Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi 150 gazetarë të pavarur rusë largohen nga vendi i tyre

Më shumë se 150 gazetarë rusë janë larguar nga vendi që nga sulmi në Ukrainë. Më shumë po punojnë me organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anush Avetisyan, i hedh një vështrim përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar gazetarët e pavarur rusë në këto kohë të vështira.

Gazetarët ishin mes rusëve që vendosën të largoheshin nga vendi që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt.

Për gazetarët e pavarur, Rusia është bërë e pasigurt për shkak të një ligji që shpall si të rremë çdo informacion që bie ndesh me ato që lëshon Ministria e Mbrojtjes. Përhapja e një informacioni të tillë mund të çojë në një dënim me burgim deri në 15 vjet.

“Gazetaria e pavarur dhe e vërtetë është gjëja më e rëndësishme për momentin. Vetëm gazetaria e vërtetë mund të luftojë efektivisht propagandën. Të gjithë gazetarët e pavarur tani janë armiq të shtetit. Pse? Përgjigja është e thjeshtë – sepse gazetaria bën ndryshimin në Rusi. Kremlini ka vërtet shumë frikë nga gazetarët”, thotë gazetari investigativ Roman Badanin.

Gazetarët e televizionit TV Rain, Echo of Moscow, Meduza dhe Novaya Gazeta janë larguar nga Rusia, kur mediat e tyre u detyruan të ndërpresin punën në vend.

Disa nga këta gazetarë po marrin ndihmë nga grupe ndërkombëtare.

“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë tani është të ofrojmë mbështetje për gazetarët që u është dashur të largohen nga Rusia, të cilët ende po përpiqen të raportojnë … dhe duke ofruar atë që kemi mundësi, thotë Sharon Moshavi me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarët.

Organizata Gazetarët pa Kufij, po punon me mediat e bllokuara në gjuhën ruse, si dhe me gazetarë të pavarur, platformat online të të cilëve janë detyruar të mbyllen, duke krijuar faqe interneti pasqyruese për të siguruar qasje në informacionin e censuruar.

“Ne përdorëm teknologjinë tonë për të zhbllokuar për shembull faqen elektronike të gazetës Meduza – portali më i njohur me lajme të pavarura në Rusi.  Shumica e punës që bëjmë në Rusi tani, me gazetarë apo me media, nuk reklamohet për arsye sigurie”, thotë Pauline Ades-Mevel me organizatën Gazetarët pa Kufij.

Organizata ka krijuar gjithashtu një fond për gazetarët rusë, për t’i ndihmuar ata të largohen nga Rusia dhe të punojnë nga një vend i sigurt. Gjithashtu ajo është duke hartuar një listë për zhvendosjen urgjente të rreth 100 gazetarëve në vendet e BE-së.

Ndërkohë, gazetarët rusë jashtë Rusisë po i kërkojnë komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë homologët e tyre që janë ende në vend. Çdo gjë – nga grantet deri te statusi i refugjatit special – bën ndryshimin.

Avokatja e imigracionit, Natalia Polukhtin në Arizona thotë se nëse gazetarët rusë mund të gjejnë një punëdhënës në SHBA, ata mund të zhvendosen me një vizë të posaçme.

“Nuk është shumë e vështirë për ta marrë këtë vizë. Nëse personi në fjalë punon vërtet në gazetari, ka mundësi të ndryshme për të, përfshirë diçka që lidhet me leksionet universitare, apo aktivitete të tjera sociopolitike”.

Shumë prej tyre që kanë humbur shpresat për të marrë një vizë amerikane janë nisur drejt kufirit SHBA-Meksikë.

“Këta njerëz arrijnë në pikën e kontrollit, thonë fjalët magjike “azil politik”, dhe pranohen. Ende nuk është kaq e thjeshtë, është një sfidë serioze me të cilën njerëzit janë të gatshëm të përballen”, thotë Natalia Polukhtin, avokate imigracioni.

Ekspertët besojnë se gazetarët e pavarur nuk ka gjasa të kthehen në Rusi së shpejti. Tani për tani, atyre u duhet vetëm një shans për të punuar – lirisht dhe pa frikë.

Please follow and like us: