Irma Kurti boton në gjuhën angleze “Fragments from a doctor’s diary”
Libri “Fragmente nga ditari i një mjeku” përmban citate dhe aforizma të shkruara nga babai i saj, mjeku Hasan Kurti
Irma Kurti sjell në gjuhën angleze pjesë nga ditari i babait të saj, doktor Hasan Kurti. Libri, që përmban citate dhe aforizma, titullohet: “Fragments from a doctor’s diary”, (Fragmente nga ditari i një mjeku). Në parathënien e shkruar nga Kurti, e cila është përkthyesja e tyre, shkruhet: “Citatet dhe aforizmat në këtë libër janë marrë nga ditari i tim eti si dhe nga libri ‘Kujtimet e një mjeku’. Ato janë dëshmia, vullneti dhe këmbëngulja e tij, kurajoja për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur deri në fund të ekzistencës, me gjithë vështirësitë e panumërta në rrugëtimin e tij. Në çdo paragraf, në çdo rresht e fjalë unë kam dëgjuar zërin e tij. Shpresoj ta dëgjoni edhe ju, thotë Irma.
Shënimet e plota të doktor Hasan Kurtit, copëza nga jeta familjare, kujtime të shokëve në bankat e shkollës apo të pacientëve të tij gjatë punës shumëvjeçare si mjek radiolog janë përfshirë në librin “I ricordi di un medico” botuar në Itali nën siglën e Shtëpisë Botuese ‘Kimerik’ në 2020 dhe në shqip nga Botimet Ada, në 2021. Vitin e kaluar kjo vepër u përzgjodh nga rreth 600 vepra të mbërritura në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina) dhe u shpall si një nga 200 librat më të bukur në Itali. Libri “Fragments from a doctor’s diary” botohet nga Shtëpia Botuese ‘Poetry Planet Book’. Disa kopje tij do të jenë pjesë e arkivit të Librarisë Nacionale në Filipine.