Çapajev Gjokutaj: Pse të pavarurit nuk para bëhen në anët tona?
Më ka rastisur shpesh të dëgjoj diskutime pse “klima shqiptare” nuk i favorizon të pavarurit. Mercenarë e bij mercenarësh, thotë një palë. Lufta nën flamurin e tjetrit, jo për liri dhe ideale, por për plaçkë e për laçkë, ka qenë ndër zanatet më të pëlqyera të stërgjyshërve tanë. Bëmë baba të të ngjaj.
Të tjerë, duke përdorur ngjyra më pak mitike, thonë se na mungon tradita e mendimit të lirë dhe e burrave të qëndruar. Dhe si provë sjellin hobetë sarkastike të Konicës dhe Nolit kundër Ahmet Zogut. Pastaj shtojnë vargjet e Nolit: “Dhe Faiku faqe ndrron/dje shante sot lëvdon”. Dhe, për t’i vënë kapak muhabetit, kujtojnë sëmundjen e Nolit më 1933, tre mijë frangat e Zogut dhe tërheqjen e intelektualit të madh nga sulmet kundër shtetarit dinak e pucará.
Thembra e Akilit qëndron tek institucionet, thotë një palë tjetër. Edhe intelektualët njerëz janë, para se të mendojnë e të flasin, duhet të hanë, të kenë një punë të sigurt. Rëndom këtë e ofrojnë institucione që janë të pavarura nga politika dhe nga biznesi. Shihni ç’institucione private kemi krijuar!
Jo universitete, por kioska që shesin diploma dhe punësojnë “akademikë” që i bën sus një pronar gjysmë injorant.
Në radhën e institucioneve mund të renditësh dhe mediat, shumica e tyre që nuk para militojnë për interesin publik, por janë kobure në duart e pronarit që të shantazhojë qeverinë dhe të marrë tendera e koncesione. Doemos që në këtë mëhallë nuk mungojnë gazetarë që punojnë në të zezë dhe presin të marrin rrogat kur ta bjerë hera, ndaj, duan s’duan, katandisen në megafona për të trashur zërat e atyre që janë lart…
Paguajmë mallkimin e vendit të vogël e të varfër, thonë të tjerë. Hapësirat gjeografike i kemi të ngushta, kurse ato ekonomike edhe më të ngushta e më asfiksuese. Si të gjithë ne, edhe intelektuali ka prindër, grua e fëmijë, vëllezër e motra. Një pjesë e tyre janë në bukë të qeverisë, meqë administrata shtetërore mbetet punëdhënësi kryesor. E njohim njëri-tjetrin me fis e me farë, ndaj të afërmit e zërave kritikë shpesh mbeten pa punë. Kush do të donte që fisi ta shihte si delen e zezë?
Hapësirat e ngushta të vendit të vogël bëjnë që elitat t’i kemi të pakta, dhe rrjedhimisht, të ndikuar nga njohje e marrëdhënie personale. Si pasojë, disa intelektualë, në vend që të flasin për politikanin a biznesmenin, për bëmat a gjëmat e tyre, mbeten robër të simpative apo antipative vetjake. Topi bam e Muçua tutje! Thënë shkurt: varua të pavarurve! Nuk bëhen në anët tona…
Please follow and like us: