Kosova duhet t’i godasë fuqishëm strukturat paralele serbe/“Do t’ju gjejmë të gjithëve kudo që të jeni fshehur”
“Ura kryesore që lidh Mitrovicën Veri dhe Jug mbeti e mbyllur për qarkullim të automjeteve, gjoja për të parandaluar trazirat civile, por ishte plotësisht e hapur për këmbësorët. KFOR-i dhe policia mbajtën siguri të përhershme në lokacion. Urat e tjera që lidhin dy qytetet ishin plotësisht të hapura”, thuhet në raportin e Departamentit të SHBA-ve.
Siç konstaton raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan, ura po u mbajtka ende e mbyllur me dyshimin se gjoja ashtu ‘parandalohen trazirat civile’!
Po kush mund të shkaktojë trazira civile aty? Kanë kaluar sa vjet dhe nuk ka pasur asnjë ngjarje të dhunshme, përveç kur shërbimet sekrete inteligjente serbe kanë provokuar ndonjë situatë qëllimisht, dhe siç rezulton tani, ajo ka ndodhur nëpërmjet grupeve kriminale serbe, disa prej të cilave janë të përfshira në krim ndërkombëtar.
Në fund të vitit të kaluar Departamenti i Shtetit e vendoi në listë të zezë një grup kriminal serb ndërkombëtar me bazë në veri, të përfshirë edhe në aktivitete destabilizuese, edhe në Kosovë.
Në krye të tij janë dy figurat emblematike të krimit Millan Radojçiq dhe Zvnoko Veselinoviç, përveç tjerash të dyshuar edhe për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, të moderuar disa vite para vrasjes.
Por, Radojçiq është edhe nënkryetar i Listës Serbe, e cila nëpërmjet tij dhe grupit të tij kriminal, e kontrollohet nga Serbia.
Në këtë mënyrë kjo parti është e identifikuar me krimin.
Pra, grupet kriminale dhe Lista serbe, ka abuzuar hapur edhe me institucionet, siç veneron raporti në fjalë.
Si të spastrohet veriu nga strukturat paralele?
Pra, kthimi i një pjese të territorit të Kosovës në një organizim njëpartiak, përbën cenim të demokracisë, e cila e ka për bazë pluralizmin politik.
Organizimi kriminal, mbytja e pluralizmit politik dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë nga regjimi i Serbisë, prorus e antidemokratik përbën bazën, për të goditur me shpejtësi dhe pa u hamendur, institucionet e rendit dhe sigurisë.
Institucionet e sigurisë, të gjitha, policia e FSK-ja, prokurori e gjykata dhe AKI-ja, duhet të veprojnë menjëherë në spastrimin e këtyre grupeve kriminale dhe të kriminelëve serb.
Pra, është koha për një aksion spastrimi të strukturave kriminale serbe paralele dhe atyre të përfshira në institucione, por që edhe sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, janë si pjesë të struktura kriminale në veri e jug, e që udhëhiqen nga Serbia.
Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë vizitës në Mitrovicë, të enjten, tha se problemet në veri e kanë origjinën nga bandat e financuara nga Serbia.
“Ju e dini që në veri të vendit për fat të keq ka probleme të sundimi të ligjit që janë krijuar nga bandat ilegale që financohen dhe mbështeten nga Serbia. Pra, problemi nuk është te qytetarët që jetojnë aty, qytetarë serbë, qytetarë shqiptarë, qytetarë të komunitetit rom, ashkali, egjiptian, turq, boshnjakë, problemi gjithnjë ka qenë me njerëz që ilegalisht kanë kryer krime, i kanë frikësuar qytetarët, ua kanë mohuar shpeshherë edhe të drejtën e tyre të lirë në votim. Të gjitha këto që po i them janë të konfirmuara edhe në raporte ndërkombëtare”, thotë Osmani.
Sipas kësaj që thotë Osmani, strukturat kriminale duhet të ndiqen nga institucionet, në mënyrë që të vendoset rendi dhe ligji.
Ky mesazh i presidentes duhet të kuptohet edhe si kushtrim për institucionet e sigurisë që të veprojnë ndaj grupeve kriminale serbe.
Mësimi izraelit
Shqiptarët duhet t’i kthehen strategjisë që e ka ndjekur qeveria izraelite, sipas parimit të vendosur nga kryeministrja prej më të famshmëve, Golda Meir, e cila në vitin 1972 i kishte udhëzuar shërbimet sekrete izraelite për kriminelët që: “Do t’ju gjejmë të gjithëve kudo që të jeni fshehur”!
Njëlloj devize të tillë po e përdor sot, Ukraina në luftën mbrojtëse kundër Rusisë.
Është koha, që të zgjohet më shumë edhe shteti i Kosovës, edhe Shqipëria gjithsesi, por edhe ato shtete që po e mbajnë të mbyllur urën në veri, veçanërisht pas luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë.
Thirrja e ekspertit të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, gjermanit Martin Henze, duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së secilit: “Edhe politikani dhe strategu i fundit i fjetur në Perëndim dhe në Ballkan tani duhet të ishte zgjuar për shkak të luftës së agresionit të Putinit në Ukrainë. Bota tani do të duhet të pozicionohet pa mëdyshje”./bota sot