Arben Duka: O Ago për kokën tënde, pse e dhjeve Labërinë
(Labëria është e jona-po është kohë e sharlatanëve)
Në tetëmbëdhjetë Nëntor,
dymijë e shtatëmbëdhjetë,
Nishanit i vunë kurorë,
si një personalitet!
Kush ja dha-e pse ja dhanë,
pyet i riu dhe plaku,
që të gjithë njëzëri thanë:
“Ago Nezha-dituraku”!
Ago Nezha-kryetari,
një shahit i historisë,
po s’e dimë ç’ka bërë Bujari,
ç’i ka dhënë Labërisë?!..
Po s’e dimë ç’ka bërë Nishani,
kapardisur si një krushk,
nuk ia vlen dhe po ta shani,
se është i tëri dushk!
Është dushk që bën veç lënde,
dhe gjethe-ushqim për dhinë,
o Ago për kokën tënde,
pse e dhjeve Labërinë!.
Labërinë me heronjtë,
më të mirë të Shqipërisë,
që u ka hequr patkonjtë,
armiqve dhe tradhtisë!.
Terroristë e tradhtarë,
Bujua dekoroi plot,
ndaj-o Ago:”Punë e mbarë”,
këtë herë s’të themi dot!
Ago Nezha s’mund të tallej,
me heronjtë e Labërisë,
Nishani duhet të shpallej:
“Turp i madh i Shqipërisë”
E ka shkruar historia,
si, djepin e partizanëve,
është e jona Labëria,
po është kohë e sharlatanëve!.
Ndaj dhe na u ngrit tensioni,
se po tallet Mëmëdheu,
sharlatanë-a s’më thoni,
në ç’fushë Bujua shkëlqeu?!
Asgjëkund s’ka shkëlqyer,
se nuk ndrit qymyri i shuar,
se armiqtë më të urryer,
Nishani ka lartësuar!
Nga krerët e Labërisë,
këtë proçkë s’e kishim pritur,
me armiqtë e Shqipërisë,
Bujua duhet llogaritur!
Për një fletushkë shoqate,
nuk është se u bë hataja,
krahë mund t’i vësh një pate,
po dot nuk e ngjit në maja!
Hallet si lule të njoma,
do na çelin për gjithë jetën,
po ndaj jemi gjallë akoma,
që të themi të vërtetën!