimeve të ndryshme, drejt atyre veprimeve që pothuajse asnjëra prej tyre nuk do t’ja kishte uruar kurrë dikujt tjetër që t’i ndodh në jetë.
Vendi ynë, fatkeqësisht ka një numër të konsideruashëm vajzash e grash, që nisur nga rrethana të ndryshme bëhen pjesë e kriminalitetit dhe një pjesë e tyre përfundojnë pas dyerve të hekurta të burgut.
Shqipëria ka vetëm një institucion të tillë për gratë, atë të “Ali Demit”, burgu i grave siç e njeh masa.
Të jetosh me kufizim të hapësirës, ku fjala jote nuk dëgjohet, ku gabimi dhe faji rëndojnë mbi shpirtin e një femre është një vdekje për së gjalli për shumë nga gratë e vajzat që vuajnë burgosjen.
Një grua e cila përfundon në prangat e ligjit të ftohtë mbart me vete edhe pendimin e saj dhe sfida e madhe për ato është të kthehen në të pranueshme lehtësisht në shoqëri pas lirimit të tyre, gjë e cila mbetet gati mision tepër i vështirë!
Para se gratë të përfundojnë në të vrara ose vrasëse, institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe shoqëria civile, duhet të punojë për të rritur ndërgjegjësimin e grave për të drejtat që ato gëzojnë, sidomos kur kemi një shoqëri maskiliste dhe ku të drejtat e grave shtypen e privatizohen nga burrat.
Gratë duhet të arsimohen e punësohen që ekonomia e tyre t’i lejojë ato të gëzojnë të drejta. Por e një rëndësie të veçantë mbetet edhe edukimi i djemve në mënyrë permanente që gradualisht të largohen nga maskilizmat, shtypjet e paragjykimet mbi vajzat dhe gratë e t’i trajtojnë ato me atë dinjitetit që meritojnë.
Të drejtat e grave nuk janë mjete apo objekte që duhet t’u falen apo dhurohen, ato janë të drejta të lindura e kësisoj gratë së bashku duhet të luftojnë fort që t’i sigurojnë me çdo kusht sepse liria fitohet nuk dhurohet!
Please follow and like us: