Ilir Levonja: Presidenti dhe vulgariteti komod i shqiptarëve
Ajo që është forma më vulgare e një shoqërie, është pikërisht momenti kur kërkon të imponohet edhe pse e di që nuk i peshon fjala. Dhe nuk e kërkon në masë të dali në rrugë, por me një spontanitet grupesh për këtë apo atë, por edhe për veten. Konkretisht është kjo puna e zgjedhjes së presidentit që ka pushtuar faqet të tëra webesh sa personale aq edhe gazetash kombëtare. Disa arrijnë deri aty sa bëjnë edhe peticione të drejtpërdrejta, më zgjidhni mua, si rasti i historianes Kocaqi etj., duke i kërkuar shqiptarëve që ta mbështesin. Them vulgare pasi pak ditë më parë kryeministri i vendit e tha publikisht që nuk është për një president të zgjedhur nga populli, me një fjalë nga shoqëria. Gjoja nuk ia lejon kushtetuta e vendit etj. Dhe në fakt nuk e lejon. Shqiptarët nuk kanë të drejtë të zgjedhin presidentin e tyre. Ky është një privilegj vetëm i atyre që fitojnë zgjedhjet. Pra i njëshave, siç ka ndodhur deri më tani. Ka qënë privilegj i Sali Berishës, Fatos Nanos dhe së fundi i Edi Ramës me Erion Veliajn. Ata që besojnë se është edhe e kuvendit, janë naivë. Ose nuk shohin për shkak të mllefit të tepërt për të mbytur njëri-tjetrin si i majti dhe i djathti. Ky preteksi kushtetues është një vrimë në ujë, pasi e kanë ndryshuar kushtetutën sa herë iu ka dashur menderja, madje edhe për rastin e presidentit, 2008 kur rrëzuan numrin 84. Ndofta e keni harruar, por më përpara, ishte në fuqi numri magjik 84 vota. Me një fjalë cilado pozitë apo parti që vinte në pushtet nuk e kishte të lehtë të zgjidhte të ashtuqujturin gardianin e kushtetutës së shqiptarëve, do të duhej edhe një aprovim me votë i opozitës. Kjo mënyrë zgjedhje solli kriza të shumta, mbani mend kur Berisha me Nanon i dhanë shqiptarëve një president nga stolat e pleqve që luajnë domino, apo Alfred Moisiun. Ky ishte i fundit gjoja konsesual, por pas një krize të tejzgjatur. Madje atëhere numri 84 rrezikonte deri rënien e qeverisë. Arsyeja shumë e thjeshtë, ne kemi humbur totalisht besimin tek njëri-tjetri. Jemi të pa aftë të ndërtojmë dialogun dhe besimin. I kemi të pakta figurat konsesuale. Por ajo çfarë është më e rendësishmja, njëshat tanë nuk duan kënd mbi kokë. Kjo ka kultivuar edhe atë kulturën e zerimit, e zeros, atë që gjithçka fillon me mua. Kështu nga Enver Hoxha e këtej. Ndaj sot shqiptarët mahniten nëpër botë kur shohin se si deri antaginositët e kohërave kanë statujat e tyre në qoshe rrugësh, parqe a sheshe publike. Ne nuk e konceptomë dot, jo ta pranojmë. Neni bllokues i 84 votave tashmë është fiktiv, sepse nëse opozita nuk e jep miratimin, presidenti zgjidhet me numër më të ulët votash. Me një fjalë edhe me më pak se 84 vota në një raund të dytë apo të tretë. Që ka kuptimin, do apo nuk do ti, unë e zgjedh edhe presidentin. Kjo ka rezultuar fatale për disa arsye, a) presidenti nuk ka asnjë pushtet, b) nuk është garant kushtetues, c) nuk ndihmon në balancimin e pushtetit, d) nuk përfaqëson shqiptarët etj. Për më tepër kanë qënë burime konfliktuale, presidenti o njihej nga konflikti me kryeministrin, ose nuk nihej fare pasi ishte totalisht vegël e kryeministrit dhe e kryetarit të partisë, si rasti Omer Nishani (1946-1953), apo Haxhi Lleshi (1953-1982). Mrekullia do të ishte që presidenti të zgjidhet nga populli, por ata nuk e duan. Duket se nuk duam edhe ne. Kjo pasi më përpara se të ndihmojmë veten, vendin, Shqipërinë, ne ndihmojnë njëshat për të konsoliduar pushtetin e tyre absolut. Kësisoj do vazhdojmë të shohim një ilaritet social para çdo mandati zgjedhor.